Që të mos harrojmë, kujtime dhe rrëfime të fëmijëve refugjate të Kosovës, 1999

Nga Albana M. Lifschin



Koha që punova në Fort Diks, Nju Xhërsi, me refugjatët e Kosovës, për mua do të mbetet e paharruar. Jam e sigurtë se shumë prej atyre të cilëve i u dha kjo mundësi mund të thonë të njëjtën gjë. Gjithsesi, për mua ishte diçka e veçantë. Së pari, sepse mu besua që të përgatisja një program radiofonik të përnatshëm për “miqtë”,(kështu ishim porositur t’i quanim refugjatët) gjë që më kujtonte profesionin tim në Shqipëri. Së dyti, dëgjuesit e programit nuk ishin të zakonshëm. Ata ishin të etur për lajmet; ata nuk dëgjonin por thithnin çdo lajm për Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, ku kishin mbetur pjesëtarë të familjeve të tyre, por edhe për gjithë Ballkanin. Prisnin me padurim të dëgjonin që forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë. Më kujtohet një mbrëmje kur e hapa transmetimin me lajmin “Kisha ortodokse serbe kërkon dorëheqjen e Millosheviçit, u dëgjua një thirrje gëzimi e menjëhershme dhe e fuqishme. Zërat e tyre depërtuan përmes dritares në studion e transmetimit. U rrënqetha. E kam ndjekur reagimin e tyre në çdo transmetim që bëja. E dija kur gëzoheshin, e dija kur hidhëroheshin. Jetoja me ndjenjat e tyre. Ndonjëherë, ata nuk prisnin sa të vinte koha e transmetimit, por më pyesnin sa herë më shihnin jashtë studios: Ç’farë lajmesh kemi sot? Për ditën e 4 korrikut, ditën e Indipendencës së Amerikës dhashë një program të veçantë në qendër të të cilit vura pjesë nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar idenë që në një shtet të vërtetë demokratik , njerëzit kanë të drejtë të zëvendësojnë qeverinë që nuk i përmbush interesat e popullit. Gjithsesi, atë ditë pjesa me interesante e programit tim ishin fëmijët. Ata e mbushën këtë program me këngë, vjersha, e biseda të sinqerta. Mjaft amerikanë që punuan në Fort Dix, kërkonin të dinin se çfarë thoshin këngët apo vjershat e kosovarëve të vegjël. Vetë jeta e refugjatëve, e secilit prej tyre, kishte diçka tragjike. Por në këngët e vjersha të fëmijëve apo të rinjve e kuptoje që tragjikja qe trashëguar nga e kaluara. Këngët e lirisë, këngët e trimave ishin të parat këngë që mësuan fëmijët kosovarë. Ata mësuan të jetonin me dhimbjen si pjesë e pandarë e jetës. Mësuan të jetonin një jetë të jashtëzakonshme duke e marrë atë si të zakonshme. Fëmijët nga 10-14 vjeç, ishin fëmijë të lindur në kohën kur qeveria e Beogradit ua hoqi autonominë (1989) bashkë me të drejtën e gëzimit të jetës dhe u a zëvendësoi atë me ankthin e persekutimit. I mësoi fëmijëve eksperiencën e hidhur të luftës, kur dikush nga familja mund të mungojë në çdo kohë- mund të vritet, të persekutohet apo emigrojë. Fëmijët e Kosovës para se të mësonin këngët e lojrat e fëmijërisë mësuan ato të mërgimit, lëngimit për liri e për atdhe, këngët e trimërisë. Ata kënduan për heronjtë e Kosovës, ata recituan për ata që u burgosën nga serbi vetëm e vetëm sepse donin lirinë. Këngët e tyre ishin për emigrantët që u detyruan ta lenë vendin e tyre të bukur për shkak të pushtetit serb. Fëmijët e sollën këtë thesar në programin tim. Diçka që më beri përshtypje e që s’do ta harroj kurrë ishte fakti se askush prej tyre nuk këndoi as edhe një këngë fëmijësh, këngë lojrash të moshës së tyre, siç bëjnë fëmijët e lirë kudo në botë. Jo sepse atyre nuk u pëlqenin lojrat e moshës se tyre , por sepse ata u lindën atëherë kur qeveria e shtetit të tyre ua hoqi lirinë e buzëqeshjen. Ata u lindën e u rritën gjatë persekucionit serb. Ajo qeveri u mbylli shkollat që ata të mos e mësonin kurrë historinë e tyre, kulturën e popullit të tyre. Fëmijët e Kosovës para se të mësonin të emërtonin lodrat e tyre, mësuan fjalët “liri“, ”burg” dhe “mërgim”. U mësuan të përballojnë diskriminin ashtu sikurse prindërit e tyre. Ata u bënë të fortë si prindërit e tyre. Për më tepër ata u bënë poetë të dhimbjes. Më kujtohet një mbrëmje dikush më solli në studio një vajzë të re me një vështrim të menduar.
“Jam 14 vjeç, tha, quhem Makbule Qerimi”. Ajo recitoi një vjershë. Kur mbaroi, e pyeta se kush e kishte shkruar atë poezi. Mu përgjigj thjesht: Unë. Atë mbrëmje biseduam gjatë. Ishte jetime. Ishte e pjekur tej moshës së saj. E pyeta nëse dëshironte të rrinte në Amerikë. Ajo ishte e talentuar, e zgjuar dhe Amerika do t’i jepte shumë mundësira. “Jo, më tha, Amerika ka plot njerëz të zgjuar e të talentuar. Amerika nuk ka nevojë për mua. Kosova ka nevojë”.
Nuk e di pse, por atë moment më erdhi ndër mend ai episod i bukur i përcjelle si mesazh i atdhedashurisë brez pa brezi. E kam fjalën për zakonin e vjetër të arbëreshëve në brigjet e Italisë kur prindi e ngrinte lart fëmijën e porsalindur duke e kthyer atë me fytyrë nga Adriatiku për të mos harruar kurrë nga kishin ardhur. Do të shtoja këtu disa fjalë për Alban Berishën 12 vjeçar dhe vëllain e tij Arlin. Albani ishte i pari fëmijë me të cilin u njoha në Fort Diks. Ishte pasdite tek bisedoja me një grup fëmijësh. Doja të dija se çfarë dëshëronin te degjonin ne programin e tyre. Sigurisht isha përgatitur të dëgjoja kërkesa fëmijësh. Njeri nga fëmijët ngriti dorën duke kërkuar leje të fliste.
- Unë dua të dëgjoj që Kosova u çlirua nga serbët!.
-Si të quajnë? e pyeta
-Alban- mu përgjigj.
I thashë Albanit që edhe unë e prisja me padurim atë lajm dhe shpjegoja që përveç lajmeve në programin e mbrëmjes do kishim edhe një minutazh të caktuar vetëm për ata, fëmijët. E pyeta në se i pëlqenin vjershat.
-Po, më tha, dhe u ngrit duke marrë drejtqëndrim për të recituar. Ndër të tjera vjersha e tij thoshte: “ Më rrahën /më keqtrajtuan/ Më kërcënuan me burg e ferr. Por unë s’friksohem /E shfryj zemrën e s’kam dert!
-A e di se kush shkruar këtë poezi, Alban? Djali nuk foli, por i vëllai i tij më i vogël, Arlini bëri me kokë nga ai:
-E ka shkruar vetë.
U mësova të mos habitem më kur dëgjoja që fëmijët e Kosovës i kishin shkruar vetë poezitë që recitonin apo në ndonjë rast edhe këngët.
Ishte vështirë ta kërkoje fëmijërinë tek këta fëmijë. Ajo ishtë e përzierë me luftën.
Ata më treguan historitë e tyre, ashtu si e kanë përjetuar ata krimin serb të fundshekullit dhe ato unë i përfshiva në librin tim ne anglisht “Children of Kosova-stories of horror”

