Hafiz Gagica
Veprimet e pamatura të politikës serbe po na kthejnë në kohërat e shefit të kryeministrit të sotëm të Serbisë, dhe kjo politikë është vazhdimësi e veprimeve agresive të regjimit serb ndaj shqiptarëve, që pa dyshim destabilizon rajonin në kohën kur Evropa po ecën drejt bashkimit të saj. Ky veprim i dhunshëm ndaj simboleve shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga ana e xhandarmarisë së Serbisë do duhej që nesër në mëngjes të shtrohet në Bruxel dhe në New York, por dhe gjetiu.
Lajmi i keq i orëve të mëngjesit për heqjen e lapidarit të dëshmorëve tanë në Preshevë, indirekt ishte konfirmue dy ditët e fundit edhe nga vet udhëheqësit politikë shqiptarë, qofshin ata të Luginës apo të Prishtinës dhe Tiranës. Loja me lapidar dhe figura politike, e në veçanti me dëshmorë dhe heronj në Ballkan, tani më është bërë mjet i dhunës politike, gjë që është, jo vetëm për keqardhje, por edhe për analizë në nivel të kancelarive ndërkombëtare..!
Qeveria e Kosovës në krye me Hashim Thaçin që qeverisë vendin dhe që është edhe kryenegociatori kryesorë me Beogradin, do duhej ta kishte shtrue me ngulm çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e jo të bën marketing politik pa mbulesë. Gjithashtu udhëheqësit shqiptarë në Luginë do duhej të ishin më azhur në raport me simbolin e dëshmorëve e jo të silleshin aq komod, sikur nuk do ndodhë asgjë.
Koha është e koordinimeve kombëtare dhe e bashkëveprimeve e jo e fjalëve dhe e demagogjive, qoftë asaj politike apo ushtarake.
Të drejtat e shqiptarëve në Luginë duhet të mbrohen dhe të sigurohen njësoi sikurse ato të komunitetit serb në Kosovë, por kjo kërkesë duhet bërë me ngulm dhe pa asnjë kompromis politik me Beogradin. Mbetëm më shpresë se në një ditë të afërme do të kemi lajme të mira për gjendjen e vëllezërve tanë në Luginë, si dhe do kemi koordinim më të ngushtë të veprimeve kundrejt politikës diskriminuese të Beogradit ndaj shqiptarëve atje midis faktorëve politikë shqiptarë në Luginë dhe atyre të Kosovës me Tiranën, ngase është e pa justifikueshme çdo lojë që dëmton interesat nacionale të 100.000 shqiptarëve që jetojnë në vatrat e tyre etnike në Luginën e Preshevës, gjegjësisht në Kosovën lindore..!