NJIHUNI ME NUMRIN E RI TË GAZETËS “DEVOLLI”


Nga: Murat Gecaj


1.
Tashmë, janë të njohura mjaft gazeta qendrore, pra që botohen në kryeqytetin tonë, por edhe në rrethe të ndryshme të vendit, bile edhe  nga shkollat e llojeve të ndryshme. Njëri nga këto organe shtypi, i cili del periodikisht dhe mban emrin e njërës ndër krahinat e bukura, në shkallë kombëtare, është gazeta “Devolli”. Sigurisht, ajo zonë me shumë tradita atdhetare, kulturore etj., ka mjaft figura të nderuara historike ose të fushave të larmishme të jetës. Po, për mua, ajo lidhet me një emër shumë të nderuar për të gjithë shqiptarët, pra me atë të poetit e shkrimatrit dhe personalitetit të shquar të kulturës dhe letërsisë sonë, Dritëro Agolli. Mjaft domethënëse janë vargjet e tij, vendosur në krye të faqes së parë të kësaj gazete: “…Dhe ky plis, ngaherë ish i fortë,/ shkoi në Europë, brodhi në Azi;/ por  kudo, nga flokët e gjer’ në thonjtë,/mbeti devolli!”
Po i shkruaja këto radhë dhe sillja në kujtesë ditën e djeshme,  kur ndodheshim në një sallë të Universitetit Mesdhetar të Tiranës. Aty po merrnim pjesë në përurimin e librit të ri, italisht,  të prof.Alfred Uçit, “Nga një shekull, në tjetrin”, botuar në Itali nga Instituti Mesdhetar, i cili drejtohet nga Mario Brunetti. Një zonjë e nderuar, sigurisht me lidhje të ngushta me krahinën dhe gazetën “Devolli”, ma dhuroi numrin e ri të saj. Me pas, mësova se ajo ishte kryeredaktorja, Ervehe Baruti. Ndërkaq, iu luta asaj që të më jepte edhe disa kopje të tjera, pasi aty ndodhej edhe kolegu e miku im, arsimtar e publicist, Ibrahim Hajdarmataj. Ai dëshironte që gazetën në fjalë ta dërgonte jo vetëm në fshatin e tij të bukur të lindjes, Zogaj i Tropojës, por edhe në qytetin e Gjakovës, të cilin ai e ka shumë afër me vendbanimin e tij. Sigurisht, ajo na e plotësoi me kënaqësi këtë kërkesë tonën.


2.
Tani, ajo veprimtari, për të cilën fola më lart, është kryer dhe unë e shfletoj me ngadalë gazetën “Devolli”, nr.1(82), janar 2013, me gjithësej  8 faqe.  Ky numër është sponsorizuar nga “Jon sh,p.k.” Për asyet, që dihen, pra të vështirësive financiare, kjo gazetë është  me letër të thjeshtë dhe, sigurisht, pa ngjyra etj. Siç veprohet rëndom, në faqen e parë janë shënuar titujt e shkrimeve kryesore, që lexuesi i gjen në brendësi të gazetës përkatëse.
Në faqen e dytë, është botuar shkrimi me titullin,”Fotografi Gjon Mili, artist devolli, i rangut botëror”(nga V.Demiras), shoqeruar me disa fotografi. Ndërsa faqja e tretë hapet me shkrimin, në kujtim të prof. Thimaq Fundo, me rastin e njëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, “Një trandafil, në zemrën e gjithësecilit, që nuk thahet në vite!” Me fjalët aq domethënëse: “Faleminderit, Profesor”, shkrimi është nënshkruar nga disa veta. Po në atë faqe, është shkrimi tjetër, që nuk do shumë koment, “Elez Gjoka, trinom i rrallë: Sportist i talentuar, President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.2, Tiranë”.
Vëmendjen e lexuesit, në faqet 4 e 5, e tërheq shkrimi me temë nga historia, kushtuar atdhetarit Kristo Uçi-Shqiptari, me autor prof. Alfred Uçin. Ndër të tjera, aty mësojmë se Kristoja, me dajën e tij, Ilia Koten, formuan në Bukuresht e në Kostancë një shoqatë atdhetare, me emrin domethënës, “Bashkimi”.  Një ndër anëtarët më aktivë të saj, ishte miku i Kristos, Dr.Ibrahim Temo. Përkrah fotos së tij, me të birin, Mina Uçi, nga autori i shkrimit janë shënuar këto radhë, kur flitet për kthimin në Atdhe: “Kristo Uçi, menjehërë, filloi ta shesë pasurinë, që kishte venë në Rumani, punë që s’ishte e lehtë në kushtet, kur Ballkani ishte i pushtuar nga luftërat…”.
Në faqen e dytë të kësaj gazete janë botuar vjersha nga: Fatos Hoxha e Ilirian Ceko dhe një shkrim kushtuar librit për Reshat Pajollin, “Qeshim me shpirt, duke qarë”. Natyrshëm, kishim dëshirë të lexonim në këtë numër gazetë edhe disa poezi të poetit tonë kombëtar, Dritëro Agolli. Ato mbajnë këta tituj: “Invalidi”, “Profeti i nemur”, Te porta e shpresës”, “Vdekja e Nënës”, “Perëndimi i diellit”, “Kur njeriu…”, “ I përndjekuri i dashurisë” dhe “Pleqtë e hyrjes së parë”. Në poezinë e fundit, “Të vërteta të fshehura”, janë edhe këto radhë: “Unë ujkut te vatha e dhënëve/ një grackë dinake i ngreh;/ ti zgjohu nga lajmet e qenëve / dhe pyet mua: -Ku je?”
Në hapjen e faqes së fundit janë botuar: tri poezi të Demir Gjergjit, një “fjalëkryq” dhe shkrimi “Fidanishtet frutore, bazë për zhvillimin e vrullshëm të pemëtarisë”, nga Skënder Demolli.
Zv.kryeredaktor i gazetës është Viktor Demiras dhe redaktorë: Hysen Koçillari, Ismet Larti e Endri Fifo.
I urojmë nga zemra, këtij organi shtypi, vazhdimësi dhe arritje të reja, në shërbim të banorëve të Devollit, të bashkëkrahinasve të tij e më gjerë!

Tiranë, 14 shkurt 2013