PSE DËSHTOJNË REFORMAT DREJTSHKRIMORE


gjel

Kam shkruar edhe më herët për gjuhë, ose më mirë kultura moderne ku reformat e drejtshkrimit kanë dështuar, madje edhe kur kanë qenë fare të kufizuara në fushën e zbatimit; ose kur kanë qenë të studiuara me themel, si në rastin e gjermanishtes tani së fundi.
Pse dështojnë reformat drejtshkrimore?
Ndoshta kësaj pyetjeje nuk i përgjigjem dot menjëherë, ose pa konsideruar më parë përgjigjen për një pyetje të përkundërt: cilat reforma drejtshkrimore kanë pasur sukses në kohët moderne?
Mes shembujve që vijnë në vështrim, janë ai i turqishtes, e cila e ndërroi alfabetin krejt, nën shtysën e vetë Ataturkut, në fund të viteve 1920; dhe i kinezçes, që e thjeshtoi sistemin e vet, nën drejtimin dhe frymëzimin e Maos dhe ndihmësit të tij Çu Enlai.
Disa autorë që këtej kanë nxjerrë përfundimin se një reformë drejtshkrimore mund të kryhet me sukses vetëm nga një diktaturë, e cila arrin ose ka aq autoritet dhe fuqi organizative sa të mobilizojë mjetet e nevojshme për një ndërmarrje kaq masive.
Shqipja duket se e mbështet këtë përfundim gjithashtu, po të kemi parasysh rrethanat të cilat favorizuan, pas vitit 1945, përhapjen dhe më vonë imponimin e drejtshkrimit të njësuar, që u sanksionua nga Kongresi i vitit 1972.
Paradoksalisht, një nga arsyet që janë sjellë për dështimin e reformës së fundit drejtshkrimore në Gjermani është se përdoruesit e gjuhës e konsideruan imponimin e reformës nga një komitet si diçka diktatoriale, jodemokratike. Kështu, kryeredaktori i Der Spiegel-it Stefan Aust e quajti vendimin e revistës për t’i shpërfillur rregullat e reja “akt të mosbindjes civile”.
Meqë, në fakt, ndryshe nga ç’ndodh bie fjala në Francë, nuk ka asnjë autoritet që t’i detyrojë gjermanët të ndjekin këtë apo atë formë të drejtshkrimit, me përjashtim të prestigjit të formës vetë dhe të institucioneve që e kanë adoptuar, atëherë përdoruesit e gjuhës thuhet se u stepën para rrezikut të kaosit, ku disa do të përqafonin format e reja dhe të tjerë do të mbanin të vjetrat; dhe ndaj reformës drejtshkrimore, sado të arsyeshme, parapëlqyen sigurinë e formave tradicionale të shkrimit të gjuhës.
Të tjerë autorë mendojnë se reforma drejtshkrimore në Gjermani dështoi sepse nuk shkonte aq larg sa duhet; ose ngaqë ndryshimet ishin fare të vogla, aq sa të mos e përligjnin koston shoqërore, psikologjike dhe ekonomike të ndryshimeve; pa përmendur pastaj faktin e thjeshtë që gjuha funksiononte për bukuri edhe me rregullat ekzistuese të drejtshkrimit (nga pikëpamja thjesht funksionale, kalimi nga daßdass nuk ngre asnjë peshë; lexoni edhe këtu për një këndvështrim disi tjetër).
Kjo arsye mund të na bëjë, neve të Shqipërisë, edhe të (ri)pyesim pse reforma e lekut, e vitit 1965, nuk zuri kurrë rrënjë në përdorimin e përditshëm; meqë shqiptarët përdorin lekun e vjetër sot e kësaj dite. Heqja e një zeroje nuk u quajt kurrë e mjaftueshme, për të marrë mundimin e ndërrimit të sistemit.
Ndryshe nga standardizimi i drejtshkrimit pak vjet më pas, “ndërrimi i lekut” nuk u trajtua, nga administrata, qeveria dhe pushteti si aksion politik dhe ideologjik; dhe njerëzit e mbajtën lekun e vjetër në gjuhën e folur dhe në transaksionet gojore, njëlloj sikurse mbajtën dialektin në trajtat bisedore. Me shkrim, përkundrazi, edhe lekët e reja (në kontabilitet), edhe format e reja drejtshkrimore u bënë menjëherë të detyrueshme.
Vetëkuptohet se, sa më i kontrolluar të jetë mjedisi ku veprojnë rregullat, çfarëdo rregullash, aq më lehtë mund të ndërmerret një reformë e këtyre rregullave. Kështu, në një qytet me një rrugë dhe një makinë vetëm, është relativisht e thjeshtë të kalosh, brenda natës, nga qarkullimi në krahun e djathtë, në atë në krahun e majtë; mjaft të bësh “punë bindëse” me drejtuesin e makinës. Po ashtu, në një hekurudhë ku kalon veç një tren një herë në muaj, mund ta ndërrosh standardin e shinave pa e pështjelluar shumë qarkullimin.
