Heroi dhe antiheroi
Phil Mercer
Për shumë australianë, Ned Kelly, djali i një familjeje të varfër katolikësh irlandezë, qe një figurë heroike anti-estabilishment që luftoi kolonistët e korruptuar britanikë të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Për të tjerë ai qe një gangster i rrezikshëm që vrau tre oficerë policie. Trashëgimtarët e Kelly kanë këmbëngulur për varrosjen e tij, por nuk kërkuan lartësimin e një banditi të njohur, thjesht për t’i dhënë një lamtumirë dinjitoze.
“Është mirë të shohësh se Ned do të marrë funeralin që ai në fund e meritonte në plan të parë”, thotë Anthony Griffiths, stërnipi i tij. Ai u varros të dielën krahas nënës së tij në një varrezë të vogël në gjirin e Gretas që gjendet në zonën rurale të shtetit Viktoria. Ky është edhe shteti ku ai u arratis gjatë betejës me policinë vendëse.
Krimineli u ekzekutua në nëntor 1880 pas një përplasjeje me armë me policinë në shtetin e Viktorias. Trupi i tij u vendos në një kuti dërrase dhe u hodh në një varr masiv bashkë me trupat e të burgosurve të tjerë. Vetëm në vitin 2010, testimi i kodit gjenetik më në fund konfirmoi identitetin e eshtrave të tij.
Në vdekje, ashtu si edhe gjatë jetës, ai mbetet një figurë shumë e debatuar, por debati është më i fortë se kurrë në bashkësinë ku pasardhësit e oficerëve të policisë që ai vrau jetojnë edhe sot në fqinjësi me pasardhësit e vrasësit.
“Ka ende një konflikt mbi Kelly-n”, thotë Peter Norden, një profesor në Universitetin e Melburnit dhe ish-komandant në burgun Pentrixhe, ku mbetjet e të ekzekutuarit u zbuluan.
“Ai do të varroset në një varr pa emër për të minimizuar rrezikun e vandalizmit. Ka shumë njerëz në bashkësinë e zonës ku familja e tij jetonte, që kishin shumë zemërim që e shprehin edhe ndaj pasardhësve të tij.
Beteja e tij e gjatë është kthyer në legjendë nga shumë libra, poema e filma. Mes filmave, është një prodhim i vitit 1970 ku ai luhet nga Mick Jagger, ndërsa figura e tij ka frymëzuar punën e piktorit të Melburnit Sidney Nolan. Ai simbolizon një koncept që godet në zemër të asaj që është Australia, thotë Norden.
“Ai simbolizoi pavarësinë dhe shpirtin rebel në Australinë e hershme. Ai josh individualizmin dhe ashpërsinë e të gjithë australianëve”.
Nëse Kelly do të gjykohej sot dhe nëse do të kishte një përfaqësim të mirë ligjor, ai kurrë nuk do të dënohej për vrasje, sepse po vepronte në kushtet e vetëmbrojtjes, shton Norden.
“Ai u dënua për vepra penale shumë të rënda, u konsiderua përgjegjës për vrasjen e tre oficerëve të policisë, por në fakt po mbronte familjet dhe interesat e veta dhe ngriti krye para policisë që kishte për synim ta vriste më shumë se ta arrestonte”.
Duhet të merren parasysh edhe rrethanat familjare të tij. Etja e Arit e bëri Melburnin një nga qytetet më të pasura në botë, por shumica e njerëzve nuk kishte përfitime nga kjo pasuri e papritur e zbuluar pak centimetra nën tokë.
“Kelly dhe shokët e tij qenë fermerë shumë të dobët që arrinin me vështirësi të nxirrnin mbijetesën e tyre dhe u diskriminuan në shumë mënyra në vitet 1870 dhe 1880”.
Qeveria e sotme e Australisë krenohet për ata që i quan “heronjtë popullorë më të mëdhenj të vendit”. Në faqen e vet zyrtare të internetit, qeveria shkruan: “Më shumë libra dhe këngë janë shkruar mbi Ned Kelly dhe bandën Kelly sesa për çdo grup tjetër figurash historike të Australisë”.
Biblioteka e shtetit të Viktorias ka në ekspozitë të përhershme koracën e bërë me dorë që Kelly pati veshur në përplasjen e fundit me ligjin në hotelin Glenrouan.
Kjo është një nga objektet më të vizituara të bibliotekës, krahas disa objekteve të tjera përkujtimore, përfshirë fotografitë e realizuara gjatë filmit ku shfaqet Mick Jagger, postera të shfaqjeve të ndryshme teatrale dhe dorëshkrimi i romanit të njohur të Peter Carey, “Historia e Vërtetë e Bankës Kelly”, roman që fitoi çmimin “Booker” më 2001.
“Është pjesë e mendësisë së australianëve të bëhesh një mbështetës i madh i humbësve. Ne jemi me të vërtetë shumë të dashuruar me mashtruesit dhe rebelët”, shpjegon Jo Ritale, menaxheri i koleksionit të bibliotekës.
“Mendoj se koraca dhe armët tërheqin veçanërisht djemtë e rinj. Ata harxhojnë paratë për të blerë një helmetë prej letre të ngjashme me atë të Ned Kelly, të cilën e marrin në shtëpi”.
Jo Ritale beson se legjenda e grabitësit famëkeq të bankave është mbështetur përgjatë këtyre kohëve nga shkrimtarët, artistët dhe prodhuesit e filmave, të cilët kanë në shpirtin e tyre magjepsjen e përgjithshme të australianëve me historinë e gjyshit të grabitësit të madh, për të cilin thuhet se u dërgua në koloninë penale të Australisë nga Britania e Madhe si ndëshkim për vjedhjen e dy derrave.
