Fitorja me Norvegjinë i ka dhënë krahë kombëtares së De Biazit, që ka nisur në mënyrë spektakolare ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë në stadiumin “Qemal Stafa”.
Edhe pse fusha ka qenë në gjendje shumë të rënduar, kjo edhe për shkak të reshjeve, kuqezinjtë kanë arritur të shënojnë tre gola brenda pak minutash.
Në minutën e 33-të ka qenë Alban Meha që në një goditje nga shumë larg zonës ka shënuar një gol spektakolar.
Katër minuta më vonë është Edgar Çani që shënon një gol pasi godet topin në hyrje të zonës.
Por kombëtarja nuk është ndalur, pasi pesë minuta më vonë është Migjen Basha që shënon një gol të mrekullueshëm.
Në pjesën e dytë kombëtarja është sërish e karikuar dhe arrin të shënojë edhe golin e katërt falë një autogoli.
Miqtë mjaftohen me një gol nderi.





