Hamza Isaraj, drejtori i policisë që ishte mik i Ismail Qemalit dhe Fan Nolit


Nga Hilë Lushaku*

foto nr. 7, hamza isarajHamza Isaraj u lind më 10 maj 1872, në Vlorë. Mësimet e para i mori në shkollën turke të Muradies, në vendlindje, më pas vijoi shkollën e mesme në Zosimea të Janinës, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll, në vitet 1890- 1893, në degën e Shkencave Politiko-Juridike-Administrative. Është me prejardhje nga një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Vlorës. Që në rini pati një aktivitet të zjarrtë patriotik, duke qenë i lidhur me mëmëdhetarët e kolonive shqiptare në Bukuresht, Kajro e Stamboll. Këtë veprimtari e kreu edhe kur shkonte për tregti në Korfuz, Brindisi, Trieste dhe Dubrovnik. Në ato vite ai pati miqësi me Koto Hoxhin, Pashko Vasën, Ismail Qemalin, Jani Vreton, Abedin Pashë Dinon, etj. Në fillimet e aktivitetit të tij bashkëpunoi me klubin “Vlora”, me veprimtari që më 1886. Në vitin 1895, evidentohet nga konsulli austriak në Vlorë për përfshirjen e tij në veprimtarinë e rilindësve shqiptarë. Më 12 mars 1900, është pjesëtar i klubit atdhetar “Lumi i Vlorës”, ndonëse ky klub nuk pati jetë të gjatë, mbasi organizatorëve të tij iu bastisen shtëpitë prej pushtuesve turq. Hamza Isai ka qenë në rininë e tij mësues, në fshatrat e lumit të Vlorës dhe të Sevasterit, duke u përfshirë në radhët e mësuesve shëtitës të Vlorës, sipas traditës së Kristoforidhit, me lajtmotivin “gjuha në shërbim të kombit”. Bardhosh Gaçe, studiues, ka shkruan monografinë: “Hamza Isai, një jetë në shërbim të kombit”, Tiranë, 2000. Autori ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me zotin Astrit Isaraj, i biri i Hamzait, i cili i ka mundësuar sigurimin e të dhënave, informacioneve e dokumenteve të shumta për këtë jetëshkrim, por që në vijim nuk do të përmenden. Në vitin 1901, ai u caktua me punë në administratën turke të qytetit të Vlorës. Në vitin 1902 iu bashkua grupit të miqve të organizuar në “Shoqëria për shkolla shqipe”, duke qenë ndërlidhës i saj me veprimtarët e tjerë në krahinat Himarë, Mesaplik e Kurvelesh të Vlorës. Në maj 1902, turqit kryen reprezalje ndaj kësaj shoqërie dhe burgosen krerët e saj, ndërsa Hamza Isaraj u mbajt fillimisht në vëzhgim, por pastaj e burgosen, fillimisht në Vlorë e pastaj në Berat. Pas daljes nga burgu, më 20 dhjetor 1903, ai shtriu aktivitetin e tij në Elbasan, ku kishte mikun e tij Aqif Biçakçiun, në Manastir dhe në Prevezë. Në vitet 1903-1905, është paralajmëruar prej autoriteteve turke për veprimtarinë e tij patriotike, gjë për të cilën më pas e burgosen në Berat dhe në Janinë. Në periudhën 1906-1908, ka qenë aktiv në veprimtarinë e tij si anëtar i shoqërisë “Dora e Zezë”, e cila punoi për zgjerimin e veprimtarisë kombëtare dhe grumbullimin e armëve nga Korfuzi, duke i fshehur në Sava e Qeparo e më vonë në shpellat e Tërbaçit dhe Vranishtit. Sipas shënimeve që ka lënë vetë Hamza Isai158), kjo shoqëri “mbron të drejtat e shqiptarëve edhe të Shqipërisë me çfarëdo lloj mënyre”. Gjatë kësaj periudhe, Hamza Isai, qe i detyruar të paraqitej si tregtar i drithit në Janinë, për të mos u dekonspiruar kur shkonte për aktivitet patriotik katundeve të Vlorës, kryesisht në Treblovë, Dukat, Mavrovë, Mesaplik, Vranisht e Brataj. Hamza Isai qe kryetar i komitetit konsultativ i “Shoqëria e Zezë”, në Korfuz, i cili siguroi lidhje me kolonitë shqiptare të Rumanisë, Egjiptit, Bullgarisë dhe Amerikës. Në vitin 1908, iu bashkua grupit që themeluan “Lidhja Kombëtare për përhapjen e gjuhës shqipe” dhe qe mësues i shkollës shqipe