Intervistoi: Ben Andoni
Geri s’ka reshtur asnjëherë pa i atakuar qeveritë shqiptare. Mori lavdërimet më të mëdha nga Berisha, kur e stigmatizoi Nanon, por, ndërkohë është disi i mërzitur se ata që erdhën pas tij, e kaluan atë në korrupsion dhe gjithçka të keqe. Berisha, tashmë, e llogarit ndër armiqtë e tij më të mëdhenj, por ky njeri, njësoj si Kasandra vazhdon dhe e shpreh pa asfare doreza mendimin e vet.
Ju lutem, si e shikon privatizimin e fundit të dështuar të Albpetrolit dhe kinse garancinë amerikane për të. Pse përfshihet gjithnjë Amerika në gojën e njerëzve të qeverisë Berisha për biznese të këtij lloji?
“Ata që janë të familjarizuar me privatizimin e Albpetrolit e dinë se garancia e supozuar financiare e 85.000.000 eurove nga American Chartered Bank ishte një element përbërës esencial për Vetro Silk Road, që të cilësohej si fituese e tenderit. Fillimisht, dua ta bëj shumë të qartë, kjo mbështetur në një mesazh e-mail, që kam marrë nga autoriteti legal i American Bank, dhe nga biseda ime me një zyrtar të FDIC (Federal Deposit Insurance Corp. – instrument i qeverisë së SHBA që siguron depozitat bankare dhe ndihmon në sistemin e bankave), që kurrë s’ka pasur ndonjë një garanci të vërtetë, emetuar nga American Chartered Bank. Por, unë vetë s’kisha nevojë për konfirmimin e bankës për të mbërritur në këtë konkluzion. Çdokush mund të këqyrë deklaratat financiare të American Chartered në internet dhe ta gjykonte thjesht se do të ishte një shkelje e kritereve rregulluese bankare për këtë institucion të emetonte një garanci të tillë në shumën e 85.000.000 eurove. Për ta bërë këtë përcaktim, s’është e nevojshme një armatë këshilltarësh apo burime të gjëra të një firme si Patton Boggs. Kërkohej vetëm një akses në internet dhe disa njohuri bazike për industrinë bankare. Nëse mund ta bëja unë, kuptohet se është diçka që mund ta bënte fare lehtë dhe Patton Boggs kur vlerësoi ofertën e Vetro dhe inspektimin e garancisë së supozuar bankare. E mu atje, po ta bënte, do shihte sesi do ndizej drita e kuqe e alarmit. Dhe nuk mendoj se Patton Boggs mund të nxjerrë për këtë si shfajësim injorancën sepse e paralajmërova Frank Wisner për këtë çështje me anë të e-mail, shumë kohë para se të vendosej për tenderin në favor të Vetro. Unë s’e përjashtoj mundësinë se një dokument që ishte prezantuar si i papërshtatshëm, i garantuar nga American Chartered Bank, të qarkullonte. Dhe nëse kjo arrin të bëhet çështje, atëherë kjo do të thotë se dikush qëllimisht po kryen një mashtrim. Dokumenti për tenderin e Albpetrol, që është nxjerrë nga kryeministri Sali Berisha (bulletin #133) qartësisht përcakton se David Farber, partner tek Patton Boggs, e ka rishqyrtuar garancinë e American Chartered dhe na i rezultoi se ajo ishte e vlefshme dhe e mjaftueshme. Kështu, nëse do të supozoj se kjo deklaratë ishte në të vërtetë e bërë nga Patton Boggs, dhe nëse Patton Boggs del se e ka gabim, atëherë në opinionin tim, ata do të jenë fajtorë si për sjellje jo të mirë por edhe për mungesë kompetence dhe kjo duhet të mbahet parasysh. Por kam arsye të vë një bast me Frank Wisner se unë kam të drejtë dhe madje humbësi i bastit duhet t’i japë fituesit një drekë në një restorant që do e zgjedhë vetë ai në Tiranë. Unë, e di mirë, se çfarë restoranti do të zgjedhë”.
Këshilltari i tenderit të dështuar, Patton Boggs, një firmë ligjore me bazë në Uashington, që bën avokatinë e punës së qeverisë amerikane në SHBA mbështeti firmën që do bënte privatizimin e madh strategjik, të shumëpërfolur nga qeveria jonë. Çfarë do të thotë kjo për ju?
