Raporti i IDN: Policia zbulon vetëm 55 për qind të vrasësve
Edhe pse nga Policia e Shtetit statistikat për kriminalitetin në vend nuk janë pasqyruar asnjëherë gjatë vitit 2012, studimi më i fundit i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim tregon se së paku një person vritet në çdo tre ditë në Shqipëri, por në shumë raste ka edhe ngjarje kriminale që pasojnë njëra tjetrën për disa ditë me radhë. Sipas studimit në çdo 90 minuta regjistrohet një vjedhje, ndërsa situata e vrasjeve kriminale duket se është në shifra alarmante ku raportohet se çdo 72 orë vritet nga një person, ndërsa vrasësit në thuajse 55 për qind të ngjarjeve nuk mund të arrestohen nga Policia Shqiptare dhe i shpëtojnë dënimit.
Precedentët
Në raportin për kriminalitetin dhe grabitjet në vend thuhet se në qoftëse dikush e vendos ta lërë makinën diku, ky person duhet të sigurohet që të mos vonohet për të parë automjetin e tij për jo më shumë se 13 orë, pasi kjo është koha mesatare që vidhet një makinë në Shqipëri. Këto janë shifrat që ofrohen nga studimi i institutit për demokraci dhe ndërmjetësim me burime të sakta nga statistika të policisë së shtetit. Në këtë raport analizohen tendencat e krimit gjatë vitit 2012, ku krimet janë kategorizuar sipas të dhënave nga policia e shtetit për veprat penale të regjistruara. Raporti është tejet interesant ku nga ai mund të veçohen edhe shume tendenca të tjera interesante të krimit në vend.
Statistikat
Ndër të tjera në raport bëhet e ditur se në çdo 24 orë në Shqipëri, ndodh një krim kundër jetës, ndërsa vrasje të mbetura në tentative regjistrohet një në çdo 36 orë. Për armëmbajtje pa leje ndalohet një person në çdo 8 orë e gjysmë, ndërsa plagosje të lehta regjistrohen në çdo 6 orë. Prioritet i krimit gjatë vitit 2012 kanë qenë edhe vjedhjet e banesave dhe bizneseve, ku në çdo 7 orë vidhet një banesë dhe çdo 8 orë një biznes. Nga e gjithë kjo gamë krimesh të ndodhura policia e shtetit arrin të zbulojë vetëm 55% të tyre, ndërsa pjesa tjetër e tyre ka mbetur pa autor ose në kërkim të tyre. Synimi i këtij studimi kryer nga IDM është të sensibilizojë publikun, institucionet shtetërore, opinion-bërësit dhe aktorët vendim-marrës mbi gjendjen e sigurisë publike në vend si dhe të nxisë përmirësimin e politikave dhe masave institucionale në përgjigje të ritmeve alarmante të kriminalitetit.






