Liria ekonomike në "turlitavën" ballkanike


Abdylmenaf Bexheti




Ata që e analizojnë më thellë indikatorin, do të shohin se për Europë publikohet nga viti 1995 dhe mesatarja ka qenë rreth 60 pikë indeksi, kurse Maqedonia "inkuadrohet" në këtë radhitje nga viti 2002, kur ky indeks ka qene rreth 60 pikë dhe sot, 10 vite më vonë, kemi vetëm 7-8 pikë përmirësim, kryesisht ne politikat fiskale të "tatimeve të ulëta" që janë shumë diskutabile sa janë të  "drejta"!

Liria ekonomike konsiderohet postulat bazik për një ekonomi kombëtare dhe indikatori sistetik që shpreh atë – indeksi i lirisë ekonomike paraqet parametër të rëndësishëm në udhërëfimin e destinimit të investimeve. "Fondacioni Heritage" (si OJQ e UNESCO-s) në bashkëpunim me "Wall Street Journal – WSJ" paraqesin institucione shumë reputative, të cilat kujdesen për "matjen" e lirisë ekonomike në shkallë globale. Ato e shpjegojnë shumë profesionalisht edhe metodologjinë e përllogaritjes, si dhe strukturën e secilit indeks individual, por ama kush dhe si e kupton e interpreton këtë matës kompleks?! Në këtë aspekt, rezultatet e ekonomive ballkanike janë paradoksale me rezultatin e këtij parametri sintetik, posaçërisht ekonomia e Maqedonisë dhe indikatori i investimeve me theks të veçantë në investimet e huaja direkte! Parametri bazik i një investitori të huaj është sa ka vendi liri ekonomike?! Në këtë aspekt, definitivisht dua ta kontestoj "optikën sipërfaqësore" që përdorin klasat politike në vendet ballkanike, gjithnjë për të keqinterpretuar dhe shpallur "fitoret" me masat e tyre ekonomike. Kështu, si zakonisht 4-5 vitet e fundit, edhe në këtë fillimvit "trumfalistët" vendorë nuk e lëshuan rastin pa u "puplitur" para opinionit të painformuar kur i "promovuan" këto rezultate!
Në shpjegimet hyrëse të Fondacionit përkufizohet edhe koncepti "Liria ekonomike" dhe shprehimisht thuhet: "... ajo është çelës për oportunitete të mëdha dhe përmirësim i cilësisë së jetës,... është liria e zgjedhjes si të prodhoni, shitni dhe përdorni resurset tuaja, gjithnjë duke respektuar të drejtat e tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë,..." Ekonomisti i famshëm, babai i liberalizmit ekonomik, Milton dhe Rose Friedman në një nga veprat bazike të tij "Liria e zgjedhjes" (Free to choise), mes tjerash, shprehet: "...pas revolucionit amerikan, në fillim të shek. 19-të,  kur SHBA-të u etabluan, miliona njerëz ia mësynë Oqeanit Atlantik për tokën e premtimeve, jo se i priste rruga e shtuar me ari dhe jeta shumë e lehtë, por ata gjetën lirinë e oportunitetin për të bërë më shumë se talentet dhe aftësitë e tyre,...". Kjo ishte dhe mbetet mrekullia e SHBA-ve.
Në publikimet e radhës në javën e parë të vitit ekonomia e regjionit (posaçërisht vendet me ngecje me të madhe ekonomike, si Maqedonia, Shqipëria...) pothuajse "shkëlqeu" me këto indekse! Maqedonia me indeks sintetik 68,2 u radhit e 21-ta në Europë dhe e 43-ta në botë, bile më mirë se Bullgaria e shumë më mirë se Sllovenia! Shqipëria aty pranë, me indeks sintetik 65,2 (gjithashtu më e "mirë" se Bullgaria dhe Sllovenia) u radhit e 27-ta në Europë dhe e 58-ta në botë! Ata që e analizojnë më thellë indikatorin, do të shohin se për Europë publikohet që nga viti 1995 dhe mesatarja ka qenë rreth 60 pikë indeksi, kurse Maqedonia "inkuadrohet" në këtë radhitje nga viti 2002, kur ky indeks ka qenë rreth 60 pikë dhe, sot 10 vite më vonë, kemi vetëm 7-8 pikë përmirësim, kryesisht në politikat fiskale të "tatimeve të ulëta", që janë shumë diskutabile sa janë "të drejta"! "Drejtshmërinë e tatimeve dhe shpërndarjen e barrës tatimore në Maqedoni e kemi trajtuar disa herë po në këtë revistë! Pra, çfarë suksesi na qenka ky "triumf" i ministrit të Financave që na "krekoset në mexhlis"? Njohësit, për të mos thënë studiuesit e sistemeve dhe strukturës ekonomike të këtyre vendeve, mund të jenë befasuar, por jo edhe ekonomistët që e analizojnë brendinë dhe përmbajtjen e indeksit famoz! Ne, ekonomistët e kësaj fushe, kemi "telashe" me këtë indikator "sarmë", ngjashëm si edhe me disa indikatorë të tjerë sintetikë, si Indeksi i Zhvillimit Njerëzor i PNUD-it (Human Development Indeks, UNDP-UN).
Nëse do ta shpjegonim për lexuesin joekonomist (bile edhe disa "ekonomistë" e kanë vështirë ta kuptojnë), ky indikator i ashtuquajtur sintetist nënkupton "të gjitha në të"! Ai përmban 10 indikatorë individualë (edhe ato si të tillë nuk janë me fragmentim analitik të mjaftueshëm), duke filluar nga niveli i bizneseve, tregtia e jashtme, liria fiskale, monetare dhe e tregut të punës, e deri te shpenzimet publike qeveritare e të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale. Pra, është një "turlitavë ballkanike" e përzier edhe me "mëlmesa dhe perime" planetare! Kjo servisohet në shtetet e veçanta me situata shumë specifike politike, ekonomike, kulturore, ambientale,... dhe eja e gjeje "shijen" lokale! Të shkojmë pak "përtej" në këtë thellësi analitike dhe të ndalemi te "oazat e lirisë" së regjionit – Maqedoni dhe Shqipëri!
Nënindeksi i parë dhe kryesor i lirisë ekonomike është "Rregulla e Ligjit" (Rule of Law) me dy nënindekse – të drejtat e pronës dhe liria nga korrupsioni! Si Maqedonia, ashtu edhe Shqipëria, janë në nivel mezerie. Maqedonia me të drejtat e pronës radhitet në vendin e 91-të (me indeks 35 nga 68,2 indeksi mesatar i vendit), kurse Shqipëria në vendin 94-tërt (me indeks 30,0 nga 65,2 indeksi mesatar i vendit). Korrupsioni gjithashtu është shumë më keq se "sarma mesatare", edhe pse Maqedonia qëndron "më mirë" se Shqipëria!
Nënindeksi i dytë është "Qeveria e limituar" (Limited Government) në kuptimin e nivelit të lirisë fiskale ose normave individuale tatimore dhe nivelit të shpenzimeve publike. Me këto indekse individuale të dyja vendet qëndrojnë shkëlqyeshëm – janë lider bindës në regjion (kuptimi regjion – Europë)! Maqedonia rangohet në vendin 24-tërt (me indeks të lirisë fiskale 91,4 dhe shpenzime publike 69,1, me të dy indekset dukshëm mbi indeksin mesatar të vendit), kurse Shqipëria radhitet në vendin e 20-të (me indeks 92,6 të lirisë fiskale dhe 75,1 të shpenzimeve qeveritare, me të dy indekset dukshëm edhe shumë më mirë se Maqedonia dhe indeksi sintetik i vendit). Atëherë "të përkthejmë" pak këtë shkëlqyeshmëri! Rangimet për lirinë fiskale bëhen mbi baza të normave të tatimeve, kryesisht të tatimeve në të ardhura (gjitha llojet e të ardhurave) – të dyja vendet i kanë normat e sheshta prej 10% dhe nivelin e përafërt të TVSH-së (më pak se 20%). Normat e ulëta tatimore nuk nënkuptojnë barrën e ulët fiskale, posaçërisht jo në sistemet tona fiskale. Bile, në kushtet e "kulturës fiskale regjionale" përcaktues i barrës tatimore më shumë është baza tatimore sesa norma. Por, "Heritage" dhe "WSJ" këtë e matin vetëm përmes normave tatimore. Po të analizohet më thellë rasti, duken bile edhe (pa)drejtshmëria fiskale e këtyre vendeve, posaçërisht e Maqedonisë, e cila ka sistem të skajshëm regresiv fiskal – shtresat e varfra dhe të mesme (nëse ka) i mbushin buxhetet dhe fondet publike të vendeve përkatëse, që është një temë e veçantë për trajtim. Çmenduritë dalin në sipërfaqe me shpenzimet publike. Publikuesit i matin përmes % në PBB-në e vendit, andaj rezulton që Maqedonia është rreth 36%, kurse Shqipëria më pak se 30% (nivelin më të ulët në regjion – Europë). Po ku qëndron sektori publik i këtyre vendeve, p.sh. krahasuar me Greqinë, e cila është "në fund të tabelës së rangimit botëror! "Matësit" e Heritage-s dhe WSJ-së a kanë lëvizur nëpër autostradat e Greqisë, a i kanë parë parqet dhe plazhet e Greqisë,... apo i kanë parë rrugët e arnuara magjistrale të Maqedonisë dhe, sigurisht, nuk kanë kaluar nëpër rrugën magjistrale të Shqipërisë, p.sh. në hyrje të Rogozhinës! A i shohin sistemet energjetike të këtyre vendeve – akoma s'kemi drita stabile nëpër banesa e të mos flasim për ndriçimet publike të qyteteve me mbi 100.000 banorë dhe mungesën elementare të ujit të pijshëm (p.sh. Tetova në festat e fundvitit dhe mbi një dekadë ka problem me ujin e pijshëm). Sigurisht që nuk i shohin ata, por ama ne, qytetarët e këtyre vendeve, po i përjetojmë me indinjatë shpalljet e tyre! Ç'janë këto matje dhe peshoja të institucioneve nga Nju-Jorku?! Sigurisht që ata nuk e shohin strukturën e shpenzimeve publike në Maqedoni, ku ne i kullotim sytë me skulptura ani se kemi etje për ujë...., e krejt kjo në 5-6 vitet e fundit, kur edhe indeksi i "Lirisë ekonomike" të Maqedonisë shënon përmirësim të dukshëm përreth 6-7 pikë dhe vendi "triumfon" në regjion dhe promovohet në faqet të para të gazetave të këtij fillimviti. Ne jemi mësuar me paradokse të këtij lloji, tash e 5-6 vite jemi të parët në "Doing Business" të Bankës Botërore! Çfarë ndodhë me këto institucione reputative? Në zyrat e tyre, aty ku gatuhen dhe jepen këto raporte, a punojnë "militantët" e pushtetit apo ata kanë probleme institucionale? I rikujtojmë ata se në këtë planet global, posaçërisht në këtë teknologji informatike edhe në Afrikë, turlitavat e tyre "nuk konsumohen më të gatshme" për koniunktura ditore politike. Inferioriteti profesional edhe karshi këtyre institucioneve ka kohë që ka kaluar në histori për ne.