REPORTAZH/ Monstra që u joshte fëmijët, por tek i cili nuk dyshonte kush


largea_pedofili1363605484Një njeri, për të cilin fqinjët dhe ata që e njihnin në banesën e re, kishin respekt. Edhe pse shihnin se si afronte fëmijët e tyre, ata nuk dyshonin tek ‘djalli’
Nga Lindita Çela

Dyert e mortit janë hapur në shtëpinë e Skënder Çelës. Nuk ka xhenaze e as gra, korb në të zeza, vaji i të cilave të bëjë që dhe guri të copëtohet. Ka mort, por jo një trup mbi të cilin nëna të derdh lotët e të mallkojë vetën se si nuk mundi të rruajë pjellën e saj. Prej së dielës mbrëma, nuk ka më shpresë që Juli është i gjallë. Sapo ai foli, zia ka pllakosur në shtëpinë e nëndrejtorit të antiterrorit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Zia është më e frikshme se heshtja dhe shpresa që mbuloi gjithë shtëpinë, që kur Juliani u zhduk më 30 nëntor. Skënderi kurrë nuk ka pranuar të flasë për zhdukjen e djalit të tij të vetëm, ndërsa mëngjesin ka ndarë dhimbjen duke hapur dyert e mortit.
10 kilometra larg tij, aty ku i gjithë qyteti shkarkon mbeturinat, një njësi policie rrëmonte nën pirgjet e plehrave, me shpresën se do të mund t’i gjejnë së paku kockat e Julianit. “Ja këtu e kam hedhur, të mbështjellë nën një batanije të kuqe. E hodha gjatë natës së 1 dhjetorit dhe nuk jam kthyer më”, dëshmonte Ardiani, mes atij grumbulli plehrash se si vrau e zhduku në mënyrën më çnjerëzore një fëmijë, trupi i të cilit një Zot e di ku mund të prehet.

I zakonshëm
Një fëmijë ende nuk dihet ku është degdisur, ndërsa një tjetër i gëzohet jetës dhe pse zor se buza do i qeshë lehtë. Nuk ka mbushur as 10 vjeç. Sytë i panë vdekjen e trupi i thajmë ndjeu dhimbjen në palcë, vetëm pse ishte fëmijë. Por nëse epshet çnjerëzore nuk do të derdheshin mbi trupin e 10- vjeçarit, zor se ndokush do të mësonte fytyrën e vërtetë të Ardian Përrenjasit. Prej vitesh ia kishte dalë të shfaqë vetëm fytyrën përunjëse, përballë së cilës vetëm mëshira kishte vend. Madje për këtë kishte bindur dhe një trup gjykues në vitin 2008. Deri dy ditë më parë, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një prej varfanjakëve e fatkeqëve të ardhur nga ana e anës për një copë bukë në Tiranë. Ishte i sjellshëm, deri në përunjësi; i heshtur si varri; i qetë aq sa zor se ka ngatërruar kush me të dy fjalë; i veshur keq sa ngjallte mëshirë e i dashur sa jo vetëm fëmijët kanë dashur të kenë shoqërinë e tij. Ky ishte Ardian Përrenjasi deri në ditën kur forcat e policisë e arrestuan mëngjesin e së dielës teksa i mbante thikën në fyt 10- vjeçarit. Para se gjithkush të mësonte krimin, për banorët e rrugës “Bujar Kaloshi”, diku në zonë e Laprakës, Ardiani ishte krejt i zakonshëm. Një burrë në hall të vet, me të cilin kanë ndarë dhe orë të tëra duke luajtur domino. Madje, edhe kur në lagjen e tyre është zhdukur djali i nëndrejtorit të antiterrorit në  SHISH, askush nuk ka dyshuar tek 45- vjeçari. Asnjë prej banorëve të zonën nuk dëshmon se të këtë parë apo konstatuar ndonjë skenë të dyshimtë të Ardianit. Shoferi i plehrave të Bashkisë së Tiranës, në asnjë ditë, qoftë dhe për një moment të vetëm, nuk ka ndryshuar sjelljen e tij. E kjo deri ditën e premte, në mbrëmjen e së cilës ai nuk ka shkuar në punë.

