Si rilindi Nëna e Madhe Rusi, besëlidhja mes Patriarkut dhe Putinit

Besëlidhja e shenjtë midis Patriarkut ortodoks dhe Carit të ri, Putinit. Kremlini dhe Kisha, Presidenti dhe Patriarku, Besimi dhe Fuqia. Ja si rilindi Nëna e Madhe Rusi
Nga Nicola Lombardozzi

La Repubblica
Njëzet vite pas fundit të BRSS-së, famullitë janë trefishuar, të pagëzuarit zënë tetëdhjetë përqind dhe seminaret janë plot. Kisha Ortodokse po falenderon rrugëtimin mistik të Putin dhe aleanca e re të fuqisë.

MOSKË/

Pussy Riot kohët e fundit e kanë zbuluar, duke e paguar mbi kurrizin e tyre. Por të parët që e morën vesh ishin barinjtë e Fatimës që në vitin 1917, në prag të Revolucionit të Tetorit: “Rusia do të konvertohet dhe do të shenjtërohet në Zemrën e Qelibartë të Marisë.” Këto fjalë të cilat i atribuohen Marisë, do të bëheshin ëndrra e fshehtë e miliona të krishterëve në vitet e ateizmit shtetëror në Bashkimin Sovjetik, në vitet e persekutimit të besnikëve, kur kishat u kthyen në kazerma dhe katedralet u hodhën në erë duke përdorur dinamit. Tashmë profecia duket se po bëhet e vërtetë. Moska duket se është kthyer tek ëndrra e vjetër cariste të “Romës së Tretë”, e cila qëndron si një mburojë e traditës së krishterë në botë. Aq sa edhe në mesin e shumë besimtarëve, mbizotëron besimi se po kalohet nga një ekstrem në tjetrin. Cari i ri, Vladimir Putin, tregon kryqin rreth qafës së tij. Ai tregon se i është dashur të fshihte faktin se ishte pagëzuar për të bërë karrierë në KGB.

Pamjet filmike të kameramanëve të televizionit të shtetit e kapin atë ndërsa lutet në vetmi në kishat e fshatrave. Bën të ditur se ai u shpëtua nëpërmjet një mrekullie gjatë një zjarri shumë vite më parë. Rrëfehet sapo të mundet tek një prift i ri që e ka zgjedhur këshilltar shpirtëror i cili jeton në një manastir të mbijetuar nga periudha e komunizmit pikërisht pranë “Shtëpisë së Pushkatimeve”, në të cilën gjatë viteve të terrorit stalinist lëshoheshin dhe ekzekutoheshin brenda disa orëve dënimet me vdekje në masë për disidentët, fetarët dhe “armiqtë e popullit” të çdo lloji. Me rastin e kurorëzimit të tij të tretë si President i Rusisë, Patriarku Kirill personalisht shkoi në Kremlin në rezidencën e presidentit për të festuar Moleben, ritin e urimit, i cili përfundoi me fjalët entuziaste për “aftësinë e tij për të dëgjuar zërin e popullit”. Dhe në skenë së bashku, Patriarku dhe Presidenti, dukeshin si të ishin simbol i Rusisë së re e cila bashkon doktrinën e “demokracisë autoritare”, aq e dashur për Putin, me pushtetin gjithnjë e më të fortë dhe të rrënjosur të Kishës Ortodokse në mekanizmat e shtetit.