të sapoçelur të Muradies, ku u emërua më vonë nëndrejtor i saj. Po kështu, në vitin 1908, Hamza Isai u përfshi në komisionin e zhvillimit të fushatës për përkrahjen e kandidaturës së Ismail Qemalit, për zgjedhjet e parlamentit turk. Ai i qe bashkuar grupit të atdhetarëve që kërkonin punësimin e shqiptarëve në administratën turke, mbasi kishte shumë të shkolluar, si dhe përdorimit të gjuhës shqipe në administratën e qytetit. Hamzai është një nga patriotët e njohur të Vlorës. Në shtëpinë e tij kanë kryer aktivitet të shquar atdhetarët Shahin Kolonja, Namik Delvina, Dervish Hima, Mehmet Pashë Dëralla, Xhelal Koprencka, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Avni Rustemi, etj. Miqtë e tij të asaj kohe e patën pagëzuar me epitetin “kaçatorri” i shoqërive patriotike. Për përhapjen e arsimit dhe të kulturës shqipe ai nuk ngurroi të aktivizohet edhe me teatrin kombiar të Vlorës, drejtuar prej klubit “Labëria” dhe muzikanti Thanas Floqi. Kësaj veprimtarie i pati bërë jehonë edhe gazeta “Rrufeja” e Egjiptit, e periudhës 1908-1910. Hamza Isai ka qenë anëtar i këshillit të klubit “Labëria”, duke pasur një aktivitet të gjallë në të mirë të çështjes kombëtare. Ai ka mbetur i paharruar për këtë veprimtari në Topalli, Mesaplik, Himarë e Sevaster. Më 1909, ka qenë në përbërje të një grupi atdhetarësh që shkuan në Janinë për t’u lidhur me klubin e shqiptarëve aty, “Bashkimi”. I ndjekur prej turqve nuk mundi të qëndrojë në Elbasan, për të marrë pjesë në kongresin arsimor, duke u larguar së bashku me vlonjatët e tjerë Halim Risilia, Qamil Risilia dhe vëllezërit Hasan e Ceno Sharra. Në vitin 1909, ai detyrohet të kalojë në Korfuz, e prej andej në Napoli, ku ishte shpërngulur klubi “Labëria” dhe ndodhej edhe Ismail Qemali. Aktiviteti i tij në klubin “Labëria” kaloi kufijtë, duke pasur bashkëpunim të ngushtë me shoqëritë patriotike në Janinë, Çamëri, Gjirokastër, Manastir, Shkodër, Berat, madje deri në Bukuresht dhe Kajro. Më 1910, u zgjodh nënkryetar i shoqërisë “Bashkim e Mbrothtësi”, por pas disa muajsh dha dorëheqjen, mbasi pati kundërshti me disa anëtarë proturq. Lëvizjet antiturke që shpërthyen në vend përfshinë edhe Hamza Isain, i cili bashkëpunoi me një numër të madh atdhetarësh të shquar. Në maj të këtij viti ai mori një letër prej Namik Delvinës për të përkrahur organizimin e kryengritjeve në Veri të Shqipërisë. Hamzai ka ruajtur në shtëpinë e tij festën (qeleshen), dhuruar prej Namikut, ku është shkruar “Vdekje a liri”. Më 26 qershor 1911, ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar me krerët e kazasë së Vlorës, për organizimin e kryengritjes në Jug të vendit, ku është shprehur: “Vatani nuk fitohet me lutje dhe aman, por me kryengritje”. Po kështu, ai qe pjesëtar i kuvendit të Drashovicës, në mbështetje të memorandumit të Gërçës, për fitimin e autonomisë së vendit. Këtë vit ka luftuar me armë në dorë kundër xhonturqve në tregun e Cakranit, duke qenë në çetën e Namik Delvinës, pastaj në çetën e Delvinës me Bektash Cakranin dhe në çetën e Vlorës e të Mallakastrës. Në kuadër të përgatitjes së shpalljes së pavarësisë ka qenë pjesëtar i grupit të delegatëve të Vlorës në takimin e zhvilluar me Ismail Qemalin në Fier, ku u mbështet kryengritja e Kosovës dhe për bisedimet lidhur me marrëveshjen shqiptaro-turke të Prishtinës. Në shtator 1912, kur rifilloi veprimtarinë klubi “Labëria”, u zgjodh sekretar i klubit dhe u ngarkua për të propaganduar jashtë vendit veprimtarinë e këtij klubi. Në fillim të nëntorit 1912, ka shkuar në Tiranë për të marrë këshillat e nevojshme nga Murat