Bashkëpunim pa kufij mes ekstremistëve të botës

Më së shumti, përmes koncerteve muzikore, ekstremizmi i krahut të djathtë ka krijuar rrjet të gjerë organizatash të ndërlidhura në të gjithë Europën, por disa lidhje janë shfaqur edhe me botën arabe
Neonazizmi
Christian Ignatzi, “D.Welle”

Bashkëpunimi mes ekstremistëve të krahut të djathtë, që janë nga vende të ndryshme, po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm. Ekspertët paralajmërojnë se ky fenomen mund të ketë pasoja të rrezikshme.
Vrasja e Pavlos Fyssas duket se ka shërbyer si një alarm për autoritetet e Greqisë. Një repist dhe aktivist antifashist, Fyssas, u ther për vdekje më 18 shtator pranë Athinës.
I dyshuari për vrasës ishte anëtar i partisë politike neonaziste Agimi i Artë. Partia, e cila ka fituar gati 7 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2012, e ka mohuar përzierjen.
Por autoritetet janë shfaqur të vendosura për të mbajtur një qëndrim më të ashpër kundër ekstremizmit të krahut të djathë. Në shumë qytete greke, oficerët e policisë kanë arrestuar aktivistët e kësaj partie pas kontrolleve për armë.
Rrjet paneuropian
Agimi i Artë ka aleatë në të gjithë Europën. Më 2004-n ajo u bashkua me Aleancën Europiane të Frontit Kombëtar, bashkë me parti të tjera europiane të ekstremit të djathtë, përfshirë NDP-në e Gjermanisë dhe La Falange të Spanjës.
Në Gjermani, një hetim i kohëve të fundit mbi vrasjet e kryera nga grupi neonazist NSU (Nacional Socializmi Ilegal) ka zbuluar një rrjet të gjerë bashkëpunimi ndërkombëtar që u shërben interesave të ekstremizmit të krahut të djathtë.
“Neonazizmi filloi të krijojë rrjete në nivel ndërkombëtar, në mes të viteve 1990 e ndoshta më herët”, thotë shkencëtari politik me bazë në Berlin, Hajo Funke, i cili është edhe ekspert mbi ekstremizmin e krahut të djathtë.
Andreas Speit, një shkrimtar me bazë në Hamburg dhe autor i shumë librave mbi ekstremizmin e djathtë, thotë se aktiviteti neonazist mund të ndahet në tri kategori të përgjithshme: skena nënkulturore, neonazizmi i dhunshëm dhe politika.”
Ai ka vërejtur se, në nivel kulturor, rrjeti po krijohet përmes koncerteve muzikore rok të krahut të djathtë. Bandat gjermane me këngë me tekste raciste bëjnë turne nëpër të gjithë Europën.
“Bandat e rokut të krahut të djathtë lejohet të japin shfaqje në vende si Italia apo Greqia”, shtoi Speit. “CD-të me këngë që janë të ndaluara në Gjermani prodhohen jashtë vendit para se të sillen këtu”, tha ai.
Ekspertët kanë vërejtur gjithashtu edhe një bashkëpunim ndërkufitar mes neonazizmit të dhunshëm. Grupime aktive në skenën ndërkombëtare, si “Ku Kluks Klan”, “Combat 18” dhe “Gjak e Nder” ndihmojnë individë të ndryshëm që kanë bërë krime politike të ekstremit të djathtë të fshihen në vende të tjera.
“Grupime të tilla janë bërë më të fuqishme në vitet e fundit, për shkak se agjencitë e shërbimeve të informacionit kanë lejuar që diçka e tillë të ndodhë”, tha Funke. Ky rrjet ndërkombëtar ka bërë që gjermanë të dhunshëm neonazistë të kryejnë krime jashtë vendit.
“Ka pasur incidente kur neonazistë gjermanë kanë udhëtuar për në Republikën e Çekisë dhe kanë marrë pjesë në sulmet kundër romëve dhe banorëve sinti – apo kanë shkuar në Greqi për të parë se si vepron Agimi i Artë”, shpjegon Speit. “Mund ta quash këtë turizëm dhune.”
Gjithsesi, ekstremistët e djathtë janë përpjekur gjithashtu të fitojnë ndikim përmes metodave të ligjshme. Aleanca Europiane për Liri dhe Aleanca e Lëvizjeve Kombëtare Europiane janë dy parti që kanë në plan për të garuar në zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Ideologjia e ‘etno-pluralizmit’
Por çfarë bëjnë nacionalistët nga vende të ndryshme me njëri-tjetrin?
“Neonazistët nuk mendojnë në termat e kufijve kombëtarë”, tha Speit. “Ata nuk sulmojnë njëri-tjetrin, por dëshirojnë që raca e bardhë të ruajë pushtetin nëpër botë. Për sa kohë të huajt qëndrojnë në vendet e tyre, neonazistët nuk kanë asgjë kundër tyre. Ideologjia në lojë këtu është etno-pluralizmi.”
Një gjë që bashkon partitë e ekstremit të djathtë nga të gjitha vendet është urrejtja për hebrenjtë. Kjo është një arsye se pse shumë neonazistë kanë respekt të madh për ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, i cili foli hapur kundër Izraelit dhe kërcënoi se do ta shkatërrojë. Lidhja mes islamikëve dhe neonazistëve gjithsesi nuk është një fenomen i ri.
“Sakaq, në vitet 1920 kishte aleanca të fuqishme mes grupimeve të ekstremit të djathtë të Europës me disa grupime në botën arabe”, thotë Speit, duke shtuar se ideologjia pas kësaj është banale. “Ekstremistët e djathtë kuptuan se grupimi tjetër kishte gjithashtu dëshirë të rigjallëronte traditat e vjetra, përfshirë edhe mënyrat e trajtimit të grave.”
Ndikimi i krizës ekonomike
Sipas Speit, ideologjia e krahut të djathtë po përhapet në skenën ndërkombëtare. Kjo është pjesërisht si pasojë e krizës ekonomike dhe pasigurive që ndiejnë shtresat e mesme. Krijimi i rrjeteve mes neonazistëve thjesht sa e acaron problemin.
“Ne mund të presim që këto grupime do të marrin më shumë mandate në zgjedhjet e ardhshme europiane”, tha Speit.
Lëvizja është gjithashtu edhe “aktive në mënyrë të pabesueshme” në skenën muzikore. Njerëzit e rinj nga qyteza të vogla ekzaltohen me lehtësi nga ekstremistë vendas, që u japin mundësi të udhëtojnë në Itali për të marrë pjesë në ndonjë koncert. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme për të marrë masa parandaluese.
“Kthimi i këtyre turistëve në kufi nuk e zgjidh problemin”, tha Speit. “Nëse përballesh me ekstremistët e krahut të djathë, ke mundësi t’i ndryshosh ata.”

Related Posts: