Martesa mes Barcelonës dhe Neymar duket se do të bëhet. Sipas gazetës katalanase “Sport”, tashmë ka pak dyshime sepse në Nëntor të vitit 2011, ylli brazilian i Santosit ka firmosur një parakontratë me ekipin spanjoll. Marrëveshja parashikon një opsion preferencial për Barcelonën, por ka gjithashtu edhe një klauzolë penale.
Nëse gjithçka rezulton e vërtetë, bëhet fjalë thjesht për çështje kohe që ta shikojmë talentin brazilian në “Camp Nou” sepse kontrata aktuale e tij me Santosin skadon në mesin e vitit 2014, menjëherë pas përfundimit të botërorit.
Pak kohë më parë, një sinjal të qartë ka dhënë edhe presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, i cili është shprehur i gatshëm për të pritur deri në përfundim të kontratës aktuale që e lidh lojtarin me klubin paulist. I pyetur nga gazetarët nëse afrimi i tij do të krijonte probleme për Messin, ai është shprehur me diplomaci, duke deklaruar se lojtarët e mëdhenj e gjejnë përherë rrugën e bashkëpunimit mes tyre. Të dhënat flasin qartë, Neymar e ka të hapur derën e një prej klubeve më të mëdha në botë, ai mjafton që ta shtyjë për të hyrë./Indeksonline/






