Tridhjetë vjet më parë, popullsia në vendin komunist ishte pak a shumë e barabartë, d.m.th të gjithë të varfër. Por tridhjetë vjet më pas, Kina është bërë si një nga kleptokracitë më të ashpra të botës, ku pabarazia është pothuajse njësoj si në vendet më të ashpra të Afrikës dhe Amerikës Latine
Qeveria harton plan për të luftuar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve
“The Economist”Muajin e kaluar, Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës raportoi se pabarazia po zvogëlohet ngadalë në këtë vend. Por zemërimi publik ndaj privilegjeve të pamerituara është shumë më i fortë. Zemërimi i shprehur në internet është gjithnjë e më i ashpër ndaj zyrtarëve të korruptuar, historitë e të cilëve janë shumë më rrëqethëse se sa statistikat.
Së fundmi, Gong Aiai, ish-zyrtare banke në provincën Shanxi u arrestua këtë javë me dyshimin se ka blerë 41 shtëpi në Pekin me letra të rreme identiteti. Por ajo duket se është njomëzake në korrupsion në krahasim me Zhao Haibin, një oficer policie në provincën Guangdong, i cili u akuzua se ka nën pronësi 192 shtëpi.
Kështu, kjo javë ishte rast i mirë për qeverinë e Kinës për të miratuar një plan për të luftuar pabarazinë. Plani është në mënyrë mbresëlënëse i gjerë në qëllime, por për fat të keq është shumë i varfër në specifika. I mbështetur nga Komisioni për Reforma dhe Zhvillim Kombëtar, organizmi planifikues i vendit, plani propozon 35 objektiva.
Te objektivat përfshihen disa rregullime të drejtpërdrejta për pabarazinë, të tilla si rritja e taksave për të pasurit dhe transferimi i parave te të varfrit. Por përfshihen edhe disa masa jo aq të qarta si liberalizimi i interesave artificialisht të ulëta të Kinës, të cilat transferojnë të ardhura nga kursimtarët te sipërmarrjet e uritura për investime.
Shumë qeveri përpiqen të rishpërndajnë të ardhurat pasi ato realizohen. Por ky plan synon të ndërhyjë më herët në proces. Kërkohet që një pjesë më e madhe e të ardhurave kombëtare të paguhen në formën e pagave, në vend që të paguhet në formën e fitimeve. Për këtë qëllim, paga minimale do të rritet me minimalisht 40 për qind për banorët e qyteteve deri në vitin 2015. Plani kërkon gjithashtu më shumë respekt për titujt e pronësisë dhe kompensim më të drejtë për ata që duan të shesin tokën tonë.
Shumë nga objektivat e planit janë në përputhje me tendencën ekzistuese. Qeveria ka rritur shpenzimet për arsim, ndihmë ekonomike, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për banesë, nga 30 për qind të të gjithë buxhetit të vet në vitin 2009, në 36 për qind vitin e kaluar, vë në dukje Qu Hongbin nga Banka HSBC.
Këto shpenzime do të duhet të rriten me 2 për qind të tjera gjatë tri viteve të ardhshme sipas planit. Sipërmarrjet nën pronësi shtetërore tashmë dorëzojnë mes 5 dhe 15 për qind të fitimeve të veta në formën e dividentit te buxheti i shtetit. Plani bën thirrje që kjo gjë të rritet me 5 për qind të tjera deri në vitin 2015.
Plani është më mirë vonë se sa kurrë. Miratimi i tij tregon se qeveria është e ndërgjegjshme nga ndarja shqetësuese e Kinës dhe është e egër të gjejë zgjidhje. Por a do t’i zbatojë qeveria këto masa që ajo ia ka propozuar vetes?
Ilaçi nuk kapërcehet gjithmonë lehtë. Tashmë ka vetëm dy vjet që qyteti i Shangait zbaton një taksë prone për shtëpitë luksoze, një projekt testues.
Plani bën thirrje që një taksë e tillë të zbatohet edhe në qytetet e tjera. Por vetëm një javë më parë, zyrtarët shprehën dyshime mbi praktikalitetin e zbatimit të kësaj takse dhe i bënë të qarta dyshimet e veta në një gazetë zyrtare. Zyrtarët e korruptuar që kanë nën pronësi një numër të stërmadh pronash aktualisht të pataksuara, duket se do të shpresojnë që dyshimet mbi praktikalitetin do të konvertohen në shtyrje të zbatimit të këtij plani.
Të gjithë kafshët janë të barabarta, por…
Siç e pati përshkruar më së miri George Orwell te libri “Ferma e Kafshëve”, “të gjithë kafshët janë të barabarta por disa kafshë janë edhe më të barabarta”. Kjo duket se po ndodh edhe në Kinë.
Një nga vendet me nivelin më të lartë të pabarazisë në botë është pa surprizë Afrika e Jugut. Falë Aparteidit, tregut diskriminues të punës dhe minierave monopol, në këtë vend 10 familjet më të pasura përfitojnë 58 për qind të të gjithë të ardhurave kombëtare. Koeficienti Gini për këtë vend, një tregues që mat pabarazinë nga 0 në 1, ku 0 është barazi e plotë dhe 1 është pabarazi e plotë, në rastin e Afrikës së Jugut është 0.7.
Por pabarazia e stërmadhe e Afrikës së Jugut shpejt mund të rivalizohet nga një rival i papritur: Kina komuniste. Sipas një vëzhgimi të kohëve të fundit, 10 përqindëshi i familjeve të pasura kineze përfitoi 57 për qind të të ardhurave kombëtare. Koeficienti Gini në këtë vend ishte 0.61, shumë më i lartë se sa vlerësimet e mëparshme, të cilat varionin mes 0.41 dhe 0.48.





