Home »
» “Njimijë klarineta”
“Njimijë klarineta”
Shënime për një vit të largët në prag të Vitit të Ri
Nga Enver Robelli
Ku gjendet kujtesa e një populli? Ku ruhet ajo? Në rastin e Kosovës kjo kujtesë pushon veçanërisht në faqe gazetash e revistash, të cilat janë të arkivuara, por pothuaj askush nuk ka as kohë, as vullnet t’i shpalosë. Gjatë transformimeve të mëdha shoqërore njerëzit kërkojnë orientim drejt të ardhmes, duke u larguar edhe mendërisht nga e kaluara. Kush është i zënë me të sotmen, kush duhet të ballafaqohet me gjendjen e rëndë sociale, për të puna mendore dhe shpalosja e kujtesës shndërrohet në luks. Në kushte të tilla institucionet përkatëse të kulturës e shkencës përpiqen të mbijetojnë duke e menaxhuar përditshmërinë dhe jo duke iu përkushtuar tamam punës së tyre të vërtetë: dokumentimit, interpretimit dhe përshkrimit të realitetit të paraardhësve tanë. Sa shumë libra (kryesisht të pavlera) botohen mbi beteja e heronj, dëshmorë e patriotë, konferenca e vendime, e sa pak vepra për jetën e përditshme, për historinë sociale të shoqërisë sonë.
***
Para disa muajsh kureshtja profesionale më çoi në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Duke shpalosur numrat e gazetës “Rilindja” pas datës 1 korrik 1966 – atë ditë ishte përzënë nga pushteti shkelësi i shqiptarëve Aleksandar Rankoviqi – vërehet jo vetëm sasia e pafundme e artikujve mbi jetën shoqëroro-politike dhe mbi represionin policor, për të cilin tani flitej publikisht, ndonëse me ngurrim, por edhe trajtimi i temave kulturore dhe sociale, gjithnjë bazuar në idealin socialist të edukimit dhe përhapjes së kulturës. Shumë lajme e fenomene të atëhershme sot mund të duken qesharake, por gjithsesi ato janë pjesë e kujtesës kolektive të kësaj shoqërie. Diçka që është qesharake nuk është patjetër edhe e denjë për t’u tallur dhe vënë në lojë.
***
Pothuaj çdo ditë gazeta “Rilindja” e asaj kohe ia kushtonte nga një faqe qendrave të mëdha komunale. Të hënave botohej “Rilindja e Gjakovës”, të martave “Rilindja e Gilanit”, të mërkurave “Rilindja e Prizrenit”, të enjteve “Rilindja e Prishtinës” – e kështu me radhë. Sot Kosova ka vetëm një kinema funksionale, ndërsa “Rilindja” e datës 5 korrik 1966 shkruante se brenda një jave në “Kino ‘Mosha Pijade’” në G(j)ilan do të shfaqeshin këta filma: “Njimijë klarineta” (film çekosllovak), “Kozara” (film i vendit), “Fenjerët e kuq” (film grek), “Beteja maratonike” (film italian).
Një ndër meritat më të mëdha të socializmit të asaj kohe (me të gjitha të metat që kishte) është fillimi i emancipimit të femrës. Gazetari Zejnullah Halili (më vonë shkrimtar i njohur për fëmijë) në “Rilindjen” e 5 korrikut sillte portretin e Fatime Qerimit – “mësuesja e parë ndër njimbëdhetë katundet e Karadakut”. Ajo (duhej të) ishte shembull për vajzat e tjera që të shpërthejnë kafazin e patriarkalizmit. Modeli më i mirë i asaj kohe ishte mësuesja e re, me kostum modest, pa shami, kryeshtruar, siç thuhet, e cila fëmijëve u mësonte gjuhën shqipe dhe matematikën. Moda e re filloi të propagandohej edhe në gazetë. Në numrin e 15 korrikut 1966 botoheshin dy modele fustanesh: “I pari asht i qepun drejt dhe mundeni me e qepë në disa modele dhe me e kombinue sikurse në modelet tona. Ky fustan asht i kompletuem me nji bolero prej materialit me kutija. I dyti po ashtu asht i qepun në disa modele, ku mundeni me i zgjedhë simbas shijes. Kët fustan mundeni me e veshë edhe në ditët më të freskëta, nëqoftëse edhe ju e qepni nji kostum të thjeshtë me katër pulla”.
***
Krahas mësueses, e cila edukon brezin e ri, duhej të lavdërohej edhe punëtori, i cili ruan mjetet e punës dhe ndihmon në ndërtimin e shoqërisë socialiste, duke u bërë shembull për të tjerët. Në numrin e 2 gushtit 1966 “Rilindja” në artikullin “Bageri i Bajramit – si barnatore” shkruante: “Bajram Kasnecaj, bagerist i kualifikuem në Mihjen sipërfaqësore, asht i njoftun për pedanteri në punë dhe për kujdes ndaj mjeteve të prodhimit. Megjithëse punon në nji bager të vjetër rus, i cili së shpejti do të dali jasht prodhimit, ai duket si me pasë ardhë dje prej fabrike. Bajrami ka ndikue që edhe kolegët e tij të kujdesohen për te.
Së shpejti Bajrami bashkë me tre shokët e tij – bageristë do të pranojnë në dorëzim një bager të ri – modern. Ky mjet prodhimi – derisa të jetë në duert e tyne – do t’i përngjajë një barnatoreje të rregullueme.
