Bolshevikë dhe muhaxhirunë: Revolucioni komunist i Leninit dhe Revolucioni Islamik i Muhametit


Nga Kastriot Myftaraj
       
        Pasiqë Muhameti dështoi për 12 vite që të bënte për vete banorët e Mekës si predikues, ai u shndërrua befasisht në luftëtar, i cili do t’ i detyronte të tjerët me forcë që ta pranonin fenë e vet. Në shtator të vitit 622, pesë muaj pasi imperatori bizantin Herakli u nis në fushatën e madhe të kundërmësymjes ndaj persianëve, Muhameti befas mori vendim që të largohej me të vetët nga Meka për në Yathribë, e cila pas kësaj do të quhej Medinat al-Nabi, do të thotë Qyteti i Profetit. Në këtë emërtim ka një aludim qortues për Mekën, e cila ishte qyteti i lindjes së profetit. Konotacioni i ndryshimit të emrit të Medinës është se Meka ishte qyteti armik i profetit. 
        Arsyeja që jepet për ikjen në Medinë është se Muhametit dhe ndjekësve të tij u rrezikohej jeta, nuk duket e besueshme. Ata kishin qendruar për 12 vite në Mekë dhe kurejshët mund t’ i kishin vrarë lehtë gjatë kësaj kohe, muslimanët, të cilët qenë shumë të paktë, jo më tepër se 100 në kohën e ikjes në Medinë. Më e besueshme duket që Muhametit t’ i ketë ardhur urdhri nga Persia që të largohej për në Medinë ku të grumbullonte forca për të pushtuar Mekën. Tashmë persianët e kishin të qartë se Muhameti kishte dështuar në Mekë si profet. Në 12 vite ushtrimi të “profetësisë” me predikim ai nuk kishte arritur që të bënte as dhjetë ithtarë në vit. Nëse Muhameti do të kishte vazhduar që të predikonte pareshtur nga viti 610 deri në 2010, në botë do të kishte pasur jo më shumë se 14 000 muslimanë! Fakti është se Muhametin e refuzoi Meka, vendi më i zhvilluar i Hexhazit.
        Në 622 ai u ftua nga fisi Khazrai në Medinë, ku ishte e fortë influenca persiane. Në Medina Muhameti kishte mbështetjen e Sa’ d ibn Mua’ dh, kreut të fisit të madh Banu Aus, të cilët qartësisht qenë njerëzit e persianëve. Muhameti iku nga Meka me vetëm 100 mbështetës, të cilët qenë krejt çka kishte mundur të bënte ndjekës të fesë së re. Ky qe ai që u quajt Hixhri. Ata që ikën me Muhametin u quajtën muhaxhirunë, fjalë kjo që do të thotë emigrant. Muhaxhirunët qenë ekuivalenti i bolshevikëve të Leninit, garda militante e tij. Mbi bërthamën e muhaxhirunëve  Muhameti krijoi në Medina një gardë pretoriane të quajtur Vëllazëria, e cila i bindej atij pa diskutim, për çdo gjë. Muhameti krijoi Vëllazërinë, një organizatë me kasta ku bënin pjesë shokët e tij të ardhur nga Meka, të quajtur Sahaba, të cilët përbënin kastën superiore. Muslimanët medinas u quajtën Ansar (ndihmës) dhe përbënin kastën e ulët. Çdo sahib u bë vëlla me një ansar. Por Muhameti vetë u bë vëlla me Aliun. Vëllazëria e krijuar nga Muhameti ishte e para organizatë në Arabi ku një lidhje tjetër prevalonte mbi atë tradicionale të gjakut, familjes, fisit. Vëllai duhet të vriste vëllain, djali babain, saktësisht ashtu si në luftën klasore ideologjike që filloi Lenini në Rusi. Vëllazëria ishte një shoqëri sekrete në stilin e atyre sumere të kultit të Inanna dhe atyre të Al-Uzza, në Mekë. Kjo shoqëri sekrete do të mbetej në zemër të Islamit, deri në kohët tona.
        Me Hixhrin Muhameti u bë politikan, rebel. Tashmë ai bëri të qartë se këtej e tutje konvertimi do të bëhej me dhunë. Arabët duhej të zgjidhnin mes konvertimit dhe vdekjes. Me ndihmën e persianëve Muhameti u bë zoti absolut i Medinës, të cilën synonte ta përdorte si një bazë fuqie për të marrë nën kontroll Mekën dhe krejt Hexhazin, së paku. Me zotërimin e Medinës Islami u bë një polis militant religjioz.
        Ekziston një ngjashmëri kurioze mes Leninit dhe Muhametit: Lenini doli me zbulesën e vet në 1902 dhe bëri 15 vite predikime dhe debate derisa erdhi dita kur shkoi befasisht në Rusi, i dërguar nga gjermanët, në vagonin e vulosur të trenit, për të kryer revolucionin e dhunshëm bolshevik. Muhameti e bëri zbulesën në vitin 610 dhe bëri 12 vite predikime e debate, derisa erdhi dita kur mori vendimin befasisht për të kryer revolucionin për instalimin e Islamit me dhunë. Muhameti, me largimin nga Meka për në Medinë e kapërceu “Rubikonin”, duke u shndërruar nga predikues-konspirator në prijës luftëtar. Që profetët të shndërroheshin në prijës luftëtarë kjo nuk ishte një gjë e re, se edhe Abrahami dhe Moseu kishin qenë të tillë, por kishte një ndryshim të madh mes Muhametit dhe atyre. Derisa Abrahami dhe Moseu kishin luftuar kundër popujve të tjerë, Muhameti do të luftonte kundër popullit të vet, kurejshëve te Mekës. Derisa Lenini përçau partinë së cilës i përkiste, Muhameti përçau fisin të cilit i përkiste. Ashtu si Lenini, Muhameti u shkëput me një fraksion, muhaxhirunët, të ngjashëm me bolshevikët. Ashtu si Lenini, Muhameti ngutej, ai donte ta përshpejtonte historinë.
