E drejta e Izraelit, vuajtjet e palestinezëve po flasin për një të ardhme ku nuk përfshihet ekzistenca e një shteti të veçantë palestinez. Dhe kjo është e gabuarProcesi i paqes
The Economist
Më 1942, ndërsa Holokausti në Europë po hynte në fazën më makabre, një rabin paqësor amerikan i quajtur, Judah Magnes, ndihmoi në themelimin e një partie politike në Palestinë të quajtur Ihud. Në hebraisht kjo do të thotë “Uniteti”. Kjo parti argumentonte se nevojitej një shtet dykombësh i përbashkët në Tokën e Shenjtë ku të jetonin së bashku hebrenjtë dhe arabët. Përpjekjet e saj dhe të idealistëve të tjerë nuk qenë shumë të suksesshme. I trishtuar shumë nga ndarja e Palestinës, të cilën e kundërshtoi ashpër, Magnes vdiq më 1948 pikërisht në kohën kur shteti i Izraelit u krijua. Palestinezët e quajnë atë ngjarje “naqba” që do të thotë: “katastrofa”. Dekada të tëra lufte vijuan.
Në Kombet e Bashkuara, në Shtëpinë e Bardhë dhe nëpër botë, ka një besim të fortë se çdo zgjidhje që u jep fund përplasjeve duhet të bazohet në dy shtete të ndara, ku njëri do të jetë përgjithësisht hebraik dhe do të quhet Izrael dhe një tjetër, që do të jetë përgjithësisht arab dhe do të quhet Palestinë.
Kufiri mes tyre do të duhet të jetë ai që ekzistonte para luftës së vitit 1967 dhe njihej si “linja e gjelbër” – me disa ndryshime dhe shkëmbime tokash për të reflektuar gjenden aktuale. Jerusalemi do të jetë i përbashkët, por një kryeqytet gjithsesi i ndarë.
Por përballë pengesave shumë të mëdha për këtë zgjidhje, gjithsesi, një ide e ngjashme me atë të Magnes dhe me një shtet është rikthyer në modë, qoftë mes majtistëve perëndimorë ashtu edhe mes disa qarqeve hebraike dhe mes një numri në rritje palestinezësh. Më 2004, një shkrimtar izraelit i lindur në Britani, Daniel Gavron, publikoi një libër “Ana tjetër e dëshpërimit: hebrenjtë dhe Arabët në Tokën e Premtuar”. Disa intelektualë izraelitë po propagandojnë idenë e “post-sionizmit”. Avraham Burg, ish-zëdhënës i Knesset, Parlamenti i Izraelit, thotë se një model “post-kombëtar” duhet të eksplorohet. “Nuk kam dyshim se diçka po shfaqet, por nuk jam i sigurt se çfarë është ajo”.
Një shtet, por jo i njëjti
Avi Shlaim, një kronikan i rëndësishëm britanik i sagës izraelito-palestineze që pati lindur në Bagdad dhe është rritur në Izrael, thotë se ai “ka ndryshuar mendim… drejt mbështetjes së zgjidhjes me një shtet me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”, megjithëse ai pranon se kjo “nuk është ajo që unë e konsideroj si zgjidhja ideale”.
Qeveri të shkuara, si dhe ajo e sotmja në Izrael, mendon ai, e kanë vrarë opsionin e zgjidhjes me dy shtete, pjesërisht duke zgjeruar vendbanimet hebraike kaq thellë në Bregun Perëndimor, zemra e asaj që duhet të bëhet Shteti i Palestinës, sa ato vendbanime vështirë se mund të hiqen.
Ky është një vlerësim që idealistët e kanë të përbashkët me izraelitët grabitqarë dhe një numër gjithnjë e më të madh palestinezes. Gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më shpesh, zgjidhja me dy shtete po shpallet një ide e vdekur. Matematika sugjeron se zgjidhja tjetër është ajo me një shtet, por në fakt asnjëra prej tyre nuk ngjan shumë me një zgjidhje.
Nëse një shtet është thjesht refuzim i dy shteteve, atëherë shumë izraelitë të djathtë e pranojnë atë. Më 2009, nën presion nga Amerika, Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanjahu, tha një fjalim në universitet, ku pranoi idenë e dy shteteve. Që nga ajo kohë, nuk ka shprehur shumë entuziazëm për të. Në një fjalim në Kongresin e SHBA-së më 2011, ai deklaroi triumfalisht me duartrokitje të forta se Jerusalemi do të mbetet i pandarë, rrjedhimisht nën kontrollin e Izraelit, duke vënë në dukje se “shumica dërrmuese e 650 mijë izraelitëve që jetojnë përtej kufijve të vitit 1967, jetojnë në lagjet dhe rrethinat e Jerusalemit dhe Tel Avivit”. Megjithatë, nuk është fare e imagjinueshme që palestinezët ta pranojnë ndonjëherë veten si një shtet pa Jerusalemin.
