Nga Kastriot Myftaraj
![]() |
| Edi Rama |
Edi Rama dhe Veton Surroi janë dy njerëz që ngjajnë shumë me njëri tjetrin, se të dy kanë bërë karrierë në fillim në atë që quhet «shoqëri civile» dhe më pas në politikë, nën kujdesin e Sorosit. Derisa Edi Rama ka qenë beniamini i Sorosit në Shqipëri, që kur filloi të veprojë Fondacioni «Soros», Veton Surroi ka qenë beniamini i Soros në Kosovë, që në fund të viteve tetëdhjetë, kuptohet për faktin se, në Jugosllavi, Soros filloi të veprojë më herët se në Shqipëri, për shkak se Jugosllavia ishte një vend i hapur. Ditën e mërkurë Veton Surroi ishte i ftuar në emisionin Top show në Top Channel, ku ai tha se me Edi Ramën e lidh një miqësi e vjetër- siç u shpreh Surroi, për shkak të rrethanave që i kanë bashkuar që herët. Surroi nuk e tha, por fjala është për lidhjen e tyre të përbashkët me Soros. Nga kjo gjë kuptojmë se Surroi dhe Rama janë lançuar dhe sponsoruar nga e njëjta qendër, për të formësuar opinionin shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë, dhe më pas për të zbatuar skema të caktuara në politikë.
Edi Rama dhe Veton Surroi ngjajnë për atë se ata kanë hyrë në politikë që herët, pastaj janë tërhequr nga politika, për t’ u rikthyer më pas përsëri në politikë. Veton Surroi u bë në 1989 kryetari për Kosovën i UEJD, që u krijua fillimisht si organizatë dhe më pas u shndrrua në një parti (Savez Reformskih Snaga) të kryesuar nga kryeministri federal jugosllav, Ante Markoviç, parti që donte të merrte pjesë në zgjedhjet për parlamentet e republikave dhe krahinave jugosllave, për të siguruar një shumicë pro ruajtjes së federatës. Më pas Surroi krijoi atë u quajt Partia Parlamentare e Kosovës, të cilën e dorëzoi, për të dalë vetë si intelektual i pavarur i shoqërisë civile, në orbitën e Soros dhe i financuar nga ky i fundit. Edhe Edi Rama në 1991, tentoi të krijojë Partinë Kristiano-Islamike, për të cilën nënshkroi listën e komisionit nismëtar, pastaj u tërhoq në «shoqërinë civile», në orbitën e Soros, duke gëzuar financimet e këtij të fundit.
![]() |
| Veton Surroi |
Si Edi Ramën, ashtu dhe Veton Surroin i katapultuan në politikë nën influencën e Soros. Edi Ramën, më herët, në 1998, ndërsa Veton Suroin më vonë, për shkak të situatës në Kosovë, ku ende nuk kishte përfunduar lufta. Fatos Nanon e detyroi Soros me influencën e tij në qendrat e politikëbërjes në Washington, dhe në sajë të kompromiseve të tij (Sorosit) me lobin greko-amerikan, që ta ftojë Edi Ramën nga Parisi në Tiranë, për t’ i dhënë një portofol ministror, që skenaristët e karrierës së Edi Ramës, e shikonin si pikënisje për ta çuar në postin e kryetarit të PS, nëpërmjet Bashkisë së Tiranës. I njëjti skenar ishte përgatitur dhe për Veton Surroin. Veton Surroi duhej të bëhej Kryetar i Komunës (Bashkisë) së Prishtinës, në zgjedhjet e vitit 2000, si intelektual i pavarur, i mbështetur si nga LDK, ashtu dhe nga PDK, çka duhej të tregonte unitetin e politikës shqiptare në Kosovë për një çështje të caktuar të politikës vendore, dhe në këtë post duhej të fitonte kapital politik sipas modelit të Edi Ramës. Pastaj më vonë Surroi do të bëhej kryetari i njërës prej dy partive të mëdha, LDK, ose PDK, i ftuar prej tyre. Ky skenar nuk u zbatua për shkak të kompleksitetit të disa rrethana të caktuara të politikës në Kosovë, për faktin se në Washington janë shumë më të ndjeshëm për lojërat e Soros në Kosovë, se në Republikën e Shqipërisë, çka është e kuptueshme. Por fakti që Veton Surroi është tërhequr nga politika pas disfatës që pati ORA në zgjedhjet e vitit të kaluar, siç bëri në 1994, tregon se skenari i mëparshëm mbetet në fuqi, në pritje për t’ u realizuar në rrethana më të përshtatshme, me mbështetjen e Soros.
