Flori Bruqi vjen me “Nëse kam ditur të guxoj”, Prishtinë, 2012
Vepër vështrimesh kritike dhe shumë shtresimesh letrare
Ja si do të shprehej atëbotë shkrimtari i mirënjohur yni, Mehmet Kajtazi, në një vështrim të tijin për poezinë e Floriut: “Temat që ngërthehen në këto vargje nuk burojnë nga inspirimet, që i marrin disa poetë nga librat që i lexojnë, por Flori Bruqi inspirimet i merr nga jeta. Ato nuk mbesin vetëm inspirime, por dalin nga kornizat e një gjirme të thellë dhe si valëzat e detit, të shqetësuara afrohen drejt brigjeve, por edhe kthehen në suprinën e largët të detit me emrin nënë, me emrin martirizim, me emrin LIRI”.Aponë një rast tjetër, njëri nga shkrimtarët tanë të shquar, Zejnullah Halili, shprehet kaq reflektueshëm: “Flori Bruqi po hyn nëpër një shteg të ndritshëm në poezinë shqipe. Figura e tij, në fillim të kësaj poeme, na sjell shqetësime të shumta që lidhen me Tokën, me Nënën, me Gjakun, me Vallen e Shkrepave, me Baladën e Yjve, me Lotin që ka Ogur, me Zërin me Frushullimën e Krahëve, me Akuarelin e Diellit, me Lumin e Bardhë. Secili varg vendoset në patosin e kësaj Luleje. Secila poezi ka gjethin e Vet, Dritën, shqetësimin dhe besimin, andejza, matanë errësirës, pra, ai këto frymëzime i zë nga jeta, sepse e nxit Bardhësia e katër vargjeve, figura e saj, shpirti shqetësues, Fjala”.
Në kapitullin e tretë mbarështrohet një lëndë po aq e pasur dhe e thekur letrare e autorit mbi veprat dhe mbi jetën e shumë autorëve botërorë e shqiptarë, sipas këndvështrimit dhe shijes dhe dioptrisë krijuese të studiuesit Bruqi. Flori Bruqi këtu spikat me vështrimet e tij të thukëta dhe përmbajtjesore, me një metodologji klasike të vështrimit: ai shkruan mbi veprën e autorit, jep mjaft shënime biografike dhe shtjellon motivet e veprës së tyre, por edhe klasifikon ndonjë nga poezitë apo prozën apo shkrimin e akëcilit që merr në theks të vështrimit.
Në të gjitha këto vështrime kritike, vërehet përkushtimi dhe niveli studimor i autorit me një bagazh të mirë studimor mbi veprat dhe autorët. Poashtu autori, në secilin vështrim jep edhe të dhëna të shumta mbi veprat e autorëve, që përbëjnë opusin krijues të tyre, si informacion të plotë për lexuesin. Janë një sërë artikujsh kritikë e publicistikë edhe për figurat e jetës sonë letrare, por edhe politike e publicistike, sikur artikulli për dr. Ibrahim Rugovën, ku Bruqi qëmton me këndvështrimet e tij, duke na sjellë përshkrime dhe vlerësime për figurën madhore e komplekse të presidentit historik Ibrahim Rugova, por edhe për veprën e tij letrare dhe kritike që është mjaft e bujshme. Gjithashtu, me interes janë edhe mjaft shkrime të kësaj natyre, siç janë p.sh shkrimet për Nënë Terezën – nderin e kombit shqiptar, pastaj vështrimet kritike për figurat letrare si për Eqrem Çabejn, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Ismail Kadarenë, Prend Buzhala, Naim Kelmendin, Bardh Frangun,dhe poetë të gjeneratës më të re të postmodernes, si Irena Gjoni, Lediana Kapaj, Alma Papamihali, Keidi Sejdini, Thani Naqo, Jorgo Sofokli Telo, Valdete Berisha e ndonjë tjetër.
Ato që përbëjnë gamën e gjerë të vështrimeve dhe temave sintetizuese, por edhe tematike, janë disa nga shkrimet që zënë vend në këtë vepër, si “Shkrimtari idealist shqiptar gjatë shekullit XX”, “Kritika tani ngjanë në një digë të shpartalluar, që i varen llamarinat nga erërat e fitimit”, ”Spastrimi etnik në Kosovë”, ”Shqiptarët në shtypin arab”, ”Historik i shkurtër i gjuhës shqipe” etj. Me një fjalë, vepra letrare e Flori Bruqit: “Nëse kam ditur të guxoj”, përbën një aureolë pikëvështrimesh të qëmtuara letrare mbi veprat e shumë autorëve të shquar, vendas e ndërkombëtarë, por edhe ato mbi veprën autoriale të këtij shkrimtari, tashmë të njohur në letrat tona, me kontributin e shumë veprave cilësore letrare, poetike e publicistike, që zënë vend të merituar në “Panteonin” e letërsisë shqiptare.
Nga Naim Kelmendi
http://www.gazetarepublika.al/?p=21613