![]() |
| Noam Chomsky |
Diskutimet për rënien e perandorisë amerikane, që po dëgjohen gjithmonë e më shpesh, duhen marrë me shumë maturi. Shtetet e Bashkuara u bënë një fuqi e madhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. E tyrja kish qenë prej kohësh ekonomia më e madhe e planetit, por ishin në thelb një fuqi rajonale. Kontrollonin hemisferën perëndimore me ndonjë degëzim në Paqësor, por fuqia e parë botërore ishte ende Mbretëria e Bashkuar. Me Luftën e Dytë Botërore, gjërat ndryshuan. Shtetet e Bashkuara kaluan në vend të parë. Kishin gjysmën e pasurisë së botës. Vendet e tjera të industrializuara kishin dalë të dobësuar ose të shkatërruar prej konfliktit. Shtetet e Bashkuara ishin në një pozicion sigurie të jashtëzakonshëm, kontrollonin hemisferën perëndimore, Atlantikun dhe Paqësorin me një fuqi shumë të madhe ushtarake.
Që fuqia e tyre do të pësonte një rënie, kjo ishte e pashmangshme. Me kalimin e kohës, Evropa dhe Japonia e rimorën veten dhe filloi dekolonizimi. Në vitet shtatëdhjetë, Shtetet e Bashkuara zotëronin vetëm 25 për qind të pasurisë së botës, pak a shumë si në vitet njëzetë. Ishin ende fuqia më e madhe e botës, por jo me të njëjtën forcë si në vitet pesëdhjetë dhe që atëherë situata mbeti e qëndrueshme, edhe pse ka pasur ndryshime. Në dhjetë vitet e fundit, për herë të parë pas pesë shekujve, që nga kohërat e pushtimit të saj nga spanjollët dhe nga portugezët, Amerika Latine ka filluar që të zgjidhë disa prej problemeve të saj të brendshëm dhe të integrohet. Në të kaluarën, vendet e saj ishin shumë të ndarë mes tyre dhe shihnin që të gjithë nga Perëndimi, fillimisht nga Evropa dhe më pas nga Shtetet e Bashkuara. Integrimi i tyre është i rëndësishëm: ai nënkupton që vendet e Amerikës Latine mund të bashkohen për t’u mbrojtur nga një forcë e jashtme. Veç kësaj – dhe kjo është mbase më e rëndësishme – këto shtete kanë filluar të përballen me problemet e brendshëm. Me burimet që ka në dispozicion, Amerika Latine duhej të ishte një kontinent i pasur. Por e gjithë kjo pasuri është e përqëndruar në duart e elitave të të bardhëve dhe bashkëjeton me një varfëri torturuese. Në vitet e fundit, janë bërë përpjekje të ndryshme për të zgjidhur këtë problem të dyfishtë, për të realizuar një tjetër formë integrimi, dhe Amerika Latine po fillon gjithashtu që të lirohet nga kontrolli i Shteteve të Bashkuara.
Po flitet shumë për një kalim pushteti në nivel global: India dhe Kina do të bëhen fuqitë e mëdha tashmë, vendet më të pasur të botës. Por edhe ky parashikim duhet të shihet me shumë kujdes. Për shembull, shumë vëzhgues flasin për faktin që një pjesë e mirë e borxhit të Uashingtonit është në duart e Kinës, e cila tashmë ia ka kaluar Japonisë. Por në të vërtetë, të gjitha këto diskutime për rënien e Shteteve të Bashkuara janë të rreme. Na kanë mësuar që ta shohim botën sikur të ishte e përbërë nga njësi koherente.
Në fushën e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare është e ashtuquajtura shkollë “realiste”, sipas të cilës ne jetojmë në një situatë anarkie, ku çdo shtet ndjek interesat e veta kombëtarë, ndërkohë që interesat e përbashkët janë shumë të paktë, përveç mbijetesës. Edhe në brendësi të shteteve, individët kanë interesa shumë të ndryshëm. Interesat e Drejtorit të Përgjithshëm të General Electric dhe ata të portierit të një ndërtese banimi nuk janë sigurisht të njëjtët. Ideologjia tipike e Shteteve të Bashkuara nis nga supozimi i pavërtetë se jemi të gjithë një familje e lumtur, që nuk ekzistojnë dallime klasash dhe që të gjithë bashkëpunojmë në harmoni. Është e qartë që nuk është aspak kështu. Në shtatëqindën, Adam Smithi shkruante se janë ata që zotërojnë pasuritë e një shoqërie që vendosin politikat e saj: “tregtarët dhe industrialistët”. Sot pushteti është në duart e institucioneve financiarë dhe të kompanive të mëdha shumëkombëshe. Këtyre institucioneve u intereson shumë zhvillimi i Kinës.
