Pse Irani s’do të lëshojë pe prej agjendës bërthamore


Nga Shlomo Ben-Ami

Shlomo Ben-Ami


Mullahët e Iranit nuk do të heqin dorë prej politikës së tyre bërthamore përderisa nuk do të arrihet një pajtim më i gjerë për të adresuar shqetësimet për një Iran si një fuqi rajonale, dhe përderisa të mos jetë siguruar imuniteti i regjimit islamik prej aksioneve amerikane

Vërtet askush nuk ka besuar se raundi i fundit i negociatave ndërkombëtare me Iranin për programin e tij bërthamor do të prodhonte një kthesë. Pra, nuk është kurrfarë befasie pse s’ndodhi kështu, pavarësisht lëshimeve që ishin bërë prej P5+1 (Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, plus Gjermania) në takimin në Kazakistan. Joreliaste kanë dalë edhe bindjet e Amerikës se sanksionet e ashpra ndaj Iranit do të lëkundin pozicionin e Qeverisë iraniane - jo së paku deri tani.Pavarësisht se është i izoluar dhe i mënjanuar, Irani ia ka dalë të menaxhojë dhe të përfitojë pak hapësirë lehtësimi me ndihmën e shteteve, si: Kina, Rusia, India, Siria dhe Venezuela, që kanë lejuar që Irani t’i bëjë ballë presionit të Perëndimit. Më e rëndësishmja, megjithëse sanksionet e ashpra të prira nga Shtetet e Bashkuara nuk po dalin si të përsosura - ato vetëm sa po forcojnë po rezistencën e Iranit ndaj “dizajneve të Amerikës”. Për të qenë të sigurt, aleancat e Iranit nuk janë imune ndaj erozionit, veçanërisht në rastin e dy aleatëve të paqëndrueshëm, Sirisë dhe Venezuelës, që rrezikojnë të falimentojnë. Fundi i Chavismos do t’i kërcënonte interesat e Iranit në Venezuelë dhe praninë e tij të konsiderueshme në Ande, derisa rënia e dinastisë së Assadit do të ishte një goditje shkatërruese për strategjinë rajonale të Iranit. Kështu, Rusia dhe Kina vazhdojnë të mbajnë një qëndrim më të butë karshi Iranit, sesa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara prej se një raport i Agjencisë së Energjisë Atomike të Kombeve të Bashkuara përshkruante në detaje përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore. Në kohën kur Perëndimi kërkon sanksione më të ashpra kundrejt Iranit, Kina dhe Rusia e përdorin Iranin si një vegël në garën e tyre botërore me Shtetet e Bashkuara. Interesat iraniane të Kinës kanë lidhje të madhe me ekonominë. Tregtia dypalëshe sillet rreth 40 miliardë dollarë në vit, dhe Kina jo vetëm që është konsumatorja më e madhe e naftës së papërpunuar, por edhe një investitore kolosale - dikur prej 40 deri në 100 miliardë dollarë - në sektorët e energjisë dhe të transportit të Iranit. Është e vërtetë se Kina nuk mund ta shmangë në tërësi presionin amerikan për shkak se SHBA-ja e ka Arabinë Saudite si furnizuesen kryesore me naftë. Por Kina derisa ka respektuar sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara karshi Iranit, ka hedhur poshtë mundësinë e zbatimit të sanksioneve të njëanshme dhe më të fuqishme të Perëndimit. Me tregti vjetore vetëm prej rreth pesë miliardë dollarësh, interesat ekonomike të Rusisë në Iran janë modeste. Por Rusia i druan aftësisë së Iranit për të shkaktuar telashe, veçanërisht nëpërmjet nxitjes së trazirave në mesin e qytetarëve myslimanë të Rusisë. Me fjalë të tjera, Amerika ka refuzuar të paguajë çmimin e lartë të Kremlinit - mosmiratimin e legjislacionit në Kongres të të drejtave të njeriut, shfuqizimin e kufizimeve tregtare të kohës së luftës së ftohtë ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, dhe heqjen dorë prej planeve për mburojën mbrojtëse raketore në Evropë - për përkrahjen ruse për Iranin (ose, apo për çështjet tjera të nxehta, si puna e Sirisë). Problemi me qasjen amerikane për të pasur hisedarë që i bashkohet kryqëzatës anti-Iran është se disa prej tyre ndodhen në fqinjësi, ku Irani është një faktor i rëndësishëm. India është një rast në këtë pikë. India pa dyshim se është alarmuar prej mundësisë se Irani po zhvillon armë bërthamore, për të mos përmendur këtu efektet e mundshme të fondamentalizmit islamik të Iranit te myslimanët e Kashmirit. Por tregtia vjetore dypalëshe prej 14 miliardë dollarësh, dhe varësia prej naftës iraniane  - shumë rafineri indiane janë ndërtuar për të rafinuar vetëm naftë të papërpunuar iraniane – janë konsiderata kyç strategjike.
Me fjalë të tjera, Indisë i duhet Irani si një alternativë tregtare dhe për energji në Azinë Qendrore, me qëllim të tejkalimit të Pakistanit rival, dhe si një shtyllë kundër së ardhmes së paqartë të Afganistanit pas tërheqjes së Amerikës në fund të 2014-ës. Si rezultat, politika e Indisë pasqyron atë të Kinës; është zotuar të bashkëpunojë në zbatimin e sanksioneve të mandatuara ndërkombëtare, por ka hedhur poshtë sanksionet e njëanshme financiare perëndimore. Ajo që më së shumti pritet prej Indisë, është të mbetet në margjinë – për shembull, duke reduktuar varësinë prej naftës iraniane, në të njëjtën kohë duke rritur importet prej Arabisë Saudite, që tashmë është furnizuesi më i madh me naftë. Natyra ekuivalente e aleancave të Iranit, megjithatë mund të jetë një bekim i përzier. Po, sanksionet e ashpra mund të nxisin afrim të mbështetësve të rinj, por një Iran me gjoksin për muri do të hiqte dorë prej avancimit të programit për armë bërthamore. Para së gjithash, Iraku ishte një cak i lehtë në Luftën e Gjirit pikërisht pse kishte hequr dorë prej programit të vet bërthamor dhe nuk kishte armë bërthamore. Ngjashëm, Libia e Muammar Gaddafit, iu ekspozua sulmeve të NATO-s duke hequr dorë prej armëve të shkatërrimit në masë. E kundërta është në rastin e Koresë së Veriut, që sfidoi këtë qasje. Në vend se të akomodohet, Koreja Veriore po vazhdon programin e saj, dhe kjo strategji po funksionon. Kjo është arsyeja pse Siria, me ndihmën e Koresë Veriore, ishte munduar të zhvillonte një program bërthamor (që besohet se ishte shkatërruar nga një sulm izraelit, që zyrtarisht nuk u pranua nga Izraeli, nëpërmjet operacionit të vitit 2007). Irani nuk do të heqë dorë prej politikës së vet bërthamore derisa nuk arrihet një pajtim më i gjerë për të adresuar shqetësimet për Iranin si një fuqi rajonale, dhe derisa të sigurojë imunitetin e regjimit të vet islamik ndaj aksioneve amerikane. Definicioni i Albert Einsteinit për çmendurinë si “bërja e së njëjtës gjë përsëri e përsëri nuk sjell rezultate të ndryshme” mund të zbatohet në politikën e Amerikës ndaj Iranit. Diplomacia e sanksioneve, e izolimit dhe e thyerjes ka dështuar. Derisa po vazhdojnë pa pengesa proceset e pasurimit të uraniumit, SHBA-ja duhet të bëjë një thyerje të rregullave të vjetra të angazhimit.

Autori ka qenë ministër i Jashtëm dhe i Sigurisë së Brendshme të Izraelit. Sot është zëvendëspresident i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe të Toledos.
Marrë nga “Project Syndicate”