Adriatik Llalla analizon Ina Ramën. Raporti, në Kuvend: Më shumë dosje për pastrimin e parave dhe korrupsionin
Sokol ÇoboKryeprokurori Adriatik Llalla ka analizuar paraardhësen e tij, Ina Rama, duke numëruar procedimet penale në të gjithë vendin, ndërsa, ndryshe nga një vit më parë, nuk ka probleme me policinë dhe institucionet e tjera. Sipas raportit që është dorëzuar në Kuvend, problematikë e theksuar janë vrasjet, kësaj here në rrethana rënduese, nga dy ose më shumë viktima, ndërsa janë rritur edhe vrasjet nga pakujdesia. Një tjetër rritje e veprave penale është vjedhja, kryesisht bastisjet e banesave, ndërsa ka pasur më shumë dosje për pastrimin e parave dhe korrupsionin, megjithëse shumë pak prej këtyre të pandehurve janë dënuar nga gjykatat.
Vrasjet
Ka një tendencë në rritje të vrasjeve në rrethana rënduese, të cilat nga 46 procedime në vitin 2011, ka shkuar në 72 procedime në vitin 2012. Konkretisht, në të gjithë vendin janë regjistruar 107 vrasje, nga të cilat 23 në Tiranë. Ka pasur 65 procedime vrasje me paramendim, 7 në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, 9 vrasje nga pakujdesia dhe 65 procedime për shkaktim vetëvrasjeje. Janë ulur vrasjet me paramendim, ku në Tiranë janë regjistruar 11 vrasje të tilla dhe pas saj vjen Lezha me 8, me nga 7 Shkodra dhe Fieri. “Në këtë grup veprash penale vihet re tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara, për veprën penale të parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal “Vrasja në rrethana rënduese”, në vitin 2012, prej 56,52 për qind në krahasim me vitin 2011.
Vjedhjet
Gjatë vitit të kaluar janë rritur procedimet penale për vjedhjen, prej 23,22 për qind në krahasim me vitin 2011. “Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale. Sipas llogaritjeve të akuzës qendrore, rezulton nga të dhënat statistikore se në vitin 2009 ka rritje prej 20,76 për qind në krahasim me vitin 2008 të procedimeve penale të regjistruara; në vitin 2010 ka rritje prej 23,95 për qind në krahasim me vitin 2009 të procedimeve penale të regjistruara; në vitin 2011 ka rritje prej 4,19 për qind në krahasim me vitin 2010 të procedimeve penale të regjistruara dhe në vitin 2012 ka rritje prej 23,22 për qind. Qyteti i Tiranës ka shifra të frikshme të vjedhjes, ku gjatë vitit të kaluar janë shënuar rreth 3000 procedime penale. Më pas vijnë me radhë qytetet e Durrësit, Fierit, Elbasanit e Vlorës, në të cilat janë regjistruar mbi 600 procedime. Vetëm në Tiranë janë regjistruar më shumë se 600 vjedhje.
Ndërkohë, ka pasur rritje edhe të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, procedime të cilat kanë shkuar në 110, nga 74 që kanë qenë një vit më parë. Ka pasur ulje të vjedhje të energjisë dhe impulseve telefonike, por problematike dhe rritje të ndjeshme ka pasur vjedhja me dhunë. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 280 vjedhje me dhunë, nga 214 që ishte në vitin 2011. ka pasur rritje të dosjeve të vjedhjeve me armë, të cilat kanë shkuar në 131 procedime, nga 106 që ishin në vitin 2011. Vetëm në Tiranë kanë ndodhur 44 vjedhje me armë, nga 24 që kanë qenë në vitin 2011. Janë ulur ndjeshëm vjedhjet me pasojë vdekjen, të cilat nga 105 procedime në vitin 2011, kanë shkuar në 20 procedime në vitin 2012.
Dhuna në familje
Në këtë grup veprash penale vihet re se në vitin 2012 janë regjistruar 328 procedime penale për veprën penale të parashikuar “Dhuna në familje”. Janë dërguar për gjykim 159 procedime penale nga ana e organit të prokurorisë në vitin 2012; janë regjistruar 255 të pandehur dhe është ngritur akuza në gjykatë për 171 të pandehur; janë dënuar nga gjykata 69 të pandehur.
Ndikimi i paligjshëm
Në këtë grup veprash penale vihet re tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara, për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në vitin 2012, prej 200% (për qind) në krahasim me vitin 2011.
