Home »
» Si të njihni një pedofil, ja cilat janë truket e tij për të gënjyer fëmijët
Si të njihni një pedofil, ja cilat janë truket e tij për të gënjyer fëmijët
Si ti mbroni fëmijë, faktet që duhet t’u mësoni që të mos bien pre e abuzuesve
Si të njihni një pedofil, ja cilat janë truket e tij për të gënjyer fëmijët
Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit që ka tronditur çdo qytetar, gazeta “Tirana Obsever” për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve boton një speciale mbi pedofilinë. Çfarë është pedofilia, si ta njihni një pedofil, dhe si t’i mbroni fëmijët e juaj.
Dr. Angela Pileci
Nuk është e vërtetë që pedofili është një monstër e tmerrshme nga pamja. madje ai nuk frekuenton as ambiente perverse. e kundërta, ai është një njeri mjaft i sjellshëm dhe mjaft i dashur me fëmijët. Pedofili në fakt zakonisht është një person i rritur, që u afrohet fëmijëve duke i zgjedhur me kujdes. Pedofili zakonisht fshihet pas mirësisë që tregon drejt viktimave të tij, dhe zakonisht mundohet të fitojë besimin e fëmijëve duke sjellë mirë me ta, dhe duke u blerë dhurata. Ai duket mjaft i sjellshëm, shumë shpesh ka një familje dhe një jetë seksuale “normale” paralelisht. Pothuajse të gjithë pedofilët i fshehin veprimet e tyre, ose duke i minimizuar duke thënë: “Fëmijës nuk i ka ndodhur asgjë”, ose: “Ishte fëmija që më provokoi, ishte i faji i tij”. Herë të tjera pedofili është vërtet i bindur për interesin tij seksual ndaj fëmijës, dhe këtë e cilëson si një dashuri që një i rritur mund ti japë fëmijës. Është shumë e vështirë të njohësh një pedofil për nga mënyra se si sillet, ndërkohë është më e thjeshtë të ndihmosh fëmijët dhe ti mësosh ata se si tu largohen apo tu rrinë larg situatave të rrezikshme. Në fakt strategjitë që pedofili përdor për tu afruar me fëmijën janë të njëjta. Abuzuesit përdorin të njëjtat joshje për të bërë një fëmijë që të bjerë pre e skemës së tij.
7 truket më të shpeshta që përdor një pedofil
1. -“Do të jap një dhuratë”. Fëmijës i dhurohet një dhuratë që ai e pëlqen shumë: një lojë, akullore, para, etj. Nëse abuzimi ka ndodhur ai e josh fëmijën duke i thënë që do të japë dhurata të shumta që mos të tregojë, ose edhe e kërcënon.
2. -“Je një fëmijë shumë i keq”. Pedofili e akuzon fëmijën duke i thënë se ka bërë diçka shumë të rëndë, dhe që është e gabuar për tua thënë prindërve.
3. -“Hape pak derën, se duhet të të jap diçka”. Nëse pedofili e di që fëmija është i vetëm në shtëpi, kërkon që ai ta fusë brenda me pretekste të ndryshme.
4. -“Askush nuk do të besojë”. Pedofili duke kërkuar të fusë në kurth fëmijën, i thotë që nëse do ti tregojë dikujt sekretin, asnjëri nuk do ti besojë, madje më keq akoma, prindërit do të zemërohen shumë me të.
5. – “Dua të të bëj disa foto”. Gjithnjë e më shpesh fëmija ftohet për ti bërë foto nga abuzuesi, duke e gënjyer se do ta bëjë të famshëm, ose do ta bëjë të marrë pjesë në spektakle televizive.
6. -“Mund të më ndihmosh të lutem?”. Pedofilët u kërkojnë ndihmë fëmijëve, ndërkohë që dihet se natyra e tyre fëmijët janë të gatshëm të ndihmojnë gjithnjë, edhe atë që nuk e njeh kërkon ta ndihmojë.
7. – “Pse nuk vjen tek shtëpia ime për të luajtur bashkë? Kjo kërkesë është shumë e dyshimtë për shumë arsye. Një fëmijë duhet të luajë me moshatarët e tij, dhe kërkesa për të luajtur me të, është një kurth i pedofilit për të abuzuar me të seksualisht.
