Katari: Superfuqia e lindur nga rezervat e gazit



Për shumicën e qeverive perëndimore dhe zyrtarëve, ndikimi i Katarit dhe emirit Sheik Hamad bin Khalifa al-Thani shikohet si gjerësisht pozitiv. Por fqinjët e Katarit janë gjithsesi të shqetësuar
Peter Apps dhe Regan Doherty,
Reuters






Në qendër të Kajros, djem të rinj mbajnë një flamur që po digjet përballë kamerave për të treguar zemërimin e tyre nga një komb që besojnë se po përzihet në punët e brendshme të vendit të tyre dhe në Lindje të Mesme në përgjithësi.
Kjo është një pamje e njohur, por nuk është flamuri amerikan ai që po digjet. Në fakt, është flamuri i Katarit, shtetit të vogël në Gjirin Persik që ka përdorur miliardat e veta për të përhapur ndikimin e vet pas valës së “Pranverës arabe”.
Për shumicën e qeverive perëndimore dhe zyrtarëve, ndikimi i Katarit dhe emirit Sheik Hamad bin Khalifa al-Thani shikohet si gjerësisht pozitiv. Por fqinjët e Katarit janë gjithsesi të shqetësuar.
Në Egjipt, Libi dhe Siri, ku Katari është përpjekur të ketë një rol pas “Pranverës arabe”, ky vend e gjen veten të akuzuar për shumë nga gjërat që kanë shkuar keq në nivel vendor. Lidhjet e ngushta me udhëheqësit e rinj të Egjiptit, Vëllazërinë Myslimane, kanë alarmuar vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ky grupim islamik është ende i ndaluar dhe në janar, në këtë vend, u njoftua se ishte zbuluar një komplot i organizuar prej tyre.
Zyrtarë të lartë në Emirate kanë besuar prej shumë kohësh se strategjia afatgjatë e Katarit është që të përdorë Vëllazërinë për të riorganizuar rajonin. “Ka një vlerësim gjithnjë e më të madh për Katarin dy vjet pas revolucionit arab në rajon”, thotë Taufiq Rahim, drejtor ekzekutiv i një grupi konsulence gjeopolitike me qendër në Dubai me emrin “Globesight”.
“Ndërsa para revolucioneve, Katari shihej më shumë si ndërmjetës, politika e saj e jashtme së fundmi është bërë shumë më aktive dhe në disa raste, partizane”.
Disa analistë perëndimorë e diplomatë besojnë se udhëheqësit e Katarit kanë arritur të improvizojnë me eficencë rrugën e tyre në një hartë të re, duke eksperimentuar për të parë se çfarë mund të arrijnë me pasurinë e stërmadhe që është krijuar nga rezerva e gazit gjatë 15 viteve të fundit. Shteti i vogël qëndron ende mbi një fushë gazi ku gjenden rezerva me vlerë 17 trilionë dollarë që presin të nxirren në sipërfaqe.
Të tjerë, gjithsesi, e shohin politikën e Katarit si një strategji shumë më tepër të mirëmenduar. “Ajo që po shohim është një lojë pokeri me shuma të mëdha për të ardhmen e Lindjes së Mesme”, tha një diplomat perëndimor në kushtet e anonimitetit.
Edhe mbështetësit janë të shqetësuar se ky vend ndoshta po tejkalon kufijtë, duke krijuar një reputacion dhe duke mbështetur grupime të favorizuara. “Ka një vlerësim të gjithëpërhapur për rolin pozitiv që Katari po luan në rajon”, thotë Ari Ratner, një ish-këshilltar i Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme. “Për momentin po shohim se ka një konsensus të gjerë se vetë katarasit do të kryejnë punë më të mirë, duke ofruar ndihmë dhe duke punuar me qeveritë aktuale në vend që të mbështesin fraksionet e parapëlqyer prej tyre”.
Vëllazëria Myslimane?
Emirati ka qenë prej shumë kohësh një vend kontradiktor. Ndërsa në shumë mënyra është një nga më konservatorët mes shteteve të Gjirit, ajo ka dalë edhe mbështetëse entuziaste e ndryshimeve të sjella nga “Pranvera arabe”.
Nga 1.9 milionë njerëzit që jetojnë aty, vetëm 250 mijë janë kataras etnikë, shumica e të cilëve, praktikojnë Vahabizmin, formën e ashpër të islamit të praktikuar në Arabinë Saudite.
Sheiku Hamad dhe gruaja e tij e dytë e famshme, Sheikja Mozah, kanë fituar reputacion si modernizues gjatë viteve të fundit, duke rritur profilin e vendit, në mënyrë domethënëse me krijimin e rrjetit televiziv “Al Jazeera”, si dhe me organizimin e suksesshëm të lojërave aziatike të vitit 2006, ndërsa kanë fituar garën për të zhvilluar Kampionatin Botëror.
Emirati ka këmbëngulur gjithmonë që dyert diplomatike të saj janë të hapura, ndërsa ajo zhvillon pozicionin e tij në diplomacinë rajonale. Nga të gjithë anëtarët e Këshillit për Bashkëpunim në Gjirin Persik, ai ka qëndruar më pranë Iranit, megjithëse është miqësor edhe me Uashingtonin dhe ka një bazë amerikane. Vendi është përpjekur të krijojë një jetë të re në përpjekjet për paqe mes Sudanit dhe grupimeve rebele në Darfur me oferta për ndihma zhvillimi.
