Pique kërkon përqëndrim ndaj Francës

Champions League rikthehet mesjavën tjetër me të tjera emocione intriguese, mes të cilave edhe ajo e Parisit ku vendasit do të presin një nga skuadrat më të mira të futbollit botëror, Barcelonën e tika takas. Por përpara kësaj sfide, një tjetër përplasje franko-spanjolle do të zhvillohet të martën në “Stade de France” mes dy kombëtareve, të cilat luftojnë për vendin e parë të grupit që të siguron edhe biletën direkte për udhëtimin drejt Brazilit. Për këtë arsye, mbrojtësi Gerard Pique, i cili do ta vizitojë Parisin edhe disa ditë më pas, kërkon përqëndrim maksimal sepse në këndvështrimin e tij, Franca ka një skuadër solide.

“Ndihem i privilegjuar që do të luaj 90 minuta kundër një prej skuadrave më të mira të botës. Nuk kam asnjë keqardhje për barazimin me Finlandën sepse edhe nëse do të kishim marrë tre pikët, gjithsesi do të na duhej të luftonim për fitoren në Francë. Ndaj Finlandës nuk luajtëm keq por duhej të kishim krijuar më shumë raste. Duhet ende ta perfeksionojmë lojën tonë por tashmë e kemi një stil tonin”.

Në vijim, shtatlarti katalanas flet për atmosferën në kombëtare edhe pse grupi përbëhet kryesiht nga lojtarë të Barcelonës dhe Realit.

“Në fushën e lojës harrojmë gjithçka dhe e shikojmë skuadrën si një të vetme. Ndonjëherë ka debate për mënyrën se si skuadra luan por kjo çështje mbetet vetëm në fushë. Ka pasur periudha kur marrëdhëniet nuk ishin të mira por kjo ka ndodhur shumë kohë më parë”.

Franca dhe Spanja bëjnë pjesë në grupin I të fazës eliminatore ku skuadra e Deschamps kryeson me 10 pikë, ndërsa iberikët e ndjekin me 2 më pak./Indeksonline/