Derisa karriera e Edi Ramës, zbulon se çfarë ishte përgatitur dhe nuk u realizua dot për Veton Surroin në Kosovë, karriera e Veton Surroit na ndihmon që të zbulojmë natyrën e atyre forcave ndërkombëtare që qendrojnë pas karrierës së Edi Ramës. Në emisionin Top Show, gazetari nga Kosova, Skënder Blakaj, i bëri një padi të vërtetë politike Veton Surroit, së cilës ky i fundit iu përgjigj me rrena të trasha, duke dashur të mbrojë vetveten. Në lidhje me angazhimin e tij në lëvizjen jugosllaviste të Ante Markoviçit, në vitet 1989-1990, Veton Surroi u përgjegj se këtë gjë e kishte bërë me miratimin e Ibrahim Rugovës. Veton Surroi nuk e ka thënë këtë gjë kur Rugova ishte gjallë, dhe është një gjë cinike që po e thotë tash që Rugova ka vdekur. Sa për atë që tha Surroi se lëvizja e Ante Markoviç solli pluralizmin në Jugosllavi, kjo është një rrenë e trashë, se të gjithë ata që i njohin këto punë e dijnë mirë se lëvizja e Markoviçit synonte që pluralizmit politik që po krijohej në Jugosllavi, t’ i jepte një dimension të fortë federal, veç atij republikan dhe krahinor, në mënyrë që të ruhej Jugosllavia. Fakti që Veton Surroi u angazhua në lëvizjen e Markoviç, duke pasur Surroi dhe mbështetjen e Soros, tregon se ata ishin në anën e atyre qarqeve perëndimore që ishin për ruajtjen e Jugosllavisë. Siç ka rezultuar më vonë këto qarqe, duke përfshirë dhe qarqe në Washington, ishin proserbe. Me këtë nuk dua të them se Veton Surroi ishte agjent serb, por se ai ishte në anën e qarqeve proserbe perëndimore, dhe se ai këtë ai duhet ta kuptonte me shkollimin dhe inteligjencën që kishte, po aq sa ç’ duhet të kuptojnë ata që drejtojnë Kosovën sot analogjinë e mbrapshtë të flamurit të saj me atë të Qipros, siç tha Surroi në Top show.