        Kur njeriu lexon Kuranin nuk mund të mos pyesë se përse Allahu befas i mori gjërat me kaq ngut dhe donte që ta instalonte Islamin në Mekë dhe në krejt Arabinë, që në të gjallë të Muhametit. Allahu në Kuran paraqitet si i duruar, përse ngutej ai këtë herë? Zoti nuk qe ngutur me profetët e tjerë. Zoti mund të mjaftohej që Muhameti ta shpallte Kuranin, ndërsa të tjerë njerëz pas tij, të bënin që fjala e Allahut të sundonte në Mekë dhe më tutje në Arabi. A ishte Muhameti në shërbim të Zotit, apo Zoti në shërbim të Muhametit? Pse duhej që Allahu të bënte që i dërguari i tij, profeti i fundit, të kompromentohej kaq shumë me ushtrim dhune? A nuk u kursye Moseu nga kjo gjë, duke mos hyrë në Tokën e Premtuar? Kurani duket se është shkruar si doktrinë politiko-ushtarake në shërbim të një njeriu, në një situatë të dhënë.
        Hixhri i Muhametit në Medinë është ekuivalenti i marrjes së Petrogradit nga Lenini, do të thotë i Revolucionit të Tetorit. Mund të thuhet se Yathriba (Medina) ishte për Hexhazin e kohës ajo çka ishte San Peterburgu për Rusinë e kohës kur u bë revolucioni bolshevik. San Peterburgu asnjëherë nuk ishte pranuar nga Rusia tradicionale, do te thotë nga shumica e rusëve si kryeqytet, dhe ishte parë më tepër si një qytet i sajuar, tregtar, me frymë kozmopolite. Si qendra e vërtetë e Rusisë qe parë gjithherë Moska. Ashtu si Lenini duhet të shkonte në Moskë, që të bëhej vërtet zoti i Rusisë, ashtu dhe Muhameti duhet që të shkonte në Mekë që të bëhej zoti i vërtetë i Hexhazit dhe më tutje i Arabisë.
        Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse kalendari islamik fillon me ikjen e Muhametit në Medinë dhe jo me rikthimin e tij triumfator në Mekë, çka tekefundit qe qëllimi i vërtetë i largimit për në Medinë. Pas të gjitha gjasave kjo ka ndodhur se Muhameti dhe pasardhësit e tij e kuptonin se nuk shkonte që koha islamike të fillonte me hyrjen e Muhametit në Mekë me ushtri. Muhameti nuk e bindi Mekën, por e përdhunoi atë. Derisa Muhameti donte të evitonte nisjen e kalendarit me hyrjen në Mekë, ai mund të kishte zgjedhur që llogaritja e kohës nuk fillon që nga dita kur supozohet që të ketë filluar emetimi i Kuranit për Muhametin. Në rast se se në fenë islame nuk adhurohet kush tjetër posë Allahut, atëherë a nuk duhet të kishte ndodhur kështu? Është shumë domethënëse që ai nuk e bëri këtë, por tjetrën. A nuk vihet Muhameti mbi Allahun? Kështu shënohet koha e Muhametit dhe jo koha e Allahut. Ai donte të ngrinte kultin e vetes nën hijen e Allahut. Kalendari islamik fillon pikërisht nga dita kur Islami shndërrohet në një lëvizje politiko-ushtarake. Nuk ka asnjë rresht në Kuran ku Allahu të urdhërojë që kalendari të fillojë kështu.
        Kur Muhameti u largua nga Meka për në Medinë, ai tashmë kishte shpallur 86 sure të Kuranit, nga 114 që ka gjithsej Kurani. Në Medinë do të shpalleshin vetëm 27 sure. Por suret e shpallura në Medinë përbëjnë pjesën më të madhe të tekstit të Kuranit se ndër to janë suret më të gjata të Kuranit. Sureja e parë e shpallur në Medinë ishte ajo El Bekare (E Lopës), një sure shumë e egër, luftarake, e cila në Kuran është e dyta. Ajo u shpall me rastin e luftës që filloi Muhameti kundër karvaneve tregtare mekane që shkonin në Siri, duke kaluar pranë Medinës. Sureja legjitimon këtë dhunim të normave tashmë të stabilizuara në Hexhaz, për qarkullimin e lirë të karvaneve. Sureja pasuese, ajo El Enfalë (E Plaçkës së luftës), e cila është e treta në Kuran, përcakton dispozitat për ndarjen e presë së bërë në grabitjen e karvaneve.
        Në Medinë Muhameti u bë teolog sofist, çka e bën të ngjashëm me Leninin në periudhën e parë pas Revolucionit të Tetorit. Në muajt e parë pas Revolucionit të Tetorit, Lenini u përpoq të krijojë përshtypjen e njeriut që i respektonte të gjitha partitë politike në vend, duke pranuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara që para revolucionit të tij. Edhe Muhameti u përpoq që të krijonte përshtypjen se i respektonte bashkësitë religjioze në Medinë. Muhameti, me të arritur në Medina bëri një pakt me hebrejtë e atjeshëm, e njohur si Karta e Medinës (622), e cila gjithsesi është shpallur në mënyrë të njënashme nga Muhameti dhe nuk ka firmat e palëve të tjera. Karta u referohet hebrejve dhe paganëve të Medinës si pjesë të asaj që ai e quan Ummah. Muhameti e mori fjalën “ummah” nga hebraishtja ku do të thotë “nacion”. Muhameti mendonte se me këtë gjetje do t’ i manipulonte hebrejtë, të krishterët dhe idhujtarët e Medinës, për t’ i përdorur ata si instrumente të politikës së tij. Karta ka dhe dispozita të posaçme për muslimanët të cilët ndahen në muhaxhirunët mekanë dhe ansarët (ndihmësit) medinas. Kjo bie në kundërshtim me atë që thuhej në fillim të Kartës se të gjithë muslimanët qenë të barabartë. Në Kartën e Medinës nuk përmenden të krishterët, gjë që ka ndodhur se ata shiheshin si aleatë të bizantinëve, armiq të persianëve.      