Çfarë është pedofilia?
Para së gjithash, është shumë e rëndësishme të krijohet një ide e qartë dhe një kuptim i saktë rreth pedofilisë, në mënyrë që procesi i identifikimit të kësaj dukurie të jetë i shpejtë dhe i qartë. Psikologët në përgjithësi e përkufizojnë pedofilinë si një interes seksual të vazhdueshëm kundrejt fëmijëve para-adoleshentë, të reflektuar në mendime, fantazi, nevojë, eksitim seksual, dhe sjellje insistive. Në formën më të fortë, pedofilia reflekton një preferencë seksuale ekskluzive për fëmijët para-adoleshent dhe nuk ka asnjë interes seksual kundrejt të rriturve. Një element kyç në këtë përkufizim është mosha dhe statusi i pubertitetit të fëmijës në interes. Kontaktet seksuale me pas-adoleshentë janë të ndaluara nga ligji në shume vende të botës, por këto ndalime ndryshojnë nga vendi në vend dhe janë të bazuara në kritere moshore të përcaktuara nga ligji. Për më tepër është shumë e rëndësishme për t’u theksuar se, konceptimi i preferencës seksuale kundrejt fëmijëve para-adoleshentë si një çrregullim mendor dhe si një akt për t’u dënuar varet sidomos nga kultura, vlerat, frekuencat statistikore, normat dhe sjelljet e një vendi të caktuar. Shumë interesant në eksplorimin e këtij fenomeni, dhe në mënyrën sesi njerëzit e perceptojnë apo kuptojnë atë, është edhe faktori kohë. Jo gjithmonë, dhe jo në çdo kohë, akti i kryerjes së marrëdhënies seksuale me të mitur është konsideruar deviant.
Pedofili jo vetëm mashkull…
Shumica e të dhënave rreth pedofilisë janë rreth meshkujve dhe shumë pak studime janë marrë me femrat, ndoshta sepse meshkujt kanë më shumë probabilitet për të qenë të tërhequr seksualisht nga të miturit. Por kjo nuk do të thotë që gratë-pedofile nuk ekzistojnë, por që numri i tyre është në minorancë në krahasim me meshkujt. Në lidhje me ketë, disa psikologë zhvilluan një sondazh me 546 gra në universitet rreth eksperiencave të tyre seksuale me fëmijë që ishin të paktën 5 vjet më të rinj se to. 4% e këtyre grave pranuan që e kishin përjetuar një eksperiencë të tillë; 92% e këtyre eksperiencave përmbanin kontakt fizik, më së shumti puthje dhe prekje. Mosha mesatare e femrës në kohën e aktit seksual ishte 15 vjeç dhe ajo e fëmijës ishte 6 vjeç. 13% e këtyre grave thanë që nuk ishin ato që filluan eksperiencën. Shumica e fëmijëve (69%) ishin të afërmit e abuzueses dhe asnjë nga këto incidente nuk u zbuluan nga policia apo autoritete të tjera.
Si duket një pedofil?
Një pedofil manifeston gjithmonë shenja dhe gjeste frike, ankthi dhe stresi. Fytyra e tij nuk duket e vrazhdë, dhe nuk duket e përçmuar dhe përbuzur. Personaliteti i një pedofili është i ngjashëm me një psikotik. Ai mund të këtë probleme edhe me orientimin seksual, pra të jetë pervers. Të zbulosh prirjen e dikujt drejt përdhunimit është diçka e vështirë. Megjithatë, një përdhunues karakterizohet nga shumë cilësi, të cilat nëse pikasen janë tregues se personi është i tillë. Këtu mund të përmendim për shembull: Sjelljen agresive të vazhdueshme, egoizëm absolut në kurriz të tjerëve, etj… Në raste të tilla, mund të presim prej tij sjellje të turpshme dhe jo domosdoshmërisht vetëm përdhunim dhe pedofili. Përdhunuesi është një njeri i sëmurë psikologjikisht, mund të ketë vuajtur nga dhuna në fëmijëri, nga privimi emocional, mund të jetë rritur në një familje të shpërbërë. Ai mund të jetë dhe impotent, gjë e cila e shtyn drejt hakmarrjes ndaj shoqërisë. Ai mund të jetë keq edukuar, gjë e cila shkakton tek ai tendenca të forta perversiteti.