Fenomeni është në përmasa evidente dhe të habitshme. Njëzet vjet pas fundit të BRSS-së, 80 për qind e popullsisë është pagëzuar zyrtarisht. Famullitë ortodokse janë rritur nga diku tek dhjetë mijë në tridhjetenjëmijë. Manastiret, të cilat ishin në disa dhjetëra të shkatërruar, kanë arritur në 805 dhe me kushtet ekonomike shumë të mira. Përveç kësaj, nga të gjitha anët po mbijnë si kërpudha akademitë teologjike, seminaret dhe shkollat fetare për të akomoduar një “shpërthim” të profesioneve fetare që nuk kanë shoq askund në planet. Në fillim të vitit 2012 një ekspozitë me relike në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, rindërtuar nga e para pas shembjes së urdhëruar nga Stalini, regjistroi rradhë të pambarueshme të adhuruesve mbi dëborë, bllokimin e stacioneve të metrosë dhe të trenave nga fluksi i madh fluksin i pelegrinëve nga e gjithë Rusia, si dhe skenat entuziazmi që lanë pa frymë gazetarë dhe forcat e sigurisë dhe ruajtjes së rendit. Çfarë befasoi më shumë ishte pjesëmarrja masive e të rinjve të cilët janë të njëjtët që frekuentojnë kishat me kupola ari që po rilindin me një ritëm të shpejtë në të gjithë vendin. Sinjale këto që duhet të paralajmëronin ”Pussy Riot” mbi klimën e re që mbretëron në Rusinë e Putin-it. Dhe që kanë shumë shpjegime. I pari është që ka një nevojë e madhe për spiritualitet pas viteve të perandorisë ateist e cila kishte ndaluar kultet. Të tjerët qëndrojnë në ndërthurjen e rastit mes interesave ndërmjet kishës dhe shtetit. Putin e di se spiritualiteti dhe besimi janë një ngjitës i rëndësishëm për të mbajtur së bashku një vend të lodhur dhe plot probleme. Ndërsa Patriarku po kalëron dëshirën legjitime për hakmarrjen e klerit, pas dekadave të shtypjes, shpronësimit, deportimit, dhe po përpiqet të forcojë edhe më shumë autoritetin e kishës ortodokse edhe duke i ndërthurur me fuqitë dhe detyrat e Shtetit. Rezultatet po shihen qartë: Rusia ka rizbuluar pas më shumë se një shekulli orën e mësimit të fesë në shkolla që i janë besuar priftërinjve mësues; rifutja e rolit të kapelanit në ushtri; hapësirë e gjerë në televizionin shtetëror ku Patriku vetë del çdo javë dukë dhënë opinionin e tij mbi tema të çdo lloji; dhe gjithashtu një kanal i paguar totalisht nga qeveria. Çështja e “Pussy Riot” është perfekte për të shpjeguar sinergjinë natyrore të jashtëzakonshme që ka ndodhur mes dy pushteteve. Vajzat me maska banditësh dhe minifunde, që marsin e kaluar kënduan një këngë anti-Putin në altarin e katedrales së Moskës nuk përfaqësojnë asgjë të veçantë për policinë e cila në ato ditë ishte e zënë me protestat vigane në shesh në të cilat bërtitej ‘Qeveri hajdutësh dhe plot me mashtrues”. Të përbuzura edhe nga udhëheqësit më popullorë dhe seriozë të protestës, këto vajza klasifikoheshin si “keqbërës të rrugës” që duheshin larguar nëpërmjet kërcënimeve dhe pa humbur shumë kohë. Ishte pikërisht Patriarku i cili i dha ngjarjes jehonë ndërkombëtare duke vendosur të hyjë rëndë në skenë dhe tirrur për “ndëshkim shembullor për të edukuar të rinjtë për vlerat e vjetra të humbura”. Dhe duke kërkuar, prapa skenave, që vajzat të futeshin në burg, dhe ti nënshtroheshin një procesi që do të shërbejë si një mësim për to dhe për të gjithë rebelët e rinj të Rusisë.

I detyruar të bënte çfarë të donte Kirill, Putin iu nënshtrua katastrofës së prodhuar nga reagimi botëror i cili dënonte egërsinë kundër tre vajzave, të cilat në thelb ishin të padëmshme. Por gradualisht putin e kuptoi se çështja, pas të gjithave, po kthehet në favor të tij. Pabesueshmërisht, pavarësisht një kolapsi të përgjithshëm të popullaritetit të tij, ai pa se, në prag të indinjatës së Patriarkut, shumica e rusëve ishin pro persekutimit të “Pussy Riot”. Për më shumë edhe opozitarët në shesh ishin të ndarë me sjelljet e të tre vajzave rebele duke e konsideruar gjerësisht një fyerje ndaj besimtarëve. Pra, në këtë mënyrë, qëndrimi zyrtar i Presidentit ndryshoi përgjithmonë, kur ai e kuptoi se Kisha është bërë shumë e rëndësishme për të vazhduar politikën e tij të shtypjes së disidencës duke ndarë përgjegjësitë publike. Ndiqni eskalimin e deklaratave të tij. Së pari hutuar: “Unë nuk e di se cilat janë ato”, pastaj si babaxhan: “Ka pak ekzagjerim përreth!”. Dhe në fund i vendosur dhe i rreptë: “Dy vjet burg? Ato morën atë që meritonin”. Dhe, në rrjedhën e këtij transformimi, hapa të tjerë, më pak të dukshëm, por më konkretë, unë u ndërmorën në favor të Kishës.

