Konklava papale
Teorikisht, çdo njeri i pagëzuar mund të konkurrojë për karrigen e Shën Pjetrit. Por në praktikë, Papa i ardhshëm pritet të zgjidhet mes 117 kardinalëve ekzistues. Lista ngushtohet më tej në kandidatë të parapëlqyer. Një kompani bastesh sakaq i jep më shumë shanse kardinalit Peter Turkson nga Gana
| ANGELO SCOLA, ITALI |
| CHRISTOPER SCHOENBORN, AUSTRI |
| GIANFRANCO RAVASI, ITALI |
| JOAO BRAZ DE AVIZ, BRAZIL |
| LEONARDO SANDRI, ARGJENTINË |
| LUIS TAGLE, FILIPINE |
| MARC OUELLET, KANADA |
| ODILO SCHERER, BRAZIL |
| PETER TURKSON, GANA |
| TIMOTHY DOLAN, SHBA |
Pasardhësi i Papës Benedikt XVI pritet të zgjidhet nga votat e 117 kardinalëve gjatë një votimi të fshehtë, të njohur si Konklavë, që do të zhvillohet në kishën Sistine në Vatikan. Ligji kanonik thotë se çdo mashkull që është pagëzuar mund të garojë për postin e Papës, por që nga shekulli i katërmbëdhjetë, të gjithë papët janë zgjedhur nga vetë trupa e kardinalëve, që njihen edhe si Princat e Kishës.
Posti i Papës është mbajtur në të shkuarën pothuajse ekskluzivisht nga italianët por së fundmi, një polak dhe një gjerman kanë qenë papë dhe gara është e hapur. Megjithatë, përbërja e trupës zgjedhore mund të japë disa indikacione se kush mund të jetë Papa i ardhshëm.
Zgjedhja e Papës bëhet me dy të tretat e votës, gjë që do të thotë se kandidati fitues do të jetë rezultat i kompromisit. Gjashtëdhjetë e shtatë prej zgjedhësve janë emëruar kardinalë nga Benedikti dhe 50 nga paraardhësi i tij, Gjon Pali i Dytë.
Rreth gjysma e kardinalëve, 61 vetë, janë europianë, mes të cilëve 21 janë italianë dhe shumë kanë punuar për administratën e kishës Kuria, në Romë.
Kështu, një kandidat ka më shumë shanse nëse ka eksperiencë në Kuri dhe afërsi me Europën. Njohuritë e mjaftueshme të gjuhës italiane shikohen si parakusht.
Por ka gjithashtu spekulime se Papa i ri mund të vijë nga përtej detit. Rreth 42 për qind e popullatës botërore prej 1.2 miliardë katolikësh vijnë nga Amerika Latine dhe edhe një e gjashta e kardinalëve janë nga kjo pjesë e botës.
Këtu po japim disa nga emrat më të përfolur për postin e Papës.
Angelo Scola, Itali
Kardinali Angelo Scola, 71 vjeç, është kandidati më i rëndësishëm italian dhe për të një gazetë katolike ka thënë se është “princi i kurorës së katolicizmit”.
Ai është kardinal nga viti 2003 dhe është emëruar kryepeshkop i Milanos në vitin 2011. Ai është konservator me lidhje të ngushta me dy papët paraardhës qoftë nga pikëpamja personale ashtu edhe nga pikëpamja teologjike.
Në vitin 2010, në kulm të akuzave për abuzime seksuale, ai i cilësoi sulmet e medias mbi Papën “një poshtërim i padrejtë”. Por duke parë arsyen e dorëheqjes së Papës Benedikt, gjithsesi është e mundur që mosha e tij disi e avancuar të jetë një pengesë për të.
Christoper Schoenborn, Austri
Kardinali Schoenborn, kryepeshkop i Vjenës është ndoshta kandidati më i fortë joitalian nga Europa. Djali i një konti të Bohemisë, ai ka lindur më 1945 në një familje me histori të gjatë postesh të larta në Kishën Katolike dhe në Perandorinë e Shenjtë Romake.