Në vazhdim të padisë së tij politike për Surroin, Skënder Blakaj, i tha se më pas (në vitet 1992-1994) Surroi kishte kërkuar që shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet për parlamentin e Serbisë. Kësaj Surroi iu përgjigj se atëherë ai kishte besuar se do të ishte në të mirë të Kosovës që të merrte pjesë në këto zgjedhje dhe të nxirrte një numër deputetësh, me të cilët do të mbështeteshin forcat reformatore në Serbi. Surroi nuk harroi të shtojë se këtë gjë ia kishin sugjeruar dhe ndërkombëtarët, por pa e saktësuar se kush ishin ata. I çuditshëm ky Surroi. Vetvetes ia njeh si argument apologjik sugjerimin e ndërkombëtarëve, ndërsa politikanët e sotëm të Kosovës i qorton për këtë gjë?! Por Surroi nuk e saktësoi se cilët ndërkombëtarë ia sugjeruan idenë e pjesëmarrjes së shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare në Serbi, dhe këtë gjë ai nuk mund ta bënte se sot është e qartë se këta njerëz kanë qenë proserbë. Se nuk duhej të ishe një njohës i madh i politikës atëherë për ta kuptuar se, nëse shqiptarët e Kosovës do të merrnin pjesë në zgjedhjet për parlamentin serb, në një kohë që Serbia kishte suprimuar autonominë e Kosovës, dhe e kishte vendosur në Kosovë një regjim okupacioni ushtarak, duke i dëbuar shqiptarët nga administrata, deri edhe shkollat dhe spitalet, kjo do të thoshte të bëje apologjinë e Serbisë në Kosovë. Është shumë interesante dhe domethënëse se në atë kohë, në Tiranë, gazeta «Koha Jone», që atëherë mbështetej fort nga Soros, dhe ku shkruante shpesh Edi Rama, e qortonte Rugovën, si shkaktar për mospjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet në Serbi. Surroi, i cili edhe në intervistën e fundit në Top Channel deklaroi se në zgjedhjet e fundit në Kosovë ka pasur edhe manipulime, që u bënë shkak që ORA dhe ai vetë të mbeten jashtë parlamentit, nuk shpjegoi megjithatë se ç’ besim do të kishin shqiptarët se do t’ u numërohej drejt vota edhe sikur të merrnin pjesë në zgjedhjet në Serbi, kur në Kosovë ishte vendosur regjimi ushtarak serb. Nëse shqiptarët do të merrnin pjesë në zgjedhjet në Serbi, dhe do të fillonin më pas të ankoheshin se zgjedhjet ishin të manipuluara, atëherë ata do të bëheshin joseriozë edhe në pretendimet e tjera të tyre, për shtypjen serbe ndaj tyre, se ai që pretendon që gjendet nën dhunën e një okupacioni ushtarak, nuk merr pjesë në zgjedhjet e organizuara nga okupatori! Dhe ç’ është më kryesorja, pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, do të thoshte që ata ta njihnin Kosovën si pjesë të Serbisë.
Surroi sigurisht i ka kuptuar të gjitha këto gjëra, por i ka bërë se në këtë mënyrë ai ka siguruar atë pasurinë prej 40 milion eurosh që deklaroi në zgjedhjet e vitit 2004 në Kosovë, ku doli si politikani më i pasur, 40 herë më i pasur se Rugova që deklaroi një pasuri prej 403 mijë eurosh dhe 50 herë më i pasur se Thaçi që deklaroi një pasuri prej 372 mijë eurosh. Surroi e bëri këtë pasuri si botues, me financimet e Soros dhe si aktivist i «shoqërisë civile», çka vërteton se ajo është një industri e dyshimtë. Surroi e deklaroi këtë pasuri të madhe me megalomani, për t’ u thënë zgjedhësve se ai nuk ka nevojë të vjedhë si politikanët e tjerë. Por ai e kishte vënë pasurinë, qartësisht, duke shitur Kosovën.