Deri në vitin 1840, kur dënimi me ekzil të përhershëm në Australi apo koloni të tjera penale u ndalua, më shumë se 50 mijë irlandezë qenë dënuar të jetonin në Australi për vepra të vogla penale, për të cilat shpesh u nënshtroheshin gjyqeve tërësisht të padrejta. Për rrjedhojë, irlandezët e dërguar në Australi qenë shumë dyshues ndaj sunduesve britanikë të këtij kontinenti dhe ruajtën katolicizmin me fanatizëm.
Ky qe një kombinim i fuqishëm dhe zjarrndezës dhe shpesh argumentohet se lufta e fortë e Kelly-t kundër autoritarizmit qe në zemër të kryengritjes së tij kundër forcave koloniale në vitet 1870 dhe në betejën finale më 1980.
Sot, policia në Viktoria sërish këmbëngul se ai nuk duhet të nderohet si një hero.
Bruce McKenzie, ndihmëssekretari i shoqatës së Policisë së Shtetit akuzon Kelly-n për kryerjen e disa prej krimeve më të rënda në historinë e Australisë.
“Ajo që ne nuk duhet të harrojmë është se Ned Kelly mbetet përgjegjës për aktin më të rëndë të vrasjes së oficerëve të policisë në të gjithë historinë e Australisë. Ne shpresojmë që bashkë me të do të varroset edhe tradita e çuditshme australiane e nderimit të heronjve të tillë që kanë qenë përgjegjës për krime të tmerrshme”, thotë ai.
Gabim apo e drejtë, Edward ‘Ned’ Kelly u var në nëntor 1880 në burgun e Melburnit. Ai qe 25 vjeç. Sipas disa dokumenteve historike, fjalët e tij të fundit qenë legjendare. “E tillë është jeta”, tha ai para se të varej.
“Më në fund atij do t’i jepet një varrim dinjitoz dhe një shërbim funeral, diçka që atij iu mohua në vitin 1880”, thotë Norden.
“Mendoj se varrimi privat vetëm sa do ta rrisë, në vend që ta pakësojë tërheqjen për legjendën e Kelly-t”.
Jeta e një të arratisuri
I lindur në Beverixhe, Viktoria, diku mes vitit 1854 dhe 1855.
I ati, irlandezi John hyri e doli nga burgu shumë herë, iu nënshtrua punës së rëndë dhe vdiq në vitin 1866.
Kelly pretendoi se ka vjedhur 280 kuaj kur ka qenë fëmijë.
Kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke iu arratisur policisë, i akuzuar për vjedhje, grabitje, sulm të armatosur dhe në fund, për vrasje.
Tre oficerë policie u vranë më 1878, ndërsa po përpiqeshin të arrestonin bandën e Kelly në vendin e tyre të fshehjes në shkurre.
Dy grabitje bankash vijuan ndërsa banda qe në arrati.
Kelly u arrestua pas një rrethimi në Blentouan, ku qenë marrë peng 62 vetë.
Fjalët e Kelly-t
“Unë nuk mund të bëja gjë tjetër veçse t’i qëlloja ata ose t’i lija të më qëllonin dhe ky qe qëllimi i tyre që nuk u realizua për shkak se plumbat që ata shtinë nuk shkuan aty ku ata dëshironin të shkonin. Por janë të rreme akuzat që thonë unë i vara Kennedy-t në një pemë apo se i preva veshin njërit prej tyre, ose se i trajtova brutalisht. Nëse veshi i Kennedy-t u pre, nuk është prerë prej meje…”
Ned Kelly, 1879
Ethet e arit në Australi
Zbulimi i parë i arit në Australi ndodhi më 1851 kur kërkuesi Edward Hargraves njoftoi gjetjen e një sasie të vlefshme ari në Uellsin e Ri të Jugut. Tetë muaj më vonë floriri u zbulua në shtetin e Viktorias duke shkaktuar mbërritjen e shumë kërkuesve. Popullata e Australisë u trefishua gjatë tri dekadave të etheve të arit nga 340 mijë vetë që qe më 1851 në 1.7 milionë më 1871. Për disa vite, ari i gjetur në Viktoria qe më i bollshëm se në çdo vend tjetër të botës me përjashtim të fushave të Kalifornisë. Viti më i mirë për prodhimin e arit qe 1856, kur nga toka u nxor 3 milionë onç ar, e barasvlefshme sot me 4.5 miliardë dollarë. Ari i eksportuar në Britani ndihmoi këtë vend të paguante të gjitha borxhet e jashtme dhe krijoi një kapital bazë që u përdor për industrializimin e përgjithshëm të këtij vendi.
Diçiturat e fotove
- Kelly u var në Melburn më 1880
- Jagger më vonë pretendoi se nuk e ka parë kurrë filmin e vitit 1970 ku ai luajti rolin e Kelly-t
- Në moshën 16-vjeçare (majtas), Kelly qe një figurë mbresëlënëse
- Kafka e Kelly-t nuk u gjet gjatë gërmimeve për eshtrat e tij.
- Qyteti i Melburnit qe asgjë më shumë sesa një kamp me çadra në vitin 1850, kur u zbulua floriri.
- Kërkuesit e arit jetonin praktikisht nën qiell të hapur duke ëndërruar pasuri marramendëse.
Gazeta S H Q I P