        Në kuadrin e kësaj politike paqësimi, Muhameti në fillim, për të fituar simpatinë e hebrejve të Yathribës, bëri kible Jerusalemin, përkatësisht Gurin e Malit të Tempullit. Suret e gjata të shpallura në Medina janë dukshëm të influencuara nga Judaizmi. Në Medina, Muhameti kishte mbështetjen e tre fiseve hebreje të qytetit. Por shpejt ata u ftohën me të, se Muhameti donte që ata ta njihnin si profet. Në këtë moment hebrejtë filluan ta perceptojnë Muhametin si rrezik. Ata filluan të bashkëpunojnë me shumë nga të konvertuarit me forcë në Islam, të cilët morën zemër nga ftohja e hebrejve me Muhametin. Muhameti për të fituar simpatinë e hebrejve e ashpërsoi gjuhën ndaj të krishterëve.
        Kur Muhameti shkoi në Medinë ai befasisht filloi të shpallë sure shumë detraktuese dhe të egra ndaj të krishterëve. Në Mekë ai nuk e kishte bërë këtë gjë, me sa duket se në Mekë ishte e fortë influenca bizantine. Antikrishterizmi virulent që shfaqi befasisht Muhameti ishte me siguri i influencuar nga persianët, të cilët në atë kohë gjendeshin në fazën kulmore të luftës së tyre të gjatë me bizantinët e krishterë. Muhameti adoptoi dhe pothuajse krejt qëndrimin judaik për Krishtin, madje e zhvilloi atë në terma shumë ofensive. Në kohën që Muhameti ishte në Medinë ai filloi të shpallë  sure ku mohohej se Krishti ishte trupëzim i Zotit, se Krishti ishte Biri i Zotit dhe se Zoti e incintoi Marinë me anë të Shpirtit të Shenjtë, çka është themelore në Krishterim në të gjitha degët e tij. Gjithashtu në Kuran, Trinia e Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, një koncept bazik i Krishterimit ky nuk pranohet, quhet shirkh, idhujtari. Në kohën që Muhameti ishte në Medinë ai shpalli një sure në të cilën u drejtohet të krishterëve në një gjuhë kërcënuese. Në Suren En Nisaë, e pesta e shpallur në Medinë dhe e treta në Kuran thuhet:
         “O ithtarë të Librit, mos e teproni në fenë fenë tuaj dhe mos thoni gjë tjetër për Allahun, përveç asaj që është e vërtetë... Besoni pra Allahun dhe të Dërguarin e tij dhe mos flisni për Trininë. Pushoni së foluri se është më mirë për ju. Allahu është vetëm një Allah dhe larg qoftë që ai të ketë fëmijë”.(Kuran, En Nisaë: 4/ 171)
        Këtu të krishterëve u kërkohet që të heqin dorë nga një gjë themelore e fesë së tyre, Trinia e Shenjtë, dhe qënia e Krishtit biri i Zotit. Në këtë sure edhe kryqëzimi i Krishtit, një gjë themelore kjo për Krishterimin:
        “Por ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan por atyre u përngjau”.(Kuran, En Nisaë: 4/ 157)
        Në Suren El Maidë, të shpallur në Medinë thuhet për të krishterët:
        “E mohuan të vërtetën ata që thanë se Zoti është Mesihu, biri i Merjemes”.(Kuran, El Maidë: 5/ 17)
        Kështu, Muhameti, shtatë shekuj pas Krishtit, mori librin e shenjtë të të krishterëve, mori qka deshi prej tij, tjetërsoi Krishtin, e detraktoi atë, dhe të gjitha këto u fiksuan në librin më të shenjtë të Islamit. Kështu muslimanët e kanë bërë fyerjen e Krishtit dhe Krishterimit dogmën e tyre të shenjtë. Ky është një rast unik në historinë botërore të religjioneve. Me të shkuar në Medinë, Muhameti filloi përgatitjet për pushtimin e Mekës. Ai e dinte se nuk mund të ndërmerrte një fushatë kundër Mekës, duke e rrethuar qytetin dhe marrë me sulm, se nuk do të arrinte kurrë që të kishte një ushtri aq të madhe sa ç’ duhej për të ndërmarrë këtë fushatë. Prandaj ai zgjodhi që të përdorte një strategji të llojit të banditëve të shkretëtirës që msynin karvanet tregtare. Muhameti vendosi që të msynte karvanet tregtare mekane që shkonin, ose ktheheshin nga Siria dhe të bënte plaçkë që do ta përdorte për të bërë blerë luajalitetin e më shumë njerëzve dhe për t’ i pajisur ata me armë e kafshë për lëvizje, si dhe për të ushqyer dhe veshur ushtrinë që donte të krijonte. Përfitimi strategjik që vinte nga msymja e karvaneve ishte se mekanët do të detyroheshin që të dërgonin ushtri kundër Muhametit, të cilën ky do ta priste në shkretëtirë, larg bazave të saj të furnizimit, do ta lodhte dhe do ta asgjësonte.
