Ajri i thatë dhe i ftohtë i dimrit mund t’i shkaktojë shumë dëme lëkurës suaj, prandaj është shumë e dobishme ta mbani atë të lagësht dhe të shëndetshme.Përkujdesje
Gjatë sezonit të verës, kujdesi ndaj lëkurës duhet të jetë i madh, pasi janë të shumta problemet që mund të na shkaktojë dielli. Dermatologu Nikolas Perikone shprehet se edhe gjatë dimrit, duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi fytyrës, pasi thjesht të mbështjellja me shall nuk është përkujdesja e duhur. Sa më shumë të bien temperaturat në dimër, aq më pak avuj uji qarkullojnë në ajër.
Lagështia e ajrit. Dëshira jonë për të pasur shtëpi të ngrohta deri në maksimum, shteron ajrin në dhomë, duke bërë që lëkura jonë të dëmtohet. Rritni lagështinë e ajrit në nivelin 50 deri në 60 për qind, këshillon Perikone. Dritaret e lagështa të formuara nga procesi i kondensimit ndikojnë shumë në nivelet e lagështisë në shtëpi.
Kini kujdes me detergjentet. Përdorni sapun që nuk e irriton fytyrën dhe shmangni llojet e ndryshme antibakteriale, sepse ata përmbajnë më pak lëndë që luftojnë thatësirën. Kërkoni për produkte që kanë efekte zbutëse ose qetësuese për fytyrën si për shembull ato me lanolinë ose me vaj luledielli. Teksa e aplikoni përpiquni t’i mbani sa më gjatë dhe të bëni dushe të vakëta. Uji i ngrohtë shkatërron barrierat e lipideve dhe largon lagështinë natyrale të trupit. Sa më shumë të qëndroni në ujë dhe sa më i ngrohtë të jetë ai, aq më shumë do të thahet lëkura juaj. Ndryshe nga duart e ashpra dhe me lëkurë të trashë, lëkura delikate e fytyrës ka nevojë për përdorimin e lëndëve të kujdesit kozmetik për lagështim artificial kur ajo është e thatë. Një mënyrë e mirë për këtë është përdorimi i kremrave me limon, të cilët bëjnë punë në shumë lloje të ndryshme lëkurash. Buzët nuk përmbajnë gjëndra të yndyrës, ndaj ato kanë nevojë për produkte që t’i mbrojnë nga thatësia.
Lëkurë e njomë. Pas dushit është koha më e mirë për të grumbulluar rezervat ujore të lëkurës. Thajeni trupin ngadalë me një peshqir të butë dhe në këtë mënyrë evitoni largimin e të gjithë lagështisë nga lëkura. Çelësi i të pasurit një lëkurë të njomë, është të përdorni kremra kundër thatësirës, të cilat përmbajnë esenca kamomili, vitaminën B5 dhe glicerinë. Në tregun kozmetik ka edhe shumë produkte të tjera për rigjenerimin e lëkurës apo për shtresëzimin e saj me kremra të shumtë, por dermatologu Perikone thotë se ato nuk janë shumë të nevojshme në këtë rast. Një lëkurë normale është vetë e shtresëzuar dhe e shëndetshme. Pudrosja e fytyrës, nëse aplikohet, duhet të përdoret shumë pak, një herë në javë është e mjaftueshme. Nëse ju e teproni me trajtimin e shtresëzimit të fytyrës, atëherë ajo do të shkatërrojë mbrojtjen e lëkurës dhe do të pakësojë lagështinë e saj.
Dielli dimëror. Pavarësisht se dielli i dimrit nuk ka të njëjtën fuqi si ai i verës, përdorimi i kremrave për kujdesin ndaj diellit është akoma i rëndësishëm, thonë ekspertët. Është një gabim i madh të mos vësh krem kundër diellit gjatë dimrit dhe të mendosh se tualeti që ke vënë mbart mjaftueshëm lënë mbrojtëse. Njollat e vogla ngjyrë kafe, arrijnë të fshihen shumë mirë gjatë shkëlqimit të verës, por në dimër ato bëhen mjaft të dukshme. Melanina që ndodhet në lëkurën tonë reagon ndaj diellit duke e bërë trupin tonë ngjyrë kafe. Ekspozimi i madh mund të rezultojë në një çrregullim të pigmenteve që mbart lëkura, të cilat shkaktojnë njolla. Disa doktorë i diagnostikojnë këto njolla si pikëza ose njollat diellore, por ka edhe njolla të moshës, të cilat formohen si një kombinim i rritjes së moshës dhe diellit të tepërt. Trajtimet e ndryshme me antioksidantë, siç janë acidi alfa lipoid ose pycnogenoli, mund të ndihmojnë në pakësimin e pikëzave.
Koha e duhur për të shkuar te mjeku. Shumë njerëz e trajtojnë fytyrën e thatë në shtëpi dhe ia dalin me sukses. Por kur e shohin se ndonjëherë nuk po jep rezultat, ata i drejtohen mjekut të nevrikosur. Revista “Young” këshillon të shikoni me kujdes për simptoma si lëkurë shumë e kuqe, e irrituar nga brenda apo me akne dhe kur keni ndjesinë e tmerrshme të djegies, si kohën e duhur për të shkuar të shqetësuar te mjeku. Duhet pasur kujdes edhe me përzgjedhjen e markave të produkteve kozmetike që përdoren, ato shpesh janë të falsifikuara dhe japin efekte të dëmshme ose të kundërta. Duke pasur parasysh që lëkura është një pjesë shumë e ndjeshme dhe delikate e trupit, mos u ndikoni nga fatura që mund të merrni.





