(Libri i ri i prof. Murat Gecaj, “Me zemër në vendlindje”)
Nga: VIRON KONA, shkrimtar e publicist
inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës-Tiranë
![]() |
| Boras-Suedi (14 prill 2012). Nga e majta(lart): V.Kona, B.Latifi, M.Gecaj, P.Ketissen, S.Demaku; (poshtë, nga e majta): K.Hoxha e K.Gurmani |
Libri nisë me lajmin e udhëtimit për në Suedi, nëpërmjet ftesës së veçantë të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras; me udhëtimin ajror drejt Veriut të Europës, në vendin e dikurshëm të vikingëve, kurse sot të suedezëve të zhvilluar, të përparuar dhe shpirtmirë, me botë të pasur njerëzore. Vijon libri me shkrime për brendinë e festimeve të 5-vjetorit të revistës “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”; me përqafime të ngrohta dhe të përmallshme mes vëllezërish dhe miqësh; me bashkëbisedime mbresëlënëse dhe fjalë të zjarrta, të mbajtura në kuvendin e njerëzve të kulturës. Ndërsa shohim më tej fotografi të panumërta dhe autografe librash, me shprehje ndjenjash të respektit vëllazëror e miqësor…
E, në vazhdim, pasqyrohen vizitat në Borasin e njohur për tekstilin, për veçoritë dhe karakteristikat qytetare perëndimore të tij; për historinë dhe kulturën, për njerëzit e mirë, të dashur, të ditur dhe mikpritës; për bukuritë dhe pastërtinë e mjedisit; kujdesin ndaj kulturës, traditës, librit, veprave të artit; respektin për vlerat njerëzore kudo, ku ato shfaqen dhe plot shembuj të tjerë, që përfaqësojnë, konfigurojnë e paraqesin në mënyrë bindëse një qytet europian, me përmasa dhe parametra modernë.
Shkrimet e librit, shprehin ngrohtësisht e mjaft bukur edhe vizitën në Goteborg, qytet i dytë i Suedisë për nga madhësia, i quajtur ndryshe dhe “Londra e vogël” ose “Amsterdam i ri”; vijojnë me përshkrimet mbresëlënëse të vizitave dhe shëtitjeve në atë qytet-port, me histori dhe mjedise interesante e befasuese për cilindo vizitor. Libri ndalet në portretizimin e karaktereve njerëzorë, tregimin e ngjarjeve të llojllojshme, duke pasqyruar thellësinë e ndjenjave të atdhedashurisë së shqiptarëve, të cilët kanë gjetur strehë të ngrohtë dhe të sigurt në Suedinë mike, por që vazhdimisht mendjet dhe rrahjet e zemrave të tyre, përhapin në hapësirë fllade malli dhe dashurie të zjarrtë për vendlindjen e shtrenjtë, Kosovën dhe Shqipërinë.
![]() |
| Kopertinat e librit të ri |
Prof. Murat Gecaj, si edhe në shkrime të tjerë të tij, zhvillon dhe vlerëson ngjarjet nisur nga ideja se, ajo që e bën të bukur dhe mbresëlënës një vend, një qytet, një shtet, një popull, është vlera shpirtërore e njeriut, sesi ai paraqitet në veprimtarinë e jetës së përditshme, çfarë qëndrimi mban ndaj të resë, përparimtares; sesi ai ndërton “urat” e bashkëpunimit me popuj të tjerë, si nderon dhe respekton civilizimin dhe qytetërimin. Dëshiroj të theksoj me bindje të plotë, si bashkudhëtar dhe dëshmitar i mjaft episodeve dhe ngjarjeve të përshkruara në këtë libër, që Suedia dhe banorët e saj, qofshin vendës, shqiptarë ose të ardhur nga kombe të tjerë, e manifestojnë cilësisht shkëlqyeshëm qytetarinë, mirësinë dhe dashurinë njerëzore.
Autori e respekton Suedinë dhe suedezët si komb, duke vënë në dukje se ata i kanë dhënë botës dhe njerëzimit personalitete të mëdhenj historikë dhe të të gjitha fushave: politikës, kulturës, shkencës, artit, letërsisë. Por, ndërkohë, ky vend dhe ky popull emeton stuhishëm dhe me rrezatim gjithëpërfshirës, energji të pamata njerëzore, ashtu si dielli jetëdhënës shpërndan kudo, pa kursim, pa hatër dhe anësi, rrezet e tija të ngrohta, kusht kryesor për ekzistencën e njeriut në planetin, ku ne jetojmë.
Nëpër faqet e librit kalojnë emra njerëzish të moshave e profesioneve të ndryshme, shqiptarë e suedezë, fëmijë, nxënës shkollash, mësues e mërgimtarë të thjeshtë, personalitete të artit e kulturës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë e Kosovës, autoritete vendëse, gazetarë, shkrimtarë, artistë, studiues… Emrat e tyre bëhen të njohur nga autori me respekt e dashuri, ata portretizohen dhe paraqiten bukur me të veçantat e tyre, me vlerat dhe me mesazhet që përcjellin, nëpërmjet tregimeve, ndodhive, bashkëbisedave të ngrohta e të sinqerta. Nga njëra faqe në tjetrën, lexuesi miqësohet me ta, si me miq që ka mall e dëshirë t`i takojë e t`i njohë më nga afër.
E bënë tërheqës librin, fakti se ai është shkruar me një gjuhë të pastër letrare e drejtshkrimore, me larmi, ngjyrime e nuanca emocionale, me stil tërheqës e origjinal. Gjithashtu, e bën edhe më të plotë librin, pajisja me fotografi njerëzish, vendesh, peisazhesh dhe pamjesh, nga vizitat në Suedinë e bukur.
Kam bindjen se, cilido që do ta lexojë këtë libër, jo vetëm do të marrë një informacion të pasur dhe të plotë për popullin suedez dhe shqiptarët me banim në Suedi, por edhe do të krijojë përshtypje, të atij lloji, që të mbeten të ngulitura thellë në kujtesë dhe që pasohen me shfaqjen e emocioneve, për çdo faqe dhe shkrim të librit.
Një hyrje libri, ka për detyrë të japë natyrshëm një informacion, por edhe të nxisë dëshirën dhe kureshtjen e lexuesit për atë që, libri, përfaqëson, paraqet dhe trajton, për mesazhet që përcjell dhe mënyrën, sesi i shprehë ato. Gjithësesi, sado pasqyruese që të jetë një hyrje, ajo nuk mundet kurrsesi të bëhet zëdhënëse e plotë dhe shteruese e mesazheve, emocioneve dhe bukurive të një vepre të ndjerë publicistike. Do të jetë vetë lexuesi, ai që do ta bëjë vlerësimin. Por dëshiroj të nënvizoj me bindje se, te faqet e këtij libri, rrahin si krahë pëllumbash në fluturim, fllade të ngrohta atdhedashurie e miqësie, të çiltëra, transparente dhe të sinqerta, të atilla, që mund t`i krijojnë vetëm zemrat e bukura.
Tiranë, shkurt 2013