Korrupsioni pasiv
Ka një tendencë në rritje të procedimeve për këtë kategori veprash penale në vitin 2012, prej 45,51 për qind në krahasim me vitin 2011. Sipas llogaritjeve ndër vite, rezulton se nga të dhënat statistikore në vitin 2009 ka rritje prej 6,77% (për qind) në krahasim me vitin 2008 të procedimeve penale të regjistruara; në vitin 2010 ka rritje prej 25,39% (për qind) në krahasim me vitin 2009 të procedimeve penale të regjistruara; në vitin 2011 ka ulje prej 45,56% (për qind) në krahasim me vitin 2010 të procedimeve penale të regjistruara dhe në vitin 2012 ka rritje prej 46,51% (për qind) në krahasim me vitin 2011 të procedimeve penale të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 259 “Korrupsion pasiv i personave me funksione publike”. Në Tiranë janë regjistruar 27 procedime penale për këtë vepër penale.
Ekstradimet dhe letërporositë
Numri total i të ekstraduarve fizikisht në Shqipëri është 59, nga të cilët, ashtu si dhe vitet e kaluara, numrin më të madh e zë Italia. Kjo shifër është pothuajse e njëjtë me vitin e kaluar, ku numri total ishte 60 ekstradime. Në lidhje me kërkesat për ekstradime për jashtë, nga të dhënat statistikore rezulton se gjatë vitit 2011 janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë në total 106 kërkesa për ekstradim, nga të cilat janë realizuar 69 për vitin 2012.
Në lidhje me ekzekutimin e letërporosive nga jashtë, kemi të administruar një numër prej 582 kërkesash për ekzekutim të tyre, nga të cilat janë ekzekutuar 104 letërkërkesa. Numrin më të madh e zënë vendet si Kosova (110 raste), Greqia (143 raste), Italia (64 raste), Mali i Zi (43 raste), Turqia (27 raste) etj.
Hetimet kryesisht
Lufta kundër korrupsionit dhe veprave penale të lidhura me të ka qenë dhe mbetet prioritet i prokurorisë edhe për vitin 2012. “Gjatë këtij viti kemi vazhduar të punojmë në drejtim të forcimit dhe konsolidimit të njësive të përbashkëta hetimore, si struktura të specializuara për ushtrimin e ndjekjes penale, në fushën e korrupsionit, krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. Duke analizuar treguesit statistikorë të punës, rezulton se gjatë vitit 2012, njësitë e përbashkëta hetimore kanë vendosur mosfillimin e procedimit penal për 278 kallëzime penale, si dhe kanë pasur në hetim 1310 procedime penale. Brenda vitit 2012 janë përfunduar 747 procedime penale, duke pushuar 462 procedime penale dhe dërguar për gjykim 285 procedime penale, me 488 të pandehur. Rezulton se janë dërguar për gjykim 38% e procedimeve të përfunduara, tregues pozitiv ky i punës së prokurorëve të njësive. Tregues pozitiv është dhe fakti se gjatë vitit 2012 janë regjistruar kryesisht nga prokurorët e njësive të përbashkëta hetimore 52 procedime penale. Burimi i informacionit për të regjistruar këto procedime kanë qenë shtypi, mediat, shërbimet inteligjente, procedime të tjera në hetim, nga ku janë konstatuar elemente për të filluar hetime të reja etj.”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2012 kanë qenë në hetim 678 persona, nga të cilët për 591 janë përfunduar hetimet. Për të pandehurit që janë përfunduar hetimet është vendosur që 494 prej tyre të dërgohen për gjykim dhe për 97 të pandehur të pushohen hetimet. Rezulton se janë përfunduar hetimet gjatë vitit 2012 për 87% të personave të marrë të pandehur, duke pushuar akuzat për rreth 17% të tyre dhe dërguar për gjykim rreth 83% e tyre.
