Nga Kastriot Myftaraj
Fërkova sytë i habitur kur lexova në shkrimin e djeshëm të Andrea Stefanit, me titull “Feste”, të botuar në gazetën “Shqip” këtë paragraf: “Vite më parë, shqiptarët lexonin ilegalisht "Princin e Vogël" të Exyperi-së. Regjimi komunist nuk e kish ndaluar rastësisht këtë "përrallë" që depërton në zemër të dukurive të njerëzimit të mbetur pa zemër”. (gazeta “Shqip”, 21 prill 2009, f. 9)
U drejtova tek biblioteka ime dhe mora në dorë librin me përmbledhje novelash të Antoine de Saint Exupery, të botuar në vitin 1986, nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri” ku gjendet dhe “Princi i vogël”, i përkthyer mrekullisht nga Petro Zheji. Vite më parë ishte botuar dhe tek revista “Nëntori”. Regjimi komunist nuk kishte arsye përse ta ndalonte këtë shkrimtar, duke konsideruar qëndrimin e tij politik, të cilin e tregon në parathënien e librit, scribi profesionist i parathënieve gjatë regjimit komunist, Aurel Plasari: “Në 1933 Sent-Ekzyperi bën një udhëtim në Bashkimin Sovjetik për një sërë reportazhesh që i boton në ‘Pari-Suar’. Kthehet prej andej me përshtypje të fuqishme”. (f. 12)
Dhe më poshtë Aurel Plasari shkruan për udhëtimin e Antoine de Saint Exupery në Bashkimin Sovjetik: “Si lumturohet gazetari kur sheh sukseset e arritura me mund e me luftë në vendin e Stalinit”. (f. 15)
Regjimi komunist shqiptar sigurisht që nuk kishte asnjë arsye për ta ndaluar një libër të një njeriu si Antoin de Saint Exupery. Këtu, meqë është rasti duhet thënë se në rast se Antoin de Saint Exupery do të kishte qenë i ndershëm dhe do t’ u kishte kërkuar autoriteteve sovjetike të lëvizte jashtë agjendës së tyre, në vendin komunist, gjatë vizitës së tij që koincidoi me kohën e urisë së madhe do të zbulonte shumë “princa të vogël” që endeshin të vetmuar dhe vdisnin rrugëve, ndërsa prindërit e tyre qenë pushkatuar ose deportuar në gulage.
Në fakt, nëse është fjala për një figuracion, atëherë fare mirë vizatimi nr. 1 mund të tregojë lexuesit e Andrea Stefanit të gëlltitur brenda injorancës së trurit të Andrea Stefanit. Në vizatimin nr. 2 kjo mund të paraqitet simbolikisht duke qenë injoranca e Andrea Stefanit një boa dhe lexuesit e tij një elefant. Dhe siç do të tregoj më tutje, nuk kemi vetëm një rast kur lexuesit e Andrea Stefanit gëlltiten nga injoranca e njeriut që kanë zgjedhur të lexojnë. Por le të ndjekim megjithatë figuracionin e Andrea Stefanit, i cili shkruan:
“Duket si e pabesueshme, por ka ndodhur, madje, na ka ndodhur edhe ne shqiptarëve që nuk dimë të mësojmë nga pësimi. Boa e Enverit gëlltiti gjithë Shqipërinë dhe e treti në bark dhe izolim të plotë për mbi 40 vjet. Tani është boa e Berishës që tenton ta gëlltisë. Pas saj është rreshtuar me gojë hapur boa e Edi Ramës. E megjithatë, na duket përsëri e pamundur që një boa të gëlltisë një elefant, që individi të gëlltisë sistemin. Prandaj sa e shohim vizatimin e Exyperi-së nxitojmë të përgjigjemi: është një kapele! Edhe nëse Exyperi do të na pyeste a jemi të frikësuar nga vizatimi do t‘i thoshim siç kanë bërë shumë të tjerë para nesh: Të frikësuar? E përse duhet të frikësohet njeriu nga një kapele? Sepse boa që po mbyt sistemin do të mbetet përfundimisht për ne një ‘kapele’. Edhe Berisha është veçse një individ, një ‘kapele’. Është, jo për fat të keq, por për ‘meritë’, festja që prej shumë shekujsh i rri më mirë kokës së pandreqshme të shqiptarëve”. (gazeta “Shqip”, 21 prill 2009, f. 9)
