Home »
» Mars(h)i i Komandantëve
Mars(h)i i Komandantëve
Kur marshohet sot, në muajin mars, e pakta që mund të bëjmë është të mos gënjejmë. Jo për gjërat që dihen.
Nga Baton Haxhiu
Sa herë vjen marsi, kujtesa kthehet te lufta. Politikanët përkulen dhe secili nga ta dëshiron të përvetësojë figura komandantësh, duke pasur frikë të ndërtojnë vizion politik për të ardhmen pa prezencën e tyre.
Më pëlqeu shpërthimi i dozës së sinqertë të Ramush Haradinajt në emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut. “Kam pasur momente që gjatë luftimeve kam qenë vetëm me pak veta”, tha Ramushi. I vinte keq ta thoshte të vërtetën e luftës dhe numrin e atyre që kishin luftuar për lirinë. Mbi 50 mijë kandidatë janë regjistruar për të marrë privilegjet e luftëtarit të lirisë. Po të bëhemi cinikë me numrin e tyre, do të thoshim se me aq luftëtarë nuk do të na duhej askush për të na ndihmuar dhe çliruar.
Por, renditja e numrave në zyrat e shoqatave të luftës për të kërkuar privilegje, dëshirës së madhe për të ndërtuar rrëfime për trimëri, përkuljes para Jasharajve për të joshur kamerat dhe për të dalë në televizor – janë imazhet e së sotmes për komandantët e lirisë.
Nga mënyra se si sillen me shtetin, me të drejtën dhe me pronën, epiteti i luftëtarëve të lirisë po zbehet. Një pjesë e komandantëve, me të bëmat e tyre, janë shndërruar në mercenarë, duke konsumuar gjithë meritokracinë e luftës dhe epitetin e luftëtarit.
Mendoja se duhej një distancë historike për t’u shkruar rrëfimet për të vërtetën e luftës dhe gjithë atë që kisha përjetuar gjatë punës sime në gazetari prej kaq vitesh.
Por, marshimet dhe përvjetorët më lanë indiferent për një kohë që të merresha me këto ngjarje. Është bërë e zakontë të dëgjojmë heroizma të paqena dhe luftëra të papërjetuara. Rrëfime për trimëritë e komandantëve dhe gjeneralëve të një lufte që vetë e kemi përjetuar.
Ne po heshtim duke mohuar të vërtetën. Dëgjojmë histori “të vërteta” ku krijohen personazhe dhe ngjarje prej së “vërteti”. Por, s’ka pse shkruhet, sepse po dëgjojmë fjalime, shkrime e rrëfime konkrete për ngjarjet që po ndërtohen nga individë jashtë ndodhive origjinale. Rrjedhimisht, ato po bëhen të besueshme për qytetarët. Me dokumentarë të paguar, janë shndërruar në ngjarje të vërteta.
Disa komandantë dhe disa ngjarje janë bërë në njëfarë mënyre kolektivisht të vërteta, sepse komuniteti i ka bërë të tillë, përgjatë viteve. Janë bërë investime pasiononte, me shumë fantazira. Ka shumë njerëz që heshtin dhe preken kur dëgjojnë rrëfime të paqena, të identifikuara si përfytyrime personale.
Për vite jemi ndier te rraskapitur nga debatet dhe nga të panjohurat që dilnin rrugës. Më shumë sesa beteja për liri, lufta verbale dhe konkrete ka qenë e ngarkuar nga intrigat, keqkuptimet se kush është patriot dhe kush është tradhtar. Kush është shqiptar dhe kush proserb, që, fatkeqësisht, përbënin gjuhën e keqkuptimeve më normale të asaj periudhe por edhe të kohës që po jetojmë tash.
Personalisht, kam takuar shpesh komandantë – që pos ndaj regjimit serb kishin urrejtje po aq të madhe edhe për njëri-tjetrin.
Po shihet qartë se si kanë menduar dikur dhe pse tash kanë vendosur kritere të ashpra eliminimi, duke harruar se armiku i tyre i vërtetë nuk ishte njëri-tjetri, por vetë Serbia.
Kjo gjuhë vazhdon të jetë pasojë e papjekurisë shpirtërore dhe zvetënimit moral. Tashmë është e qartë se në politikën kosovare një pjesë e komandantëve kanë hyrë nga kureshtja, të tjerët si mercenarë në emër të meritokracisë, por edhe për të shitur mend, e disa edhe më keq: për të ngatërruar punë. Rrethanë e mjedis më ideal për njerëz të tillë se Kosova as që mund të mendohej.
Kosova një dekadë e më shumë për disa ka qenë një tmerr, për disa ka qenë një dhimbje dhe është ende dhimbje. Ndërkaq për disa të tjerë ka qenë lufte për liri dhe vazhdon të jetë biznes.
Dua të them se në Kosovën e pasluftës kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Një shtrembërim total vlerash. Dhe sot kur marshohet në muajin mars, kaq vite pas luftës, e pakta që mund të bëjmë është të mos gënjejmë. Është edukatë dhe moral shoqëror që të gënjehet, sidomos për gjërat që publikisht janë të ditura, të përjetuara dhe të njohura.