        Por Muhameti kishte një problem se karvanet përgjithësisht udhëtonin në muajt e shenjtë, gjatë të cilëve lufta ishte e ndaluar. Këta qenë po të njëjtët muaj të shenjtë që do të kishte edhe kalendari islam. Muhameti e zgjidhi edhe këtë problem, në mënyrë të ngjashme me Leninin, i cili për çdo problem që dilte nga diskrepansa mes realitetit rus dhe doktrinës marksiste, bënte një interpretim vetëfavorizues të ligjeve marksiste të materializmit dialektik dhe historik. Ekuivalenti i kësaj për Muhametin qe shpallja e një sureje të atribuar Allahut. Kështu Muhameti shpalli Suren El Bekare ku ai u drejtohet muslimanëve duke u thënë:
         “Juve u është bërë obligim lufta ndonëse ju e urreni atë. Por mundet që ju ta urreni një gjë e megjithatë ajo është shumë e dobishme për ju, e mundet që jut a doni një gjë dhe ajo është shumë e dëmshme për ju. Allahu e di e ju nuk e dini. Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë, thuaj: “Lufta në të është mëkat i madh, por pengimi nga rruga e Allahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Kaaba) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha për Allahun”.(Kuran, El Bekare: 2/ 216-217)
        Në 624, në Badr, Muhameti, në krye të 300 vetave, msyu dhe grabiti një karvan tregtar kurejsh që kthehej në Mekë nga Siria. Kjo ndodhi në muajin Ramadan, të paqes së shenjtë, kur lufta ishte e ndaluar. Ky veprim banditesk është shndërruar në Kuran dhe në historinë islame si një luftë e lavdishme dhe fitorja e parë e madhe e Muhametit dhe muslimanëve. Vetë Allahu bën të ditur se ai mori pjesë personalisht në sulmin në Bedr, sipas shembullit të zotave paganë të cilët merrnin pjesë në beteja, në krah të njërës apo tjetrës palë. Në Sure Al Imran, Allahu thotë: “Allahu u ndihmoi juve në Bedr kur ju ishit të paktë në numër”. (Kuran, Al Imran: 3/123)
        Pas fitores në Bedr, midis anëtarëve të bandës së Muhametit filloi një konflikt për ndarjen e presë së luftës. Muhameti nuk qe në gjendje që t’ i jepte fund këtij konflikti me autoritetin e vet dhe Islami do të kishte marrë fund duke u vrarë muslimanët e parë mesveti, sikur Muhameti të mos kishte një ide brilante. Ai e zgjidhi konfliktin duke shpallur Suren El Enfalë (e plaçkës së luftës), ku supozohej që Allahu të merrte rolin e shefit suprem të bandës dhe të përcaktonte rregullat e ndarjes së presë mes banditëve. Muhameti shpalli fjalët e Allahut:
         “Të pyesin ty për plaçkën e fituar në luftë. Thuaju: Ndarja e plaçkës është çështje që i takon Allahut dhe të Dërguarit të tij ndaj kijeni frikë Allahun, përmirësoni unitetin tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektoni Allahun dhe të Dërguarin e tij”.(Kuran, El Enfalë: 8/1)
        Kjo ishte një metodë leninistë e zgjidhjes së problemit. Nëse dikush nuk do të bindej pas kësaj ai do të vritej në vend si jobesimtar. Me këtë rast Muhameti u kujdes dhe për pjesën e vet të plaçkës së luftës, duke shpallur vullnetin e Allahut:
         “Ju ta dini se një e pesta e asaj që fituat i takon Allahut, të Dërguarit të Tij, të afërmve të këtij, jetimëve, nevojtarëve dhe atyre në mergim”.(Kuran, El Enfalë: 8/41)
        Siç shihet, nuk kishte pjesë më vete për jetimët e nevojtarët, por ajo ndahej nga pjesa që i takonte së pari Muhametit, familjes së tij, të afërmve të tij, sipas vullnetit të këtij të fundit. Jetimët dhe nevojtarët vinin pas familjes së Muhametit, e cila nuk ishte nevojtare, si dhe pas të afërmve të tij të tjerë nga gjaku. Sure El Enfalë ishte çelësi i suksesit ushtarak të Muhametit. Pasi Muhameti shpalli me këtë sure se Islami ishte një lëvizje ushtarake ku si shpërblim për pjesëmarrjen në të fitohej plaçkë lufte, të gjithë aventurierët dhe banditët e Gadishullit Arabik dhe më gjerë iu bashkëngjitën kësaj lëvizjeje.
