Papa Benedikti mbrohet pas imunitetit

Pas dorëheqjes do të jetojë në Vatikan për të shmangur rreziqet e marrjes në pyetje


Vendimi i Papa Benediktit për të jetuar në Vatikan, pasi dha dorëheqjen do t’i japë atij siguri dhe privaci, raporton “Reuters”. Kjo masë do t’i japë atij gjithashtu edhe mbrojtje ligjore nga çdo përpjekje e mundshme për hetimin e tij për skandalin e abuzimeve seksuale nëpër botë, bëjnë të ditur burime nga Kisha dhe ekspertë ligjorë.
“Prania e tij në Vatikan është e nevojshme, përndryshe ai mund të jetë i pambrojtur. Ai nuk do të ketë imunitet, privilegje dhe siguri nëse jeton diku tjetër”, tha një zyrtar i Vatikanit duke folur në kushtet e anonimatit.
“Është absolutisht e nevojshme”, që ai të qëndrojë në Vatikan, tha burimi, duke shtuar se Benedikti duhet të ketë një “ekzistencë me dinjitet” në vitet që i mbeten nga jeta. Burimet nga Vatikani thanë se zyrtarët morën parasysh tre fakte në vendimin që Papa të jetojë në një manastir në Vatikan. Policia e Vatikanit, e cila sakaq e njeh Papën dhe sjelljen e tij, do të jetë në gjendje të garantojë privaci dhe siguri dhe nuk do t’ia ngarkojë këto detyra një force policore të huaj, siç do të qe rasti nëse ai jetonte gjetkë.
“Unë e shoh si problem të madh nëse ai do të shkojë diku tjetër. Po mendoj në kuptimin e sigurisë personale. Ne nuk kemi një shërbim sekret që të angazhojë burime të mëdha (siç bëjnë vendet e tjera) për ish-presidentët”, tha zyrtari.
Një arsye tjetër është që nëse Papa lëviz përgjithmonë në një vend tjetër, duke jetuar në ndonjë manastir në Gjermani, për shembull, vendbanimi i tij mund të bëhet një vend pelegrinazhi. Kjo mund të bëhet shumë e komplikuar për Kishën, veçanërisht në rast se pasardhësi i tij merr ndonjë vendim që mund të mos u pëlqejë konservatorëve, të cilët do të shkojnë te Benedikti për ta respektuar atë.
“Një situatë e tillë mund të jetë shumë problematike”, tha një zyrtar tjetër i Vatikanit.
Arsyeja finale për vendimin është ekspozimi potencial i Papës ndaj pretendimeve ligjore në lidhje me skandalet e abuzimit seksual brenda Kishës Katolike.
Në vitin 2010, për shembull, Benedikti u cilësua si i hetuar nga një çështje gjyqësore ku thuhej se ai nuk kishte marrë masa në vitin 1995, kur qe kardinal dhe kur thuhet se qe informuar mbi një prift që pati abuzuar seksualisht me fëmijët në një shkollë amerikane për të verbrit disa dekada më herët. Kjo çështje u mbyll vitin e kaluar dhe Vatikani tha se kjo qe një fitore e madhe që vërteton se Papa nuk mund të jetë përgjegjës për veprimet e priftërinjve abuzivë.
Benedikti aktualisht nuk është pjesë e asnjë hetimi dhe Vatikani nuk pret që të akuzohet, megjithëse mundësitë janë të hapura.
“(Nëse ai jeton diku gjetkë) atëherë ne mund të gjendemi përballë ndonjë të çmenduri që ngre akuzë apo përballë ndonjë hetuesi që mund ta arrestojë atë si në rastet e ish-krerëve të shteteve për akte që supozohet se i kanë bërë kur qenë krerë shteti”, tha burimi.
Një zyrtar tjetër tha: “Megjithëse kjo nuk përbën një shqetësim madhor, natyrisht shton bindjen për vendimin final” (që ai të jetojë në Vatikan), tha një burim tjetër.
Pasi të japë dorëheqjen, Benedikti nuk do të jetë më monarku sovran i shtetit të qytetit të Vatikanit, i cili është i rrethuar nga Roma, por do të ruajë qytetarinë e Vatikanit.
Traktatet Laterane
Ekzistojnë disa traktate që i japin atij imunitet dhe që njihen si Traktatet Laterane. Ato garantojnë imunitet edhe në rast se ai udhëton nëpër Itali si qytetar i Vatikanit.
Më 1929, Paktet Laterane mes Italisë dhe Selisë së Shenjtë, krijuar Qytetin e Vatikanit si një shtet sovran. Aty shkruhet se Qyteti i Vatikanit do të mbetet “në mënyrë të pandryshueshme dhe në çfarëdolloj situate, një vend neutral me territor të pasulmueshëm”.
Ka pasur shumë thirrje për arrestimin e Benediktit për skandalin e abuzimeve seksuale brenda Kishës Katolike. Kur Benedikti vizitoi Britaninë në vitin 2010, shkrimtari dhe aktivisti ateist, Richard Dawkins, u kërkoi autoriteteve të arrestojnë Papën dhe ta marrin në pyetje mbi skandalin. Ai dhe gazetari Christopher Hitchens morën në punë avokatë për të parë mundësitë e veprimeve ligjore kundër Papës. Përpjekjet e tyre nuk sollën asgjë për shkak se Papa është kreu i një shteti dhe rrjedhimisht zotëron imunitet diplomatik.
Në vitin 2011, një shoqatë amerikane që përfaqëson interesat e fëmijëve të abuzuar nga klerikët, i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë Papën dhe tre zyrtarë të lartë të Vatikanit. Ata pretendojnë se zyrtarët e Vatikanit kryen krime kundër njerëzimit për shkak se toleruan dhe lejuan kryerjen e krimeve seksuale. Gjykata e refuzoi kërkesën.


Vatikan

Mijëra vetë dëgjojnë meshën e fundit

Dhjetëra mijëra pelegrinë u mblodhën dje në sheshin Shën Pjetër të Romës për një nga shfaqjet e fundit në publik të Papës Benedikt XVI. Ai do të humbasë pushtetin në Vatikan më 28 shkurt. Papa recitoi lutjet dhe falënderoi të gjithë ata që qenë lutur për të dhe që i patën shprehur mbështetjen përgjatë ditëve të fundit që nga njoftimi i dorëheqjes.
Vatikani do të mbledhë konklavën për të zgjedhur pasardhësin më 15 mars në mënyrë që papa i ri të jetë në detyrë para fillimit të javës së shenjtë më 24 mars. Papa u shfaq në dritaren e zyrës së vet mbi sheshin Shën Pjetër në orën 11. Turma shpërtheu në duartrokitje dhe pati thirrje “Jetë të Gjatë Papës”. Në një banderolë shkruhej “Ne ju duam”.

Related Posts: