Jean Moréas, arvanitasi që themeloi simbolizmin francez

Jean Moréas, arvanitasi që themeloi simbolizmin francez:
Nga Luan Rama
26. Te varri i J.MoreasPoeti i Moresë

“Grek nga Athina dhe me origjinë shqiptare, nga e ëma, – shkruante poeti i madh francez Guillaume Apollinaire (Gijom Apoliner), – Moréas ishte i tillë edhe nga i ati. Atij i pëlqente të bënte të njohur se mbiemri i tij i gjatë, që fshihte një pseudonim të pëlqyeshëm për veshin e francezëve, nuk ishte veçse një formë e helenizuar e emrit shqiptar Diamanti… Nga trungu i familjes së tij, ai kishte gjysh komandantin e lavdishëm të flotës greke, Tombazi, trimëritë dhe betejat e të cilit i dhanë atij një emër të famshëm, në kohën kur grekët ngritën krye më 1821 për të shpëtuar nga pushtimi otoman. Detari i pathyeshëm pati idenë tu vinte zjarrin anijeve turke, duke i shkatërruar aq shumë ato, çka nxitën dhe heroizmin e Kanaris. Ai më fliste për detarët hidriotë dhe ishullin e bardhë, për Hidrën, e banuar nga shqiptarët, që kurrë nuk i kishin lënë turqit të zbarkonin atje…”

Do të ishte një shkrim i poetit Apoliner, (Apollinaire), botuar në librin e tij Bredharaku i dy brigjeve, që do të zgjonte te unë kureshtjen për të madhin Jean Moréas, (Zhan Moréas) siç e njihnin francezët, apo Jani nga Morea siç e kishte francizuar emrin ai, pasi Moréas në fakt quhej Jani Papadiamanti.

Rrënjët e Moréas ishin bota arvanitase e ngjizur me shtegtimin dhe fatet e historisë së dy popujve, shqiptar e grek, rrënjë për të cilat ai shkruan dhe në poezitë e tij. Ishte nostalgji që do ta ndjekë atë gjatë gjithë jetës në Perëndim, gjer ditën kur do të vdiste si një pelerin dhe evropian njëkohësisht. Apollinaire-i që e njohu nga afër Moréas-in, veçanërisht në vitet e fundit të poetit arvanitas, shkruante: “Shumë herë, Moréas më ka folur për gjyshin e tij: “Kam shumë shënime që kanë të bëjnë me kohë të shkuara, të vjetra, – më tha njëherë ai, – por ato janë në një sunduk bashkë me një tufë dokumentash. Kur të kem kohë do t’i shoh dhe do të shkruaj diçka”. Ndonjëherë unë ia kujtoja punën e sundukut. “S’kam patur kohë, – më përgjigjej ai, – “por duhet të merrem vërtet me to”! Dhe ai më fliste sërrish për detarët hidriotë dhe ishullin e bardhë, Hidrën, të banuar nga shqiptarët, që kurrë nuk i kishin lejuar turqit të zbarkonin atje. Një ditë Moréas po e sodiste ishullin. Ai ishte në kuvertën e anijes që po e largonte nga Greqia. Ai e vështroi Hidrën gjersa ajo dukej ende, ashtu e tëra si në mermer. Toka, shtëpitë dhe vargjet e Orientales, atij i vinin në mëndje:
        ”Lamtumirë atdheu im krenar, Hidra, Spartë e re!

        Lirinë tënde që sapo ke fituar, këngët lart e ngrejnë,

        Direkët mbulojnë muret e tua, o qytet i detarëve!

        Lamtumirë! E dua ishullin tonë, ku shpresa jonë gjallon,

        Lëndinat e tua valët i përkëdhelin,

        Dhe shkëmbinjtë e rrahur nga vetëtimat, të ngrëna nga dallgët janë.
1. Jean MoreasNë kulmin e lavdisë së tij në Paris, Moréas, i deklaronte biografit Byvanck: “Unë kam qenë gjithnjë një rebel. Në venat e mia rrjedh gjak klefti. Në fakt, unë nuk i përkas racës greke dhe besoj se nuk ka më përfaqësues të llojit tonë. Familja jonë fisnike është me origjinë nga Epiri. Ajo quhet Papadiamantopulos, mbiemër disi i zgjatur në mënyrë komike por që besoj se do të thotë “diamant“ dhe “papa, d.m.th. që ka patur një prift në familjen tonë dhe “pulos“ është siç janë prapashtesat „viç“ në gjuhët sllave Para persekutimeve të turqve ne kemi emigruar nga trojet tona bashkë me familje të tjera në Peloponez apo Moré, siç i themi ne në fillimin e shekullit. Prandaj dhe vjen emri Moréa, të cilin ne e adoptuam. Gjyshi im dhe vëllai i tij janë shquar në luftën për Pavarësi. Nuk dua të mburr bëmat e tyre por mjafton të them se kjo familje ka nxjerrë shumë heronj. Babai im jetonte në Athinë, në rrethin e princit bavarez, mbretit Othon, të cilin e sollën Fuqitë e Mëdha… Dhe pikërisht në këtë kohë nisi rebelimi im.”

Në librin Jean Moréas, écrivain grec, (Jean Moréas, shkrimtar grek), Robert Jouanny citon dhe një përgjigje të Moréas dhënë gazetarit të revistës Lutece në vitin 1885 lidhur me emrin e tij. “Ju e citoni jo me saktësi emrin tim patronimik. Më lejoni t’ua them të plotë: është Papadiamantopulos dhe është një emër për të cilin jam krenar, një emër i lavdishëm në historinë e pavarësisë greke. Eshtë emri i të parit tim Papadiamantopulos, “gotzabas“ i More-së, për të cilin historiani Gervinus ka shkruar: “Kur të gjithë menduan se Misolongji humbi, ai shkoi në Zantes mes njëmijë rreziqesh për të fituar ose për të vdekur bashkë me mbrojtësit heroikë… Pothuaj në të njëjtën kohë gjyshi im tjetër, Tombazi, me luftrat e tij kishte tronditur armadën detare të sulltanit, siç thotë dhe një këngë akoma popullore ndër marinarët e arqipelagut“.
Rrënjët
Jani nga Morea lindi në shtëpinë e prindërve të tij në 15 prill të vitit 1856 dhe si shumë arvanitas, ai u rrit në një shtëpi në lagjen “Plaka“, rrëzë Akropolit. Familja e tij banonte në rrugën e “Filohelenëve“ pranë sheshit të Kushtetutës dhe Pallatit Mbretëror, e më vonë, në vitet 1873-1874, në rrugën Shën Filothea, pranë lagjes aristokratike „Plaka“. Pas tij lindën dy fëmijë të tjerë, të cilët vdiqën shpejt dhe më pas lindi e motra e tij, Kristina. I ati i tij kishte një shpirt artisti. Ai e donte artin dhe që i ri kishte marrë një kulturë gjermane e franceze. Përkthente Goethe-n nga gjermanishtja, por pëlqente shumë dhe gjuhën e letërsinë frënge. Shkruante poezi, siç dëshmojnë dhe disa poezi që kanë mbetur nga ajo kohë, një prej të cilave, poema e gjatë Vetëvrasja e ushtarit të moçëm. Ai adhuronte ndër të tjera dhe tablotë e El Greco-s apo poezitë e Schiller-it. Pikërisht këtë ndjesi artistike e trashëgoi dhe Moréas-i. Historiani Julien Gaultier, në librin e tij “Promenades et visites“ shkruan se “Babai i Jean Moréas ishte rritur në Munih në një kolezh të ngritur nga mbreti Othon për bijtë e heronjve të rënë në Misalongj“. Në një letër që shumë vite më vonë, miku i ngushtë i Moréas-it, Raymond de la Tailhède i shkruante nënës së tij, ai i pohonte se „Jean Moréas është biri i kryetarit të Gjykatës së Lartë të Athinës dhe nip i ministrit Papadiamantopulos, të mbretit Jorgo… Nga piratët e ishullit Hidra dhe heronjtë e viteve 1820, ai ka marrë krenarinë e njerëzve që kanë lindur për të komanduar…“ Duke kërkuar mbi prejardhjen e Moréas-it, interesant është dhe informacioni se në „”onën e Dodonës, në Epir, janë rrënjët e shtëpisë së Gjergj Margaritit, i cili më 1742 ishte varur nga turqit. Biri apo vëllai i tij mbante emrin “Diamanti“: Papa Diamanti Margariti“.

Eshtë me interes të citojmë dhe disa rreshta të historianit anglez George Finlay nga libri i tij Insurection et régénération de la Grèce, ku ai flet për vëllezërit Tombazi, njëri prej të cilëve i quajtur Manolis, i cili ishte guvernator i Hidrës“. Ai tregon se Manolis, gjyshi i Moréas-it nga nëna, “mori anijen e tij në Nafplio dhe me 200 luftëtarë zbarkoi në gjirin e Kisanos, duke pushtuar portin Drapani. Kështjella e Kisanos, e rrethuar nga ai më së fundi u dorëzua nga turqit. Tombazi kishte sjellë topa dhe pastaj i kishte vënë ato në bedenat e kështjellës. Më pas, sulmoi drejt Kandanos, duke nxituar më vonë në kryengritjen e Selinos…“ Edhe Jacob Tombazi, vëllai i tij ishte një nga prijësit e Revolucionit Grek. Në historinë e kësaj familje shkruhet se ata ishin në këshillin qeverisës të ishullit. Më 1821 kjo familje i dha Revolucionit të katër anijet e saj të quajtura „Leonidha“, “Cimon“, “Terpsichore“ dhe „Themistokli“, ku kjo e fundit cila ishte më e madhja e flotës greke, me dy topa dhe komandohej nga Jacob-i.