Në rastin e Surroit zbulohet më qartë proserbizmi dhe antishqiptarizmi i Soros, në lidhje me Kosovën, çka na ndihmon të zbërthejmë edhe disa gjeste të sorosianit tjetër të Tiranës, Edi Ramës. Kështu zbërthehet enigma e ftesës që Edi Rama i bëri në vitin 2006 këngëtarit serb Goran Bregoviç, mikut të Arkanit dhe të Radko Mlladiçit, të cilit Edi Rama i dorëzoi çelësin simbolik të Tiranës. Goran Bregoviçi ishte shumë aktiv në tubimet e protestës në Beograd, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të këtij viti. Gjithashtu, lidhja e Soros me qarqet perëndimore më proserbe dhe antishqiptare, e zbuluar indirekt nga veprimet e Surroit, zbërthen dhe se nga nxitet Edi Rama për ta hedhur PS në një agresion kundër Rrugës Rrëshen-Kalimash (segmenti më delikat i rrugës Durrës-Kukës, ose më saktë Tiranë-Prishtinë) dhe kundër kompanisë amerikane «Bechtel», që po e ndërton atë. Tuneli i Kalimashit është beteja kundër gjeografisë që ndan territoret shqiptare, betejë po aq e rëndësishme sa fushata ajrore e NATO kundër Serbisë. Kjo fushatë e Edi Ramës mund të krahasohet me atë të Veton Surrojt në vitet 1992-1994, që shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Vazhdimit të padisë së Skënder Blakajt për akuzat e rënda që Surroi u bëri shqiptarëve të Kosovës për keqtrajtimin e serbëve, fill pas çlirimit të Kosovës, Surroi iu përgjegj se ai e bëri këtë se ishte i shqetësuar se po prishej imazhi i shqiptarëve të Kosovës, dhe se për këtë gjë kishte dhe sinjale nga ndërkombëtarët. Por Surroi në gusht 1999, vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës, botoi në gazetën e vet «Koha ditore», të financuar nga Soros, artikullin «Fashizmi kosovar- turpi i shqiptarëve», ku bënte analogji mes dhunës, sipas tij fashsite, që shqiptarët po bënin në atë kohë ndaj serbëve, dhe të ashtuquajturit «fashizmit kosovar» të kohës së Luftës së Dytë Botërore, që kishte ushtruar dhunë ndaj serbëve në atë kohë. Si mund të flitej për fashizëm kosovar, dy muaj pas çlirimit të Kosovës, madje të palotë, kur shqiptarët e Kosovës kishin qenë viktima të një genocidi të paparë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe aq më tepër ishte absurde dhe qëllimkeqe që të evokohej i ashtuquajturi fashizëm kosovar i kohës së Luftës së Dytë Botërore, kur edhe në atë kohë gjërat nuk kanë qenë bardhë e zi, por të komplikuara. Se në Kosovë, okupimi fashist autentik italo-gjerman, zëvendosoi okupimin e një tjetër lloj fashizmi faktik, atij serb, që për shqiptarët kishte qenë ai çka kishte qenë fashizmi (nazizmi) për çifutët, pra një regjim genocidi. Ky fakt nuk mund të mohohet. Çfarëdo që të kenë bërë shqiptarët e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj serbëve, ajo nuk është asgjë në krahasim em atë që kishin bërë serbët ndaj tyre. Surroi këtë e dinte mirë, por megjithatë ai shkruajti ato që shkruajti se paguhej nga ndërkombëtarët miq të serbëve. Alarmi i Surroit për fashizmin kosovar bëhej edhe më absurd dhe kompromentues, po të mendosh se Surroi në vitet 1992-1994 kur serbët keqtrajtonin dhe vrisnin shqiptarë në Kosovë, në vend që të fliste për fashizëm serb, bënte thirrje që shqiptarët të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë.
Alarmi i Surroit për ekzistencën e të ashtuquajturit fashizëm kosovar tek shqiptarët e Kosovës, u përcoll në moment nga mediat e mëdha ndërkombëtare, nën kujdesin e qendrave antishqiptare proserbe, dhe Surroit iu krijua aureola e një «Mateoti» të Kosovës, që kishte denoncuar me guxim fashizmin në vendin e vet, dhe që ishte në rrezik për këtë gjë. Do të ishte mjaft interesante dhe instruktive sikur të bëhej një paralelizëm midis Surrojt dhe homologëve të tij izraelitë, intelektualët-ithtarë të Shoqërisë së Hapur në Tel Aviv. Izraeli, shteti i krijuar pas holokaustit, është sjellë me palestinezët që ka brenda territorit të tij shumë herë më keq se ç'po sillen shqiptarët e Kosovës me serbët e atjeshëm. E megjithatë, kurrkush nga homologët e Surrojt në Tel-Aviv ithtarë të Shoqërisë së Hapur nuk ka dalë deri më sot të thotë se "fashizmi izraelit është turpi i hebrejve". Pse nuk ka ndodhur kjo gjë ? E mira do të ishte që këtë pyetje Surroj dhe miku i tij Edi Rama, t'ia bënin mikut dhe mecenatit të tyre të madh Xhorxh Soros, i cili si hebre që është duhet të dijë sigurisht diçka më tepër mbi këtë argument. Akoma më mirë do të ishte sikur Surroj t'i kërkonte Sorosit që në kuadrin e promovimit të Shoqërisë së Hapur t'i dërgojë me një mision në Tel Aviv, ku ata të orvaten t'i bindin intelektualët izraelitë që të zbulojnë dhe të dënojnë fashizmin izraelit. Por vështirë se do të kishin sukses në këtë mision të tyrin. Madje, edhe nëse do t'ia arrinin që të bënin qoftë edhe një antifashist kominternist të vetëm në Izrael, këtë të fundit e priste në vendin e tij një eksperiencë edhe më e keqe se ajo e Surrojt në kohën e luftës në Kosovë, kur "fshihej" bodrumeve të Prishtinës. Homologu izraelit do ta kishte këtë fat, sepse duke hedhur teza si ato që Surroj, lëshon me aq lehtësi në Prishtinë, ai kishte firmuar "linçimin" e tij të sigurtë nga opinioni hebre.