Netanjahu e bëri të qartë se ai në asnjë rrethanë nuk do të lejojë përzënien e banorëve izraelitë nga Bregu Perëndimor si parakusht për të lejuar krijimin e një shteti për palestinezët. Dhe ai shton më tej se Izraeli duhet të kontrollojë luginën e lumit Jordan, si dhe hapësirën ajrore mbi Palestinë; shteti i tyre në Bregun Perëndimor duhet të ekzistojë nën një kapak izraelit. “Ai kurrë nuk dha një angazhim të prerë për zgjidhjen përmes dy shteteve”, komenton paraardhësi i Netanjahut, Ehud Olmert.
Por sido që të jetë pozicioni i Netanjahut, partia e tij Likud ka refuzuar të mbështesë krijimin e çfarëdolloj shteti palestinez. Shumica e deputetëve të saj janë bashkuar me një grup të njohur si “grupi për Izraelin e Madh” dhe që mbështet idenë që Bregu Perëndimor të mbetet përgjithmonë pjesë e Izraelit.
Avigdor Lieberman, një politikan populist i vijës së ashpër, me partinë e tij të përbërë gjerësisht nga ata me origjinë nga Rusia, mbështet ndarjen, por gjithashtu dëshiron të kufizojë të drejtat e mbi 20 për qind të popullatës së Izraelit që është arabe, në rast se këta nuk japin prova besnikërie. Ai thotë se ata që nuk e duan shtetin e Izraelit, duhet të mos kenë të drejtën e votës. Lieberman nuk është aktualisht në detyrë, pasi është nën hetim për mashtrim, por partia e tij në aleancë me Likud ka 31 deputetë në Parlamentin 120 vendësh.
Ekstremi
Naftali Bennett, një 40-vjeçar oligark programesh kompjuterike, është zëri më i ashpër i të djathtës në Izrael: Ai është më i ashpër edhe se Netanjahu dhe më shumë refuzues për idenë e zgjidhjes me dy shtete. I pyetur mbi tërheqjen e vendbanimeve hebraike nga Bregu Perëndimor dhe krijimin e shtetit të Palestinës mes Jerusalemit dhe lumit të Jordanisë, Mennet përgjigjet ashpër: “Kjo gjë nuk ka për të ndodhur”.
Për palestinezët, thotë ai “unë do të bëj gjithçka në pushtetin tim që ata të mos e kenë një shtet të vetin. Kjo do të qe një vetëvrasje kombëtare për Izraelin”.
Bennet kërkon që Izraeli të aneksojë 61 për qind të Bregut Perëndimor, të njohur si Zona C, në thelb territorin qendror dhe krahun lindor deri te lugina e lumit Jordan. Palestinezët që jetojnë aty duhet të bëhen nënshtetas të Izraelit, në rast se qëndrojnë. Mbi 2.6 milionë palestinezët e tjerë të Bregut Perëndimor, sipas kësaj platforme, duhet të kënaqen me një autonomi në qytetet dhe fshatrat e tyre. Me autonomi, ai nënkupton të drejta komunale (ai përmend mes tyre, autonomi në mbledhjen e plehrave).
Në total, shumica e partive izraelite kundërshtojnë ashpër ndërtimin e shtetit të Palestinës. Vetëm një parti, Tzipi Livni, e cila ka vetëm gjashtë deputetë, mbështet vijimin e bisedimeve së bashku me disa parti të tjera të vogla. Partia Laburiste, forca izraelite që ka qenë mbështetësja më e madhe për bisedimet e paqes, ka aktualisht vetëm 15 vende në Parlament. Ajo tashmë e ka kthyer vëmendjen te problemet politike të brendshme.
Rezultati final është se jo vetëm që mbështetësit e zgjidhjes me dy shtete në Izrael janë të paktë, por edhe propaganduesit e idesë së pushtimit përgjithmonë të tokave palestineze janë në rritje. Brenda Izraelit, çështja palestineze thjesht nuk duket urgjente. Madje edhe banorët e kolonive nuk ndihen të kërcënuar. Me një rrjet rrugësh të ndërtuara mirë dhe me zona të ndaluara për vizita nga palestinezët, në shumë pika njeriu nuk është në gjendje të dallojë se në cilën anë të vijës së gjelbër gjendet. Banorët e kolonive kanë shumë pak kontakt me fshatrat palestinezë që gjenden pranë tyre. Gjatë vitit 2012, për herë të parë që nga viti 1973, asnjë hebre nuk u vra si pasojë e dhunës palestineze në Bregun Perëndimor.