Drejtorët e Përgjithshëm të Walmart, të Dell apo të Hewlett-Packard janë shumë të kënaqur nëse sigurojnë krah pune me kosto të ulët që punon në kushte të padurueshëm dhe që të duhet të respektojnë më pak norma në mbrojtje të mjedisit. Për sa kohë që në Kinë vazhdon e ashtuquajtura rritje ekonomike, çdo gjë shkon mirë. Në të vërtetë, kjo rritje është më shumë një legjendë. Kina është në thelb një impiant montimi. Është një eksportuese e madhe, por ndërkohë që deficiti i bilancit tregtar të Shteteve të Bashkuara kundrejt Kinës është rritur, ai kundrejt Japonisë, Taivanit dhe Koresë së Jugut është ulur, gjë që do të thotë se është duke lindur një sistem rajonal prodhimi.
Shtetet më të përparuar të rajonit – Japonia, Singapori, Korea e Jugut dhe Taivani – dërgojnë komponentët e teknologjisë së tyre të përparuar në Kinë dhe kjo e fundit përdor krahun e lirë të punës për të montuar produktet dhe për t’i dërguar jashtë vendit. Dhe kompanitë amerikane bëjnë të njëjtën gjë: në Kinë, produktet përfundimtare vetëm sa montohen, për t’u rieksportuar. Flitet për eksporte të Kinës, por në shumë raste bëhet fjalë për eksporte rajonalë dhe në raste të tjerë janë pikërisht Shtetet e Bashkuara që i eksportojnë vetvetes.
Sapo dalim nga skema e shteteve kombe si entitete të bashkuara pa ndarje të brendshme, shohim që është duke ndodhur vërtetë një kalim i fuqive, por që nga forca globale e punës tek padronët e botës: tek kapitalet transnacionalë dhe institucionet financiarë globalë.
BE-ja ashpërson sanksionet ndaj Koresë së Veriut
Bashkimi Evropian reagoi ndaj provës së fundit bërthamore të Koresë së Veriut me ashpërsimin e sanksioneve kundër këtij vendi. “Kjo është një përgjigje ndaj një programi bërthamor, i cili përbën kërcënim jo vetëm për rajonin, por edhe për arkitekturën e sigurisë në botë”, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) në Bruksel.
“Koreja e Veriut shkel me provat me raketa bërthamore marrëveshjet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare civile”, – tha Westerwelle. Prandaj ashpërsimi i sanksioneve është “në interes të paqes, të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe të stabilitetit të rajonit”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. “Unë jam i bindur se ndaj regjimit të Koresë së Veriut duhet mbajtur qëndrim i ashpër dhe duhen ashpërsuar sanksionet ekzistuese”, tha edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Zhan Aselborn.
Prej sanksioneve janë të prekur jo vetëm personat që merren me tregti, por edhe firma të tilla që bëjnë tregti me mallra që mund të përdoren për prodhim armësh. Fjala është p.sh. për ngrirje llogarish bankare apo për ndalimin e furnizimeve me disa lloje alumini që përdoren për ndërtimin e rraketave bërthamore.
Sanksionet e BE-së prekin edhe sektorin financiar të Koresë së Veriut. Kështu ndalohet blerja e obligacioneve qeveritare koreano-veriore. Po ashtu ndalohet edhe tregtia e diamanteve, arit dhe metaleve të tjera të çmueshme me qeverinë e Koresë së Veriut. Bankave koreano-veriore u ndalohet të hapin degë në BE. Edhe bankave nga vendet e BE-së nuk u lejohet të zgjerojnë veprimtarinë në Korenë e Veriut.