Në fakt, ajo që bëri Enver Hoxha nuk ishte që individi të gëlltiste sistemin, por që individi (Enver Hoxha) ngriti një sistem (parti-shtet) të tillë që gëlltiti gjithë shoqërinë, në çdo qelizë të saj, gjithë individët, gjithë kohën dhe veprimet e tyre, duke i vënë në gjendje mbytjeje. PPSH, duke qenë partia e vetme në vend u bë një “boa” aq e madhe sa eishte në gjendje që ta gëlltiste krejtësisht shoqërinë (“elefantin”). Shoqëria shqiptare e pas vitit 1990 është i tillë që sado që të abuzojnë pushtetarët, ata nuk mund të ngrenë një sistem që të gëlltisë gjithë shoqërinë, se ekziston prona private dhe lëvizja e lirë. Por edhe në këtë realitet të ri ekziston rreziku që “boa”(një parti politike) të gëlltitë një pjesë të madhe të “elefantit” (shoqërisë), duke përfshirë këtu institucionet, ekonominë etj. Garanti që të evitohet kjo është që në balancën e politikës shqiptare të mos dominojë një parti e vetme, pra që partia dominuese të ketë një parti të madhe kundërblancuese, e cila e bën të përkohshëm dominimin e së parës, duke garantuar kështu dhe ekzistencën efektive të pluralizmit politik. Pra, ironikisht, garancia më e mirë se një politikan i vetëm i ardhur në pushtet nuk do të ndërtojë, qoftë edhe informalisht një sistem që të gëlltisë shoqërinë, është ai realitet i politikës së sotme në Shqipëri, të cilin Andrea Stefani e shikon si një të keqe të madhe: bipolarizmi politik. Andrea Stefani shkruan:
“Që nga rënia e komunizmit në politikën shqiptare ka pasur zakonisht dy kryeliderë. Njëri i ka përkitur Partisë Demokratike dhe tjetri Partisë Socialiste. Por, ndërsa kryelideri i PS, Fatos Nano, është rivalizuar edhe nga zëra të tjerë për t‘u larguar nga kreu i partisë pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005, krejt e kundërta ka ndodhur me kreun e kampit të demokratëve, Sali Berisha. Një komunist (që nuk është bërë dot një ish-komunist) me profesion kardiolog, është shndërruar për Partinë Demokratike si zemra për një organizëm të gjallë. Tashmë, 20 vjet pas krijimit, Partia Demokratike nuk mund të konceptohet dot pa Berishën. Lidhja është kaq organike, sa atë e pranojnë hapur edhe në PD. Berisha është partia dhe partia është Berisha”. (gazeta “Shqip”, 21 prill 2009, f. 9)
Andrea Stefani ka të drejtë në parim, por në praktikë gjërat shpesh janë ndryshe, siç ndodh edhe në këtë rast. Unë do të kisha dashur largimin e Berishës nga politika pas zgjedhjeve të vitit 1997, me një kusht, që të kishte garanci se PD do të mbijetonte si një parti e madhe e politikës shqiptare edhe pa Berishën. Se më i keq se bipolarizmi i llojit Nano-Berisha, do të kishte qenë unilateralizmi Nano-PS. Ne tashmë e kemi të qartë se asnjë nga rivalët e Berishës në PD nuk do të ishte i aftë që ta mbante PD si partinë e dytë të madhe të politikës shqiptare. Nuk duhet harruar se PD është një parti e krijuar nga hiçi, pra pa themele të forta, siç është PS, e cila trashëgoi krejt bazën e PPSH, e cila praktikisht ndryshoi emrin në PS. Një parti me themele solide si PS mund t’ ia lejojë vetes eksperimentet në lidership dhe t’ i përballojë gabimet, ndërsa një parti si PD, mund të shpërbëhet krejt prej tyre, siç ka treguar historia e politikës në vendet ish-komuniste. Parti si PD e kanë ekzistencën e tyre si parti e madhe shumë më të lidhur me emrin e liderit të tyre historik, se parti si PS.
Sado e çuditshme që t’ i duket Andrea Stefanit, parakushti i reformimit të PD, është reformimi real i PS dhe i së majtës jokomuniste në përgjithësi, në Shqipëri. Kur flas për reformim real kam parasysh shkëputjen e partive të majta jokomuniste shqiptare nga elektorati komunist, siç kanë bërë edhe partitë e majta në Itali, Greqi etj. Partia Komuniste e Italisë kur ndryshoi emrin në 1991, duke u shndrruar në një parti të llojit socialdemokrat, u nda nga krahu komunist, i cili krijoi dy parti të vetat që merrnin votat e komunistëve të pareformueshëm. Edhe e majta greke e rikthyer legale në vend pas përmbysjes së regjimit ushtarak, hoqi dorë nga flirti me pjesën komuniste të elektoratit, çka ishte bërë shkak për grushtin e shtetit në 1967. PASOK merrte votat e të majtëve jokomunistë, duke ia lënë 10% të elektoratit me bindje komuniste partive komuniste autentike. Kjo garantoi pluralizmin politik në Greqi.
Gjëja më diabolike dhe më e dëmshme për pluralizmin politik në Shqipëri është zhdukja elektorale e partisë komuniste të mirëfilltë, dhe vajtja e votave të zgjedhësve me bindje komuniste në favor të PS. Në zgjedhjet e para pluraliste në vend, në mars 1991, Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH), e cila ende ishte një parti komuniste mori një milion vota. Në ndërkohën mes këtyre zgjedhjeve dhe atyre të mëpasme të parakohshme të marsit të vitit 1992, PPSH, në qershor 1991, në Kongresin X ndërroi në Parti Socialiste dhe shpalli se këtej e tutje ideali i saj nuk ishte komunizmi, por socializmi perëndimor. Duhej pritur që ashtu siç ndodhi dhe në vende të tjera, një numër jo i vogël njerëzish me bindje komuniste, të mos pajtoheshin me këtë ndryshim dhe të vazhdonin të votonin për një parti komuniste. Në fakt një parti komuniste u krijua në nëntor 1991, vetëm pesë muaj pasi PPSH ndryshoi emrin në PS, por kjo parti pati një profil të ulët të lidershipit, madje me figura disi humoristike, duke filluar që nga kryetari i saj Hysni Milloshi, kryetar i shoqatës së Vullnetarëve të Enverit, në kohën e konfliktit për monumentet e Enver Hoxhës, në shkurt-mars 1991. Në zgjedhjet e mëpasme, të parakohshme, të marsit 1992, PS mori 25% të votave, ndërsa Partia Komuniste (PK) mori diku tek 0.5% të votave. Që atëhere dhe deri më sot, kjo parti komuniste dhe partitë e tjera komuniste, që u krijuan më pas, të marra së bashku, nuk kanë arritur të marrin as 1% të votave.
Derisa PS mban të lidhur pas vetes elektoratin komunist, duke mos e dënuar fort regjimin komunist dhe Enver Hoxhën, dhe duke vazhduar ritualin e tij të mitologjizimit të luftës antifashiste, të shndrruar në ngjarjen më të madhe të historisë shqiptare, apo me imazhin e Qemal Stafës, nuk mund të pritet që PD të jetë ndryshe nga ç’ është sot, pra një parti autokratike. Të kërkosh demokratizimin e PD, në një kohë që PS është një “boa” e cila ka gëlltitur “elefantin” (elektoratin me bindje komuniste) dhe që sot bën luftë me LSI për këtë elektorat, kjo do të thotë të kërkosh unilateralizmin e politikës shqiptare, pra fiktivizmin e pluralizmit ashtu siç e kemi. Të kundërshtosh këtë tezë, do të thotë po të përdor një shprehje të Mustafa Nanos, një sojsëz i poshtër. Ne e kemi parë nga politika perëndimore se liderët është e vështirë që të dalin, edhe në vende perëndimore, jo më në vende ish-komuniste si Shqipëria.