Palestinezët, nga ana e tyre, po flasin gjithnjë e më shumë për “realitetin me një shtet”, ndërsa shumica prej tyre paralajmërojnë se ajo nuk përbën “një zgjidhje”. Ata argumentojnë se nocioni i një shteti palestinez funksional, me vijimësi territoriale dhe sovran që jeton në mënyrë paqësore në fqinjësi me Izraelin, nuk është më i mundshëm. Krahasimi me Afrikën e Jugut para dhe pas Aparteidit është bërë shumë popullor këto kohë.
Ngjashmëria më e madhe mes Izraelit dhe Afrikës së Jugut është fakti se janë dy sisteme të ndara qeverisjeje dhe ligji për dy popuj që jetojnë në të njëjtin vend në një territor që është pushtuar si pasojë e nënshtrimit dhe konfiskimit. Rrjeti i rrugëve të Izraelit dhe kufizimet që palestinezët kanë për udhëtim krahasohen me atë që pësuan afrikanojugorët me ngjyrë. Gardhet e sigurisë së izraelit, të cilat në disa vende kanë deri në 5 metra të larta në formën e murit të betonit njihen në mënyrë të pashmangshme nga palestinezët si “muri i aparteidit”. Numri i stërmadh i pikave të kontrollit të kujtojnë “ligjet e kalimit” në Afrikën e Jugut, në bazë të së cilave, zezakët kishin nevojë për leje për të shkuar nga një zonë në tjetrën, veçanërisht kur kërkonin punë te zonat e “të bardhëve”.
Fushata për Bojkotin, Tërheqjen e Investimeve dhe Sanksionet kundër Izraelit, e cila po rritet në fuqi në Amerikë dhe Britani, e sheh realitetit aktual me një shtet si pararendës së një lëvizjeje për të drejtat e njeriut që duhet të rrëzojnë “shtetin e aparteidit” me mbështetje nga jashtë, njësoj siç ndodhi me Afrikën e Jugut. Nëse kolonët hebrenj janë të vendosur të mbeten në Bregun Perëndimor, ata duhet të jenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë, por nën autoritetin e Palestinës.
Por nuk është analogjia më e mirë
Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, dhe ish-kryeministrat e tij, Ehud Barak dhe Ehud Olmert, të cilët dikur kanë qenë figura politike dominuese i tremben pikërisht kësaj lloji të ardhmeje. Ata kanë paralajmëruar se, nëse pushtimi i pjesës së madhe të Bregut Perëndimor merr fund apo palestinezëve në Bregun Perëndimor i jepen të drejta të plota vote në Izrael, vendi do të humbasë të drejtën që të vetëquhet demokraci. Peres thotë se kështu Izraeli do të kthehet në një Afrikë të Jugut. Në një situatë të tillë, fushata për bojkot mund të bëhet e pandalshme. Amerikanët mund ta kenë të vështirë të bëjnë biznes si zakonisht me Izraelin.
Nga ana tjetër, ka një numër palestinezësh, si ata që janë anëtarë të Hamas, që nuk e kanë besuar kurrë mundësinë e zgjidhjes me dy shtete. Ata vijojnë të ëndërrojnë një tokë ku ata kanë kontrollin e një pjese të madhe të Mesdheut, ku hebrenjtë dhe kristianët jetojnë nën vuajtje. Duke pranuar se një skenar i tillë vështirë se do të bëhet realitet, propozuesit e saj flasin për një betejë afatgjatë dhe se pas një apo dy gjeneratash, gjërat do të marrin pikërisht këtë drejtim.
Këta që besojnë me të vërtetë te një shtet kanë pozicion të fortë te Hamasi dhe ka gjasa që ata do të fuqizohen në rast se politikanët populistë si Bennet dhe Lieberman vijojnë me retorikën e tyre në Izrael.
“Ne e konsiderojmë të gjithë Palestinën si tokën tonë”, thotë Mahmoud Zahar, një udhëheqës i Hamas në Gaza, ndërsa qëndron në shtëpi pranë portreteve të dy djemve që i janë vrarë duke luftuar Izraelin. Historia dhe koha, thotë ai me buzëqeshje, janë në anën e Hamas. “Tendenca Islamike po bien në pushtet. Dhjetë vjet janë të mjaftueshëm për të neutralizuar fuqinë e Izraelit dhe mbështetësve të tij”.
Një regjim islamik ka kapur pushtetin në Egjiptin fqinj; Siria mund të bëhet vendi tjetër; aleatët e Hamas në Jordani po tronditin fronin e Mbretit Abdullah. “Askush nuk mund të dijë se çfarë do të ndodhë nesër”.