Rininë e tij, Jani nga Morea e kaloi nëpër rrugët që të çonin në sheshin “Omonia“ dhe “Stygmatia“, që do t’i kujtojë më pas në poezitë e tij Buzë një deti kam lindur:
Kam lindur buzë një deti

Që përcjell ëmbëlsisht ngjyrat e safirit të Lindjes

E ku lisat mbi rërë gëlojnë…

A nuk janë në portretin tënd të trishtë

Zambakët e zbehtë të detit të vendlindjes?

A nuk është trupi yt i brishtë

Si kërcenjtë e gjatë të zambakëve të detit të vendlindjes?

O dashuria ime! Ti paske vuajtur

Që veç një dëshirë e gëzuar të na udhëheqë

A nuk janë sytë e tu vetë gjëmimi i detit të vendlindjes?
Atje ku takoheshin rruga “Eole” dhe “Hermes” ishte kafeneja “Greqia e bukur” ku shkonin zakonisht letrarët e rinj. Adoleshent, prindërit e thërrisnin Janko. Në Athinë, në atë kohë ekzistonin veçse tri periodikë: ai i Biblikotekës Kombëtare, “Ilissos” dhe “Byron”, ku ai lexonte me etje poetët e asaj kohe. Disa dekada më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit te gazetës Le Temps, zotit Joseph Gaultier, Moréas i deklaronte: “Kur isha fëmijë, kisha një guvernante me shije mjaft të holla dhe të shkolluar, zonjën Dumény, hallën e aktorit tonë të famshëm Dumény. Kohën e adoleshencës unë e kam kaluar me poetët francezë. Lexoja pa pushim dhe pa u bërë ende dhjetë vjeç dukej se do këndoja me “lirën” franceze. Dhe hynitë e plotësuan dëshirën time…

Historia e familjes së poetit është e mbushur plot fakte e ngjarje trimërie. Rrënjët e saj ishin fillimisht në Margarit të Çamërisë. Por pas mizorive turke, gjyshi i tij u vendos në Patras, ku shpejt u bë i pasur. Por si shumë shqiptarë të tjerë, pasurinë e tij ai e vuri në shërbim të revolucionit. Madje ai ishte nga të parët që nisi revoltën kundër otomanëve gjersa ra hero në Mesallongj, ashtu si dhe Boçari. Në atë kohë, mbreti Othon kishte ngritur një kolezh në Mynih për bijtë e heronjve greke të rënë në Mesallongj. Kështu, i ati i tij, Adamandio, u rrit me kulturë gjermane. Ai bëri studimet për drejtësi në Heidelberg dhe në Berlin u rrit me poezitë e Heine-s, Schiler-it dhe Goethe-s. Më 1854, Adamandio u martua me të bijën e admiralit të famshëm shqiptar Tombazi. Vajza e tij quhej Parashqevi apo Shqevo Jurdi, nga Hidra. Që i ri ai u dallua për prirjet poetike. Ernest Reynaud shkruante në studimin e tij rreth Moréas-it se „Turqit i përzunë shqiptarët nga Peloponezi dhe ata u vendosën me shumicë në ishullin e Hidrës, nga ku dolën familje të mëdha si ajo e Kunduriotit, Vulgarit, Miaulit, Tombazit, etj.“

Në Kujtime mbi Greqinë, M. Max, pasi përmënd familjet e mëdha hidriote, dallon mes tyre Konduriotin dhe Tombazët, shkruan ndër të tjera se „Hidriotët dhe fqinjët e tyre speciotë janë me origjinë shqiptare. Ata flasin dhe greqishten dhe shqipen. Janë shtatlartë e të fuqishëm, trima dhe me ecje krenare. Kanë një lloj mburrje dhe përbuzje për grekët që jetojnë në kontinent. Ndryshe nga të tjerët, vëllezërit Tombazi i presin të huajt në mënyrë të gëzuar. Shtëpia e tyre është plot makete e modele anijesh, të cilat i kanë marrë në vëndet e huaja. Të gjithë janë marinarë. Aty takuam dhe kapitenin Shahin, kunatin e Tombazit, i njohur për betejat e tij detare…“ Po kështu, udhëtarja franceze Adelaide Dufrénoy, e cila vizitoi në këtë periudhë Greqinë, në librin e saj Bukuri të Historisë greke, shkruan ndër të tjera se „komandanti suljot Diamantis ishte një nga komandantët më të guximshëm dhe më të shkathët të ushtrisë greke. Më 1803 suliotët u detyruan të tërhiqen në ishujt jonianë dhe ai shkoi në Agarfa dku u lidh me dy luftëtarë grekë, Kazantonis dhe Lepeniote, të cilët luftonin kundër pashait. Meqë pashai nuk i mposhti dot, ai i njohu ata si „armatolë“, shef milicie të Livadhiasë. Komandanti Diamantis i vazhdoi betejat e tij herë në Livadhja e herë në Eubea (Evia), në Olimp apo Volos e gjetkë.“ Siç dihet, më vonë, më 10 prill të vitit 1826, Jani Papadiamanti, gjyshi i Moréas-it, u vra në mënyrë heroike në kështjellën e Misolongjit, në moshën 52 vjeçare.
Vijon nesër