Andrea Stefani u shet injorancë lexuesve të vet, kur thotë se: “Ky raport i betonuar i liderit me partinë ka qenë historikisht, sikundër ka treguar edhe Robert Michels, tipik për partitë e majta socialiste që në shekullin XIX. Sipas Michels, nuk ishin të pakët ata që habiteshin kur dëgjonin se edhe pasi kishin kaluar 30 vjet, lideri i Partisë Socialdemokrate gjermane ishte po prapë Karl Libkneht. Sot, rreth një shekull pasi publikua ky konstatim, e njëjta gjë ndodh me atë që u vetëquajt Partia Demokratike në raportet me liderin e saj”. (gazeta “Shqip”, 21 prill 2009, f. 9)
Robert Michels nuk e ka thënë kurrkund këtë gjë se ai nuk është injorant si Andrea Stefani, i cili nuk e citon për këtë thënie që i atribuon. Karl Libkneht (Liebknecht) nuk ka qenë kurrë kryetar i Partisë Socialdemokrate gjermane. Karl Libkneht (1871-1919), u bë anëtar i PSD, e cila ishte një parti marksiste, në 1900. Në 1914 Karl Libkneht krijoi së bashku me Roza Luxemburg një fraksion leninist në parti, Ligën spartakiste, e cila ishte versioni gjerman i bolshevizmit në Partinë Socialdemokrate të Rusisë. Në 31 janar 1918 Karl Libkneht krijoi Partinë Komuniste të Gjermanisë. Nuk kishte asnjë mundësi që Karl Libkneht të kishte qenë kryetar i PSD të Gjermanisë, se Karl Libkneht lindi në 1871, ndërsa në 1878 kjo parti u ndalua pas daljes së ligjeve të Bismarkut kundër së majtës. Partia u legalizua në 1890, kur Karl Libkneht ishte 19 vjeç dhe ai u bë anëtar i saj dhjetë vjet më vonë. Andrea Stefani mund të konsultohet edhe me faqen zyrtare on-line të kësaj partie, për të konfirmuar injorancën e vet.
Nëse Andrea Stefani do të thellohej diçka më tepër në konfliktin brenda PSD, në kohën kur në atë parti militonte Karl Libkneht, do të shikonte se PSD e Gjermanisë u reformua dhe është sot ajo parti që është se atje nuk fitoi linja leniniste e Karl Libkneht, por linja marksiste e moderuar e kryetarit Fridrich Ebert, emrin e të cilit mban sot fondacioni i kësaj partie. Përndryshe PS e Edi Ramës sot ka si simbol të mendimit të saj politik, ekuivalentin shqiptar të Karl Libkneht, Qemal Stafën. Konflikti që ndodhi në PSD të Gjermanisë në fillim të shekullit XX, mes marksistëve dhe leninistëve (më vonë të shndrruar në stalinistë), përkatësisht mes Fridrih Ebert dhe Karl Libkneht, ndodhi në Partinë komuniste të Shqipërisë në vitet 1941, mes Anastas Lulos, Sadik Premte, Zai Fundos, nga njëra anë dhe Enver Hoxhës dhe Qemal Stafës. Në Shqipëri humbën ebertistët Anastas Lulo, Sadik Premte, Zai Fundo, dhe fituan libknehtistët Enver Hoxha dhe Qemal Stafa. Sot, imazhi i “Karl Libknehtit” është simbol i PS me fondacionin e mendimit politik të saj që mban emrin e stalinistit Qemal Stafa.
Reformimi real i PS fillon kur fondacioni i mendimit të saj politik të quhet Zai Fundo ose Sadik Premte, pra me shkëputjen e saj prej elektoratit komunist. Atëherë mund të bëhet fjalë dhe për reformim të PD. Derisa nuk ka ndodhur ky reformism i PS, atëherë çdo eksperiment reformimi në PD rrezikon të shkatërrojë edhe atë pluralizëm politik që kemi duke e bërë politikën shqiptare unilaterale. Këtë gjë e dijnë mirë ndërkombëtarët, prandaj nuk kanë bërë presion për largimin e Berishës, siç ankohet Stefani: “Kulti Berisha arriti t‘i imponohet edhe Perëndimit, si një realitet kokëfortë thuajse shkëmbor. Tashmë Perëndimi dhe diplomatët e tij në Tiranë nuk janë të fokusuar më në emancipimin e situatës partiake mes demokratëve, por e marrin Berishën si një faktor konstant. E vetmja gjë që bëjnë kur bie fjala për një anomali të tillë, që s‘bie aspak erë demokraci, është ta justifikojnë me mendësinë e prapambetur dhe patriarkale të shqiptarëve, Berisha është festja që meritojnë shqiptarët”. (gazeta “Shqip”, 21 prill 2009, f. 9)
Diplomatët Në fakt shqiptarët nuk meritojnë Berishën, por nuk meritojnë as një të majtë e cila ende nuk e ka kaluar atë fazë reformimi që e kaloi partia socialdemokrate gjermane në fillim të shekullit të kaluar. Dhe kjo përbën parakushtin për largimin nga e djathta të liderëve të llojit Berisha. Berisha fiton raison d’ etre në politikë, sa më tepër që alternativat e tij tek e djathta rezultojnë “stan me lepuj”. Spartak Ngjela i gjeti emrin Polit të Lirisë dhe pastaj nuk u bashkua me të se deshi ta bëjnë kryetar, kur dihet se kryetar i një koalicioni është ai i partisë më të madhe. Ngjela na doli vetëm me një njeri të partisë së tij të re, Bakallin, dhe ja ku i iku edhe ky. Këto gjëra i bëjnë të huajt të mendojnë se ka qenë i urtë vendimi i tyre për të mos e larguar Berishën.