Si ta njihni abuzuesin seksual
Manifeston sjellje protektive dhe ndjeshmëri të lartë karshi fëmijës, duke e vëzhguar atë në aktivitetet sociale dhe ndërveprimi me fëmijët e tjerë, sidomos të seksit tjetër.
-Duket i vetëmbyllur dhe plot sekrete.
-Shumë xheloz dhe dominues ndaj anëtarëve të tjerë të familjes.
**********************
33 simptoma dhe shenja që nënkuptojnë abuzim seksual tek fëmija
Si ta mbrosh fëmijën tënd nga abuzimet seksuale
Përgjithësisht, abuzimi seksual me fëmijët ndodh nga një person i rritur të cilët fëmijët e njohin dhe që ka pushtet ndaj tyre. Abuzuesi e detyron fëmijën të lidhet me të, duke e joshur me dhurata e marifete të ndryshme, ose thjesht e detyron të bëhet pjesë e aktit seksual. Ti si prind mund të besosh se fëmija do të tregojë ty ose dikujt tjetër për çfarë i ndodh, por në përgjithësi, abuzuesi e bind atë, ose duke e kërcënuar ose me dhurata, që të mos i tregojë askujt për çfarë ka ndodhur. Përgjithësisht, mënyra si reagon dhe shprehet fëmija ndaj abuzimit është e paqartë dhe enigmatike, ai mund të mjaftohet duke e lënë të nënkuptohet. Por mund të ndodhë që ai tu tregojë shokëve të tij, të cilët nga ana e tyre i tregojnë një më të rrituri. Ose mund të tregojë pasi të shohë një program i cili trajton mënyrat si të ruhen fëmijët nga ngacmimet dhe abuzimet e këtij lloji.
Si ta mbrosh fëmijën tënd nga abuzimet seksuale:
1 – Këshilla e zakonshme si “Mos u fol njerëzve të huaj” nuk vlen në këtë rast, pasi zakonisht, abuzuesi është një person i afërt me fëmijën.
2 – Mësoja fëmijës njohuritë bazë rreth seksit, mësoji se ka disa organe intime të cilat nuk duhet të lejojë t’ia prekë askush. Nëse prindërit nuk janë rehat ose ndihen në siklet nga kjo, le ta bëjnë njerëzit e tjerë më të afërm, xhaxhai ose halla, daja ose tezja, mësuesi ose mësuesja. Edhe psikologu ose psikiatri mund t’ia përcjellin këto njohuri fëmijës.
3 – Tregoji fëmijës se nëse dikush i afrohet dhe orvatet ta prekë në organet seksuale, diçka e tillë është gabim i rëndë dhe ndëshkohet me ligj. Furnizoje me besim që të mund të vetëmbrohet përballë një personi që orvatet ta shfrytëzojë dhe abuzojë me të.
4 – Mos e detyro t’ju japë të afërmve përqafime e puthje vend e pavend. Lëre ti shprehë ndjenjat e tij në formën që i përshtatet atij.
5 – Jepi urdhra të qarta dhe të prera që të mos hipë në makinë me njerëz të huaj, pa lejen tuaj të drejtpërdrejtë.
Kujdes
Mos harroni se abuzimi seksual nuk shoqërohet gjithmonë me dhunë dhe se fëmijët kanë tendencë të natyrshme të kenë besim dhe të mbështeten tek të tjerët. Ata mund ti ekzekutojnë urdhërat që u jepen nëse kjo u fal pranueshmëri dhe dashuri.
Çfarë të bësh nëse dyshon për abuzim seksual?