Ai u bë kardinal më 1998 dhe, megjithëse shikohet si konservator intelektual, ai shkaktoi debate në vitin 2010 kur tha se ndoshta ka ardhur koha për të riekzaminuar çështjen e beqarisë së priftërinjve.
Kardinali Schoenborn më vonë publikoi një sqarim duke thënë se “nuk po kërkonte të vinte në pikëpyetje parakushtin e beqarisë për priftërinjtë e Kishës Katolike”.
Odilo Scherer, Brazil
Kryepeshkopi i Sao Paolos, kardinali Odilo Scherer, 63 vjeç, është kandidati më i rëndësishëm nga Amerika Latine. Ndërsa është sakaq drejtuesi i dioqezës më të madhe në vendin me popullatë më të madhe katolike në botë, Brazili, kardinali Scherer ka fituar edhe shumë kredenciale brenda Vatikanit. Ai ka fituar doktoraturë në teologji nga Universiteti Papnor Gregorian në Romë dhe ka punuar në Kongregacionin e Peshkopëve këtu.
Ai është parë si një kandidat kompromisi që mund të plotësojë kërkesat e europianëve dhe amerikanolatinëve. Në anën tjetër, 63-vjeçari me rrënjë gjermano-braziliane nuk ka qenë në gjendje të ndalojë tendencën në rënie të numrit të katolikëve praktikantë në Amerikën Latine.
Leonardo Sandri, Argjentinë
Kardinali Sandri, 63 vjeç, ka lindur në Buenos Aires të Argjentinës dhe ka prindër italianë. Ai u bë diplomat i selisë së shenjtë, pasi u bë prift dhe shërbeu si nunc apostolik në Venezuelë dhe Meksikë.
Mes viteve 2000 dhe 2007 ai qe i treti në linjën e komandës në Vatikan, duke shërbyer si staf. Nga fundi i papatit të Gjon Palit të Dytë, ai u bë zëdhënës i Papës dhe qe pikërisht kardinali Sandri që shpalli vdekjen e Papës në sheshin Shën Pjetër në vitin 2005.
Ai tashmë drejton departamentin e Vatikanit për Kishat e Lindjes.
Peter Turkson, Gana
I lindur në Ganën Lindore në tetor 1948, nëna e tij qe metodiste, ndërsa babai katolik. Peter Turkson u bë kardinali i parë nga Gana në vitin 2003, kur u emërua nga Gjon Pali i Dytë. Në moshën 54-vjeçare, ai është relator apo sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Afrikës, gjë që e bën një kandidat të fuqishëm për t’u bërë Papa i parë afrikan dhe natyrisht Papa i parë me ngjyrë. Të dy papët e fundit kanë shërbyer para se të bëheshin papë si relatorë për një sinod peshkopësh.
Turkson është gjithashtu kreu i Këshillit të Vatikanit për Drejtësi dhe Paqe, një institucion që publikoi një dokument në vitin 2011 ku bëhej thirrje për reforma radikale ekonomike për t’u përballur me recesionin botëror.
Dokumenti dënoi “idhujtarinë e tregut” dhe kardinali Turkson shprehu mbështetjen e vet për lëvizjen e protestuesve “Pushto Uall Stritin”.
Nga pikëpamja teologjike, ai shihet si i moderuar, duke dhënë sinjale për hapje, për shembull sa i përket debatit mbi kondomët, të cilat ai i konsideron si të përshtatshëm për çiftet ku njëri prej partnerëve është HIV-pozitiv. Por në moshën 55-vjeçare, ka dyshime se mund të shihet si problem pasi nëse bëhet Papë, do të jetë aty për shumë dhe shumë kohë.
Luis Tagle, Filipine
Një kandidat tjetër i ri është Luis Tagle, 55 vjeç. Ai është kryepeshkop i kryeqytetit të Filipineve Manila, një dioqezë me 2.8 milionë besimtarë dhe është bërë kardinal vetëm pak muaj më parë, në nëntor 2012.