Mbetja e Veton Surroit jashtë parlamentit të Kosovës, u paraqit në emision si katastrofë e vërtetë për politikën në Kosovë, aq sa u arrit deri atje sa korrespondentja në Prishtinë, Alma Lama, ta pyeste shefin e UNMIK Ryker, se si e konsideronte mbetjen jashtë parlamentit të Kosovës të një politikani si Veton Surroi. A thua se Ryker po qortohej që nuk kishte vepruar në atë mënyrë që Surroi të hynte në parlament. Rykerit iu nxorr me përdhunë një kompliment për Surroin. Surroi e dëgjoi me qetësi këtë farsë, çka ishte shumë ironike se Surroi i qortonte politikanët e sotëm të Kosovës për atë se nuk po avanconin në implementimin e pavarësisë, duke u treguar shumë të nënshtruar para ndërkombëtarëve, kur sipas logjikës së Surroit Ryker nuk duhet të ishte fare në Kosovë për ta komplimentuar Surroin, tash që u shpall pavarësia, se një vend nuk mund të jetë dhe i pavarur dhe nën administrimin e OKB?! Në panelin e analistëve që bashkëbisedonin me Veton Surroin ishte dhe Eduard Zaloshnja, njeriu i lobit greko-amerikan, i cili i bëri elozhe të mëdha Surroit, ashtu siç i ka bërë edhe Edi Ramës (Zaloshnja është munduar ta shfajësojë Ramën edhe për ato që ka shkruar dikur kur e quante Konferencën e Pezës farsë të komunistëve që kishin përgatitur luftën civile), edhe pse Zaloshnja e mban veten për të djathtë antiberishian. Avokatia e Eduard Zaloshnjës është kompromentuese për Surroin se zbulon ky i fundit është i pëlqyeshëm dhe për grekët, aleatët e serbëve.
Në mars 1999, në kohën e genocidit serb në Kosovë, në Tiranë miqtë sorosianë të Veton Surroit me Edi Ramën në krye dhanë alarmin për fatin e Veton Surroit, sikur nuk dihej fati tij, dhe se kishte të ngjarë që ai të ishte rrëmbyer nga serbët. Por Veton Surroi, që ishte në Prishtinë kur filloi fushtat ajrore e NATO, shpëtoi shëndoshë e mirë, dhe doli në Tiranë tek miqtë e vet sorosianë, ndërsa serbët rrëmbyen vetëm ata që sulmonte më shumë Surroi në gazetën e vet, Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin. Kot bëri Edi Rama sikur u shqetësua për Surroin, se serbët nuk do t’ i bënin kurrë keq njeriut që u kërkoi shqiptarëve të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, dhe që pas disa muajsh do të jepte alarmin për «fashizmin kosovar»-turp të shqiptarëve, që dhunonte serbët. Edi Rama këtë gjë e dinte shumë mirë.







