Intervista/Albana Lifschin, shkrimtarja pioniere e letërsisë së emigrimit në Amerikë


Albana Lifschin, shkrimtarja që hedh ura lidhje midis diasporës dhe bashkatdhetarëve në Shqipëri
Shkrimtarja e njohur Albana Melyshi Lifschin, një një intervistë për gazetën e “Tirana Observer” rrëfen jetën e saj letrare mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Ajo tregon hapat e parë të saj në letërsi dhe jetën në Amerikë. Pse profesor Peter Prifti e cilësuar si ”pioniere e letërsisë së emigracionit në Amerikë”. Ajo tregon dhuratën e veçantë që i ka bërë Ali Podrimja dhe pse në fillimet e saj ka shkruar me pseudonim.
AlbanaBill2



Zonja Albana, para se të nisim bisedën për krijimtarinë tuaj të mirëfilltë letrare artistike të zhvilluar në Nju Jork, do të dëshiroja të ndaleshim fillimisht në librin tuaj “Udhëtim në historinë e Amerikës “. Kjo për faktin se gazeta jonë kohët e fundit ka botuar një seri të tërë fragmentesh interesante nga ky libër, që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve. Ndoshta kështu plotësojmë edhe kureshtjen e tyre. Libri juaj është botuar për herë të parë në vitin 2003, ribotuar në 2006, dhe nën kujdesin e Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sporteve të Republikës së Kosovës sërish në vitin 2010. Si u lindi idea dhe cili qe qëllimi që iu futët një pune kaq të madhe?

Ishin vitet e para të jetës time në Amerikë, koha kur më bënin përshtypje shumë gjëra, dhe nuk më kalonin pa vënë re fakte interesante. Në udhëtimet e përditshme me tren më zinte syri emra stacionesh që nuk më tingëllonin si amerikan dhe më nxisnin kureshtjen. P.sh. treni ndalte në Brodëay- Lafajet (emër francez,) apo në stacionin DeKalb (emër gjerman), në Kosciusko (polak), etj. Dhe në mënyrë të natyrshme lind pyetja: Kush ka qënë Lafayjet-i? Po DeKalbi? Pse aeroporti ka emër italian”La Guadia?” Shfletova një libër me shpjegime të emërtimeve të rrugëve të NYC. Por ishin shpjegime të shkurtra. Kjo qe nxitja e parë për të mësuar më shumë, e më pas hyrë thellë në studimin e historisë së këtij vendi. Markezi i ri francez, Lafajet, ishte vetëm 19 vjeç, kur bleu dhe ngarkoi një anijen me pajisje në ndihmë të revolucionit amerikan. Kur u takua me Xhorxh Uashingtonin , kryekomandantin e ushtrisë amerikane, i tha se kishte ardhur të luftonte si ushtar i thjeshtë, për pavarësinë e Amerikës. Ai e provoi veten në betejë dhe u bë një nga gjeneralët më të mirë të Uashingtonit. Markezi i ri deshi kaq shumë Xhorxh Uashingtonin, saqë për respekt të tij, kur u kthye në Francë i ngjiti djalit emrin Uashington. Baroni DeKalb, erdhi nga Gjermania në Amerikë për të luftuar për lirinë e saj e vdiq në një betejë të përgjakshme pasi kish marrë 11 plagë në trup. Këta burra, e shumë të tjerë të ardhur nga Evropa u bënë heronj të popullit amerikan. U bëra rrëmuese e bibliotekës, ‘ndiqja’ episodet më tërheqëse. Fillova t’i përkthej, redaktoj e disi ’letrarizoj’ e i botova tek ILIRIA. U pritën shumë mirë nga lexuesit. Sa më shumë lexoja aq më shumë e doja historinë e këtij vendi të madh të ndërtuar nga emigrantët mbi parime thellësisht demokratike ku të gjithë qytetarët janë të barabartë, të lirë dhe në kërkim të lumturisë. M’u sugjerua nga kolegët gazetës, për t’i hyrë punës për të një libër të plotë për historinë e Amerikës. Ishte një punë shumë e madhe dhe me përgjegjësi. Kam studiuar mbi 60 libra të karakterit historik, kulturor, social, biografi të presidentëve e njerëzve të shquar, etj. Qëllimi ishte që të gatuaja një libër jo akademik, por të thjeshtë në të shkruar, të lehtë në të kuptuar dhe të këndshëm në të shijuar, nga të gjitha moshat e nivelet. Qe një punë që më përpiu të tërën në ato vite dhe koha humbi sensin e vet. Para se ta dërgoja për botim, dorëshkrimin ua dhashë tre personaliteteve te shquara të diasporës amerikane, Prof. Nikolla Panos, historian, Prof. Sami Repishtit dhe Prof. Peter Priftit, vlerësimet e të cilëve më bënë të ndihesha shumë mirë. Pas daljes nga shtypi konsiderata maksimale më erdhën nga Prof. Aleks Luarasi, themelues i Universitetit ‘Luarasi”, i cili më ftoi ta bëja promovimin e librit në një nga ambientet e universitetit, nga Prof. Hamit Boriçi, nga kolegë gazetarë e lexues. Dritëro Agolli, në vizitën që i bëra së bashku me një mikun tim poet, mё tha: “Librin tuaj e kam në bibliotekë dhe e vlerësoj si një libër enciklopedik, pasi ka shumë informacion”. Por mbi të gjitha më gëzon fakti që ai libër kërkohet shumë nga shqiptaro- amerikanët, që duan të mësojnë historinë e atdheut të adoptuar.
Para se të largoheshit nga Shqipëria punonit në RTVSH. Jetoni tanimë prej 20 vjetësh në SHBA, ku jeni përshtatur më së miri dhe radhiteni mes intelektualeve tanë më të mirë në diasporën amerikane. Sa e vështirë ka qenë për ju rruga për të arritur deri këtu, dhe peripecitë që ju keni kaluar.