dhe Abdi bej Toptani, të cilët kishin hyrë në lidhje me Ismail Qemalin dhe kishin dijeni për zhvillimet e pritshme në vend. Më 13 nëntor, ka qenë i pranishëm në mbledhjen e fshehtë, të patriotëve vlonjatë, që diskutoi për masat që duheshin kryer për organizimin e “një kuvendi për të siguruar të drejtën e kombësisë”. Sipas dokumenteve dhe kujtimeve të bashkëkohësve të tij rezulton se ai ka qenë njëri ndër pjesëmarrësit e komisionit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë kombëtare, të cilët u mblodhën më 19 nëntor. Hamza Isai ka qenë i pranishëm në pritjen e Ismail bej Qemalit, kur kaloi në lumin Vjosa, duke hyrë në tokën vlonjate, së bashku me majorin Bilal Nivica e ushtarakë të tjerë që qenë në shërbim të administratës turke. “Më 1912, bëja pjesë në komisionin për ngritjen e flamurit dhe shpalljes së independencës”, ka shkruar Hamzai në kujtimet e veta. Pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë në grupin e atdhetarëve që u priten në takim nga Ismail Qemali, në shtëpinë e Hasan Sharrës. Në ditët e kuvendit të Vlorës, së bashku me delegatin Zihni Kanina dhe Elmaz Sherifin, ka qenë aktiv në pritjen e sistemimin, në Kaninë, të luftëtareve që shoqëruan Isa Boletinin, duke siguruar edhe furnizimin e tyre me ushqime. Sapo u krijua qeveria e Vlorës, u caktua për organizimin e administratës së prefekturës së Vlorës, duke bashkëpunuar me Ahmet Durmishin dhe Omer Radhimën. Në muajin dhjetor 1912, u dërgua nga Ismail Qemali për të hyrë në lidhje me komandantët e vullnetarëve në frontin e luftimeve në Llogara e Kurvelesh. Në janar 1913, së bashku me Mustafa Muçon dhe Xhelal Koprenckën (Skraparin) shkuan edhe në Dukat për të siguruar informacione mbi luftimet në këtë zonë. Së bashku me disa ushtarakë të tjerë shkoi në Kuç për të zbatuar detyrat e qeverisë së I. Qemalit, ndërsa më 18 mars 1913 mbërriti në Tepelenë, i shoqëruar nga Halim Tërbaçi e Sadik Sinani. Lidhur me këtë aktivitet të tij, në organizimin e administratës lokale dhe të formacioneve ushtarake, i ka raportuar kryeministrit, I. Qemali, dhe ministrit të Mbrojtjes (Luftës), Mehmet pashë Dërallës, më 22 mars 1913. Këtë ditë ai ka qenë i pranishëm në takimin e zhvilluar nga kryeministri me parësinë e katundeve të Labërisë. Sipas dokumenteve arkivore, rezulton se qeveria e Vlorës pati qendrën administrative dhe komandën ushtarake për organizimin e ushtrisë në Shkozë (Sevaster), ku Hamza Isai punoi me përkushtim dhe dha prova për aftësitë e tij e patriotizmin e lartë. Sipas deklarimeve të shumë bashkëkohësve të Hamza Isait, rezulton se ai ka qenë një nga krerët e asaj komande. Edhe pse Mufid Libohova qe ministër i Brendshëm, Ismail Qemali ngarkoi me detyra për organizimin e Policisë Shqiptare edhe ministrin e Luftës, Mehmet pashë Dëralla, Ali Asllanin, Hamza Isain, Alem Mehmetin (Tragjasin-H.L.), Xhelal Skraparin (Koprencka-H.L) dhe Fejzi Alizotin. Evidentohet i graduar kryekomiser gjatë organizimit të Policisë në Vlorë. Më 7 tetor 1913, kryekomiseri i Policisë së Vlorës, Hamza Isai, i shkruante kryetarit të Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, “në këmbë të Direjtorit”, duke e njoftuar “Nadije (në mëngjes-H.L.) sot qytetit ynë nonjë ngjarje nukë ka. Ardhësit e ikësit tregonenë me listë veçazi”, duke raportuar se kush erdhi dhe iku nëpërmjet molit të Vlorës, ku janë shënuar në listë 18 të ardhur dhe 3 të larguar (një italian dhe dy tregtarë). Kryekomiseri nuk ka lënë pa raportuar edhe qitjen me tre të shtëna arme, sipas zakonit të shqiptarit në një dasme, kur futet dhëndëri me nusen në shtëpi.