Lidhjet e saj me Vëllazërinë Myslimane mund të konsiderohen gjithashtu pragmatike dhe fleksibël. Por disa besojnë se Katari ka vënë një bast të rrezikshëm duke e vënë këtë lëvizje në qendër të strategjisë së vet rajonale. Emirati ka dalë si një pikë orientimi për grupimin që në fillim u themelua në Egjipt më 1928 dhe tashmë ka organizata në rang kombëtar në shumicën e botës islamike.
Shumë udhëheqës aktualë e të shkuar të Vëllazërisë, përfshirë edhe teologun televiziv të famshëm Jusuf Al-Kardaui, i cili ka qenë ish-zyrtar i lartë në Vëllazërinë e Egjiptit dhe ka ndikim të madh në rajon, kanë kaluar shumë vite duke jetuar dhe duke predikuar në Katar. Sheiku Hamad ka qenë gjerësisht simpatik për lëvizjen, thonë diplomatët, ndërsa trashëgimtari më i mundshëm i tij, Tamim bin Hamad al-Thani konsiderohet se ka lidhje edhe më të afërta me ta.
Deri në vitin 2009, zyrtarë të lartë nga Emiratet raportonin tek amerikanët se besonin se Doha po përdor këtë grup për të destabilizuar fqinjët e vet. Sipas një kabllograme diplomatike të publikuar nga Wikileaks, princi i Abu Dhabit Mohammed bin Zayed al-Nahayan u ka thënë amerikanëve se Katari ishte thjesht “pjesë e Vëllazërisë”.
Armë dhe “Al Jazeera”
Zyrtarë të lartë të Vëllazërisë mohojnë çdo ide për komplot rajonal; partitë kombëtare në vende të ndryshme, sipas tyre, kanë ideologji të përbashkët, por nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në deklaratat e tyre të rralla publike, zyrtarët e Katarit mohojnë të kenë lidhje të forta me grupin, ndërsa kryeministri mohoi që vendi i tij të ketë ambicie rajonale.
“Ne kemi një politikë të qartë të mosndërhyrjes në punët e brendshme të asnjë shteti”, thotë Katari. Por shumë pak njerëz e kanë pranuar këtë deklaratë si të sinqertë. Katari financoi drejtpërsëdrejti apo pajisi me armë dhe dërgon trupa speciale për të ndihmuar udhëheqësit rebelë në Libi. Katari ndihmoi financiarisht Egjiptin dhe presidentin Mohammed Mursi, duke u kthyer në një mbështetës kyç për financat e dobëta të vendit. Në Siri, Katari është furnizuesi kryesor me armë.
Por sakaq, Katari po ndien problemet që kanë krijuar veprimet e saj. Në Libi, ky vend akuzohet se ka ndihmuar në rritjen e mostolerancës islamike, një forcë e dhunshme dhe destabilizuese. Në Egjipt, Katari është gjendur në mes të përplasjeve mes qeverisë dhe opozitës. Një projekt për zgjerimin e Kanalit të Suezit me vlerë shumë miliarda dollarë, i propozuar nga Katari, u denoncua nga protestuesit si një përpjekje e huaj për kontrollin e një aseti thelbësor kombëtar.
Në Siri, kritikët thonë se furnizimi me armë për rebelët është kaotik. Zyrtarë perëndimorë thonë se Katari dhe vende të tjera arabe kanë arritur marrëveshje të lehta me grupime të shumta përgjatë kufirit turko-sirian.
Edhe “Al Jazeera”, e cila luajti rol vendimtar në përhapjen e protestave të vitit 2011 – po has në ankesa në rritje për anësi pro-Vëllazërisë. Ndërsa shërbimi në gjuhën angleze shihet më neutral, shërbimi në gjuhën arabe shihet gjerësisht si mbështetës i axhendës së Vëllazërisë. Por diplomatët thonë se zyrtarët e Katarit janë habitur nga telashet që i kanë dalë. Disa thonë se Katari ka probleme me komunikimin, pasi ka vetëm një grup të vogël zyrtarësh të lartë që kontrollojnë politikën dhe është e pamundur që ata të sqarojnë siç duhet të gjithë botën mbi strategjinë e tyre. Këta zyrtarë shumë rrallë u përgjigjen medias dhe këtu nuk ka Ministri të Jashtme apo zëdhënës të qeverisë. Për ata pak gazetarë të huaj që qëndrojnë në Doha, e vetmja mënyrë për të marrë ndonjë informacion është vajtja në ceremoni publike. Asnjë zyrtar i Katarit nuk pranoi të komentojë për këtë analizë.
“Ata thjesht nuk po shpjegojnë siç duhet se çfarë po bëjnë”, thotë një analist. “Rrjedhimisht, teoritë e komplotit janë të bollshme”.
Zyrtarët perëndimorë janë më të interesuar për pasurinë e stërmadhe të Katarit dhe nuk shqetësohen shumë mbi politikën e saj. Por rritja e profilit rajonal po sjell edhe më shumë vëmendje.
Arrestimi dhe dënimi i një poeti me burg të përjetshëm vitin e kaluar për shkak se kishte bërë një poezi kritike ndaj qeverisë, shkaktoi kritika të shumta ndërkombëtare dhe akuza për standarde të dyfishta. Në të vërtetë, problemet e Katarit me fqinjët mund të jenë vetëm fillimi.
“Njerëzit që shtrojnë pyetje përballen me mure heshtjeje”, tha një analist në Doha në kushtet e anonimatit. “Kjo nuk shkon shumë mirë me egjiptianët që janë përballur me dhunë në sheshin Tahrir”.