Nga fëminia, mbajmë mend se atentatet, arratisjet nga burgu dhe vjedhjet spektakolare zakonisht kryhen – të paktën në filma – në momentin e ndërrimit të rojeve; situata mund të transpozohet pa shumë vështirësi në lëmin e përdorimit të gjuhës; ku reformën e sistemit drejtshkrimor mund ta krahasojmë me ndërrimin e rojeve, ose të autoritetit që siguron funksionimin adekuat të kodit të shkruar. Krahasimin mund ta shtjellojmë në ç’drejtim të duam, por këtu mua më intereson pikërisht aspekti i rrezikut (risk) që i bashkëlidhet ndërrimit: dhe ky rrezik lidhet sa me rojet dhe profesionalizmin e tyre ose mundësinë për të funksionuar si enforcers të disiplinës, aq edhe me subversionin potencial të situatës.
Për Gjermaninë, ka autorë që mendojnë se faji për dështimin e reformës ka të bëjë pikërisht me natyrën e demokracisë, e cila e relativizon autoritetin në përgjithësi; dhe i bën njerëzit të pranojnë më lehtë traditën sesa arbitraritetin, madje edhe kur ky i fundit është më i arsyetuar se tradita vetë.
Për Shqipërinë, reforma drejtshkrimore pikërisht në kohën kur tensionet mes Jugut dhe Veriut të vendit, për arsye gjeopolitike (Kosova) por edhe për shkak të politikave në thelb përçarëse dhe revanshiste të qeverisë Berisha nuk mund të mos shfrytëzohet nga të gjithë ata që duan t’i rëndojnë këto tensione edhe më, secili për qëllimet e veta.
Tani, problemi si në Gjermani ashtu edhe në Shqipëri, pavarësisht nga dallimet e thella mes dy kulturave dhe shoqërive, është se reforma drejtshkrimore i prek pak a shumë të gjithë përdoruesit, sa kohë që komunikimi me shkrim përfshin të gjithë popullatën, jo vetëm një elitë. Ndryshe nga qyteti me një rrugë dhe një makinë, këtu kemi një qytet me një milion rrugë dhe një milion makina; madje një qytet ku qarkullimi mundësohet vetëm nga marrëveshja e përditshme dhe e përsëritur mes drejtuesve të makinave dhe policëve të trafikut, mbi bazën e rregullave të pranuara të qarkullimit rrugor.
Në të shkuarën s’ka qenë gjithnjë kështu. Në 1908, delegatët e Kongresit të Manastirit mund të diskutonin me qetësi se ç’alfabet t’i jepnin shqipes, pa pasur frikë se do të ndeshnin në kundërshtimin, rezistencën ose inercinë e masave (që ishin, në fakt, analfabete). Ishin një elitë, dhe elita gjithnjë merret vesh mes vedi, sikurse edhe ndodhi.
Në të njëjtën mënyrë, kur turqishtja u shkëput prerazi nga osmanishtja dhe e amputoi alfabetin arab të deriatëhershëm, për të adoptuar një formë të alfabetit latin (por jo vetëm kaq), shumica e qytetarëve të Turqisë së asaj kohe ishin analfabetë, sikurse mund të shihet nga kjo hartë këtu.
Edhe kur leksikografi dhe intelektuali amerikan Noah Webster ndërmori, që nga fundi i shekullit XVIII, reformën e vet të njohur drejtshkrimore, me synimin që ta diferenconte anglishten e amerikanëve nga ajo e britanikëve, këtë ide dhe ndërmarrje ia përkrahën shkrimtarët dhe intelektualët bashkëkombas, për arsye, si të thuash, patriotike. Dhe, në fakt, reforma e Webster-it pati sukses; dhe sot e kësaj dite amerikanët shkruajnë color (jo colour si britanikët), center (jo centre) dhe offense (jo offence). E kotë të shtoj se në epokën e Internetit, kjo lloj reforme fare pak shanse do të kish për t’u realizuar; dhe drejtshkrimet alternative (si ato të tekstimit) do të shërbenin për të diferencuar grupet dhe komunitetet, jo për t’i lidhur ato më mirë mes tyre.
Reformat e standardit dhe të drejtshkrimit të një gjuhe kanë shans të kenë sukses në fazat kur gjuha e shkruar (tekstet) ende zotërohet, kontrollohet dhe manipulohet nga një elitë kulturore-intelektuale, e cila veç të tjerash gëzon autoritet të padiskutueshëm në masat e folësve. Si të tilla, këto reforma duhet t’i paraprijnë alfabetizimit, në qoftë se duan të kenë sukses dhe të rrënjosen; përndryshe, pasi alfabetizimi është kryer, gjasat e suksesit do të varen vetëm nga shkalla e lartë e entuziazmit në masën e përdoruesve ose, përkundrazi, nga ndonjë traumë kombëtare me përmasa epike (si zhvillimet gjuhësore në trevat e ish-Jugosllavisë në vitet 1990).
http://xhaxhai.wordpress.com/2013/03/21/pse-deshtojne-reformat-drejtshkrimore/