Home »
» 60 vjet pas Stalinit: Çfarë fshihej prapa tij?
60 vjet pas Stalinit: Çfarë fshihej prapa tij?
Në Rusi po shënohet 60 vjetori i vdekjes së diktatorit sovjetik, Jozef Stalin, i cili nga disa shihet si meritor për çuarjen e Rusisë ka fitorja në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa për të tjerët si njeri që organizoi spastrime masive dhe la miliona të vrarë. Epoka e Jozef Stalinit ishte një kohë e terrorit, ekzekutimeve në masë, kolektivizimit brutal dhe luftës më të tmerrshme që bota ka parë ndonjëherë.
Zyrtarisht, Bashkimi Sovjetik i Stalinit ishte një vend i paqes, progresit, harmonisë dhe – mbi të gjitha – i dashurisë së pafund për vetë Stalinin. Ai ishte “babai i kombeve”, “kopshtar i lumturisë njerëzore”. Imazhi i tij ishte kudo.
Koha e Stalinit njihet për kampet famëkeqe të quajtura Gulag. Nga viti 1929 deri në vdekjen e Stalinit në vitin 1953, rreth 14 milionë njerëz kaluan përmes Gulagut. Rreth 1.6 milion njerëz vdiqën atje.
Pas Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 1 milionë ushtarë sovjetikë të cilët iu kishin mbijetuar burgjeve naziste u dërguan në Gulag. Pas vdekjes së Stalinit në mars 1953, shteti komunist filloi të çmontojë sistemin e Gulagut. Të burgosurit politikë filluan të lëshohen në vitin 1954, dhe sistemi u anulua zyrtarisht nga një dekret i Ministrisë së Brendshme më 25 janar 1960.
Anne Applebaum një kolumniste në “Ëashington Post” dhe autore e librit “Gulag: një histori” në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se është shumë e vështirë që të ndahet historia e Gulagu-ut nga historia e Bashkimit Sovjetik. “Kjo histori ishte pasojë logjike e shumë politikave të tjera. Gulagu kishte funksionin ndëshkues. Ai krijoi frikën. U përhap shumë, kishte degët në të gjithë Bashkimin Sovjetik, dhe të gjithë dinin për të. Gjithkush ishte i vetëdijshëm se ekziston. Nuk ishte një lloj pjese e fshehur e shoqërisë. Funksiononte si diçka që do të trembte njerëzit, por gjithashtu kishte një funksion shumë të rëndësishëm ekonomik”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Applebaum.
Për shkak të forcës punëtore, që sistemi dërgonte në Gulag, pushteti i atëhershëm nuk e kishte vështirë që të gërmonte për miniera të reja të qymyrit apo arit, sikurse për të bërë edhe gërmime arkeologjike,rrëfen Applebaum.
Ajo thotë se Gulag ishte një perandori e madhe ekonomike, që kontrollonte fabrikat dhe zona të tëra të Rusisë. Madje ajo shpjegon se disa nga qytetet në Lindjen e Largët, në të cilat zbulohej pasuri natyrore si Vorkuta, Norilsk, u formuan nga të burgosurit apo të internuarit në Gulag dhe kësisoj u shtrembërua kahja e ekonomisë sovjetike.
Autorja në librin e saj thotë se Rusia ka bërë mirë që është distancuar nga politika staliniste. Por, çfarë është situata në ditët e sotme në Rusi, ku sipas një sondazhi të një organizate e pavarur Levada mbështetja e rusëve për Stalinin është rritur krahasuar me vitin 1991 kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. “Tani, aktualisht qeveria ruse nuk përpiqet që të shtypë diskutimet mbi Stalinin, siç ka qenë një kohë, por përpiqet që me të të merret në mënyrë selektive. Andaj ka shumë pak diskutime mbi Gulagun; ka pak diskutime për industrializimin”, shprehet Applebaum duke kritikuar edhe faktin se Stalinit i është dhënë shumë lavdi për fitoren ne Luftën e Dytë Botërore, duke mos marrë parasysh humbjet tepër të mëdha të rusëve në këtë luftë.
