Gjithnjë bashkë, me kolegët…Nga e majta: S.Harka, S.Hasko, B.Xhama, M.Gecaj e V.Kona
Kudo që punon dhe jeton Skënderi, lë pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe këngën, fjalën e zjarrtë dhe mendjen…E, ku nuk u shfaq vrulli dhe talenti tij: mësues e gazetar, aktor dhe shkrimtar, drejtues e veprimtar...Mbasi mbaroi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës për gazetari, ai ka drejtuar edhe institucione të rëndësishme të shtypit dhe të cultures, si Pallatin e kulturës “Studenti”, revistën “Pionieri” dhe Teatrin Kombëtar të Kukullave. Skënderi njihet jo vetëm humorist dhe aktor estrade, por edhe aktor filmash. Kush e ka parë filmin artistic, ”Malet me blerim mbuluar” dhe nuk i ka rënë në sy djaloshi me qeleshe të bardhë, që ia merr këngës,”Atë ditën e xhuma/Boria në Brataj ra”. Profesionin e mirfilltë të gazetarit e filloi me revistën “Hosteni”, ku me “hostenin” e tij magjik thumboi veset dhe çorri maskat e shumë dukurive negative të kohës. Kudo që shërbeu publicist, shkroi me duar të pastra e me kokë të ftohtë. Shokët, miqtë dhe bashkudhëtarët e tij të shumtë kanë qënë dhe janë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe të shquar të letërsisë dhe artit si: L.Poradeci, Sh.Musaraj, K.Jakova,P.Marko,O.Grillo,A.Mamaqi,S.Godo,A.Banushi,V.Kona,M.Gecaj,P.Koçietj. Por shoku i tij më i afërt është Bardhyl Xhama,ose siç e thërresin, ndryshe, “shkrimtari i detit”.”Me Bardhylin,- shkruan Skënderi,-jam njohur herët.Ai është i qetë, ndërsa unë jam impulsiv.Edhe kur grindemi fort për ndonjë problem,sikur të rriheshim, pas dy minutash futemi përsëri në rrjedhën e zakonshme të shoqërisë”(294). Skënderi , në jetë ka ngjitur shumë maja e ka zbritur shumë rrëpira. Por s’ka për të harruar kurrë atë, që i ndodhi në një kafene, duke pirë kafe mes shokësh e miqësh... “Për një çast,-tregon ai,-m’u mbyllën sytë dhe m’u ndal frymëmarrja!” Kishte pësuar vdekje klinike. Ali Cenaj,një burrë i panjohur,si i dërguari i zotit në legjendat e ringjalljes, duke e shtypur fort në gjoks, si me magji, i pat rivënë përsëri në punë zemrën e tij të madhe. Është kjo arsyeja që shokët e tij të “Kompanisë lëvizëse”, sa herë mblidhen për të pirë ndonjë kafe apo ndonjë kupë raki, i thonë me dashamairësi: ”Për ty, Skënder, s’ka vdekje kurrë!”. Ndërsa ai, plot humor e optimizëm, përgjigjet: ”Po,është e vërtetë. Unë, jo vetëm që e kam mallkuar rëndë, por dhe e kam mundur atë një herë.Ndaj ajo s’guxon dot të kacafytet me mua përsëri, sepse e di që e ka të humbur davanë…”! Ajo, që e bën të përjetshëm dhe të papërsëritshëm Skënder Haskon, është krijimtaria e bollshme letrare, me një problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përcon mesazhe të fuqishme e me vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë ësttë “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971.”Qysh atëhere ,–shkruan Skënderi në kujtimet e tij,-“më hyri krimbi”. Ndaj kurrë s’kam pushuar së shkruari ,natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës ka botuar 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma,si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa here, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të ndyshme të botës, si rusisht ,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”,”Tasim Gjokutaj” . Njëzet vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili, në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë . Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”. Të shkruash një arsenal kaq të madh librash cilësorë, kërkohet jo vetëm talent, por edhe punë e përkushtim, pasion e durim. Duhet t’i hysh në hak, kohës së lirë dhe familjes, gjumit dhe shëndetit.Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një krijues I pasionuar, si Skënder Hasko, i cili edhe pse ka bërë shumë, shprehet me modesti: ”Bëra ç’munda, për të vënë, qoftë dhe një guriçkë, në themelet e edukimit të brezit të ri”. Me krijimtarinë e tij te pasur, Skënder Hasko ka arritur që fëmijët të meditojnë si burrat, ndërsa burrat të qajnë e qeshin si fëmijët. Gjuhës i ka dhënë ëmbëlsinë e mjaltit dhe peshën e gurit, ndërsa nëpërmjet magjisë së fjalës ka “shpuar “ tejpërtej edhe malet, edhe detet, për të depërtuar në thellësitë e shpirtit e të mendjes së njerëzve. Shkrimtari Skënder Hasko ka qënë dhe mbetet i lidhur shumë ngusht me vendlindjen e tij, gjë që e shprehë edhe nëpërmjet magjisë së vargjeve: ”Nëvdeksha larg , këtu ku jam,/ ku jeta më degdisi/ aty do të mbij unë përsëri/ siç mbin një lënde lisi”. Për vlerat e tij të papërsëritshme si krijues dhe veprimtar shoqëror, Shoqata e krahinës së tij e ka nderuar me titullin e “Pishtar i shquar i Labërisë”, ndërsa Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, e nderoi me Çertifikatën e Mirënjohjes, ”Për vlera të shquara në krijimtarinë për fëmijë”. Librin e tij me kujtime ai e mbyll me epilogun metaforik, drejtuar bashkëvendlindasve dhe gjithë lexuesve :”Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as marr as jap/ Merrjani këngës dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”.
Tiranë, 27 janar 2013
(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj) |