TemA TV/ Pamjet EKSKLUZIVE të shoqërimit në polici të pedofilit (VIDEO)

Tema TV ka siguruar pamjet e shoqërimit të të dyshuarit Ardian Përrenjasi, i cili akuzohet si vrasës dhe dhunues i 11-vjeçarit nga Tirana, Julian Çela, pak minuta pas arrestimit nga policia. Përrenjasi në fakt u kap teksa mbante peng në banesë prej gati 12 oësh një tjetër të mitur, fqinj të tij.
Dy furgona me policë e kanë dërguar 45-vjeçarin në dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në pamje, Përrenjasi duket i qetë dhe nuk shqetësohet nga kamera e policisë që fikson hyrjen e tij në dhomat e izolimit, në pritje të marrjes në pyetje nga oficerët e krimeve të rënda.
Në këtë video, i arrestuari shfaqet i parruar prej ditësh. Në pamjen e jashtme, nuk duken shenja dhune. Ai u përgjigjet pothuaj me përpikmëri të gjithë urdhrave të policëve që e shoqërojnë, teksa duart i ka të lidhura me pranga.
Mësohet se ai ka qenë bashkëpunues me hetuesit që pas ndalimit, për të zbardhur ngjarjen e zhdukjes së djalit të efektivit të Shërbimit Informativ Shtetëror.
11-vjeçari, sipas hetimeve, është marrë peng në banesën e Përrenjasit në lagjen Laprakë në Tiranë, në mesditën e 30 nëntorit 2012. Në dëshminë e dhënë përpara prokurorisë, Përrenjasi ka pohuar se e ka vrarë fëmijën pasi ky i fundit po bërtiste dhe bënte zhurmë.
Më pas e hodhi në koshin e plehrave që ndodhej në lagjen e tij dhe trupi i të miturit dyshohet se ka përfunduar në Sharrë.