Edhe pse një provokim tjetër bërthamor është në pritje, shpresat shkëlqejnë për popullin më të shtypur të planetit
“The Economist”
Por gjithsesi së fundmi, Kim u konvertua në një tip profeti lufte. Ekspertët kanë frikë se një kompleks nëntokësor në veri të vendit po përgatitet për të zhvilluar një test bërthamor. Nëse kjo gjë ndodh, Kim do të trashëgojë titullin familjar të kryegangsterit të Azisë.
Kërcënimi bërthamor dhe ekscentricitetet e udhëheqësisë së këtij vendi janë, për Perëndimin, tiparet më problematike të këtij vendi. Por në fakt, një forcë revolucionare po rritet nga poshtë: është klasa e re e tregtarëve. Kapitalizmi po ecën përmes një perdeje bambuje. Kjo nuk po ndodh me bekimin e regjimit, siç ndodhi në Kinën e Ten Siao Pinit. Koreja e Veriut është më shtypëse se Kuba apo ish-Bashkimi Sovjetik. Regjimi nuk do të bjerë këtu shpejt apo me lehtësi: Në terma afatshkurtër, shqetësimi në rritje i Kim mund ta bëjë atë një kërcënim edhe më të madh për fqinjët e vet. Por një pamje tjetër po shfaqet dhe ajo që bota duhet të bëjë, është ta inkurajojë atë.
Ushtria e stërmadhe e veriut gllabëroi burimet. Menaxherët dhe punëtorët grabitën fabrikat shtetërore dhe shitën çdo gjë që kishte vlerë në treg të zi. Ndoshta rreth 200 mijë koreanoveriorë mbetën në burgje dhe kampe pune. Prodhimi për frymë është 17 herë më i madh në jug sesa në veri. Njëzetvjeçarët e Koresë së Jugut janë mesatarisht 6 centimetra më të lartë se ata të veriut, të cilët janë goditur nga uria dhe kequshqyerja.
Uria e viteve 1990 siguroi një mundësi të re për tregtarët e Koresë së Veriut. Shumë prej tyre qenë pronarë të vegjël tokash, shpesh gra, që shisnin zarzavate të prodhuara në oborret e shtëpive. Faktet janë shumë të dobëta, por po bëhet e qartë se tregtarë të tjerë veprojnë sot në një shkallë më ambicioze, duke eksportuar lëndë të para në Kinë dhe duke sjellë prej aty mallra konsumi. Tregtarët përdorin një sistem informal këmbimi valutor për të lëvizur fondet nga brenda, jashtë vendit dhe anasjelltas. Në kryeqytet, ato me para shkojnë në restorante dhe luajnë në makina elektronike. Kjo duket si surreale, por në Veri ka të pasur të rinj.
Njësoj si në Kinë, kapitalizmi po lejon një botë të huaj të hyjë në një popull që është ushqyer vetëm me gënjeshtra groteske. Rojat kufitare të korruptuara dhe operativë sigurimi mund të korruptohen nga njerëzit e vendosur, për arsye fetare apo politike, të transportojnë informacion nga brenda vendit, jashtë dhe anasjelltas.
Telefonat celularë, kompjuterët dhe radiot që tregtarët shesin, po zhdukin monopolin e shtetit tek e vërteta. Spektaklet televizive dhe filmat e kontrabanduar në USB i vënë përballë koreanoveriorët dhe faktin potencialisht revolucionar se kushërinjtë e tyre në jug jetojnë shumë më mirë e me bollëk, pa frikën se do t’i trokasin në derë në mesnatë. Ata po zbulojnë se utopia komuniste është ndërtuar mbi një gënjeshtër të madhe.
Dhe kapitalistët kanë rëndësi, sepse ata qëndrojnë disi mënjanë nga establishmenti i sigurimit. Familja Kim e ka rrethuar gjithmonë veten me një kastë nga familjet revolucionare që janë në pushtet që nga krijimi i këtij shteti. Për shumë dekada, pushteti ka filluar dhe ka mbaruar me to. Por disa nga tregtarët vijnë jashtë qerthullit të Kim dhe janë duke ruajtur pasurinë e tyre.
Megjithëse tregtarët po fitojnë para nga statukuoja, ata ka gjasa që do të vlerësojnë rritjen më shumë sesa sigurinë. Konkurrenca për burime po shfaqet gjithashtu në disa pjesë të ekonomisë së kontrolluar nga qeveria. Çarje kanë filluar të shfaqen në atë që dikur ishte një shtet monolitik.
Për shumë vite tashmë marrëdhëniet e botës me Korenë e Veriut kanë qenë tërësisht të përqendruara në ndalimin e programit bërthamor, program që përbën një kërcënim të rëndë për paqen. Por kjo politikë pak a shumë ka dështuar. Provokimi nuklear i sotëm është vetëm një kërcënim tjetër në një seri provokimesh nga një shtet që do të gënjejë, kërcënojë dhe shantazhojë rrugën e vet në tryezën e bisedimeve vetëm për të dalë prej saj e të rikthehet tek izolimi luftarak. Basti është që Kim nuk do të heqë kurrë dorë nga armët e veta, sepse ato janë mjeti i tij i vetëm për ndikim.
Ndryshimi jo domosdoshmërish do ta bëjë Korenë e Veriut më të sigurt. Ajo mund ta destabilizojë regjimin dhe rrjedhimisht, ta bëjë atë më të rrezikshëm. Kjo është çfarë ka frikë Kina: ankthi i saj strategjik është imazhi i emigrantëve që do të vijnë në kufirin e saj përgjatë lumit Jalu dhe trupat amerikane e koreanojugore që u afrohet kufijve të vet.
Por në terma afatgjatë, mënyra më e mirë për ta bërë Korenë e Veriut më pak të rrezikshme, është heqja e dhëmbëve helmues të familjes Kim. Kjo do të thotë se çdo mundësi duhet të shfrytëzohet për të minuar regjimin, njësoj siç bëri Perëndimi në Europën Lindore gjatë luftës së ftohtë. Epoka sovjetike na mëson se asgjë nuk është më e fuqishme sesa t’u tregosh njerëzve mirëqenien dhe liritë e botës përreth tyre. Kështu të huajt duhet të paguajnë koreanoveriorët të udhëtojnë dhe të fitojnë aftësi jashtë vendit, të mbështesin stacionet e radiove që transmetojnë në vend, të mbështesin rrjetet e kishave që furnizojnë dokumentarë e filma dhe të mbyllin një sy nga rrjetet e kontrabandës.
Politika e Kinës është kontradiktore. Ajo mbështet familjen Kim dhe në të njëjtën kohë zyrtarët e saj nxisin Korenë e Veriut për të ndërmarrë reforma politike si ato që filluan transformimin e Kinës 35 vjet më parë. Por zhvillimi dhe stabiliteti përmes marrjes së frymës, sipas llojit që përfaqëson familja Kim, janë të papajtueshme.
Në fund kinezët duhet të zgjedhin. Ajo që Kim ofron nuk të çon asgjëkundi. Kapitalistët së paku ofrojnë diçka më të mirë. Kina duhet t’i mbështesë ata.