Lajmi se Oscar Pistorius ka vrarë të dashurën e tij është kryelajm në mediat më të mëdha në botë.
Ylli paraolimpik nga Afrika e Jugut, u arrestua pasi qëlloi të dashurën e tij, duke kujtuar se ishte një hajdut.
Gjithçka ndodhi në orën 4 të mëngjesit dhe mendohet se e dashura po i bënte një surprizë për Shën Valentin.
E vdekura është Reeva Steenkamp, 30 vjeç, ish- modele, që po dilte me Pistorius prej dy muajsh.
Një ditë më parë ajo ishte shprehur e lumtur në Twitter për Shën Valentinin.
Atleti nuk ka komentuar për ngjarjen, duke thënë se është diçka private.
Pistorius, 26 vjeç, njihet edhe si “Blade Runner” dhe shpesh etiketohet si njeriu më i shpejtë në botë pa këmbë.
I lindur në Johanesburg, ai pati probleme që në lindje me këmbët dhe në muajin e 11-të, iu amputuan.
Ai është bërë i pari atlet pa këmbë, që ka garuar në Olimpiadë, duke arritur edhe gjysmëfinalet në Londër 2012.
Ai jeton në një vilë luksoze dhe ka bërë të ditur se gjithmonë fle me një pistoletë tek koka.