Këtu po fusim disa rrëfime të luftës nga 
fëmijët kosovarë, te cilat u përfshinë në libër
 Adnan Murtezi, 14 vjeç, Prishtinë

Ushtarët serbë erdhën me maska tek shtëpia jonë dhe thirrën serbisht:
-Dilni jashtë! Shpejt!
Ishin të gjithë të armatosur me automatikë.
-Dilni jashtë! Hajt, shkoni tek Natoja! Shkoni tek Klintoni!
Pastaj shanin me fjalë të ndyra…Ne dolëm jashtë. Ata qëlluan me automatikë në dyert e dritaret tona. Çdo gjë u thye, u shkatërrua. Rrugës na shtynin përpara, na shanin dhe herë pas here shtinin me automatik nga të gjitha anët Thërrisnin: “Ikni, zhdukuni! Kosova s’është e juaja, është e jona!”
Ushtarët serbë thyenin xhama dyqanesh e çfarë t’u dilte përpara por nuk na tregonin se ku po shkonim. Kemi ecur kështu ndoshta 5 orë, deri sa na kane çu tek stacioni i trenit. Unë kam tre motra dhe një vëlla të sëmurë. Një motër tjetër ishte e martuar. Ajo mbeti në Prishtinë. Për të nuk dinim asgjë se ku ndodhej e si ishte. …Atë natë nuk na zuri treni të gjithëve. Ne që mbetëm, ramë për të fjetur përtokë. Por askush s’mundi të flerë atë natë. Dëgjonim krisma, të shtënat e ushtarëve serbë. Atë natë dy gra shtatëzana lindën aty, afër trenit Të nesërmen në mëngjes herët u nisëm me tren për në Maqedoni…