Ajo madje fajëson Stalinin se ka qenë ai që e filloi luftën. “Ai dhe Hitleri ndanë Evropën midis tyre në vitin 1939 në kohën e paktit Molotov-Ribbentrop. Ata bashkërisht pushtuan Poloninë dhe shtetet baltike. Dhe kur më pas Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, Stalini nuk ishte i përgatitur, ndërsa miliona njerëz mbase nuk do të ishin të vdekur, po mos të kishte bërë Stalini marrëveshje në fillim me Hitlerin”, thekson autorja. Prandaj edhe hedh poshtë vlerësimet për Stalinin si një menaxher i mirë qe e fitoi luftën. “Në të vërtetë e kundërshtoj këtë. Duhet të shihni kundërargumentet- çfarë mund të ketë qenë Rusia në qoftë se do të ishte zhvilluar ndryshe? Nuk do të kishit miliona njerëz të tretur, talente të tretura, arsim të tretur—jetë të tretura duke punuar si skllavë në kampet e punës. Të gjithë ata fizikanët që u dërguan të gërmojnë qymyr në Magadan mund të kishin shpikur diçka të shpejtë dhe më të mirë”. “Njerëzit mund të kishin jetuar më mirë. Mendoj se të imagjinohet se çfarë ka arritur Stalini ishte një lloj triumfi është njëjtë si të injorohet fakti se si do të mund të ishte zhvilluar ndryshe Rusia, po të mos kishte marrë rrugën e tij”, shprehet Applebaum. (REL)
Spastrimi i Madh i Stalinit
Askush nuk e di saktësisht se sa njerëz u vranë gjatë Spastrimit të Madh të Stalinit, por thuhet se shifra shkon në më shumë se 1 milion. Gjatë periudhës 1937-38, policia sekrete e Stalinit ka ekzekutuar më shumë se 1.000 njerëz në ditë, shumicën e tyre duke i vrarë me një të shtënë në pjesën e prapme të kokës. Fotot tregojnë disa prej viktimave në ditët e tyre të fundit.
Nostalgjia për Stalinin
Nostalgjia për Stalinin nuk mungon në vendin e tij të lindjes, Gori të Gjeorgjisë. ”Ky burrë këtu është njeriu më i rëndësishëm në jetën time, sigurisht pas Zotit. Unë jam nga Gori dhe jam rritur me ndjenjën e dashurisë për të”, deklaroi Nazi Stepanishvili, banor i vendlindjes së drejtuesit historik, njëkohësisht famëkeq të Bashkimit Sovjetik. Për liderin rajonal të Organizatës Staliniste, Aleksandër Lursmanashvili, “Jozef Stalini, një përfaqësues i talentit gjeorgjian, ishte njeriu qe luajti rolin kryesor në mposhtjen e Adolf Hitlerit. Në fakt, ai e shpëtoi botën nga Gjermania Naziste dhe ta krahasosh me Hitlerin është një mëkat, një krim kundër njerëzimit”. Rreth 1.000 vetë vunë tufa me lule ne varrin e ish-diktatorit sovjetik pranë murit të Kremlinit, për të shënuar në këtë mënyrë 60 vjetorin e vdekjes, ndërsa ekspertë e politikane diskutojnë përsetë e popullaritetit kaq të zgjatur të Stalinit, pavarësisht politikave te tij brutale që morën miliona jetë njerëzish. Lideri i Partisë Komuniste Ruse, Genadi Zyuganov ishte në rreshtin e pare te fanatikeve. Ai e përshkroi Stalinin si një “simbol të fitoreve më të mëdha të kombit”, e tha se Rusia duhet të mbështetet në një eksperience e tillë unike për të kapërcyer problemet e saj.
Debatet për Stalinin
Stalini e udhëhoqi Bashkimin Sovjetik nga viti 1924 deri në vdekjen e tij në 1953-shin. Komunistet e të tjerë përkrahës të vijës së ashpër i veshin meritat e fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe faktit që e ktheu vendin në superfuqi bërthamore. Kritikët, nga ana tjetër nuk falin dhunën dhe represionet e tij. Sipas historianëve, mbi 800.000 vetë u ekzekutuan gjatë spastrimeve që kulmuan me terrorin e madh në fund të viteve ‘30, ndërsa miliona të tjerë vdiqën nga trajtimi barbar në sistemin gjigant të kampeve të internimit dhe punës së detyruar, në gulage, nga uria në Ukraine e në jug të Rusisë apo dhe si pasojë e deportimeve të minoriteteve etnike.