“Fakti që Patton Bogs do të mbështeste ofertën e Berishës nuk erdhi si ndonjë surprizë e madhe për mua sepse motivi i parë i një firme, ashtu si në çdo biznes është paraja. Dhe, megjithëse s’ka asgjë të keqe për këtë dhe kjo edhe s’mund të jetë e pazakontë mes firmave të tilla si Patton Boggs, ato nuk kanë qenë gjithmonë më të diskriminuarat për sa i përket vendit nga i marrin paratë. Pos të gjithave, Patton Boggs s’kishte problem madje edhe të merrte para nga diktatori haitian Baby Doc Duvalier. Kështu që pse duhej të shqetësohej të merrte para nga një diktator shqiptar si Sali Berisha?”
A ka lidhje më të thella të Patton Boggs me interesa të palës shqiptare në fuqi?
“Epo, me aq sa di unë, Patton Boggs supozohet të jetë e paguar nga qeveria shqiptare të punojë për interesat e popullit shqiptar duke përfaqësuar Republikën e Shqipërisë dhe jo Sali Berishën. Kjo do të thotë se ata nuk duhej të punonin në asnjë lloj mënyre për të çuar përpara interesat dhe objektivat politike të Berishës. Nëse e bëjnë, ata do ta gjejnë veten nën sanksione për dhunime të etikës nga ana e institucioneve amerikane, që kanë autoritet rregullator mbi firmat ligjore. Por ngandonjëherë firma si Patton Boggs veprojnë në të ashtuquajturat zonat gri. Dhe në praktikë, është bërë më e vështirë për një firmë si Patton Boggs të kafshojë duart që e ushqejnë. Kështu që kur dikush si Berisha-i cili së fundi nënshkroi një çek dhënë për Patton Boggs – bën një kërkesë për akses te zyrtarët e lartë në Uashington, në realitet kjo e bën ta ndihmojë Berishën të mbajë pushtetin, atëherë edhe mund të imagjinosh sesa e vështirë është t’i injorosh këto kërkesa ndërsa hanë paratë e shijshme, që vijnë me këtë lidhje. Edhe sikur atje të ketë konflikt interesash.
Pak javë më parë, Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim për të akorduar plot 800 mijë dollarë për lobim për firmën Patton Boggs. A mundet kjo kompani që të ketë reputacionin e duhur për të bërë këtë lobim, pas kësaj që ndodhi me privatizimin…
“Fatkeqësisht, ajo që për opinionin tim ishte e pakëndshme dhe joprofesionale për dhënien e privatizimit të Albpetrolit mund të kishte përbërë një skandal të mirënjohur në Shqipëri, por ky s’do të thotë asgjë për Uashingtonin. Dhe jashtë Departamentit të Shtetit, shumë pak dinë për këtë histori. Por besoj se kjo mund të ndryshojë. Të paktën, me aq sa di unë, kjo nuk ka ndikuar në reputacionin e Patton Boggs. Kam arsye të besoj se kjo histori nuk ka mbaruar ende, kështu që le të shikojmë bashkë se çfarë do ndodhë në pak javët në vazhdim”.
Qeveria shqiptare prej vitesh është duke treguar një nivel të lartë korrupsioni, e cila shtrihet në të gjitha fushat. Si e mendonit ardhjen e kësaj qeverie në vitin 2005 me premtimet e mëdha antikorrupsion?
“Qartësisht, përbën një hipokrizi të madhe fakti, që Berisha bëri fushatë mbi platformën e luftës ndaj korrupsionit të qeverisë së Nanos. Por ai e gënjeu me potere popullin shqiptar dhe mënyra sesi mbijetoi politikisht në Shqipëri është më shumë e lidhur me taktikat e pamëshirë që ai përdori për të blerë, vjedhë dhe manipuluar votat në drejtimin e vet. Një njeri normal do të turpërohej nga një sjellje e tillë; por fatkeqësisht për shqiptarët, Berisha s’është njeri normal. Më vjen turp ta them se edhe unë u pajisa me mjetet e sulmit që Berisha mësyu Nanon. S’më vjen keq që ndihmova në rrëzimin e Fatos Nano sepse edhe ai ishte një tjetër copë plehrë e korruptuar, por më vjen keq që veprova në atë mënyrë me të cilën përfitoi Berisha, një tjetër copë më e madhe plehre. Në retrospektivë, besoj se pas ambicies së Berishës të rifitonte pushtetin ishte një plan i paramenduar për të dhunuar Shqipërinë për përfitimet e tij financiare”.
Rasti “Gërdeci” ka treguar se faktori amerikan ka qenë shumë i përfshirë. A mund të na tregoni me njohuritë tuaja, qëndrimin e vërtetë të palës federale dhe ato të personazheve të veçanta, që lidhen me të?