        Ashtu si Lenini kopjoi “socializmin e luftës” gjerman, organizimin e ekonomisë së Gjermanisë ëilhelmiane për nevojat e luftës, edhe Muhameti kopjoi praktikën fiskale persiane për marrjen e një të pestës së të ardhurave, nga ana e sundimtarit. Po në Sure El Enfalë, Muhameti shpalli vullnetin e Allahut për raportin numerik të muslimanëve me armiqtë në luftë, çka mund të quhet edhe si Ligji Islamik i Triumfit të Minorancës Fanatike të Dhunshme:
         “O Pejgamber! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty. O Pejgamber! Nxiti besimtarët për luftë. Nëse prej jush janë njëzet të durueshëm dhe trima, do t’ mundni dyqind armiq, e nëse janë njëqind, do t’ i mundni njëmijë jobesimtarë, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë përse luftojnë. Allahu ju bëri lehtësim tash duke ditur se jeni të dobësuar”.(Kuran, El Enfalë: 8/64-66)
        Kjo është e ngjashme me udhëzimet që jepte Lenini se një minorancë e disiplinuar bolshevike dhe e vendosur për të ushtruar dhunë të pakufizuar, do të triumfonte mbi armiqtë. Është domethënëse që kjo u shpall në suren për plaçkën e luftës. Ky urdhër vlen sot edhe për muslimanët praktikues në shoqëritë ku ata janë minorancë, si në Shqipëri.         Ashtu si Lenini Muhameti ishte për terrorin e pakufizuar, duke mos u kursyer gratë dhe fëmijët kur ishte e nevojshme të goditeshin kundërshtarët në luftën civile në Rusi. Një nga vartësit e Muhametit të cilin ai e urdhëroi të ngrinte një pritë kundër karvaneve mekane, tregoi këtë ngjarje, që u bë një hadith i famshëm: “Profeti kaloi tek unë në një vend të quajtur Al Abwa ose Waddan e u pyet nëse ishte e lejuar që të sulmoheshin jobesimtarët luftëtarë natën, kur gratë e fëmijët e tyre do të rrezikoheshin. Profeti u përgjigj: Gratë e fëmijët janë të tyre”.(Sahih Bukhari, Hadithe, vol 4, libri 56, nr. 3012)
        Fakti se bashkëluftëtarët e pyesin Muhametin nëse mund të vriten edhe gratë e fëmijët, tregon se tashmë kjo gjë ishte e ndaluar tek arabët idhujtarë, sipas dispozitave fundit të kultit të Kaaba. Ajo çka po bënte Muhameti ishte një dekretim i terrorit të pakufizuar, rikthim në një barbari të cilën arabët tashmë e kishin kapërcyer. Nëpërmjet grabitjeve Muhameti krijoi një ushtri, duke joshur të gjithë banditët e shkretëtirës që të bashkohen me të, duke u bërë muslimanë, se kështu siguronin pjesëmarrjen në fushata grabitëse të suksesshme. Flamuri i Muhametit ishte i ngjashëm me atë të piratëve të mëvonshëm të deteve. Në luftë dhe marshim Muhameti përdorte flamur të zi, pa asnjë simbol. Ky njihej si Al-Uqaab. Ky ishte flamuri i fisit kurejshi. Flamuri i zi u përdor edhe nga khalifati islamik si flamur shtetëror dhe luftarak. Kur një fushatë ushtarake e komandonte Muhameti, kjo quhej Ghazwat, çka ishte shkalla më e lartë e luftës së shenjtë. Kur komandonte një nga shokët e tij (Sahabi) quhej Saraya. Në fakt të dy llojet e fushatave qenë sulme banditeske.
        Kur Muhameti i humbi shpresat përfundimisht se hebrejtë do ta njihnin si profet dhe nuk i nënshtroheshin, ai u kthye kundër tyre, fillimisht duke ndryshuar kiblen (drejtimin se kah ktheheshin muslimanët gjatë faljes), nga Jerusalemi në Mekë. Kibla ishte në Jerusalem sa kohë qenë në Mekë, dhe kështu vazhdoi të ishte edhe 17 muajt e parë të qëndrimit në Medinë. Pastaj ndryshoi dhe u bë Kaaba, ku ishte Guri i Zi. Kjo ndodhi në prill 624. Vendimet për kiblat qenë politike në të dy rastet. Kibla kah Meka kishte dhe një kuptim tjetër, se Meka ishte objektivi. Gjithashtu kjo u bë për të fituar pikë tek kurejshit dhe mekanët, në përgjithësi. Kjo ishte një sjellje e ngjashme me atë të Leninit, i cili kur pa se nuk mund ta kontrollonte parlamentin e dalë nga zgjedhjet e nëntorit 1917, ku bolshevikët qenë pakicë, dhe as partitë që e përbënin atë, ai u kthye kundër tyre, duke i ndaluar partitë dhe duke e mbyllur parlamentin. Pas betejës së Bedr, Muhameti msyu hebrejtë e fisit Banu Qaynuqa, pranë Medinës. Në suren e tetë të shpallur në Mekë, atë Muhamet (e dyzeteshatata në Kuran) thuhet: “Prandaj, kur t’ i takoni jobesimtarët, goditini pas qafe dhe kur të keni bërë një banjë gjaku me ta, vendosni një shpërblim për lirimin e atyre që mbeten gjallë”.(Kuran, Muhamet: 47/4)
        Tashmë do të ushtrohej terror i pakufizuar mbi të gjithë josmuslimanët. Zhgënjimi nga hebrejtë bëri që Muhameti të kthehej me vendosmëri nga idhujtaria, do të thotë që ta inkorporonte idhujtarinë mekane në fenë e re, për të bërë për vete arabët idhujtarë. Kompromisi i madh i Muhametit me politeizmin arab kishte qenë dhe mbetej ai që mund të quhet si Poli-Allahu. Derisa Muhameti tha se kishte vetëm një Zot, ky Zot, Allahu, flet për veten në shumës, duke thënë “Ne”. Qindra herë në Kuran Allahu thotë “Ne”. Kjo bënte rezonancë pëlqyese me sensin politeist të arabëve. Muhameti futi në fenë e re Kaaba-n, Gurin e Zi, Ramadanin, ritualin e flijimit të bagëtive, etj. Kaaba nuk kishte histori se arabët nuk kishin zhvilluar kulte. Muhameti shpiku historinë e Kaaba, kur arabët nuk kishin pasur asnjë kult të tillë para Muhametit. Ky qe fiksion. Muhameti në Medina përvetësoi edhe festën hebreje të Yom Kippur, që e vendosi në 10 muharrem, me ditën e Hashuras.
