A do të bëjë Italia marrëzinë që të paguajë faturën e pensioneve që Greqia u jep “vorio-epirotëve” dhe të kishave të Janullatosit


Nga Kastriot Myftaraj

17 prill 2010

        Në paketën e ndihmës që Bashkimi Europian ka vendosur që t’ i japë Greqisë, në mënyrë që ajo të kapërcejë krizën e borxheve ku ka hyrë për shkak të lakmisë dhe paranojës së saj, Italisë i takon që, në përpjestim me fuqinë e saj ekonomike, të paguajë 5.5 miliardë euro. Nëse Italia do ta bëjë këtë gjë, kjo do të thotë që Italia të paguajë faturën e shpenzimeve të fushatës 20 vjeçare të shovinizmit grek në Shqipëri, e cila ka pasur një drejtim të theksuar antiitalian. Borxhet që ka marrë qeveria greke i ka përdorur edhe për të financuar agjendën e saj në Shqipëri, e cila përfshinte subvencionimin ilegal të biznesmenëve grekë, të cilët investonin dhe investojnë në Shqipëri, në dëm së pari të bizneseve italiane në Shqipëri. Gjithashtu qeveritë greke financuan me shuma kolosale minoritarët grekë në mënyrë që ata të bëheshin tregtarë të mëdhenj në Shqipëri, si dhe të hapnin biznese të mëdha në ndërtim dhe në fusha të tjera.
        Me paratë e marra borxh qeveritë greke kanë paguar pensione prej 300 eurosh për dhjetëra mijëra njerëz në Shqipëri, të regjistruar si “vorio-epirotë”. Me paratë e marra borxh qeveritë greke kanë financuar ndërtimin e qindra kishave ortodokse të mëdha në Shqipëri, si dhe të shumë ndërtesave të tjera fetare dhe kulturore, ku janë të punësuar me mijëra njerëz, klerikë dhe laikë, të cilët marrin rroga të mëdha, në sajë të parave që jep qeveria greke, e një vendi ku feja nuk është e ndarë nga shteti. Me paratë e marra borxh qeveritë greke kanë finacuar në këto 20 vjet bandat të cilat kanë bërë vandalizma ndaj bizneseve italiane në Shqipëri, në mënyrë që Italia që shihej si rivale të përjashtohej nga Shqipëria. Me paratë e marra borxh nga qeveritë greke janë finanacuar dhjetëra mijëra ceremoni pagëzimi, ku shqiptarët ktheheshin në fenë ortodokse, duke marrë dhurata të majme nga kumbarët e tyre të paguar nga Greqia, në mënyrë që nesër këta njerëz të paraqiteshin si vorio-epirotë.
        Me paratë e marra borxh nga qeveritë greke, diplomatët grekë në Tiranë kanë blerë politikanë shqiptarë, gazetarë, zyrtarë të ndryshëm, oficerë të lartë të ushtrisë dhe policisë, gjykatës, prokurorë, deri edhe diplomatë të vendeve të tjera në Shqipëri, të cilët më pas kanë vepruar në interes të Greqisë. Me paratë e marra borxh nga qeveritë greke dhe të dhëna njerëzve të saj në Shqipëri, “vorio-epirotët” janë udhëzuar që të blejnë prona, toka, dyqane, vila, apartamente, të marrin pjesë në procesin e privatizimit të ekonomisë publike dhe të blejnë ndërmarrje, në mënyrë që grekët të kenë në pronësi një pjesë sa më të madhe të Shqipërisë. Ne paratë e marra borxh qeveria greke ka ndërtuar varrezat madhështore të ushtarëve grekë në Shqipëri, dhe do të ndërtojë edhe të tjerat, të cilat do të jenë tempuj të shovinizmit grek në Shqipëri.
        Nuk është çudi që fatura e shpenzimeve të Greqisë për realizimin e agjendës së saj të gjithanshme në Shqipëri, të ketë shkuar gjatë këtyre 20 viteve në 5.5 miliard euro, se kjo nuk do të thotë më shumë se 275 milion euro në vit, dhe Greqia sigurisht që i ka shpenzuar kaq para në Shqipëri çdo vit. Greqia nuk është kursyer, se ajo merrte borxhe pa kursim. Tekefundit, 5.5 miliard euro nuk janë veçse 1.6% e borxhit të përgjithshëm shtetëror grek. Tash ironia është se këtë faturë do ta paguajë Italia. Nëse Italia e bën këtë gjë, do të bëjë idiotizmin më të madh në historinë e saj. Italia nuk ka asnjë detyrim që të ndihmojë Greqinë, se kjo e fundit ka hyrë në krizë për shkak të lakmisë së vet, dhe duhet lënë të dalë nga kriza, ashtu si Turqia në dhjetë vitet e fundit, me sakrifica të mëdha.