“Ashtu si është e njohur mirë deri më tani, Gërdeci dhe marrëveshja për armët e AEY kishin një fije të përbashkët që kalonte mes tyre dhe ai fill që i bashkon është Mihal Delijorgji, i lidhur ngushtësisht me Shkëlzen Berisha. Unë kam marrë konfirmime nga një burim shumë i besueshëm, i cili vërteton pjesëmarrjen e Shkëlzenit në një takim që lidhej me AEY. Nuk mund të them më shumë për këtë për respekt të dëshirës së burimit, por mund t’ju them se këto detaje do të zbulohen në të ardhmen. Megjithatë, shpërthimi i Gërdecit dhe artikulli i faqes së parë të New York Times që e ekspozoi AEY, kanë ndodhur të dyja më Mars 2008 dhe fakti është se marrëveshja e AEY dhe ngritja e Gërdecit, si një impiant demontimi, ndodhi gjatë kohës së Marci Ries. Nuk është aspak sekret të thuhet se Ries kishte një lidhje të ngushtë me Fatmir Mediun. Dhe, gjatë kësaj kohe, ka pasur dëshmitarë që kanë parë makinat e Ambasadës amerikane që shkonin e vinin në Gërdec. Po ashtu, ka qenë edhe një dëshmitar që ka parë kutitë e boshta të AK47, të zbritura në Gërdec në heshtjen e natës. Këto kuti përmbanin produktet kineze dhe ato janë hedhur pasi municioni ishte ngarkuar në aeroplane nga AEY. Një njeri duhet të ishte krejt budalla të besonte s qeveria e ShBA-së nuk kishte dorë në këto çështje. Natyrisht është shumë më e kollajtë tani të pretendosh të paditurin, veçanërisht pasi 26 shqiptarëve që vdiqën në shpërthimin tragjik dhe po ashtu kur 4 amerikanë të lidhur me AEY u fajësuan se kishin mashtruar qeverinë e SHBA. Ndërkaq, gjyqet shqiptare kanë zvogëluar dënimet për të pandehurit e Gërdecit. Dhe ata që duhej të hidhnin dritë mbi këto aktivitete të ndyra-si Fatmir Mediu, Shkëlzen Berisha dhe Marci Ries – kanë ende akoma kohë për t’u pyetur për një krim. Pse?”
A duket sikur edhe VOA në vitet e fundit është një subjekt që i është larguar pak realitetit të vërtetë shqiptar?
“VOA e ka lënë pas dobishmërinë e vet dhe për aq sa mendoj unë, ajo është një harxhim i vërtetë i parave të taksapaguesve. Si një pjesë e medias së qeverisë amerikane, ata që janë përgjegjës për raportimin në seksionin shqiptar të VOA janë bërë kapi me konflikte interesi. Një herë e një kohë VOA ishte një institucion i nderuar, i cili luante një rol të rëndësishëm në luftën ndaj komunizmit. Por tani është thjesht një shaka bajate që punëson gazetarë që ndoshta do kishin pasur të vështirë të gjenin punë qoftë edhe si roje në organizmat kryesore të lajmeve amerikane. Për pjesën më të madhe, shumica e tyre janë “ish” komunistë dhe simpatizantë të Berishës, që nuk kanë asnjë rëndësi”
Edhe njëherë për “Gërdecin”. A ka grupe interesash në SHBA që nuk e lejojnë një hetim si duhet të këtij rasti, kur në Amerikë ai është shtjelluar më së miri?
“Duke pasur parasysh AEY, përfundimisht po. Në fakt, kam arsye të besoj se nuk kishte grupe të veçanta që e lehtësonin këtë krim. Bazuar në informacionin siguruar nga Kosta Trebicka dhe njohuritë e mia mbi skandalin, e kam të pamundur të besoj se qeveria e SHBA nuk ishte krejtësisht në dijeni për atë se çfarë ndodhi. Unë dua që sigurisht të vendos Marci Ries para makinës së të vërtetës, për të provuar atë që ajo di. Por ka arsye, përse nuk pati kurrë një hetim në Shqipëri për gjërat që lehtësonin mashtrimin e AEY. E para, do mund të kishte qenë një shqetësim për qeverinë e SHBA. E dyta qeveria e SHBA është shumë e vëmendshme sa i përket dëmtimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, kështu që do të ishte problematike të shkohej pas Berishës. Edhe pse është përcaktuar qartë në bisedën e regjistruar midis Kosta Trebicka dhe presidentit të AEY, Efraim Diveroli se “është ngjitur sipër deri te kryeministri dhe i biri i tij.” Më tej akoma kuptoj se Departamenti i Drejtësisë së SHBA informonte Departamentin e Shtetit se asnjë nga zyrtarët e qeverisë amerikane nuk do të ndiqej për rolet e tyre në AEY. Pse?”