        Që prej vitit 626 Muhameti filloi luftën me hebrejtë dhe të krishterët, duke i dëbuar nga Medina. Atij i duhej pasuri për të joshur idhujtarët që të pranonin Islamin, kështu që vendosi të grabiste çifutët dhe të krishterët e Medinës dhe vendeve përreth. Si gjithmonë Muhameti i veshi qëllimet e tij banditeske me argumente teologjike, duke i shitur si urdhra të Allahut.
        Në Medinë Muhameti e shndërroi Islamin nga një fe në një sistem total politiko-shoqëror-ekonomik. 27 suret më të gjata kanë dalë atje. Në këto sure Muhameti shpalli pjesët e Kuranit mbi normat e sjelljes e jetesës për besimtarët, mbi ndërtimin e shtetit, ushtrisë, ekonomisë etj. Perëndimorët, të cilët i shikojnë gjërat ashtu siç përthyehen në prizmin e tyre, e kanë quajtur Islamin fe, por kjo fjalë nuk është e saktë në rastin e Islamit. Islami është njëlloj sikur të bashkoje së bashku me doktrinën e krishterë edhe dispozita nga legjislacioni i një vendi si kushtetuta, legjislacioni penal, civil, fiskal etj. Nga kjo pikëpamje, Islami ngjan me Komunizmin i cili është një doktrinë që paraqet një sistem të plotë filozofik, politik, shoqëror, ekonomik, që prej shpjegimit të krijimit të botës dhe njeriut mbi baza ateiste dhe deri tek ndërtimi i shoqërisë në çdo aspekt. Këtu ka dhe një analogji me librin e Leninit “Shteti dhe Revolucioni”, i shkruar në prag të marrjes së Petrogradit, në 1917. Në suret e Medinës Muhameti ndërtoi strukturën e shtetit despotik teokratik dhe të shoqërisë së mbyllur hermetikisht në sarkofagun e dogmës. Të njëjtën gjë bëri edhe Lenini në librin “Shteti dhe Revolucioni”.
        Aventura e Muhametit për pak mori fund në vitin 627, kur mekanët, e ndihmuar nga aleatët e tyre rrethuan Medinën. Jo rastësisht kjo ndodhi në vitin kur imperatori bizantin Herakliu invadoi Persinë. Muhameti shpëtoi falë këshillës së një persiani misterioz i cili i sugjeroi që të ndërtonte një kanal rreth qytetit, çka e shpëtoi atë. Rrethimi vazhdoi një muaj pa sukses. Mekanët nuk mund të rrinin më gjatë se qenë larg bazës së tyre të furnizimit dhe ç’ është më e rëndësishmja mungonte uji për njerëzit dhe kafshët. Gjatë rrethimit të Medinës nga kurejshët, Aliu, leitnanti i Muhametit, u ndesh me xhaxhain e vet, i cili i tha: “O djali i vëllait tim, unë nuk dua të të vras”.
        Aliu iu përgjigj; “Por unë dua të të vras ty”
        Dhe Aliu e vrau xhaxhain, sipas betimit që kishte bërë në Vëllazërinë e Muhametit se do të vriste edhe të afërmit e vet jomuslimanë. Më pas Aliun do ta vrisnin “vëllezërit” muslimanë, së bashku me gruan dhe fëmijët e vet. Kështu, Aliu, muhamedani më fanatik, ngjan si homologu i Trockit, leninistit më fanatik në kohën e revolucionit, i cili më pas do të vritej së bashku me fëmijët nga “shokët” bolshevikë.
        Në vitin 628, kur bizantinët përparonin në territorin persian, Muhameti bëri në Hudejbi një paqe dhjetëvjeçare me kurejshët e Mekës. Paqja e Hudejbit qe “Brest Litovsku” i Muhametit. Ai e bëri atë i trembur për shkak se persianët po humbnin në luftën me bizantinët. Në këtë paqe Muhameti nënshkroi thjesht si Muhamet bin Abdullah. Termat e paqes qenë të rënda për Muhametin. Sipas traktatit, mekanët që largoheshin nga Meka dhe shkonin në Medinë, do të dorëzoheshin nga Muhameti në Mekë, ndërsa ata muslimanë që largoheshin nga Medina e kërkonin strehim në Mekë nuk do të ktheheshin pas. Me këtë Muhameti firmoi tradhtinë ndaj vëllezërve muslimanë. Paqja e Brest Litovskit i duhej Leninit edhe për të ndërmarrë luftën civile në Rusi. Muhameti përfitoi nga Paqja e Hudejbi për të ndërmarrë atë që mund të quhet lufta civile brenda abrahamistëve, do të thotë e muslimanëve kundër hebrejve dhe të krishterëve të Medinës dhe territoreve përreth. Në Suren El Maidë, të shpallur gjatë kohës kur Muhameti ishte në Medinë, pas kthimit nga Hudejbi, ai tha:
         “Ne morën zotimin edhe të atyre që thanë: ‘Ne jemi nesara (të krishterë)’, por dhe ata e harruan një pjesë të asaj me të cilën ishin udhëzuar, andaj Ne kemi nxitur urrejtjen dhe armiqësinë ndërmjet tyre deri në ditën e kijametit. E më vonë Allahu do t’ i njoftojë ata mbi atë që bënë.
        O ithtarë të librit, juve ju erdhi i Dërguari jonë i cili ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk ju jep sqarime. Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë.
        Allahu e vë me Kuranin në rrugën e shpëtimit atë që bën atë çka është e kënaqshme për Atë dhe me ndihmën e tij i nxjerr ata prej errësirës në dritë dhe i udhëzon në rrugën e drejtë.