        Nëse Italia ka 5.5 miliard euro tepër, atëherë e mira është që këto t’ ia japë Shqipërisë, si një paketë shoqëruese për centralin bërthamor që Italia parashikon të ndërtojë në Shqipëri. Nëse Italia ka interes që të ndërtojë një central bërthamor në Shqipëri, për shkak se në vendin fqinj e majta ka kultivuar një histeri vandale ndaj projekteve të tilla, atëherë mënyra më e mirë për të ulur zhdukur kundërshtimin që ekziston në Shqipëri ndaj një projekti të tillë, është një paketë e madhe ndihme financiare italiane. Këto do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës në Shqipëri, duke bërë që të përfundojë ndërtimi i akseve të projektuara rrugore, të rregullohet përfundimisht rrjeti elektrik dhe ai i ujërave të bardha e të zeza, si dhe të zbatohen projektet për ndërtimin e digave dhe argjinaturave në zonat që përmbyten në pjesë të ndryshme të vendit.
        Unë jam pro ndërtimit të centralit bërthamor në Shqipëri, por nëse Italia .i jep Greqisë paketën prej 5.5 miliardë euro, unë do të bëhem një kundërshtar i ndërtimit të centralit bërthamor, dhe mund të them se do të bëhem edhe një antiitalian. Është me të vërtetë absurde që qeveria italiane t’ i japë 5.5 miliard euro Greqisë, kur Italia ka kontribuar në 30 vitet e fundit edhe në ndihmat falas që Greqia ka marrë nga Bashkimi Europian, në shumën 5 miliardë euro në vit. Kjo do të thotë se Greqia ka marrë nga Italia rreth 700 milion euro në vit, përgjatë 30 viteve, pra rreth 21 miliard euro! Tashmë Italisë i duhet t’ i japë Greqisë edhe 5.5 miliardë euro shtesë, “thelë mbi bisht”, siç i thonë fjalës. Dhe kjo në një kohë kur një e treta e popullsisë së Italisë ka një nivel jetese më të ulët se ai i Greqisë, e cila e ka arritur këtë artificialisht falë borxheve. Kur në një të tretën e Italisë infrastruktura është më e keqe se në Greqi. Kur shumë qytete italiane përjetojnë krizën e plehrave, me Napolin si shembullin më skandalisht spektakolar, në një kohë që në qytetet greke plehrat pastrohen nga emigrantët, se të rinjtë grekë nuk denjojnë t’ i bëjnë këto punë dhe jetojnë me ndihma ekonomike shtetërore, duke u marrë me profesionin e protestuesit zjarrvënës.         
        Nëse Italia do t’ i japë 5.5 miliard euro Shqipërisë, shumë nga shqiptarët që janë emigrantë në Greqi, do të kthehen në Shqipëri që të punojnë se këtu do të happen shumë vende pune, dhe do të stimulohet tregtia, bujqësia, blegtoria, turizmi, për shkak të përmirësimit të infrastrukturës. Italia duhet ta dijë se nëse ajo do të ishte në vështirësi, Greqia nuk do t’ i paguante asnjë cent. Kjo kuptohet kur zëvendësministri grek Pangallos, para disa kohësh deshi ta shfajësojë vendin e vet për krizën e borxheve ku gjendet, me argumentin se Italia ka më shumë borxhe në raport me GDP. Kjo ishte një sjellje prej palaçoje, sepse Italia është vend kontributor në Bashkimin Europian, pra që jep ndihma për vendet e tjera anëtare dhe nuk merr ndihma. Ndërsa Greqia ka hyrë në borxhe të mëdha, edhe pse nuk ka dhënë asnjë ndihmë, por vetëm ka marrë ndihma të mëdha financiare nga të gjitha anët, BE dhe SHBA-të. Pastaj pjesa më e madhe e borxhit publik italian është borxh i brendshëm, ndërsa pjesa më e madhe e borxhit publik grek është borxh i jashtëm. Italia duhet të sillet me Greqinë në këtë situatë, ashtu siç do të sillej Greqia me Italinë.
        Italia edhe pa shumën prej 5.5 miliardë euro, do të vazhdojë që t’ i japë në të ardhmen ndihma Greqisë, në kuadrine BE, kështu që shuma prej 5.5 miliardë euro do të jetë me të vërtetë “thelë mbi bisht”. Prandaj Italia bën mirë që së paku të mos ia japë këtë shumë Greqisë, ndërsa e mira fare do të ishte që t’ ja ndërpriste edhe financimet në kuadrin e BE, me arsyetimin se qeveritë greke janë të papërgjegjshme. Nëse Italia do t’ i jepte 5.5 miliard euro Shqipërisë në këtë situatë, do të fitonte mirënjohjen e përjetshme të shqiptarëve, ndërsa nëse ua jep grekëve këta as që do t’ ia dijnë për nder fare.