Kërkimet e reja në Europë mbi kancerin dhe të ushqyerit kanë zbuluar lidhjen mes dietës dhe kancerit të mëlçisë dhe mënyrën se si mund të shmanget kjo sëmundje. Ekspertët këshillojnë: “Zgjidhni perimet, drithërat dhe frutat”Dieta
VALERIA PINI
Ushqimet e pasura me fibra dhe pakësimi i ushqimeve të pasura me sheqer është një hap i rëndësishëm në shmangien e rrezikut të sëmundjes së kancerit të mëlçisë.
Kjo është zbuluar nga një studim i Organizatës Europiane mbi Kancerin dhe të Ushqyerit (EPIC) një projekt që studion marrëdhëniet midis kancerit dhe dietës.
Edhe një herë është arritur të tregohet sa i lidhur është ushqimi me stilin e jetës dhe me atë që ne hamë çdo ditë. Frutat dhe perimet bëjnë mirë jo vetëm për humbjen e peshës, por edhe për luftimin e sëmundjeve.
Sipas një studimi të testuar tek 470.000 persona, skuadra ndërkombëtare e shkencëtarëve ka arritur në përfundimin se një dietë e pasur me fibra dhe me sa më pak sheqer, pakëson rrezikun për shfaqjen e kancerit të mëlçisë. Analiza, e cila u ndoq edhe nga disa studiues italianë të Shoqatës Italiane për Kërkimet e Kancerit (AIRC), u botua në revistat e onkologjisë.
Studimi është shumë interesant, sepse sqaron që një kancer si ai i mëlçisë ndikohet drejtpërdrejtë nga zakonet tona të të ushqyerit. Pra, zakonet e të ushqyerit jo vetëm që janë të rëndësishme në përcaktimin dhe imunitetin ndaj infektimit me hepatitin B dhe C apo në efektin e substancave toksike ndaj të cilave jemi të ekspozuar vazhdimisht, por edhe të dietave që ne zgjedhim.
Konsumimi i fibrave është mbrojtës, ndërsa ai i sheqerit rezulton i dëmshëm. Organizata Europiane për Kërkimet e Kancerit dhe të dietës e kishte provuar këtë edhe në lloje të tjera kanceri mjaft të përhapur si kanceri i zorrës së trashë dhe ai i gjirit.
Në këtë mënyrë, ekspertët këshillojnë ndjekjen e një diete të pasur me perime, me drithëra dhe fruta. Pra të gjitha ato fibra që na mbrojnë nga kanceri.
Ndër të tjera, të zgjedhësh ushqime të këtij lloji është e dobishme për parandalimin e sëmundjeve të tjera kronike si për shembull sëmundjet kardiovaskulare.
Në terma sasiorë, ne mund të themi se pesë racione të përditshme me fruta, perime dhe një pjatë me drithëra, përbëjnë një bazë të mirë për një jetë të shëndetshme dhe mbrojtje ndaj sëmundjeve kronike.
Këto ushqime japin disa rezultate të rëndësishme: ato të ngopin dhe kështu të ndihmojnë për të shmangur vënien në peshë. Gjithashtu kanë efekte metabolike dhe hormonale të cilat favorizojnë mbajtjen e një gjendje të mirë shëndetësore.
Por përse ëmbëlsirat dhe ushqimet e tjera kaq të mira bëjnë kaq shumë dëm? Sheqeri, i cili gjendet edhe në pije joalkoolike, ka efekte negative lidhur me shfaqjen e kancerit, sepse karbohidratet e rafinuara shkaktojnë prodhimin e insulinës e cila ka efekt në rritjen e qelizave.
Këta faktorë të rritjes favorizojnë përhapjen e qelizave kancerogjene. Në rastin e mëlçisë, mekanizmi është akoma më i kuptueshëm, sepse insulina prodhohet nga pankreasi dhe ndikon direkt në mëlçi në sasi të madhe.
Burimet e fibrave
Fibrat gjenden në të gjitha bimët, por më me shumicë te bishtajoret, bizelet, soja, groshët, bathët e të tjera, me shumicë te drithërat, veçanërisht tërshëra, elbi dhe thekra, si dhe në disa fruta e në lëngje frutash si p.sh. lëngu i kumbullës së thatë, luleshtrydhet, bananet e pjekura mirë, mollë e dardhë.
Edhe disa lloje zarzavatesh si brokoli, karotat, patatet e ëmbla, qepër etj., janë burime të rëndësishme të fibrave për të cilat njeriu ka nevojë.