        E mohuan të vërtetën ata që thanë se Zoti është Mesihu, biri i Merjemes”.(Kuran, El Maidë: 5/ 14-17)
        Kështu, në Kuran nuk pranohet se Krishti ishte trupëzim i Zotit, çka është themelore në fenë e krishterë, në të gjitha degët e saj. Po në këtë sure, Muhameti i atakoi bashkërisht hebrejtë dhe të krishterët:
         “Jehuditë dhe të krishterët thanë: ‘Ne jemi bijtë e Zotit dhe të dashurit e tij”. Thuaju: “E pse pra, Ai ju dënon me mëkatet tuaja?” (Kuran, El Maidë: 5/18)
        Po në Suren El Maidë, Muhameti shpalli si urdhër të Allahut për muslimanët:
        “O ju që besuat! Mos zini miq as jehuditë as të krishterët. Ata janë miq të njëri tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është një prej tyre. Vërtet Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqar”.(Kuran, El Maidë: 5/ 51)
        Pas kësaj pati masakra ndaj të krishterëve e çifutëve nga muslimanët. Më pas Muhameti e ndaloi ushtrimin e fesë së krishtere dhe Judaizmit në Gadishullin arabik. Khalifi Umar e ndaloi krejt praninë e çifutëve dhe të krishterëve në Gadishullin Arabik, duke e shpallur atë territor të shenjtë. Që atëherë gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Arabët idhujtarë, në luftrat e tyre kishin pasur në shënjestër individë, grupe të vogla, e shumta një fis. Muhameti bëri shënjestër të luftës një grup shumë më të gjerë njerëzish, jobesimtarët. Këta qenë ekuivalenti i klasave të përmbysura në Rusinë e Leninit. Duke parë mënyrën se si e ushtronin dhunën bashkëpunëtorët më të afërt të Muhametit, bëhet e qartë se ata qenë banditë të rëndomtë.
        Në vitin 629 u arrit Paqja Persiano-Bizantine, në dëm të Persisë. Por Bizantit iu ezauruan fuqitë dhe Muhameti vendosi që të veprojë për të pushtuar Mekën. Por edhe kundërshtarët e tij nuk rrinin duarkryq. Në 629, në kohën kur gjendej në Medinë, Muhametin e helmuan. Ai vdiq tre vite më pas. Sipas traditës islame, në shtratin e vdekjes tha se që prej helmimit kishte pasur dhimbje të mëdha. Kështu që helmimi i Muhametit mund të quhet si ekuivalenti i atentatit që iu bë Leninit.
        Në 631 Muhameti hyri në Mekë me ushtri, pas një ultimatumi, duke shkelur kështu Paktin e Hudejbi. Ai hyri në Mekë tetë vite pas largimit në Medinë. Muhameti në fillim hyri në Kaaba, ku puthi Gurin e Zi, edhe pse ishte shprehur kundër idhujtarisë, dhe eci tre herë rreth tempullit. Kur Muhameti doli prej andej të gjithë banorët e Mekës, sipas urdhërit të tij, qenë të detyruar që të vinin tek ai e t’ i shprehnin besnikërinë. Muhameti u tha:
         “A do të më dëgjoni mua o kurejshë? Ndryshe, nëpërmjet Allahut i cili ka në dorë jetën time, unë do t’ u sjell gjakderdhje”.(“The Life of Muhammad: A translation of Ibn Ishaq’ s Sirat Rasul Allah”, Oxford University Press, 1955, f. 131)
        Muhameti, në krye të një force të vogël, triumfoi në një hapësirë ku kishte vakuum autoriteti. Muhameti ishte kryetar i fesë dhe shtetit. Ai ishte në krye të një teokracie. Allahu qe mbreti, Muhameti mëkëmbësi i tij. Por në kohën që Muhameti shpallte kultin e Allahut, ai në fakt ndërtonte kultin e vet. E vërteta ishte se Allahu nuk kishte shoqërues, por ama Allahu ishte shoqërues i Muhametit. Njerëzit duhet të jetonin veçse për të adhuruar Allahun, çka praktikisht do të thoshte për të adhuruar Muhametin. Muhameti krijoi një doktrinë të dhunës politike e pushtetit. Ky kombinim shprehet mirë në flamurin e sotëm saudit ku është një varg i Kuranit dhe shpata. Komunizmi bolshevik, një fjalë e rimarrë nga Lenini, u bë një doktrinë nacional-etatiste ruse. Imperia ruse dështoi që të bënte shtet modern dhe këtë sfidë e rimori komunizmi. Islami qe doktrinë nacional-shtetërore arabe.
        Për Arabinë e kohës së Muhametit Medina dhe Meka ishin si San Petërburgu dhe Moska. Largimi i Leninit nga San Petërburgu në Moskë, shënonte rikthimin e qendrës ruse të pushtetit në Moskë. E njëjta gjë vlen dhe për Muhametin. Ai e riktheu qendrën e pushtetit në Mekë. Midis Muhametit dhe Leninit ka një analogji shumë kurioze. Të dy e instaluan qendrën e pushtetit dhe idesë së tyre në qendrën tradicionale të fuqisë dhe kultit, por të dy nuk e donin atë dhe emrin e tyre e lidhën me qytetin ku patën suksesin fillestar, Petrogradin dhe Yathribën. Të dy qytetet ndërruan emrat duke marrë emrat e tyre. Petrogradi u quajt Leningrad, ndërsa Yathriba u quajt Medina, do të thotë qyteti i profetit. Por shtabin e tij Muhameti e mbajti në Medinë, edhe pas hyrjes në Mekë.