Kjo është një pyetje shumë e gjerë. Kur vendosa të qëndroj në Amerikë, isha e ndërgjegjshme që do të më duhej të bëja një përpjekje titanike, jo thjesht për të mbijetuar në kuptimin e sigurimit të bukës së gojës. Kjo nuk është ajo çka kërkon një intelektual shqiptar në mërgim. Mendimi, shpirti, dhe gjithë qenia e tij dhëmb të jetojë vetveten, të shpreh vetveten. Pra e fillova edhe një herë jetën nga e para. Iu ktheva edhe një herë shkollës. Fillimisht mbarova një institut biznesi, e më pas hyra në Universitetin e Nju Jorkut,(Laë School) në Manhatan. Shkolla më siguroi një vend pune të mirë që merrej me emigracionin. Zyra jonë ka ndihmuar shumë emigrantë shqiptarë për të marrë statusin legal e vazhduar drejt shtetësisë amerikane. Eksperienca ime jetësore në Nju Jork, njohja nga afër me jetën e klientëve emigrantë si edhe me studentët e mi, (pasi kam dhënë 6 vjet mësim në Institutin Globe, Manhattan), ka qenë një frymëzim i vazhdueshëm për krijimtarinë time. Peripecitë e jetës së emigrantit lexuesi i gjen në të gjitha librat e mi me tregime.

Ndër to do të veçoja vëllimin me tregime “Takim me të papriturën”. Sa nota autobiografike mbart ai?

Ka shumë nota autobiografike. Ashtu sikurse edhe libri im i parë, ”Kafe Shkodra e Nju Jorkut”, (1999) është reflektim direkt i jetës së re me të cilën po përballesha. Ishte krejt e freskët, e ardhur nga një Shqipëri tmerrësisht e varfër, (viti1992) kur edhe tezgat tek pazari i ri i Tiranës (sheshi ‘Avni Rustemi’) ishin bosh, kur nuk gjeje dot as kripë në treg. Pikërisht ajo qe koha kur unë erdha në Nju Jork, dhe nga një varfëri ekstreme rashë në një bollëk përrallor. Më dukej sikur do të më pushonte zemra nga kjo e papritur e madhe. Më duhej të adoptohesha me çdo gjë, por e rëndësishme ishte me konceptet e reja për jetën, kulture të re të jetuari, me një botëkuptim tjetër. Vura re se konceptet morale ndryshonin me ato me të cilat ishim rritur ne. Ishte një transfuzion i tërë mendimesh, botëkuptimi, një sjellje e qëndrimi të ri. Amerika na mësoi të themi ‘faleminderit’. Sado fyes të duket ky pohim sot, është i vërtetë. Para 20 vjetësh ne na vinte zor të shqiptonim këto dy fjalë në vendin tonë, megjithëse e mbaj mend mirë që në librat e shkollës fillore kishim një mësim për fjalët e bukura: ”Të lutem” “Më fal” dhe “ Të faleminderit”. Më kujtohet në udhëtimin e parë nga Nju Jorku në Tiranë, kur instinktivisht shqiptoja: “Faleminderit”, të njohurit më thoshin: ”E moj, ç’e ke këtë “faleminderit” edhe ti!” Vetëm ata që jetojnë këtu e kuptojnë se nuk është thjesht një formalitet i parëndësishëm, por është i pranishëm në jetën tonë me kuptimin e vet të plotë. Askush, s’ta ka për borxh të të bëjë edhe nderin më të vogël, ndaj duhet shprehur mirënjohje. Amerika na mësoi gjithashtu respektimin e privacisë së tjetrit, por mbi të gjitha ky vend na mësoi disiplinën e punës. Me punë dhe vetëm me punë këtu arrihet gjithçka. Shteti nuk të nxjerr pengesa,që të të nxijë jetën, por të jep mundësi të gjëra ku të gjesh veten e zhvillosh aftësitë e tua. Vetëm ai që nuk do të studiojë, që nuk do të punojë, që e mbyt veten me justifikime, mbetet dembel e dështak. U zgjata pak për të dalë tek ideja që tematika për krijuesit në këtë vend të madh është e gjerë dhe e pafund.