Hamza Isai ka mbajtur përherë krahun e kryeministrit I. Qemali. Kur ai bisedoi me besnikët e tij për tradhtinë e Esad Toptanit, Hamza Isai është shprehur: “Gabim, Smajl bej, gabim. Esad pasha është një ferrë në kabinet, ku rrinë fshehur ujqër të tjerë…”. Kur Esad pasha ndërpreu rrugën Durrës-Elbasan dhe vijën telegrafike Vlorë-Elbasan, Hamza Isai, i porositur prej I. Qemalit, shkoi me zëvendësministrin e Luftës, Xhelal Koprenckën, në Elbasan, për të bashkërenduar veprimet me patriotin Aqif pashë Elbasani, të cilin e kishte mik të shtrenjtë. Hamza Isai ka qenë në shtabin e krerëve që organizuan forcat qeveritare të luftëtarëve kundër rebelëve esadistë dhe u vu në krye të këtyre forcave. Po kështu, ai zhvilloi aktivitet të gjerë për demaskimin e politikës përçarëse të Esad Toptanit. Ai mori pjesë në takimin që zhvilloi Ismail Qemali më 4 janar 1914, në Vlorë, ku u diskutua gjendja e vendit dhe shqetësimet e paraqitura. Hamza Isai ka takuar përsëri Aqif Pashën, me porosi të kryeministrit, duke i kërkuar atij shprehjen e besnikërisë ndaj qeverisë së Vlorës, në një kohë që shumë miq të plakut të Vlorës po e braktisnin dhe i bashkoheshin Esad pashës në Durrës. Në kthim ai u përball me kontrolle të shumta të xhandarmërisë ndërkombëtare, e cila shpalli shtetrrethimin nga shkaku i arrestimit të Beqir Grebenesë dhe disa oficerëve turq, të akuzuar për veprimtari antishqiptare. Edhe pas dorëheqjes së Ismail Qemalit, ai vijoi të shërbejë në Polici, por tashmë pranë KNK-së, duke bashkëpunuar me oficerët holandezë De Veer dhe Thomson, kryesisht për organizimin e Xhandarmërisë Shqiptare. Ky fakt shpreh prioritetin e ndërkombëtarëve ndaj Xhandarmërisë dhe zhvlerësimin e Policisë, nisur nga vlerësimi i gjendjes në Shqipëri dhe ashpërsia me të cilën po ndesheshin në vend për vendosjen e rregullit. Në vitin 1914, familja e Hamza Isait, si shumë familje vlonjate, strehoi e ndihmoi me mjete materiale e financiare familje muhaxhire. Në prill 1914, ai shoqëroi oficerët holandezë, të cilët erdhën në Vlorë me princ Ëied-in dhe në fund të këtij muaji emërohet komiser i Policisë pranë qeverisë së Durrësit. Pas largimit të princit u detyrua të kthehet në Vlorë dhe pasqyroi gjerësisht në shtypin e kohës zhvillimet e ngjarjeve në kryengritjen e Shqipërisë së Mesme. Zhvillimet politike e luftarake në vend e detyruan të emigrojë në Itali, prej nga u kthye më 1915 dhe hapi një kafene, e cila u bë qendër e veprimtarisë atdhetare kundër politikës pushtuese italiane. Lidhur me aktivitetin e tij politik ai u thirr, më 1918, nga zyra politike italiane dhe u qortua. Këtë vit ai iu bashkua shoqërisë “Lidhja e djelmoshave të Vlorës”, e cila synonte mobilizimin e arsimtarëve, intelektualëve e atdhetarëve kundër politikës pushtuese italiane. Në këtë periudhë Hamza Isai strehoi në shtëpinë e tij patriotin Avni Rustemi, i cili qe vënë në krye të lëvizjes atdhetare. Në vitet 1918-1919, Hamza Isai, bashkëpunoi me shoqërinë “Mbrojtja Shkollore”, me qendër në Brataj. Ai qe kundër qeverisë së Durrësit, duke e konsideruar atë pro italiane dhe qe firmosës i memorandumit, dërguar më 24 shtator 1919 kryetarit të delegacionit anglez në Konferencën e Paqes, në Paris. Në dhjetor 1919, ka qenë në grupin e shqiptarëve që u takuan me delegacionin amerikan, të kryesuar nga Jozef Hevri, dërguar prej Uillsonit, për të dëgjuar kërkesat e shqiptarëve që donin bashkimin e Vlorës me gjithë viset shqiptare dhe largimin e italianëve nga Vlora.