TENDENCAT NË RRITJE:
- “Vrasja në rrethana rënduese”
- “Vrasja në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”
- “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”
- “Braktisja e fëmijëve të mitur”
- “Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes”
- “Dhuna në familje”
- “Vjedhja”
- “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”
- “Vjedhja me dhunë”
- “Vjedhja me armë”
- “Punësimi i paligjshëm”
- “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”
- “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”
- “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”
- “Ndërtimi i paligjshëm”
- “Pushtimi i tokës”
- “Shpërdorim detyre”
- “Kryerja e veprimeve arbitrare”
- “Shkelja e barazisë në tenderë apo ankande publike”
- “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”
- “Njoftim i rremë në organet e rendit”
- “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”
- “Vetëgjyqësia”
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”
- “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”
- “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”
- “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”
- “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”
- “Korrupsioni pasiv i personave me funksione publike”
- “Dëshmia e rreme”
- “Ekspertimi i rremë”
- “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”
- “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”
- “Mashtrimi kompjuterik”
- “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”
- “Trafikimi i femrave”
- “Trafikimi i armëve dhe i municionit”
- “Trafikimi i narkotikëve”
TENDENCAT NË ULJE
- “Vrasja”
- “Vrasja me paramendim”
- “Vrasja në rrethana rënduese”
- “Vrasja nga pakujdesia”
- “Shkaktimi i vetëvrasjes”
- “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”
- “Dhunimi i banesës”
- “Prostitucioni”
- “Shfrytëzimi i prostitucionit”
- “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”
- “Mashtrimi”
- “Shkatërrimi i pronës me zjarr”
- “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”
- “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”
- “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”
- “Kontrabanda me mallra të tjera”
- “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”
- “Falsifikimi i monedhave”
- “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”
- “Goditjet për shkak të detyrës”
- “Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve”
- “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”
- “Trafikimi i mjeteve motorike”
Raporti
Prioritetet e Llallës janë: bashkëpunim me policinë dhe me Ministrinë e Drejtësisë
“Të largojmë perceptimin se zyrtarët që kanë pasur imunitet nuk ndëshkohen”Në raportin e dërguar në Kuvend, Prokurori i Përgjithshëm thotë se do të largojmë perceptimin se zyrtarët që kanë pasur imunitet nuk ndëshkohen. “Duke konsideruar prioritetet e shpallura nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit, prokuroria shqiptare ka përcaktuar prioritet për vitin 2013 luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomiko-financiar. Do të vazhdojë të mbështetet në të gjitha drejtimet puna e 7 njësive të përbashkëta të ngritura për këtë qëllim, duke orientuar rritjen e numrit të hetimeve proaktive, rritjen e aftësive hetimore, si dhe mbështetjen me staf të trajnuar të këtyre njësive. Zbatimi me efikasitet i ndryshimeve kushtetuese, në lidhje me kufizimin e imunitetit në nivelet e larta të zyrtarëve publikë dhe gjykatësve, i cili është parë jo vetëm si një pengesë themelore për të hetuar rastet e korrupsionit në Shqipëri, por edhe kontribuon në publikun e gjerë te perceptimi i mosndëshkimit të vazhdueshëm të disa anëtarëve të shoqërisë në këtë fushë. Rritja e efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale ndaj autorëve të veprave penale të vjedhjes së pasurisë me tendencë në rritje në vitin e kaluar do të jetë prioritet i prokurorisë për sa kohë ajo konsiderohet e lidhur ngushtë me sigurinë publike, duke forcuar bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit dhe ashpërsimin e politikës penale në drejtim të autorëve të këtyre veprave penale”, thuhet në raport. Sipas saj, do të ketë përmirësime dhe rritje të vazhdueshme të bashkëpunimit me policinë gjyqësore, me synim përmirësimin e funksionimit të shërbimeve të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe me policitë gjyqësore të institucioneve të tjera. Bashkëpunimi ndërinstitucional me Ministrinë e Drejtësisë vlerësohet, gjithashtu, aspekt i rëndësishëm që ndikon në rritjen e efektivitetit të punës së organit të prokurorisë.
Kontrolli i prokurorive
Ndërkohë, janë publikuar edhe kontrollet gjatë vitit 2012 në disa prokurori. Sipas saj, janë kontrolluar 1714 procedime penale, vendime mosfillimi, dosje të gjykuara dhe masa sigurimi në prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe në prokuroritë e apeleve. Pas kontrollit të kryer për këto procedime penale, është vendosur shfuqizimi për 4 vendime pushimi dhe 2 vendime mosfillimi. Gjithashtu, është vendosur për të filluar procedimi disiplinor për 6 prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Në përfundim të procesit disiplinor nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm janë dhënë 4 masa disiplinore “vërejtje”, 1 “vërejtje me paralajmërim” dhe një masë “ulje në detyrë” për 18 muaj.





