Presidenti amerikan, Barack Obama është akuzuar për seksizëm pasi bëri disa komplimente ndaj Prokurores së Përgjithshme të Kalifornisë, Kamala Harris.
Presidenti i bëri komentet të enjten gjatë një takimi për mbledhje fondesh.
Presidenti tha se 48- vjeçarja është: “Brilante dhe shumë e përkushtuar. Ajo është e ashpër dhe gjithashtu ka rastisur që të jetë edhe Prokurorja e Përgjithshme më e bukur”.
Më pas presidenti shtoi: “Hajde tani, është e vërtetë”.
Një gazetar i pranishëm në ceremoni tha se presidenti nuk ia ndante sytë asaj.
Komentatorët nga të dy krahët politikë e kanë sulmuar presidentin duke thënë se komentet e tij janë të turpshme dhe fyese.
Por mbështetësit e Obamës thonë se presidenti dhe Harris, që nuk është e martuar, janë miq të mirë dhe nuk duhet konsideruar krim që të bësh komplimente ndaj një gruaje që është qartësisht e bukur.
Michelle Obama nuk a ka komentuar këtë ngjarje, por në një intervistë po atë ditë, ajo bëri një gafë kur e quajti veten një “mama single”.
Prokurorja Harris është e preferuara e demokratëve.
Ajo ka lindur nga një nënë indiane, që ka emigruar në SHBA dhe nga një baba nga Xhamajka.
Ajo është e para femër nga një përzierje e tillë racash që merr këtë post të lartë në Kaliforni.
Harris përflitet se mund të jetë një nga emrat që do shkojë në Gjykatën Supreme gjatë mandatit të dytë të Obamës.
Pak dihet për lidhjet e saj, por thuhet se ka qenë në një marrëdhënie serioze me ish- kryebashkiakun e San Françiskos, Willie Brown./ep