Në janar të vitit 1919, ka qenë pjesëtar i grupit organizator të ceremonialit mortor të Ismail Qemalit, në Kaninë. Në letrën që Hamza Isai i shkroi Lef Nosit, për këtë ngjarje, spikatin fjalët: “Vdiq plaku diplomat i Vlorës. Zemrat tona u hidhëruan e u përvëluan sikur të kishte rënë një rrufe mbi qiellin e Vlorës dhe të na kishte djegur qytetin. Vdiq Ismail beu, mburesa e idealit të madh të kombit shqiptar. Por, jo! Nuk ka vdekur ideali i tij. Unë atë e shoh përditë në sytë flakëronjës të brezit të ri që po ngrihet, rrethuar nga telat e pushtuesit…”. Ka qenë pjesëtar i grupit që mbështeten pjesëmarrjen në Kongresin e Lushnjës. Së bashku me Ymer Radhimën punuan për grumbullimin e informacioneve mbi gjendjen në vend. Pas kongresit u përfshi në organizatën “Mbrojtja Kombëtare”, e cila synonte përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Në prill 1920, detyrohet të largohet nga qyteti dhe të jetojë në krahinën e Mesaplikut, ku ndihmoi në organizimin e çetave të luftëtarëve. Nga Mesapliku, Hamza Isai, kaloi në Korfuz, ku realizoi lidhjen me shtetet e Evropës dhe prezantoi luftën e shqiptarëve kundër italianëve. Njohës i mirë i pesë gjuhëve të huaja ai u shkroi letra gazetave evropiane: “Epoka”, “La Patrie”, “Resto del Carlino”, “Petit Marseillai”, “Avanti”, “Kuvendi”, “Popolo di Italia”, etj. Në këtë rast ai qe përfaqësues i “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Shqipërisë”. Më 29 gusht 1920, u kthye në Vlorën e çliruar dhe në shtator mori pjesë në manifestimet e qytetit të çliruar, ku ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër. Ai është rreshtuar në listën e personave që iu drejtuan me një thirrje popullit të Vlorës duke kërkuar ndihma për organizimin e festimit të çlirimit, që u zhvillua më 3 shtator. Po kështu, ai ka qenë anëtar i komisionit për gjetjen e eshtrave të Selam Musait, dhe grupit që hartuan promemorien drejtuar luftëtarëve të Vlorës, ku u shprehen se: “eshtrat e Selam Musait ishin djegur me benzinë nga pushtuesit”. Patrioti Hamza Isai ka qenë në grupin e drejtuesve lokalë të Vlorës që i telegrafuan kryeministrit Sulejman Delvina, në mbarim të luftës së Vlorës: “Z. Juaj, qëndruat si burrë i patundur dhe treguat cilësi diplomatike dhe atdhetari të vlefshme”. Hamza Isai ka qenë nënshkrues i telegramit drejtuar gjykatës së Parisit, nga një grup shqiptarësh, për të shpëtuar Avni Rustemin, pas atentatit kundër Esad Toptanit. Ai ka përkrahur propozimin për shpalljen e Sulejman Delvinës “Qytetar Nderi” i Vlorës. Në këtë rast ka qenë në delegacionin që i dhanë sihariqin kryeministrit dhe e ftuan në ceremoninë e 28 nëntorit, që po përgatitej të zhvillohej në Vlorë. Më 24 tetor 1920, shkroi programin e manifestimit me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit Kombëtar, gjë e cila u kundërshtua me dhunë nga italianët. Hamza Isai kontribuoi për arsimin shqip edhe më 1920, pas shporrjes së italianëve nga Vlora, në zbatim të vendimit të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Vlorës”. Në këtë rast ai