Një grup i besimtarëve ortodoksë arriti të miratonte në qytetin e Shën Petersburg-ut një ligj që ndalon çfarëdolloj “propagande homoseksuale”! Reagimi i parë i stafit të Putin ishte një ndjenjë laike dhe politikisht e arsyetueshme: lobimin për revokimin një ligj i paqartë dhe mesjetar i cili thotë që është krim të thuash në publik shprehje të tipit “homoseksualët janë gjithashtu qenie njerëzore”. Por pas një pune bindëse të ngadaltë nga Patriarku dhe një seri takimesh sekrete në dhomat e Kremlinit, ligji “mesjetar” i Shën Petersburg është bërë “eksperimental” në kuptimin që po konsiderohet të shtrihet në tërë territorin kombëtar. Për të mos përmendur të drejtën e abortit, themeli i kulturës sovjetike, i cili tani papritmas po rrezikohet. Në fushatën e tij të dëshpëruar kundër rënies demografike që po boshatis një vend të madh, ku popullsia është koncentruar vetëm në disa qytete, Putin filloi të studiojë, në mos ndalimin e abortit, një numër kufizimesh që Kisha po shijon me kënaqësi. Edhe divorci, i cili konsiderohej si i paprekshëm edhe nga një përqindje shumë të lartë të besimtarëve, është vënë nën shënjestrën e një Kishe që ëndërron ti “vërë fund erozionit të idealeve të familjes”.

Rezultati është se klerikët falenderojnë entuziast një qeveri ndonjëherë aq të vëmendshëm ndaj kërkesave të saj. Priftërinjtë dhe kishtarët janë rreshtuar në favor të qeverisë në detyrë dhe Vladimir Putin si një mbrojtës i besimit. Dhe po paguhen me anë të koncensioneve reciproke materiale të cilat Patriarku Kirill po u jep po aq rëndësi sa objektivat shpirtërore: ulje dhe përjashtime nga taksat, leja për të tregtuar në mënyrë të pakontrolluar, administrim i pasurive të patundshme. Dhe mund të ndodhë që një peshkop të kapet nga kamerat e lajmeve i përulur ndërsa puthur dorën e Carit të ri. Ose që një pastor i njërës prej kishave më të vizituara në Moskë të ngjisë para altarit një letër e cila fton besimtarët të mbrojnë vendet e shenjta nga “huliganizmi i ndjekësve të Pussy Riot”. Duke ndjekur instruksionet se si të përdorin: “Me bindje, dhe duke i denoncuar në polici. Dhe edhe duke thyer kockat atyre”. Mund të mos duket shumë e krishterë, por kështu funksionon Rusa e vitit 2013, ku qeveris Cari i ri në emër të Zotit, me kryqin poshtë kravatës së tij.
***************
Nga Pietri i Madh tek Stalini heshtja e madhe e Zotit


Nga Mikhail Ardov*

La Repubblica
Fjala “simfoni” tregon jo vetëm një zhanër muzikor, por edhe bashkë-ekzistencën reciprokisht të dobishme mes shtetit dhe fesë së krishterë, më saktë mes Aleancës së Kishës dhe Perandorisë. Koncepti i “simfonisë” në këtë kuptim të fjalës u formulua në shekullin e gjashtë nga perandori Justinian. Natyrisht, në realitet nuk ka ekzistuar një harmoni e përsosur, por monarkitë të cilat deklaroheshin të krishtera ishin aleate të Kishës. Krishterimi është një fe shumë e lartë, dhe Jezu Krishti, thoshte se vetëm pak persona mund të ishin dishepujt e tij e vërtetë. Në veçanti përcaktonte ndjekësit e tij “tufë e vogël” (Lu 12: 32) dhe predikonte: “E ngushtë është porta dhe e ngushtë është rruga që të çon drejt jetës, dhe të pakët janë ata që e gjejnë atë” (Mateo 7: 14). Megjithatë, periudha e krishterë në jetën e vendeve europiane ka qenë mjaft e gjatë. Kjo shpjegohet me faktin se gjatë shekujve të lashtë kanë ekzistuar monarkë të devotshëm, të cilët dinin të rrethoheshin nga njerëz të përshtatshëm.