Si e shikoni Shqipërinë në zgjedhjet që po afrojnë. A do mundet ajo të krijojë një fizionomi tjetër pas zgjedhjeve të 23 qershorit?
“Kam merak se Berisha po tenton t’i fitojë zgjedhjet e qershorit me çfarëdo lloj kushti, edhe nëse ai do të humbë me numrin e saktë të votave. Kjo ka ndodhur të paktën me votimet e fundit. Kështu që pse duhet të jetë ndryshe në zgjedhjet e fundit? Berisha ka mësuar se pos të gjithave hakërrimi i tij është kryer, dhe në fund- SHBA dhe BE do të bëjnë zhurmë por do ta lejojnë të shpëtojë në fund. Ata flasin shumë për demokracinë në Shqipëri por veprimet flasin shumë më tepër sesa fjalët. Në fund të ditës, ata do të kujdesen më shumë për stabilitetin e rajonit dhe në emër të stabilitetit të rajonit, ata do t’i lejojnë njerëzit si Berisha të shpëtojnë me vrasje-në kuptimin e vërtetë të fjalës”.
A përbën shqetësim të madh në SHBA dhe kudo retorika nacionaliste e Berishës?
“Retorika nacionaliste e Berishës s’është asgjë më shumë sesa një dredhi për vota. I vetmi nacionalizëm i tij është patriotizmi në drejtim të ndihmës dhe interesave financiare të familjes së vet”.
Ditët e fundit u shpall verdikti i Gjyqit të Apelit të Shqipërisë që e zbuti dhe më shumë dënimin e të pandehurve të Gërdecit. Madje edhe i biri i Berishës që është thellësisht i përfshirë aty, sipas dëshmive të ndryshme, nuk doli kurrë para gjykatës. A mendoni se Gërdeci tregoi edhe njëherë se në Shqipëri mungon krejt Sistemi i Drejtësisë?
“Nuk ka sistem drejtësie në Shqipëri. Gjykatësit janë të emëruar dhe kontrolluar nga Berisha. Një shembull perfekt i kësaj ishte emërimi skandaloz i Fullanit si guvernator i Bankës së Shqipërisë që ndodhi të ishte pikërisht në të njëjtën kohë kur gruaja e tij ishte një nga gjykatëset, e cila drejtonte gjyqin për korrupsionin e Ilir Metës. Kjo nuk do të mund të ndodhte kurrë në një demokraci të ligjshme, e cila drejtohet nga shteti ligjor. Kështu që të mendosh se Shkëlzen Berisha do të mund të përgjigjej për Gërdecin apo AEY do të ishte njësoj si të besojë në ekzistencën e Plakut të Vitit të Ri”.
Si e mendon rikthimin e Eduart Selamit në politikën shqiptare?
“Fakti i rikthimit më bën të ndjehem keq për Selamin, që ka arritur në një stad kaq patetik të jetës së vet. Lajmi i mirë është se kjo përbën një indikacion të fortë se Berisha ndodhet në telashe. Për arsye se kjo tregon një akt dëshpërimi të thellë të të dyve, si Berishës por edhe Selamit. Duket se Berisha po përpiqet të gjejë një injeksion me vitaminën B12, duke menduar se Selami do t’ia rinojë imazhin dhe do të ndihë shmangien e vëmendjes nga natyra kriminale e regjimit të Berishës. Por nëse kjo është plani i lojës së Berishës, duket se është një tjetër nga skemat e tij realisht budallaqe sepse një përqindje e madhe e atyre që kanë të drejtën e votës-ndoshta gati 25 % e tyre syresh ose nuk kishin lindur ose ishin shumë të rinj të kujdeseshin për këtë fakt, kështu që ata dinë fare pak për Selamin. Fatkeqësisht, çfarë njeh shumë mirë ky brez i ri i shqiptarëve është fakti se janë rritur në një vend që drejtohet nga një qeveri e korruptuar, e ku ka shumë pak mundësi ekonomike. Selami është përpjekur të mbajë fytyrën e tij përballë shqiptarëve përmes medias, por që kur la Shqipërinë, ai ka bërë pak, nëse s’mund të themi asgjë ta ndihmonte Shqipërinë- kështu që ai sigurisht s’ka ndonjë kontribut ta meritojë respektin. E njoh Selamin dhe kam folur në disa raste rreth situatës politike në Shqipëri dhe në shumë nga këto diskutime për situatën në vend ndanim neverinë tonë të përbashkët dhe mospëlqimin për Berishën