Franc Bekenbauer i ka kërkuar falje Xhianluixhi Bufon, të cilin pas ndeshjes me Bajernin e cilësoi si pensionist. Bekenbauer ka thënë se shpreson që Bufon të mos jetë fyer. Megjithatë, ai ka përsëritur se Bufon kishte përgjegjësi në të dy golat e pësuar.
“Më vjen keq nëse Bufon është ndjerë i ofenduar nga fjala pensionist. Nuk kisha si qëllim ta fyeja. Por unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim se Bufon duhej të kishte ndalur topin si në golin e parë, ashtu edhe në golin e dytë të shënuar nga Bajern”, tha Bekenbauer.
Vetë Bufon e ka pritur me sportivitet kritikën e bërë nga Bekenbauer, por drejtuesit e Juventusit kanë kërkuar nga “Kaizeri” që të kërkojë falje për deklaratat e bëra për atë që konsiderohet si portieri më i mirë në 25 vitet e fundit dhe një ndër më të mirët në gjithë historinë e futbollit.






