Ashtu si thanë, Kroacia mbyti Serbinë(VIDEO)

Derbi i madh i ballkanit i zhvilluar në stadiumin Maksimir të Zagrebit ka përfunduar pa ndonjë befasi të madhe me fitoren e Kroacisë ndaj rivales së përbetuar, Serbisë.
Para ndeshjes tifozët kroatë bënë atmosferë të jashtëzakonshme në Zagreb dhe ia vlen të përmenden koret ultranacionaliste të tipit “vraje, vraje serbin”. Dhe si duket, dëshirën e tifozëve e plotësuan lojtarët.
Ndeshja filloi në një atmosferë të zjarrtë, me tempo të lartë.
Kroacia e filloi me dominim në posedim, ku Kovacic dhe Modric bënin punën kryesore në mesfushë.
Pas një gabimi të Kolarov në krahun e majtë, ishte Ivica Olic ai që asistoi për Mario Mandzukic, i cili nga afërsia shënoi për 1-0 (23’).
Në vazhdim Serbia tentoi të kthehej, por kjo nuk ndodhi pasi edhe ato pak gjasat e fqinjit tonë verior i ‘vrau’ Ivica Olic me golin e tij për 2-0 në minutën e 37-të.
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë e baraspeshuar, ku Serbia u mundua të bënte kthesën, por mesfusha e Kroacisë ishte a pathyeshme, ndërsa ndeshja përfundoi me rezultatin e pjesës së parë, 2-0.
Kjo nuk është vetëm fitore morale për Kroacinë ndaj rivalit historik. Me këtë fitore Kroacia ia ka minimizuar në maksimum gjasat Serbisë për kualifikim në Botërorin 2014 pasi serbët kanë katër pikë në vendin e tretë, teksa Kroacia ka 13 pikë në vendin e parë. /toplajmi.com/