Mjekësia e doktor kompjuterit


Emri i tij është Watson. Por mund ta thërrisni thjesht “doktor Watson”. Mos prisni ta shihni me përparëse të bardhë. Mos e merrni për dobësi hezitimin me të cilin po vlerëson një nga rastet e para klinike

Ky superllogaritës është instaluar në spitalet amerikane

Në këtë mënyrë, inteligjenca artificiale ndihmon syrin klinik



Emri i tij është Watson. Por mund ta thërrisni thjesht “doktor Watson”. Mos prisni ta shihni me përparëse të bardhë. Mos e merrni për dobësi hezitimin me të cilin po vlerëson një nga rastet e para klinike. Superkompjuterit të IBM-së, që vitin e kaluar mundi të gjithë kampionët në kuizet televizive dhe që tani po debuton nëpër ambientet e spitalit, nuk i mungon aspak ambicia. Shëndeti ynë, që tani e në vijim, do t’i besohet atij. Me kapacitetin “për të lexuar” 200 milionë faqe në sekondë mes manualeve të mjekësisë, revistave shkencore, testeve diagnostikuese, elektrokardiogramave, amnezive apo radiografive, Watson, prej disa javëve është përkrah mjekëve të katër spitaleve të mëdhenj në Amerikë: Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, Universiteti i Marylandit, Qendra Onkologjike “Memorial Sloan Kettering” po në Nju Jork dhe “Cleveland Clinic”. Superkompjuteri ka firmosur një marrëveshje biznesi me “Wellpoint”, kompania e sigurimit më e kërkuar në Amerikë me 344 milionë klientë. Watson-in, që deri dje i përgjigjej kuizeve televizive, sot bluzat e bardha mund ta pyesin për sëmundjen që është prekur një pacient dhe të kërkojnë këshilla për kurën. “Mjeku shkruan simptomat, rezultatet e analizave dhe historinë klinike”, shpjegon Herbet Chase, profesor i informatikës mjekësore në Columbia që prej dy vjetësh e bombardon Watson-in me pyetje dhe raste klinike të komplikuara për t’i testuar kapacitetin. “Nëse fut një sërë simptomash si frymëmarrje me vështirësi, temperaturë dhe dhimbje, kompjuteri do të paraqesë menjëherë një listë sëmundjesh që lidhen me këto simptoma, ku në krye qëndron ftohja”. Brenda pak sekondave, kompjuteri analizon korpusin e manualeve dhe artikujve shkencorë të ruajtura në kujtesën e tij. Pastaj jep një listë me sëmundjet që përputhen me këto simptoma, të renditura sipas probabilitetit. “Kompjuteri sugjeron mundësitë e ndryshme, por sigurisht që është mjeku dhe pacienti që vendosin për terapinë”, shton më tej Chase, sipas të cilit do të duhet ende një vit për të vlerësuar performancën e Watson-it dhe për të vendosur nëse duhet apo jo të zgjerohen më tej aplikacionet. Nga diagnozat, kompjuteri mund të sugjerojë edhe kurën. Gjithsesi, shumë mendojnë se kjo është vetëm çështje kohe. Një eksperiment ekstrem si ai i doktor Watson me mjekun e gatshëm të zhvishet nga një pjesë e përgjegjësive, lind pikërisht nga mungesa e besimit te bluzat e bardha, nga gabimet e bëra në diagnostikimin dhe kurën e duhur. “Literatura shkencore shtohet çdo ditë dhe mjekët nuk mund të jenë gjithmonë në kohë reale me të dhënat e fundit”, shpjegon Chase. “Njeriu mund të preket nga 12 mijë sëmundje të ndryshme dhe mjekët asnjëherë nuk mund të jenë të saktë 100 për qind”, thuhet në një spot publicitar të bërë nga IBM. Në Itali, raporti i fundit parlamentar mbi gabimet mjekësore i hartuar nga shoqëritë e sigurimit, flet për 21 mijë denoncime vetëm në vitin 2010. Në SHBA, numri i viktimave në të njëjtin vit është llogaritur në 195 mijë. Me këto gabime ishte e natyrshme që siguria të kërkohej në fushën e informatikës. Futja e inteligjencës artificiale nëpër spitale është tentuar të bëhet që në fillim të viteve ‘80. Por rezultatet ishin jo shumë domethënëse dhe ambiciet e limituata: sot pothuajse në të gjitha spitalet në botë janë përhapur manekinë që stimulojnë sëmundjet për të trajnuar specializantët. Aplikacionet për telefona dhe kompjuter që i ndihmojnë mjekët të vlerësojnë disa analiza apo të japin kura nuk janë shumë të besueshme. Telekamerat dhe interneti tashmë mundësojnë vizitat në distancë. Disa software përdorin simulime për të parashikuar përhapjen e ndonjë epidemie. Telekamera të veçanta analizojnë lëvizjet dhe shikimin e fëmijëve më të prirë për t’u prekur nga autizmi. Për shumë mjekë, hyrja e teknologjisë nëpër spitale është një hap shumë i rëndësishëm. Eliot Siegel, radiolog dhe “shefi” i doktor Watson-it, në Universitetin Marylandit, shkon deri aty sa parashikon një të ardhme ku superkompjuteri mund të hyjë në sallën e operacionit për ta kryer operacionin sa më mirë të jetë e mundur. “Në kujtesën e tij nuk ka asgjë të programuar më parë. Sistemi është i aftë të përthithë informacione të reja dhe t’i përshtatet procesit të njohjes. Me pak fjalë, Watson mund të konsiderohet një kompjuter inteligjent.