Në Soki, oligarku rus po hedh miliarda dollarë për të habitur botën për pak ditë
Në malin mbi qytetin rus të Detit të Zi, Soki, një nga njerëzit më të pasur të Rusisë po shpenzon miliarda për të transformuar një copë mali në një ekspoze që duhet të habisë botën. Manjati i metalurgjisë, Vladimir Potanin ka paguar për ndërtesa të reja, teleferikë dhe qindra topa dëbore me shpresë se do të transformojë një zonë jo shumë larg qytetit me klimë sub-tropikale në një resort skish të klasit botëror.
Si shumica e planeve për Lojërat Olimpike dimërore vitin e ardhshëm, ambiciet e Rusisë për fshatin e skive dhe ambientet e tjera janë të stërmëdha në shkallë. Investimet totale për ta kthyer një rajon të përgjumur në një vend të përshtatshme për mikpritjen e mijëra konkurrentëve, si dhe medias botërore, pritet të kushtojë mbi 50 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të agjencisë së lajmeve RIA Novosti.
Kjo shumë mjafton për t’i bërë këto lojëra olimpike më të shtrenjtat të zhvilluara ndonjëherë, dhe jo thjesht më të shtrenjtat, por shumë herë më të shtrenjta sesa lojërat më të kushtueshme të organizuara më parë. Lojërat Olimpike dimërore të zhvilluara në Kanada në vitin 2010 kushtuan “vetëm” 3.6 miliardë dollarë, megjithëse disa vlerësime thonë se kanë kushtuar afërsisht 6 miliardë dollarë.
Por ndërsa Presidentit Vladimir Putin as nuk i ka lëvizur qerpiku nga shpenzimet marramendëse të Sokit, shumë oligarkë të rekrutuar nga Putin për të paguar faturat po mërziten disi nga ideja se nuk po e kanë të qartë se sa shumë duhet të angazhohen. Në një sfidë shumë të rrallë ndaj Kremlinit, disa prej tyre së fundmi kërkuan që shteti t’i ndihmojë për përballimin e një pjese të kostos.
Megjithëse shifrat e sakta dhe se kush po i paguan shpenzimet janë të fshehta, RIA Novosti thotë se investitorët privatë kanë shpenzuar deri tani 25 miliardë, ndërsa qeveria ka mbuluar rreth 13 miliardë dollarë shpenzime.
Potanin, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 14.5 miliardë dollarë, klasifikohet si i katërti më i pasur në Rusi sipas “Forbes”. Por edhe ai po ankohet për së paku 530 milionë dollarë punë shtesë që i është kërkuar kompanisë së tij. Tashmë ai dëshiron që qeveria të rrisë kontributin për projektet duke ulur interesat e kredive për borxhet e tij. Ai ka një kredi prej 750 milionë dollarësh nga një bankë shtetërore.
“Ne po zhvillojmë bisedime me qeverinë për kompensimin e një pjese të këtyre shpenzimeve përmes subvencionimit të interesave të kredive”, tha Potanin duke folur për “Reuters”. “Shumë e shohin këtë si një formë mbështetjeje nga qeveria. Por në fakt është vetëm një kompensim për shpenzimet, të cilat nuk janë karakteristike për projekte komerciale”.
Oleg Deripaska, një oligark tjetër miliarder ka ankesa të ngjashme, të cilat vënë në dukje lidhjen simbiotike mes Putinit dhe elitës së pasur të vendit”.
“Gjëja që oligarkët kanë në dorë në këto bisedime me qeverinë, është fakti që qeveria dëshiron që punimet të përfundojnë më 2014 dhe ato mund të kërcënojnë me vonesa për punimet”, komenton një ish-investitor perëndimor në Rusi.
Putin dëshiron që lojërat olimpike të japin një imazh pozitiv për Rusinë përballë botës dhe mund të durojë trashjen e shpenzimeve me një buzëqeshje të lehtë. Vetë qeveria thotë se mosmarrëveshjet që ka me investitorët dhe ndërtuesit janë pothuajse të pashmangshme kur flitet për projekte të shkallës së madhe.
Në sytë e shumë rusëve, fitorja e vendit të zhvillimit të Lojërave Olimpike i dedikohet vetëm Presidentit Putin, i cili në vitin 2007, shkoi në Guatemala para Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe foli në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht. Ai prezantoi një plan ambicioz për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme olimpike përmes partneritetit publik dhe privat duke e nisur nga zero, në një nga zonat më pak të zhvilluara të Rusisë.
Oligarkët duket se qenë të interesuar të merrnin pjesë në investim, sepse në këtë mënyrë i hapet rruga për të fituar asete të tjera publike e kontrata punimesh, tipike për një vend autokratik. Infrastruktura pritet të mbetet një treg në rritje, ndërsa qytetet e Rusisë po punojnë për të zëvendësuar objektet e vjetruara të epokës sovjetike si p.sh, stadiumet, të cilat do të rinovohen për të zhvilluar Kampionatin Botëror të futbollit në vitin 2018. Ekspertët mendojnë se shpenzimet për infrastrukturë do të jenë 7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Rusisë së paku deri në vitin 2018.
Shumë vëzhgues të Rusisë besojnë se pasunarët e Rusisë e mbajnë pasurinë e tyre thjesht dhe për aq kohë sa i pëlqen Kremlinit. Rrjedhimisht ata nuk mund të thonë “jo” kur Putini i thërret për të shpenzuar në projekte që nuk kanë vlerë ekonomike.
Disa njerëz në Rusi u pasuruan gjatë viteve kaotike pas rënies së Bashkimit Sovjetik duke blerë burime nafte e fabrika për çmime qesharake. Potanin e krijoi pasurinë e tij të parë si bankier që merrej me llogaritë e shtetit. Ai ka aktualisht aksione në kompaninë shtetërore të prodhimit të nikelit, aksione që i mori në shkëmbim të investimeve për lojërat olimpike. Deripaska, një ish-mjek, arriti të kontrollojë RUSAL, kompaninë më të madhe të botës për prodhimin e aluminit dhe do të marrë edhe 27.8 për qind të aksioneve të kompanisë “Norilsk Nikel”.
Home »
» Lojërat Olimpike, më të shtrenjtat në histori






