Viti i fundit i drejtimit i Papa Benediktit XVi ishte edhe më i hidhuri.
A u përkul në fund ai përballë komploteve?
Gianluigi Nuzzi, 44 vjeç, një gazetar pranë shërbimit sekret italian, publikoi librin “Vatileaks”, me dokumente sekrete, që dukej se rridhnin nga zyra e Papës.
Dhe tradhtari i përkiste familjes së Papës. Ai ishte vetë mazhordomi i tij, Paolo Gabriele, 46 vjeç. Sekretari personal i Papës, Georg Gaenswein e kishte denoncuar atë si autor.
Por në vend të tradhtisë, Gabriele u akuzua thjesht për vjedhje. Në vend të dënimit me burg, ai u fal nga vetë Papa.
Raporti i komisionit të përbërë nga tre kardinalë është “sub secreto ponteficio”, që do mbahet zyrtarisht i fshehtë. Prandaj nuk dihet se me cilët dokumente Nuzzi dhe njerëzit e tij mund t’i bënin presion Papës.
Ka pasur spekulime se shërbimi sekret italian i ka siguruar materialet në mënyrë të paligjshme. Këto spekulime qarkullonin në xhandarmëri dhe në Gardën Zvicerane.
Në brendësi të Vatikanit shtohen gjithmonë e më shumë thashethemet dhe intrigat.
Prelatët nga Pallati Apostolik përhapën lajmin në verën e vitit 2012 se Papa donte të zëvendësonte njeriun e dytë më të fuqishëm në Vatikan, Sekretarin e Shtetit, Tarcisio Bertone, 78 vjeç. Ai dyshohet për grupime, nepotizëm dhe transaksione sekrete.
Por për çudi, pas pushimeve të verës, Papa Benedikti XVI jo vetëm që nuk e shkarkoi atë, por i shkroi një letër falënderimi për punën e tij, duke e lënë në atë post.
Përpara një viti, u bë publik një regjistrim i kardinalit të Palermos, Paolo Romeo. Në një fjalim ai tronditi të pranishmit duke folur për përplasje të forta në Selinë e Shenjtë. Madje Romeo tha se Papa do të vritej në nëntor të vitit të shkuar.
Në shtator Papa emëroi ekspertin e pastrimit të parave, Rene Bruelhart, për të shqyrtuar makinacionet financiare të Bankës së Vatikanit.
Me këtë emërim, Benedikti bëri shumë armiq. Në janar Italia bllokoi të gjitha kartat e kreditit dhe të bankomateve në muzetë e Vatikanit dhe në zyrat postare.
Arsyeja zyrtare: Vatikani kishte shkelur rregullat kundër pastrimit të parave.