Edhe populli aspiron gjithmonë të imitojë sundimtarët e tij. Edhe kur ata që tashmë quhen “elitë” i kanë kthyer shpinën e tyre Kishës, njerëzit kanë ndjekur shembullin e tyre. Por për tu rikthyer tek “simfonia”, e cila në Rusi ka pasur një ekzistencë shumë të gjatë por të destinuar të përfundojë. Gozhda e parë në arkivolin e Perandorisë Ruse dhe Kishës Ortodokse u ngul nga Perandori Pjetri i Madh. Në atë kohë ai kishte udhëtuar në Angli, ku mbreti konsiderohej edhe kreu i Kishës. Kjo praktikë i kishte pëlqyer autokratit rus, i cili kur u kthye në vendin e tij hoqi Patriarkatin: nga ai moment Kisha u qeveri nga një zyrtar i emëruar nga Cari. Ortodoksia u bë një lloj “Ministria e Punëve Fetare” në kuadër të dhe brenda sistemit shtetëror.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë të krishterët më inteligjente parashikuan katastrofën konfesionale në nivel kombëtar që do të godiste Rusinë. Dua të sjell këtu një nga ato profeci. I referohemi fjalëve të thëna në vitin 1885 nga Kryepeshkopi Amvrosy (Kljuchkarev) i Khar’kov: “Mund jo vetëm të parashikohet, por edhe të përcaktohet me saktësi se kur do të vijë koha e degradimit moral përfundimtar, dhe pastaj edhe rënia e kombit tonë të madh. Do të jetë koha kur numri i të krishterëve të mirë që mbesin besnik tek zakonet e krishtërimit do të tejkalohet nga numri i njerëzve të cilët janë larguar të influencuar nga një kulture e shtirjes në favor të zakoneve të reja pagane.”

Ishte pikërisht çfarë ndodhi në vitin 1917, pas vdekjes së një numri të madh të besimtarëve besnikë në frontet e Luftës së Parë Botërore. Monarkia ra, dhe qeveria e përkohshme kishte zëvendësuar atë u rrëzua nga bolshevikët. Sundimtarët e rinj të Rusisë vunë objektivin e jo vetëm eliminimit të Kishës, por edhe “zhdukjen totale të paragjykimeve fetare” (Programi i Partisë Komuniste ruse të bolshevikëve, viti 1919). Në fund të viteve njëzet, bolshevikët shpallën “pesëvjeçarin anti-fetar”, një fushatë e cila kishte objektiv shkatërrimin e Kishës.

Por lufta që nisi mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik solli ndryshime në politikën e Moskës. Stalini vendosi të krijojë kishën e tij “zbutur”, nën kontrollin e KGB-së. Për këtë qëllim, në shtator të vitit 1943 thirri në Kremlin të tre mitropolitët dhe i porositi ata që të zgjidhnin menjëherë një patriark.

Prej kohësh vihej re se partia bolshevike ishte një parodi djallëzore e Kishës. Por pak kuptuan se ngjashmëritë nuk përfundojnë këtu. Patriarkati i Moskës u krijua nga bolshevikët në “imazhin dhe ngjashmërinë” e partisë së tyre. Bashkëjetesa e tiranisë Sovjetik me Patriarkatin e themeluar nga Stalini zgjati deri në vitin 1991, kur komunistët papritmas u larguan nga skena politike. Në ato ditë hierarkia Moskovite ndiheshin si një qen i cili kishte humbur zotin e tij. Megjithatë, duke parë rreth e rrotull, hierarkët e kishës kuptuan se komunistët nuk ishin zhdukur, por ata thjesht kishin ndryshuar vetëm emrin e tyre, tani e quanin veten “demokratët” dhe nuk duan të zhdukin më fenë, por ta inkurajojë atë.

Dhe ja ku u rihapën kishat dhe manastiret, u stimulua bamirësia… Në mënyrë naive mund të imagjinohet që në Rusi ka rilindur “simfonia”, por, mjerisht, kjo nuk është e vërtetë. Carët rusë, me gjithë gabimet e tyre, ishin besimtarë, ndërsa sundimtarët aktual tanë besojnë vetëm në fuqinë e parave, dhe devotshmëria e shtirur e tyre është vetëm një mjet për krijimin e një imazhi të patriotizmit. Me pak fjalë, “simfonia” nuk ka lindur aspak përsëri, por po stonon, duke u transformuar në një partneritet biznesi mes asaj që mund të quhet qeveria e hajdutëve dhe Patriarkatit të Moskës i cili edhe një herë po serviloset.
*Autori është një prift dhe shkrimtar i cili ka hyrë në konflikt me Kishën Ortodokse pasi denoncoi pozicion gjithnjë e më politik të saj.