dhe dëmet që ai ka bërë për Shqipërinë. Selami ka jetuar shumë kohë në ShBA për të kuptuar diferencën në mes të një demokracie funksionale dhe kleptokracisë autoritariste, që është shtjelluar nën Berishën. Kështu që fakti se nuk e njeh mirë këtë gjë, demonstron qartësisht se fjalët e Selamit nuk mund të besohen, ndaj në këtë logjikë Selami dhe Berisha janë shumë të ngjashëm. Por kjo gjithashtu më shpjegon tani se pse Selami nuk i përgjigjej ftesave të mia e të bëhej pjesë e një Shqipërie demokratike. Në retrospektivë, me sa duket, ai ishte duke thurur kthimin e tij në Partinë Demokratike dhe kjo ishte pak më shumë sesa një lëvizje egoiste që kish pak të bënte me idealizmin apo me principin. E vërteta është se Selami nuk ka arritur pothuaj asgjë në Amerikë dhe këtë e marr me mënd, pasi ai ka punuar si shofer. Kuptohet s’ka asgjë të keqe në lidhje me këtë, është një punë e ndershme, por sigurisht nga ana psikologjike është një si poshtërim nga e ëena një lider politik në atdheun e tij, ku ai do shoqërohej kudo nga shoferi i vet. Ndaj në realitet, kjo përbën tamam edhe dëshirën e Selamit për të ndryshuar pozicionin ku ai ulet në makinë. Që do të thotë se nëse Berisha fiton, ai lëviz nga timoni për t’u ulur në ndenjësen luksoze të pasme, ku mund të luajë i patrazuar video games në iPad e vet. Sepse nuk mund të imagjinoj sesi Berisha do mund t’i japë atij më shumë përgjegjësi në një qeveri të re. Dikush duhet të marrë në konsideratë se janë disa peshkaqenë xhelozë që janë ushqyer nga Berisha dhe që i kanë ngurtësuar pozicionet e tyre brenda sferave të influencës së Berishës në pak vitet e fundit, të tillë si Topalli, Basha, Meta dhe Mediu. Dhe s’do të ketë asnjë dyshim që ata do kenë dhëmbët jashtë në sulm për Selamin sepse realisht nuk i besojnë fare. Por pse ata apo kushdo tjetër vallë mund t’i besoj? Pos të gjithave, Berisha e ndoqi Selamin nga Shqipëria dhe ai u largua në drejtim të SHBA, si një qen me bishtin mes këmbëve. Dhe, ndërsa ishte në SHBA ai do t’i thoshte kujto, që e dëgjonte, se Berisha ishte diktator. Njëherë, madje më tha se ndërsa po udhëtonte në një aeroplan me Azem Hajdarin, vetëm pak muaj para se ai të vdiste, Hajdari i kishte pohuar një të fshehtë se besonte që Berisha kishte qëllim ta vriste. Duke dëgjuar këto fjalë dhe duke ditur se çfarë tipi i rrezikshëm kafshe ishte Berisha, kjo më tregoi se Selami ishte një person egoist, që po priste të rikthehej për të pasur egon e tij të masazhuar me çdo kusht. Por çfarë e bën këtë veçanërisht ofensive, është fakti se Selamit i ish dhënë privilegji i shijimit të lirisë në një demokraci të vërtetë, edhe pse ai tani merr anën me një diktator si Berisha për përparimin e vet. Për hir të egos së tij dhe aspiratës së lëvizjes nga sedilja e pasme e makinës, ku ai mund të qëndrojë me më shumë komfort, unë i uroj vërtetë shumë sukses. Paçka se për aq sa njerëzit e Shqipërisë janë të merakosur, kanë kuptuar se jetojnë në një xhungël dhe që vendi është drejt lëvizjes në drejtimin e një diktature, ku vetëm njerëzit me të ardhme të ndritshme ekonomike janë njerëzit me emra të tillë si Ilir Meta, Shkelzen Berisha dhe Argita Berisha. Kështu është shpresa ime për shqiptarët që pas zgjedhjeve, Selami do të kthehet atje ku i takon në punën e tij në SHBA si shofer i thjeshtë pas një timoni makine.
Do të doja dhe t’ju falënderoja për kohën që më jepni në dispozicion në lidhje me këto çështje sepse besoj që janë vërtetë të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë si një demokraci dhe një mundësi mirëqenie për shqiptarët”.