I dashur me të gjithë
Në zonën e Laprakës, dy ditë më parë nuk do të gjeje frymë njeriu që do të fliste keq për Ardian Përrenjasin. Ndërsa, mëngjesin e së hënës, aty ku ai u rikthyer për të treguar se si e ka vrarë e më pas hedhur në koshin e plehrave Julian Çelën, të gjithë kanë dashur të hidhnin një gur për të varrosur të gjallë, bash mu në kazanin e plehrave ku ai thoshte se ka hedhur viktimën e tij. Historia ka tronditur gjithkënd në zonën e Laprakës, e kushdo ndihet i frikësuar se si për muaj të tërë kanë bashkëjetuar më një monstër e që askush nuk ka ditur të mbrohet prej tij. Joshja, paratë dhe miqësia ka qenë armët më të cilat 45- vjeçari përdorte jo vetëm  për prehën e tij. “Më merr një paketë cigare e mbaje kusurin”, ka qenë thënia e preferuar e monstrës, ndaj së cilës duket se nuk ka rezistuar asnjë fëmijë i zonës. Sipas dëshmive të dhëna, nuk janë të paktë fëmijët që Ardian Përrenjasi u ka kërkuar ndonjë shërbim të vogël e më pas i ka lënë bakshish kusurin. Kështu ka fituar besimin jo vetëm të fëmijëve, por dhe prindërve të tyre, me të cilët shpenzonte orët e pasdites duke luajtur domino. Sigurisht me ato të ngeshmit, por kjo ka mjaftuar që nami në lagje t’i dalë si burrë i urtë e babaxhan. Të qënurit me fëmijët i dashur, i qetë dhe gjithnjë pa krijuar probleme, duket se i ka krijuar avantazhet të mëdha, aq sa asnjë prej fëmijëve të mos ta ndihej i rrezikuar. Madje, këto sebepe ka përdorur edhe për 10- vjeçarin pasditen e së premtes. Sipas dëshmisë së fëmijës, Ardiani i ka thënë fqinjit të tij që të merrte dy shishe birrë, e ky nuk ka qenë shërbimi i parë që i ka kërkuar. Sipas dëshmive të vendasve, duket se Ardiani i zgjidhte viktimat e tij. Çuditërisht,  prindërit e fëmijëve me të cilët ai ka abuzuar, janë të veshur me uniformën e shtetit. Së paku kjo është legjenda që qarkullon në Laprakë, ndërsa për Policinë e Shtetit, viktimat e Ardian Përrenjasit nuk janë gjë tjetër veçse djelmosha që bien preh e lajkave të tij.

Disa viktima
Rasti i 10- vjeçarit, që policia e shpëtoi nga kthetrat e vdekjes, nuk është i vetmi. Ardian Përrenjasi ka dëshmuar se ka vrarë Julian Çelën. E ka ftuar në shtëpi për birrë e më pas askush nuk e ka pare më të gjallë 11- vjeçarin. “E kam mbytur mbrëmjen e 30 tetorit. Filloi të bërtiste e që të shpëtoja e mbyta. E ka mbajtur një natë aty e të nesërmen e kam hedhur në kazanin e plehrave e më pas me makinën e bashkisë e kam dërguar në Sharrë”, mësohet të këtë dëshmuar për policinë 45- vjeçari. E ndërsa ende nuk është mundur të gjendet trupi i Julianit, pjesë e dëshmisë së tij rrëqethëse kanë qenë dhe disa raste të tjera që Ardian Përrenjasi ka abuzuar në vende të ndryshme ku ka jetuar. Sipas grupit të hetimit, kjo ka qenë arsyeja që ai ndërronte herë pas herë banesë, ndërsa marrëdhëniet me femrat duket se i ka pasur gjithnjë koperturë, vetëm për të fshehur prirjet e tij seksuale. Madje, për shkak të incidenteve të ngjashme në familje, Ardian Përrenjasi është përzënë nga shtëpia dhe kurrë nuk ka shkelur këmbë aty prej 16 vjetësh. Po kështu, në vitin 2008 policia mundit të ngre akuzë ndaj tij, por që falë mëshirës së kërkuar, gjykata e dënoi vetëm me gjobë. Ndërsa në Greqi, po për shkak të marrëdhënieve me të mitur, Ardian Përrenjasi është dënuar me 4 vjet heqje lirie. Duket se këto rrëfime kanë bindur policinë e Tiranës, që dhe pse pa gjetur trupin e 11- vjeçarit, të dyshoje e të ngrejë akuzën se përveç marrëdhënieve të turpshme, Ardian Përrenjasi është dhe autori i vrasjes dhe zhdukjes së djalit të drejtorit të antiterrorit të Shërbimit Informativ Shqiptar.