qe në përbërje të këshillit administrativ, së bashku me Osman Haxhiun, Jani Mingën, Halim Xhelon, Ymer Radhimën, Alem Mehmetin. Pas fitores së luftës, ai, u caktua në detyrën e drejtorit të Policisë në Vlorë, duke pasur një bashkëpunim të ngushtë me mëmëdhetarët e shquar dhe korrespondencë me Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin, Petro Pogën, Shtjefën Gjeçovin, Spiro G(J). Kolekën, Sulejman Delvinën, etj. Ai ka luajtur rol të madh në krahinën e Himarës, ku elementë të “megalidhesë” punonin kundër Shqipërisë, për të realizuar synimet shoviniste greke dhe ka qenë aktiv në hartimin e realizimin e një marrëveshjeje të qeverisë shqiptare me përfaqësuesit e shtatë fshatrave të Himarës, në qershor 1921. Në qershor 1922, u ngarkua me detyrën e kryetarit të komisionit për zgjedhjen e kryesisë së federatës “Atdheu”. Është këshilluar nga prefekti i Vlorës, Bajram Fevziu, për përzierje në politikë (duke qenë drejtor i Policisë u angazhua në lëvizjen për zhvillimin e vendit “simbas parimeve të botës moderne e konstitucionale”. Ka qenë ndër anëtarët aktiv të shoqërisë “Bashkimi”. Më 1922, kur qe drejtor i Policisë në Vlorë, u zëvendësua nga Sadik Zhari, mbasi në maj 1922 konkurroi për kryetar bashkie, në Vlorë, duke u renditur i katërti, sipas rezultateve të votimit. Më 2 maj 1924, mori pjesë në kuvendin e organizuar në Vlorë, ku u miratuan dy memorandume, dërguar Këshillit të Shtetit, për vdekjen (vrasjen) e Avni Rustemit, më 22 prill 1924. Në këtë rast, ai u rreshtua në radhët e batalionit “Bashkimi” dhe në vijim qëndroi pranë qeverisë së Nolit, në Tiranë, duke shërbyer në Policinë Shqiptare.

Krahas masave për organizimin e Policisë evidentohet se qeveria e Nolit vlerësoi të nevojshme krijimin e Drejtorisë së Policisë në Ministrinë e Brendshme. Rezulton se Hamzai u thirr në shtator për të kryer detyrën e drejtorit të Policisë, por ai refuzoi dhe u largua në Vlorë. Më vonë, më 10 dhjetor 1924, ministri i Brendshëm, Rexhep Shala, urdhëroi Seksionin e Dytë (që në fakt ishte Drejtoria e Policisë) të njoftojë kryekomiserin e qeverisë së Vlorës, Hamza Isai, prefektura e Vlorës, se është caktuar “Drejtor i Policisë së këtushme dhe të niset sa më shpejt në krye të detyrës”. Ky akt shënon de fakto rikrijimin e Drejtorisë së Policisë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, me drejtor të Përgjithshëm veteranin e Policisë Hamza Isai. Sipas këtij dokumenti, evidentohet se Policia u vu përsëri në varësi hierarkike të drejtpërdrejtë të Ministrisë Brendshme (Drejtorisë së Policisë) dhe në çdo prefekture do të kishte komiser, sikurse edhe në çdo bashki. Ardhja në pushtet e “Legalitetit” solli shkarkimin e tij të menjëhershëm. Edhe në këtë rast pati përsëri fatin e antizogistëve të tjerë, duke u larguar në emigracion, ditën që përcolli Nolin nga Tirana në skelën e molit të Vlorës. Fillimisht emigroi në Vjenë, por më pas u kthye në Bari, pikërisht dy ditë para vrasjes së Luigj Gurakuqit, duke qenë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të tij.