        Pas pushtimit të Mekës Muhameti fushatën e parë e ndërmori kundër fisit Thaqif të qytetit Taif, i cili ishte një fis armik i kurejshëve. Me këtë Muhameti donte të kënaqte sedrën e kurejshëve, por edhe të ndëshkonte ata që e poshtëruan dikur. Thaqifasit u nxituan duke marshuar drejt Mekës dhe i dhanë mundësi Muhametit që t’ i godiste e t’ i mundte. Muhameti ndërmori dhe disa fushata të tjera për nënshtrimin e fiseve të Hexhazit dhe më gjerë, duke çuar komandantin e tij të tmerrshëm, Khalid bin al-Walid, i quajtur “Shpata e Allahut”, i cili u jepte tre ditë afat tribuve arabe që të pranonin Islamin, ndryshe do t’ i masakronte. Kur këto tribu dërgonin përfaqësues tek Muhameti për të negociuar ky u përgjigjej me një ultimatum tjetër. Në jetëshkrimin më të hershëm të Muhametit, atë të Ibn Ishaq, që është burimi kryesor për të gjitha jetëshkrimet e tjera, rrëfehet se Muhameti u kumtonte:
         “Nëse Khalidi nuk do të më ketë shkruar se ju keni pranuar Islamin, unë do të bëj që të bien kokat tuaja tek këmbët tuaja”.(po atje: f. 645, 646)
        Në 631 Muhameti ndërmori një fushatë kundër një zotërimi bizantin qytetit Tabuk, çka u interesonte persianëve. Fushatën e komandoi personalisht Muhameti. Pas fushatës në Tabuk Muhameti shpalli kumte shumë të egra ndaj të krishterëve. Këtej e tutje të krishterët dhe hebrejtë do të qenë në territorin e shtetit islamik, me po atë statusit si të ashtuquajturat klasa të përmbysura në shtetin bolshevik. Pikërisht pas kësaj fushate Muhameti bëri haxhin e fundit në Mekë. Atje ai shpalli Suren Et Tevbe, ku hebrejtë dhe të krishterët mallkohen dhe quhen idhujtarë. Muslimanëve u kërkohet që të luftojnë kundër tyre:
         “Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa të japin xhisjen në dorë e duke qenë të mposhtur.
         Jehuditë thanë Uzayri është djalë i Zotit, të krishterët thanë Mesihu është Biri i Zotit. Kjo është një thënie prej gojës së tyre; Me këtë ata veç imitojnë çka jobesimtarët e hershëm janë mësuar të thonë. Mallkimi i Allahut qoftë mbi ta: sa shumë ata janë të zhgënjyer larg prej së vërtetës”.(Kuran, Al Tawbah, 9/29-30)
      Ata hebrej dhe të krishterë që paguanin xhisje, taksën e jetës, fitonin statusin e të mbrojturit nga rreziku që ishte vetë shteti islamik! “Dhimmis” në arabisht ka kuptimin “i mbrojtur” dhe “fajtor”. Me këtë Sure, Muhameti u dha të krishterëve, hebrejve dhe idhujtarëve katër muaj kohë që të largohen nga Arabia, nëse nuk e pranonin Islamin. Ndryshe muslimanët do t’ i vrisnin kudo që t’ i gjenin.(Kuran, Al Tawbah: 9/ 5) Lexuesit mund të pyesin se si është e mundur që një fe e krijuar nga një spekulues sharlatan të përhapej kaq shumë dhe të jetonte kaq gjatë. Komunizmi u krijua nga një spekulues sharlatan, Marksi dhe u përhap në më shumë njerëz se Islami, mbijetoi kur ishte ideologji shtetërore, dhe u shpërbë shpejt kur nuk ishte e tillë. E njëjta gjë ndodh dhe me Islamin.
        Marksizmi do të kishte qenë një doktrinë pa ndikim të madh. sikur të mos kishte ardhur në pushtet në Rusi, në trajtën e Leninizmit. Kjo i inkurajoi ithtarët e tij në botë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Islamin. Ai do të kishte mbetur një doktrinë pa ndikim sikur të mos kishte ardhur në pushtet me dhunë në Mekë dhe Arabi. Më pas Islami, ashtu si komunizmi u mor me entusiazëm e fanatizëm jashtë vendeve komuniste, nga njerëz të cilët kurrë nuk kishin jetuar në një shtet islamik. Islamikët që jetojnë në vendet perëndimore dhe dashamirësit perëndimorë të Islamit, ngjajnë shumë me komunistët e vendeve perëndimore. Komunistët e vendeve perëndimore shijonin jetesën në Perëndimin kapitalist dhe flisnin për të mirat e komunizmit e lavdëronin Bashkimin Sovjetik, ku ata nuk kishin jetuar kurrë, dhe ku nuk u pëlqente të shkonin të jetonin. Edhe islamikët perëndimorë, shijojnë të mirat e shoqërive perëndimore dhe janë fanatikë të Islamit. Edhe ata nuk do të parapëlqenin që të jetonin në një shtet vërtet islamik, si Afganistani i sunduar nga talebanët, se asnjë prej tyre nuk shkoi të jetonte atje, përvec terroristëve profesionistë që shkonin në kampet e atjeshëm të stërvitjes. Edhe Islami si komunizmi  nuk mbijeton dot pa shtetin që e ka ideologjinë e tij. Ashtu si entusiazmi, kuraja dhe fanatizmi i komunistëve në vendet perëndimore, vinte nga ekzistenca e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera komuniste, të cilat mbanin gjallë shpresën për fitoren e komunizmit në mbarë botën, dhe organizatave globale komuniste si Kominterni, ashtu edhe entusiazmi, kuraja dhe fanatizmi i muslimanëve në vendet perëndimore dhe vende të tjera joislamike vjen nga ekzistenca e shteteve islamike dhe organizatave si Al-Qaeda.
kastriotmyftaraj@sot.com.al