1 – Nëse fëmija të tregon se dikush ka abuzuar seksualisht me të, gjëja më e rëndësishme është që fjalën e tij ta marrësh seriozisht. Në të kundërt, fëmija i abuzuar do të humbasë besimin tek të gjithë. Nëse ai kërkon ndihmë dhe injorohet, ai do të heqë dorë nga kjo formë dhe nuk do e tregojë më abuzimin, e për rrjedhojë do të vazhdojë të jetë viktimë për muaj e vite me radhë.
2 – Dëgjoje interpretimin e fëmijës tënd teksa e shpjegon abuzimin.
3 – Siguroje se nuk do e lësh me kaq dhe se gjithçka që ka ndodhur nuk ka qenë për faj të tij. është shumë e rëndësishme që mos ta bëni të ndihet fajtor për atë çka po i ndodh.
4 – Fali sa më shumë dashuri, qetësi dhe siguri. Nëse je nevrikosur dhe zemëruar, sigurohu që fëmija ta kuptojë se kjo zemëratë nuk i adresohet fëmijës. Thuaji se je krenar për guximin dhe kurajon e tij, se ti e kupton që ai ka frikë dhe është i tmerruar, aq më tepër që abuzimi i ka ardhur nga një person i afërt brenda farefisit.
5 – Drejtohu tek specialisti për ndihmë, një pediatër, një psikolog këshillues për fëmijë, oficer policie, punonjës social apo mësues.
6 – Nëse abuzuesi është një mik apo pjesëtar familjeje, mund të mashtrohesh dhe të orvatesh ta zgjidhësh problemin vetë. Përgjithësisht, kur familjarët rreken ta zgjidhin problemin vetë, thjesht bëjnë një vrimë në ujë, pra dështojnë.
Trajtimi:
1 – Përballu me realitetin me kurajo.
2 – Mbaje nën kontroll situatën.
3 – Përballu me problemin që të mënjanosh përsëritjen e një abuzimi të dytë.
4 – Diskutoje dhe pleqëroje problemin me terapistin tënd, ai mund të ofrojë mbështetje dhe këshillat e duhura.
5 – Patjetër që çështja duhet çuar edhe në organet kompetente, të cilave u duhet kërkuar të ndërhyjnë.
Kujdes
Kij parasysh se biseda rreth abuzimit seksual mund të jetë shumë e rëndë me fëmijën, nëse është kërcënuar nga abuzuesi, i cili përgjithësisht e njeh shumë mirë fëmijën. E njëjta vështirësi mund të haset edhe tek ti personalisht, nëse e njeh personin abuzues. Megjithatë, organet kompetente duhen njoftuar me qëllim që mos kemi më viktima të tjera fëmijë. Duhet vlerësuar dhe marrë në konsideratë abuzimi dhe lëndimi që ka prekur fëmijën.
Këshillat e Komisionit Ndërkombëtar për
Mbrojtjen e Fëmijëve nga Abuzimi Seksual
-Mësoja fëmijës tënd privacinë dhe intimitetin e organeve të trupit.
-Dëgjoje fëmijën kur orvatet të tregojë diçka, sidomos nëse vihet në siklet nga ajo që kërkon të thotë.
-Jepi fëmijës kohën dhe vëmendjen e mjaftueshme.
-Njihu me personat me të cilët fëmija kalon kohën e lirë dhe bëj kujdes nëse ai qëndron me njerëz të panjohur në vende të izoluara.
5 – Interesohu nëse administrata e shkollës është e sensibilizuar lidhur me ngacmimet seksuale me fëmijët dhe fëmijët. Nëse nuk janë, bëj diçka që ata të sensibilizohen, mjafton të fotokopjosh këtë lëndë dhe t’ua japësh drejtorisë së shkollës apo kopshtit, për tu shpërndarë më pas tek të gjithë mësuesit.
6 – Bisedo me fëmijën tënd rreth ngacmimit seksual. Për këtë, zgjidh një kohë të përshtatshme, para një pikniku me shkollën për shembull, ose pasi të keni dëgjuar për një ndodhi të tillë në gazetë apo televizion.
Përse e fshehin fëmijët abuzimin seksual?