Hamza Isai u përfshi në KONARE, duke aspiruar për një Shqipëri Republikane. Në vitin 1926, shkoi në Vjenë, ku u takua me Nolin. Ka qëndruar në emigracion deri në vjeshtën e vitit 1928, kur u fal nga Zogu, dhe u kthye në Vlorë, duke u tërhequr përfundimisht nga jeta politike, i lodhur nga streset e gjendja e rëndë ekonomike familjare. Më 1932, qe në grupin organizator të ceremonisë së varrimit të Sulejman Delvinës, duke i bërë nderimet e merituara. Hamza Isai ka mbajtur një fjalim në këtë ceremoni, krahas Osman Haxhiut e Ibrahim Abdullahut. Në vitin 1937, u sëmurë rëndë nga një bronkopneumoni, duke u detyruar të shtrohet për një kohë të gjatë në spitalin e Vlorës. Edhe në vitin 1937 u përfshi në grupin organizator të kremtimit të festës së pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë vit ai shkroi kujtimet e tij, të mbledhur në dokumentin “Kujtime”, dorëshkrim. Në vitet e fundit të jetës është shprehur: “Luftuam një jetë tërë, por përsëri bëmë pak, për ta bërë Shqipërinë, ashtu siç dëshironte Kristoforidhi, Jani Vretua, Hoxha Tahsini dhe Sami bej Frashëri, Zvicër të dytë. Ishallah këtë amanet e bëjnë djemtë dhe nipërit tanë…”. Hamza Isaraj ka qenë i martuar fillimisht me Shaze Ahmetaj (nga Mallakastra) me të cilën pati dy djem, që i vdiqën në vitin 1918 nga gripi. Në vitin 1919 u martua me Nizete Ymeraj nga Kanina, me të cilën pati 6 fëmijë të tjerë. Hamza Isai ka pasur vlerësime të shumta pozitive nga bashkëkohës të tij. Prefekti i Vlorës, Lele Koçi, më 26 mars 1940, në shkresën zyrtare nr. 629, e ka cilësuar “një hero i gjallë, simbol i sakrificave për triumfin e ideve kombëtar”. Hamza Isai u shua më 8 dhjetor 1940, kur kishte mbushur moshën 68 vjeçare. Patrioti Ibrahim Abdullahu, mik i tij, mbajti fjalën mortore dhe e cilësoi atdhetarin e ndjerë “një nga idealistët e rrallë të Vlorës”. Për Hamza Isarain kanë shkruar shumë bashkëkohës të tij, ndër të cilët radhiten Leonidha Naçi, Ibrahim Abdullahu, Qamil bej Risilia, Mihal Peço, Ibrahim Shyti, Muço Delo, Toli Arapi, etj. Përveç kësaj ai ka pasur korrespondencë të shumtë me disa atdhetarë brenda e jashtë vendit, duke filluar me Ismail Qemalin, Hoxhë Kadrinë, Luigj Gurakuqin, Shefqet Daiun, Sulejman Delvinën, Theofan Nolin, Namik Delvinën, Qazim Kokoshin, Bektash Cakranin, Pandeli Calen, Fazli Toptanin, etj. Studiuesi pasionuar Bardhosh Gaçe ka shkruar monografinë “Një jetë në shërbim të kombit”, kushtuar patriotit e demokratit Hamza Isai. Hamzai është nderuar nga Presidiumi Kuvendit Popullor, i cili e dekoroi me dekretin nr. 3608, datë 26.11.1962 me urdhërin “Për veprimtari patriotike të klasit III”, me motivacionin “Patriot demokrat. Për shërbime të vlefshme patriotike që i ka bërë atdheut dhe popullit në luftën kundër zgjedhës turke” si dhe nga Presidenti Alfred Moisiu me “Medaljen e Mirënjohjes”. Po kështu, ai është dekoruar nga president Bamir Topi, me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në Lëvizjen Kombëtare për shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e Shtetit Shqiptar, për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe përparimin e Shqipërisë sipas modeleve të vendeve demokratike”, dekreti nr. 7564, më 25 qershor 2012. Presidenti Bamir Topi, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, me rastin e këtij dekorimi u shpreh: “Kam detyrimin institucional dhe moral për të nderuar këto figura që e meritojnë, sepse i japin vlerë gjithë Shqipërisë dhe popullit shqiptar”.



*Marrë me shkurtime nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013”

*Titujt janë redaksionalë