Kardinali Tagle ka fituar reputacion si njeri i njerëzve – si peshkop ai u pa një herë duke i dhënë një biçiklete të lirë për të shkuar në një lagje të Manilës për të zëvendësuar një koleg të sëmurë.
Ai është i njohur se fton lypës nga sheshi jashtë katedrales për të ndarë ushqimin e vet me ta. Tagle është një nga kardinalët më të dashur për median. Ai është folës i zakonshëm në televizionet e Filipineve dhe ka edhe prani në “Facebook”.
Joao Braz de Aviz, Brazil
Kardinali 65-vjeçar nga Brazili ka një reputacion të shtuar që kur u bë prefekt i Kongregacionit për Institutet e Jetës së Shenjtëruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike në vitin 2011.
Ai vjen nga një familje me tetë fëmijë dhe ka lindur në Mafra, Santa Katerina e ka studiuar teologji në Romë.
Si një prift i ri në Brazil ai u kap në mes të shkëmbimit të zjarrit gjatë një grabitjeje të armatosur dhe plumbat përshkruan mushkëritë e tij dhe një sy: disa copa plumbash vijon t’i ketë në trup.
Pasi është bërë peshkop në vitin 1994 ai u emërua kryepeshkop i Brazilias në 2004. Ai është përqendruar te mirëqenia e të varfërve, por përpiqet ta largojë veten nga “teprimet” ideologjike duke thënë se ato pothuajse e patën bindur ta braktisë thirrjen për t’i shërbyer Zotit.
Timothy Dolan, Shtetet e Bashkuara
Kardinali Dolan, 62 vjeç, nga Shtetet e Bashkuara, është kryepeshkop i Nju Jorkut. Ai ka eksperiencë të gjatë si prift, pasi ka drejtuar më herët dioqezën e Miluakit. Ai është një personazh i dashur dhe ka kredenciale të fuqishme teologjike me titullin profesor në historinë e kishës dhe ka kaluar kohë në Romë si student dhe si rektor i Kolegjit të Amerikës së Veriut.
Gjithsesi, fakti është se ai është amerikan dhe si i tillë penalizohet nga ideja se kardinalët nuk dëshirojnë të promovojnë figura që vijnë nga një shtet superfuqi.
Marc Ouellet, Kanada
Kardinali Ouellet, 68 vjeç, nga Kanadaja, ka drejtuar Kongregacionin e Peshkopëve që nga viti 2010 dhe ka lidhje të fortë me Kurinë.
Ai është një kanadez francez që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës që kur u bë prift si profesor seminaresh dhe rektor. Ka kaluar dhjetë vjet në Kolumbi dhe nëntë në Kanada para se të emërohej si pedagog në Institutin Për Martesën dhe Familjen Gjon Pali i Dytë në vitin 1997.
Mendimet e tij janë shumë të ngjashme me ato të Papës që dha dorëheqjen.
Pas një qëndrimi të shkurtër si zëvendëspresident i Këshillit Papnor për Promovimin e Unitetit Kristian, ai u emërua kryepeshkop i Kebekut në vitin 2002 dhe u emërua kardinal në vitin 2005. Që nga ajo kohë ai ka shkaktuar debate duke folur për çështje morale të shoqërisë gjerësisht laike të Kanadasë.
Gianfranco Ravasi, Itali
Cardinal Ravasi, 70 vjeç, ka qenë president i Këshillit Papnor për Kulturën, ose ministri i Kulturës së Vatikanit për pesë vitet e fundit dhe rrjedhimisht ka kredenciale të forta në Kuri dhe në botën akademike. Ai është bërë popullor duke shpjeguar studimet e veta kishtare në televizione, radio e revista popullore në Itali.
Disa mund ta shohin këtë si dizavantazh nëse zgjedhësit përpiqen të promovojnë një prift dhe jo një profesor.
Para se ai të lëvizte në Romë, ai qe profesor dhe drejtor i Bibliotekës Ambroziane në vendlindjen e tij, Milano, një qendër me prestigj në studimet teologjike.
Një intelektual europian, shikohet si i “moderuar”, por konsiderohet gjithashtu se nuk disponon eksperiencë botërore.