Fëmijët vuajnë dhe lëndohen shumë nga abuzimi seksual me ta dhe mund të mos kenë mundësi ta tregojnë kur u vjen nga një person brenda familjes, ose një i besueshëm për prindërit. Shkaqet përse nuk mund ta tregojnë janë:
-Mosha e tyre është e vogël dhe nuk e shprehin dot atë që ka ndodhur.
-Mund të jenë kërcënuar me qëllim që të mos tregojnë.
-U përzihen gjërat kur abuzuesi manifeston dhembshuri dhe vëmendje me ta.
Mendojnë se familja nuk do i besojë në atë që thonë, mund t’ju vijë turp ose e interpretojnë atë që ndodhi si një ndëshkim për faktin se janë fëmijë paedukatë. Ndonjëherë i frikësohen një problemi më të madh duke i ekspozuar familjarët ndaj një rreziku të paralajmëruar. Për fat të keq, heshtja e fëmijës së abuzuar, e dëmton shumë atë dhe familjarët e tij, e nga ana tjetër mbron abuzuesin. Nëse fëmijët përgjithësisht nuk tregojnë nëse është abuzuar seksualisht me ta, a ekzistojnë simptoma të cilat mund të ndihmojnë familjen të kuptojë çfarë ka ngjarë?
Simptoma dhe shenja që nënkuptojnë abuzim seksual tek fëmija:
-Ndryshim në sjellje.
-Luhatje e humorit.
-Tendencë për tu vetëmbyllur.
-Periudha paniku.
-Kriza paniku.
-Të qara me dënesë.
-Urinim gjatë gjumit.
-Ëndrra të frikshme dhe ankthe gjatë natës, prej të cilave zgjohet i frikësuar.
-Sjellje të turpshme me dorë apo me pjesët e tij të turpshme.
-Tregon interes të pazakontë për çështjet me natyrë seksuale dhe flet rreth tyre vazhdimisht.
-Manifeston lëvizje emocionale të befasishme dhe të dhunshme, si p.sh të puthura të papritura ose zbulim të organeve gjenitale.
-Rebelohet shpejt dhe për shkaqet më të dobëta.
-Sillet sikur të ishte në moshë më të vogël.
-Kërkon gjëra që nuk përkojnë me moshën e tij.
-Shkakton probleme të shumta me nxënësit e tjerë në shkollë.
-Ndryshon zakonet e tij lidhur me përdorimin e banjës.
-Pushtohet nga frika nga persona, vende dhe aktivitete të caktuara, kjo edhe pse më parë nuk i ka pasur frikë.
-I shfaqen plagë, shenja, mavijosje dhe puçrra të pashpjegueshme.
-Ka vështirësi në të ecur ose në qëndrimin ulur.
-Befasisht refuzon të shkojë në sallën e lodrave ose të marrë pjesë në çfarëdo aktiviteti fizik.
-Pranon prezencën e anktheve gjatë natës, ose lag shtratin.
-Pëson çrregullim të oreksit.
-Flet mbi gjëra me karakter seksual dhe bën sjellje të çuditshme dhe të papërshtatshme për moshën e tij.
-Shtatzëni ose sëmundje seksualisht të transmetueshme tek vajzat nën moshën 14 vjeçe.
-Arratisja nga shtëpia.
-Frikë nga një person ose një vend i caktuar.
-Reagim i çuditshëm ose i papritur kur pyetet nëse dikush e ka prekur.
-Frikë e pajustifikueshme nga një kontroll fizik.
-Vizatime me sinjalistikë seksuale
-Ndryshime të befasishme në sjellje, humbja e kontrollit, urinim i pavullnetshëm etj…
-Njohja e befasishme e emrave të organeve seksuale, terma seksual dhe manifestim të pozicioneve të aktit seksual.
-Orvatje për të detyruar fëmijët e tjerë që të marrin pjesë në akte seksuale.
Nëse fëmija juaj i ka këto simptoma ose shumicën e tyre, ka shumë mundësi që të jetë përdhunuar dhe abuzuar seksualisht me të. Prandaj, prindërit duhet të shpejtojnë dhe ta trajtojnë psikologjikisht për të hequr efektet e abuzimit sa më shpejt.