- Për me qenë i gatshëm për punë, bageri kërkon kujdes të veçantë, shtoi Bajrami dhe vazhdoi me ngarkue trenin e pesëmbëdhetë me rradhë atë ditë pune. Kolegët e tij ia kanë lakmi për pedanteri dhe me lakmi shikojnë bagerin e Bajramit, që nuk e tradhtoi kurrë kët punëtor të ndërgjegjshëm.”
***
Pas mësueses Fatime Qerimi, “bageristit” Bajram Kasnecaj radha i vinte mjekut shembullor. Në njërin nga numrat e saj në gusht 1966 “Rilindja” nën titullin “Muçivërca fitoi dy mjekë” shkruante: “Kohëve të fundit në komunën e Kamenicës janë tue u ba përpjekje të mëdha për përmirësimin e shërbimit shëndetsor. Në disa katunde të kësaj komune, si Strezovc, Ranilug, Muçivërc dhe Hogosht janë tue punue ambulancat shëndetsore. Në to mjeku nga qendra, dy herë në javë (të henën dhe t’ejtën), i vizitonte këto ambulanca. Para disa ditësh me iniciativën e Kuvendit të komunës, në Muçivërc, erdhën bashkëshortët mjekë Markoviq. Që nga dita e parë me sjelljet e tyne njerëzore, gjithmonë me fytyrë të qeshun dhe buzagaz, fituen simpatinë e pacientëve dhe katundarëve të tjerë.
Katundarët e kësaj ane nuk mundin me mëshehë gëzimin dhe dashuninë e madhe ndaj këtyne mjekëve.”
***
Nuk mungonte as kritika kundër devijimeve – ndonëse fjalët mateshin mirë e mirë, siç tregon shembulli i mëposhtëm mbi “bureket dhe mizat” nga “Rilindja” e datës 5 gusht 1966: “Mëngjesi i korrikut, e dielë ora gjashtë e tridhet e pesë minuta. Në restorantin ekspres të Pejës hyn nji mysafir me hangër mëngjes. Përveç nji kafje të bardhë, porositë edhe nji pjesë bureku…
Çdo gja – ai asht ma së miri.
Ulët dhe fillon të hajë me shije. Mirëpo në të ngranun e sipër – në sy i bij njëfarë pike e zezë. E shikon pak ma me kujdes dhe qe – mizë!
Po, mizë e pjekun së bashku me burek!
Pa mundë as me folë prej neverisë, i ban shenjë arkatares e ajo mandej shefit të sallës. U afruen që të dy, e pa ba za shkuen në kuzinë.
Mysafirit iu turbullue edhe para syve.
Nuk priti as me u kthye ma shefi i sallës, por mezi e gjeti derën dhe u turr kah Bistrica.
Një përziemje zorrësh, sigurisht, dhe – nji turbullim i veshun me neveri…
Eci ngadalë e n’ofshamë memzi u ndëgjue: inspektor sanitar, edhe të dieleve ke punë!…
- Këtu, në “Ekspres-restorant” të Pejës – me u shty me miza ose me personelin që po i gatuen ato, mizat me burek…”.
***
Derisa sot në Prishtinë edhe qebaptoret kanë lidhje interneti, në vitin 1966 “Rilindja” njoftonte se në Podujevë filloi të funksionojë centrali automatik telefonik. Drejtori i Postës Dragomir Komnenoviqi (“Jaksha”) tregonte se centrali automatik telefonik do të shërbente për zhvillimin e bisedave lokale, kurse lidhja me vendet tjera jashtë territorit që përfshinte Posta e Podujevës do të realizohej nga kabinat e postës. Për vitin 1967 synohej “të konstruktohet edhe lidhja direkte me Prishtinën”. “Ma së largu brenda 2-3 muejsh mendojmë me e montue në postë edhe teleprinterin për nevoja të përgatitjes së telegrameve”, citonte gazetari Isak Hasani drejtorin Komnenoviq.
***
Nganjëherë përmes humorit kritikohej papërgjegjësia e shoferëve në komunikacion. Me zhvillimin ekonomik nëpër rrugët e Kosovës nisi të rritej prania e veturave, kamionëve, autobusëve etj. Duket se disa shoferë ende s’e kishin të qartë se kush pi alkool, duhet të qëndrojë larg timonit. Andaj “Rilindja” në verën e vitit 1966 botonte himnin e shoferit (“Hymni i shoferit. Mund të këndohet me melodinë Ty-ty-ty, bie buria”):
“Kur niset nji gotë e pin n’Prishtinë,
ndalet n’Shtimle, n’Suharekë –
në Prizren, ai kur të mbërrinë
veç asht ba TAP – tumurlek –
E timoni n’duer t’shoferit
vetëm sillet ka marrë topjoll
udhtarët mbrenda nis përpushen
si me kcye TVIST – rroken rrallë
Ku-ku-ku, bërtet njerëzia
Ma ngadal shofer se fëmija
Për nam asht kah i qet mushkrit
tomobili drejt kah vija
me hez t’madh asht tu’ u avit.
N’drejtim t’vis shoferi shkonë
edhe syni si ban FËT,
rakija asht kah e dirigjonë
se aj ma s’asht i zoti vet.
Ty, ty, ty – bije buria
Shoferit n’kry i ka hip rakija
sot përpara kush si del
për të rrafsh asht prroni e VIJA
der’ sa t’nxehet ROKOTEL…”
***
Gëzuar Viti i Ri. Në këtë urim përfshihen edhe shoferët e përgjegjshëm.
*Koha Ditore