“Në fund jam i sigurt se do të ketë vetëm një shtet”, thotë Basam al-Naim, i cili ka qenë për shtatë vjet ministër i Shëndetësisë për Hamas në Gaza. “Por se çfarë lloj shteti do të jetë, nuk e di. Shumë hebrenj do të largohen dhe shumë palestinezë do të kthehen. Në dhjetë apo njëzet vjet do të kemi një hartë politike krejtësisht të ndryshme”.
Të 1 milion hebrenjtë e Rusisë e kanë fuqizuar Izraelin që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, thotë ai, por ata mund të ikin së shpejti. “Ata sakaq jetojnë të ndarë në Izrael”, shton ai. “Dhe shumë prej tyre nuk janë as hebrenj”.
Përgjatë viteve, disa udhëheqës të Hamasit, si Khaled Meshal, kanë anuar nga ideja e pranimit të Izraelit, së paku si një “realitet” për t’u pranuar pa dëshirë. Disa mendojnë se zgjidhja me dy shtete është një rrugë e ndërmjetme drejt një shteti të vetëm, derisa myslimanët, hebrenjtë dhe kristianët mësojnë të jetojnë të lumtur krahas njëri-tjetrit.
Por sido që të vijë zgjidhja me një shtet, hebrenjtë do të jenë në fund një minoritet aty. Bennet kërkon të shmangë këtë përmes dhënies së “autonomisë” jashtë Izraelit për një pjesë të madhe të Bregut Perëndimor. Por ai duhet ta dijë se autonomia nuk do t’i kënaqë kurrë palestinezët dhe as vendet fqinje arabe që kanë miliona emigrantë nga Palestina, të cilët u larguan përgjatë dekadave të luftës.
“Unë nuk kam një zgjidhje tërësisht të qartë”, pranon ai para se të dalë tek argumenti i vjetër se “Jordania është Palestinë”. Shumica e jordanezëve, në të vërtetë janë me origjinë palestineze. Por a mundet që palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, të pranojnë një shtet të vockël brenda Jordanisë? Kjo nuk ka asnjë shans.
Por, njësoj si aktivistët për bojkotin e Izraelit, Bennet e di se nëse palestinezët marrin të drejta civile të plota brenda një Izraeli të madh, shpejt hebrenjtë do të bien në minorancë si popullsi dhe si numër votash. Megjithëse hebrenjtë ultra-ortodoksë janë grupimi me rritje më të shpejtë të popullsisë në Izrael, palestinezët janë sërish më të shumtë.
“Brenda 10-15 vjetësh, palestinezët mund të bëhen mazhorancë brenda një shteti”, thotë Olmert.
Kjo do të thotë se asnjë nga opsionet në diskutim për zgjidhjen e konfliktit me një shtet të vetëm nuk është me leverdi për Izraelin. Idealistët mendojnë se arabët dhe hebrenjtë do të jetojnë së bashku të lumtur; kjo është një ëndërr. Dhe ekstremistët mendojnë se palestinezët mund të mbahen nën kontroll gjithmonë; kjo është një ëndërr tjetër.
Dy shtetet janë zgjidhja
Edhe po të supozojmë se palestinezët janë tolerantë deri në kulm, Izraeli si një shtet për hebrenjtë ka gjasa që do të zhduket. Edhe emri i tij mund të zhduket. Hebrenjtë, pasi kanë ngritur politikën e rikthimit te tokat e tyre historike për gjysmë shekulli, vështirë se do të pranojnë në paqe sundimin e shumicës palestineze, sado idealistë të jenë krerët e palestinezëve. Kjo është arsyeja se pse Dov Khenin, një anëtar hebre i partisë përgjithësisht arabe dhe komuniste të Izraelit Hadash, mendon se zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje praktike në rrugën drejt paqes, pavarësisht se ka simpati për idealet e atyre që besojnë te një shtet i përbashkët dhe paqësor. “Nëse të dy popujt dëshirojnë të kenë një shtet dykombësh, jam shumë dakord”, thotë ai. “Por përshtypja ime është se izraelitët dhe palestinezët nuk e pëlqejnë shumë njëri-tjetrin”. Dhe ka gjasa që nuk do ta pëlqejnë kurrë njëri-tjetrin.
Izraeli nuk mund të vijojë të mbetet njëkohësisht një vend demokratik dhe hebraik, nëse vijon të kontrollojë shumë milionë palestinezë pa i dhënë atyre të drejta të plota politike. Dukshëm, ai nuk e di se çfarë duhet të bëjë apo do të bëjë. Netanjahu duhet të mbështesë atë që ai më parë e ka thënë me gjysmë zëri se nuk ka alternativë serioze përveç zgjidhjes me dy shtete.