Alberta Mehmeti, 14 vjeç, komuna e Gjilanit.

Aty, ku banonim ne, janë dy Shillova, Shillova e Shqiptarëve dhe Shillova ku banonin serbët. Natën që Natoja filloi sulmin ajror mbi Jugosllavi, ne po ndiqnin lajmet e televizionit të Tiranës. Aty dëgjuam se sirenat e alarmit për fillimin e bombardimit të Natos u dëgjuan mbi Beograd. Shqiptarët e Shillovës brohoritën për këtë lajm me të madhe. Këto brohoritje i dëgjuan serbët në anën tjetër dhe atëherë ata filluan të qëllojnë me armë në drejtim të Shillovës shqiptare. Atë natë u plagos një vajzë. Familja e mori për ta çuar urgjentisht në spital. Milicët serbë i ndalën familjarët rrugës dhe u kërkuan dokumentat. Familja i u lut të mos i vononin shumë se vajza kishte humbur shumë gjak e duhej çuar sa me parë tek doktori, në spital. “Ah, ashtu?! A doni ta çoni sa më parë në spital? Çojeni pra!” Thanë ata dhe e shprazën automatikun mbi gjoks të vajzës.

Fatbardha Rexhepi, 12 vjeç, Pogragjë, komuna e Gjilanit

Në familjen tonë, ndodhi një tragjedi të cilën s’do ta harroj gjithë jetën. Po largoheshim nga shtëpia jonë e nga Kosova të ndjekur prej policisë e ushtarëve serb. Ishte një kolonë e gjatë njerëzish para e pas nesh. Ne po udhëtonim me traktor. Mbi kokat tona fluturonte helikopteri serb dhe herë pas here qëllonte. Emta e babait tim po mbante në krah fëmijën një vjeç e gjysmë. Plumbi i snajperit serb goditi foshnjën, në kurriz. Emta e babit, që ishte gjyshja e fëmijës duke menduar që fëmija i vdiq në duar, u trondit aq shumë, sa i pushoi zëmra në vend. Ajo quhej Nexhmije Azemi.

Flakron Gjikokaj, 15 vjeç, Deçan

Ishim mbledhur të gjithë në shtëpi kur papritur dëgjuam të shtëna me automatik. Dolëm menjëherë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Rruga ishte e mbushur me ushtarë e milicë sërb. Ne u nxituam të hynim nëpër podrume. Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta kur serbët nisën të qëllonin me granata mbi Deçan. Një granatë na ra në kulm të shtëpisë dhe fëmijët nisën të qanin me të madhe. Dolëm prej andej pasi nuk e ndjenim më veten të sigurtë. U nisëm në këmbë për në Kodrali, fshat afër Deçanit. Por edhe aty serbët filluan të sulmojnë me granata. E lamë Kodralinë e u nisëm për në Llukë. Helikopteri serb fluturonte mbi kokat tona e qëllonte. Nga helikopteri janë plagosur plot njerëz rrugës. Një komshia jonë, plakë e paralizuar që po e mbanin djemtë, i u lut atyre që ta linin në rrugë e te mos rrezikonin jetën e tyre për të. Prej aty duke ecur gjithë kohën në këmbë arritëm në një fshat tjetër, në Strelcë. Në atë fshat banonte tezja. Edhe aty gjendja nuk ishte më e mirë. Gjetëm një makinë e ikëm dhe prej aty. Vazhduam rrugën në drejtim të Pejës. Babai atë kohë ishte në Gjermani. Kur i dhanë lajmin që ne do shkonin në kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonise e la Gjermaninë për t’u bashkuar me ne. Por nuk u takuam dot me të. Nga Stankoveci ne na prunë në Amerikë ndërsa babai tani ndodhet në Stankovec.