Korrespondentja legjendare e “Times” ndahet nga jeta

Gazetarja e lindur në Jugosllavi raportoi disa nga ngjarjet më të trazuara në Europën Lindore gjatë Luftës së Ftohtë dhe më vonë u përplas me qeverinë e Sllobodan Millosheviçit, gjë që i kushtoi personalisht
Dessa Trevisan
Marc Tanner, BIRN, Londër


Diva e shtypit në Beograd, në vitet 1980 dhe fillim të viteve 1990, kritike e mprehtë e Sllobodan Millosheviçit dhe një nga lidhjet e fundit me botën e monarkisë së para luftës në Jugosllavi, vdiq në Londër në moshën 88-vjeçare.
Dessa Trevisan, e lindur në familjen Pavlovic, pati një fëmijëri të turbullt dhe përjetoi disa nga ngjarjet më traumatike të Jugosllavisë së shekullit të 20. Fëmijë e prindërve të pasur – babi i saj ishte serb dhe nëna kroate – vitet e para të jetës ishin të privilegjuar. Duke jetuar në Zagreb dhe Beograd ishte shoqe fëmijërie me mbretin Peter të Jugosllavisë.
Por, në moshën e adoleshencës, mbi të u mblodhën retë e stuhisë. Familja e saj u detyrua të arratisej nga Zagrebi me tren mbrëmjen e pushtimit nga forcat Ustash në vitin 1941, rrethana të cilat i lanë një mospëlqim për nacionalizmin kroat.
Disa vite më vonë, pushtimi komunist i Jugosllavisë i shkaktoi trauma të tjera. Shumica e pronave të familjes u konfiskuan, babai i saj u burgos, dhe Trevisan fajësoi për vetëvrasjen e vëllait persekutimin që ajo dhe anëtarë të tjerë të borgjezisë së vjetër përjetuan në botën e egër të viteve 1940 dhe 1950.
Një nga shkrimet e saj më të bujshme ishte reportazhi për martesën e presidentit Tito me serben e Kroacisë, tërheqëse dhe elegante, e quajtur Jovanka, të cilën Trevisan e kujtonte si figurë serioze dhe të hijshme në ditët e para të martesës
Tridhjetë vitet e mëpasshme e panë Trevisanin në kulmin e karrierës si reportere në Europën Lindore, me mbulim në kohë reale me lëvizjen e Rumanisë për t’u bërë më e pavarur nga Bashkimi Sovjetik, ngritjen dhe rënien e eksperimentit çek në socializëm dhe lëvizjen “Fytyra Njerëzore dhe Solidaritet” në Poloni.
Trevisan – emër që e pati nga bashkëshorti italian – u kthye për t’u kujdesur për nënën e saj në Beograd, në vitet 1980, dhe më pas vendosi për të jetuar në kryeqytetin jugosllav.
Aty u bë figurë e njohur, që pati një lloj salloni joformal gjatë ditës në restorantin në qendrën ndërkombëtare të shtypit në praninë e nënës së saj të veshur në mënyrë elegante dhe natën e kalonte me grupe gazetarësh dhe diplomatësh, duke ngrënë pata në zgarë në Klubin e Shkrimtarëve në rrugën “Francuska”.
Iu desh të përballonte faktin se nëna e saj as shumë e dashur nuk e dinte më se kush ishte, e bindur se jetonte në Austro-Hungari në vitet 1900 dhe kishte zakon të këndonte me zë të lartë refrenin e këngës kroate “Hrvatska nije propala dok mi zivimo” [Kroacia nuk do të rrëzohet deri sa të jetojmë ne], dhe për shkak të kësaj, ajo dhe Dessa u përzunë jashtë nga një taksi një herë.
Ndërsa Trevisan po përballonte përkeqësimin mendor të nënës së saj, e gjeti veten në një situatë të vështirë me valën e re të nacionalizmit serb nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit, që e urrente dhe ishte e bindur se do ta çonte vendin në errësirë.
Pikëpamjet e saj për konfliktin në Kosovë ishin në fakt më me nuancë sesa shumë persona mendonin dhe e shikonte kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës me pak mosbesim. Por ishte e bindur se taktikat agresive të Millosheviçit në provincën e atëhershme ishin shkatërrimtare, dhe për shkak të kësaj, prishi marrëdhëniet me pjesën më të madhe të miqve më të afërt serbë, përfshirë drejtoreshën e teatrit, Mira Trailovic.
Regjimi e konsideronte tradhtare të Serbisë dhe ndihej e rrethuar në apartamentin e saj në Palmoticeva, ku disa herë mori kërcënime për vdekje dhe një herë u qëllua në rrugë.
Trevisan e humbi durimin me Franjo Tudjmanin, kur ky i fundit justifikoi regjimin Ustasha në Kroaci. Ajo ishte po aq ashpër ndaj taktikave të Milloshevicit në Kroaci.
Plaçkitja e zonave të pushtuara nga serbët në Kroaci e neveriti dhe shpërtheu me zemërim gjatë kulmit të luftës në Kroaci kur një kamerier në Klubin e Shkrimtarëve bëri gabim dhe i shërbeu verë nga krahinat përreth Vukovarit.
“Çfarë është kjo?”, – tha ajo, duke parë gotën me shikim të egër. “Verë nga Ilok? E vjedhur! Si guxon dhe më shërben verë të vjedhur!”, ulëriti. Kamerieri u zhduk në qilar me shishen ofenduese dhe u kthye me diçka më pak kontroverse.
Ajo informonte çdo vizitor dhe diplomat të huaj që takonte kundër Milosheviçit dhe kur e ndiente se nuk kishte pasur shumë sukses, e mundte heshtjen me frazën “Shiko! I njoh unë këta njerëz! Ishte fanse e zjarrtë e kundërshtarit kryesor të Milosheviçit, Vuk Drashkoviç.
Me pamundësi për ta larguar me shantazhe, regjimi e largoi duke i marrë akreditimin dhe kështu doli në pension në vitin 1993 në Londër, dhe ia la vendin përfundimisht Tim Judah në “Times”.
Sidoqoftë, jeta e re në Londër nuk i solli paqe. Për gjithë urrejtjen për regjimin e Millosheviçit dhe koston e lartë që kundërshtimi i saj i solli, nuk mundi të falte atdheun e saj të ri për rolin që pati në bombardimet kundër Serbisë në vitin 1999, ndoshta sepse i ktheu kujtimet e bombardimeve që përjetoi në vitin 1941.
Si rezultat, e shkundi pluhurin e Londrës nga këmbët dhe shkoi në Mal të Zi, ku kaloi vitet e fundit të jetës deri sa u sëmur. Donkishoteske dhe disa herë e dëshpëruar, do të mbahet mend për dashurinë për jetën dhe bujarinë e madhe.