Andrea Stefani shkruan: “Kulti i Berishës është në konflikt me rrethanën apo stinën e demokracisë ku ai është rritur dhe po reziston. Krejt ndryshe kulti i Enver Hoxhës ka "justifikimin" e vet historik. Ai u krijua në një epokë kur partia shtet me superliderin e saj ishte modë politike në thuajse gjysmën e botës. Prandaj është pak si e komplikuar (ndonëse nuk duhet lënë pa bërë) t‘i fajësosh shqiptarët për krijimin e një kulti të tmerrshëm si ai i diktatorit Hoxha. Sa më e prapambetur të ketë qenë e kaluara e tyre dhe sa më e fortë stina e totalitarizmit komunist, aq më të shfajësuar janë ata. Por ndryshon puna sot, kur totalitarizmi nuk është më një modë e përhapur politike, kur moda politike nuk kërkon që lideri të jetë partia dhe partia të jetë lideri, kur kërkohet që liderët dhe elitat të ndërrohen sa më shpesh në sajë të konkurrencës, kur epërsia e sistemit qëndron jo te lideri i përjetshëm dhe kasta rreth tij, por pikërisht te ndërrimi i lidershipëve dhe rifreskimi i vizioneve”. (gazeta “Shqip”, 21 prill 2009, f. 9)
Por Andrea Stefani flet vetëm kalimthi për një kult tjetër që është ngritur tashmë në PS me largimin e Nanos, kultin e Ramës. Edi Rama sot në parti është një autokrat po aq i madh sa Berisha në ditët më të mira. Madje, ndërsa në PD dëgjohet ndonjë kritikë ndaj Berishës, në PS nuk ka asnjë të tillë ndaj Ramës. Mund të merret me mend se si do të jetë Rama nesër në pushtet si kryeministër. Derisa në të majtë është ngritur kulti i Ramës, atëherë për kundërbalancim duhet një kult po aq i fortë në krahun tjetër. Ironikisht kjo mund ta mbajë Berishën në politikë, edhe nëse humb zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk del një zëvendësues i aftë për të kundërbalancuar Ramën si lider i fortë. Të bësh gjithë atë “filipike” kundër kultit të Berishës, siç bën Andrea Stefani dhe të mos japësh alarmin për kultin e Ramës, i cili, në vakuumin e krijaur me largimin e Berishës, do të gëlltisë si një “boa” “elefantin”(politikë shqiptare krejt), kjo do të thotë që të jesh një shërbëtor i sofistikuar i kultit të Ramës.
Antoine de Saint Exupery ka thënë: “Të jesh njeri do të thotë të jesh i përgjegjshëm”. Andrea Stefani nuk del të jetë njeri sipas këtij definicioni, se Andrea Stefani është krejt i papërgjegjshëm jo vetëm për të dhënat që i sjell lexuesit të tij, por edhe për konkluzionet që bën në shkrimin e tij. Andrea Stefani ia shpjegon gjërat lexuesit të tij ashtu siç bën ajo dhelpra, e cila në novelë i përgjigjet Princit të vogël, të ardhur nga një planet tjetër, kur ky e pyet për punët e njerëzve të kësaj bote: “Njerëzit kanë ca çifte me të cilat gjuajnë. Na ka pjellë belaja me ta! Merren edhe me rritjen e pulave. Dhe ja ky është tërë qëllimi i jetës së tyre!”
Gjithsesi, nga shkrimi i Andrea Stefanit kuptohet se ai tashmë e ka lexuar novelën “Princi i vogël”, gjë për të cilën më vjen mire. Tekefundit Andrea Stefani në këtë moshë që është paska filluar të lexojë libra si “Princi i vogël”, të cilët përbëjnë bazën e formimit të një intelektuali në moshën e personazhit kryesor të novelës. Pas dhjetë vjetësh ndoshta do të lexojë dhe Robert Michels dhe do të shikojë se ai nuk thotë që Karl Libkneht ka qenë kryetar i PSD të Gjermanisë. Po ç’ faj kanë lexuesit e Andrea Stefanit që blejnë injorancën me para, duke blerë gazetën “Shqip”!
kmyftaraj@yahoo.com