Libri ‘Ura mbi Oqean”. Nga titulli të shkon mendja se kjo është urë e hedhur midis Shqipërisë dhe Amerikës. Çfarë të veçantë ka ky libër në krahasim me të tjerët që u promovua nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë?

E veçanta qëndron që në konceptimin e tij. I vura vetes qëllim që ky libër t’u përkushtohej tërësisht emigrantëve të rinj që vijnë në Amerikë. Është për ata që bëjnë gati bagazhet, por edhe për ata që porsa kanë ardhur në këtë kontinent ku fillimisht e ndjejnë veten të humbur, po nuk u ndihmuan. Dikush e quajti “guidë” për emigrantët, se nëpërmjet tregimeve të librit, lexuesi gjen edhe një informacion të bollshëm, realist për jetën amerikane, në çdo aspekt të saj; sheh rrugën nëpër të cilën do të kalojë dhe mëson si të orientohet në këtë botë të madhe. Nëse promovimin e tij e organizoi Instituti i Diasporës në Ministrinë e Jashtme, mendoj se ka qenë pikërisht kjo arsyeja. Instituti i Diasporës e bëri si aktivitet të vetin. Më ftuan në promovim bashkë me bashkëshortin tim. Drejtor i Institutit të Diasporës atë kohë, z. Flamur Gashi, i cili drejtoi këtë aktivitet e vlerësoi librin si një shërbim shumë të mirë për emigrantët shqiptarë të Amerikës.

Qartë. Ju keni botuar pesë libra me tematikë nga jeta e emigrantit në SHBA. Mos është kjo arsyeja që i ndjeri Prof. Peter Prifti, u ka cilësuar si “pioniere e letërsisë së emigracionit në Amerikë?

I respektuari Profesor Peter Prifti, nolisti i fundit, më shkruante herë pa here kur lexonte tek gazeta “Iliria” ndonjë tregim apo shkrim timin. Kishte një entuziazëm të çiltër kur i pëlqente diçka. Më kujtohet kur shprehte emocionet e veta pas leximit të tregimeve “Gruaja në lisharës” ose “Lypësi i Metrosë”, duket ai i kishte ndjerë thellësisht. Ishte një burrë jashtëzakonisht i sjellshëm, një xhentelmen i vërtetë. Besoj kështu ka mbetur në memorien e të gjithë atyre që e kanë njohur. Unë s’e kam njohur atë personalisht,se ai banonte në San Diego, Kaliforni, por flas gjithnjë për komunikimet telefonike dhe ato elektronike. Një herë më shkroi se do të më dërgonte një “surprizë”. Prita me kureshtje. Në prag të Krishtlindjeve në postën time elektronike gjeta një tufë me poezi të miat të përkthyera në anglisht, shoqëruar me këtë shënim: “You are a gifted poetress with a romantic soul. How fortunate for you and your readers. It’s a pleasure to work on your poetry”. Mbeta pa fjalë. Askush s’më kishte bërë një dhuratë të tillë deri atëherë. Kjo më nxiti të botoja një përmbledhje me poezi në anglisht dhe shqip, ide të cilin profesori e priti shumë mirë. Kështu lindi libri me poezi anglisht/shqip “Yesterday I cut my hair” /”Dje preva flokët”, me përkthyes Prof. e nderuar Peter Prifti.

Ali Podrimja gjithashtu, u ka bërë një dhuratë tjetër, me sa kemi lexuar. Ai, kur ishte gjallë, ka përgatitur e botuar një libër me poezitë tuaja.

Për Ali Podrimjen kam qenë fare e panjohur, deri në momentin që atij i ra në dorë libri për të cilin fola më sipër. Ka qenë vjeshtë e vitit 2009 kur kam marrë për herë të parë një e-mail të shkurtër nga poeti i Madh, ku më shkruante se i kishin bërë përshtypje poezitë “Dje preva Flokët”, “Dashuria e gruas”, dhe veçanërisht disa poezi të shkurtra eliptike dhe më këshillonte të vazhdoja me poezinë eliptike, ai e respektonte një artikulim të tillë dhe e përkrahte, sepse “aty është edhe mençuria krijuese si dhe bukuria e artikulimit” dhe shtonte ” e bëni këtë për hir të letrave shqipe.” Ishte vërtet fat, t’i tërhiqja vëmendjen një gjigandi të poezisë sonë. Mesazhet e Ali Podrimjes i kam ruajtur të gjitha pasi ishin nxitëse dhe frymëzuese. Një ditë më shkruante se i kishte lindur idea që të përgatiste një libër me poezi të miat të cilat do t’i përzgjidhte vetë , ndaj duhej t’i nisja poezitë që kisha ende pa botuar. U befasova. Qe një gjest fisnik nga ana e tij. Më vonë mësova se nuk e kisha patur vetëm unë atë privilegj, por edhe krijuese të tjera. Kjo tregonte se Ali Podrimja kishte një interes të sinqertë në afirmimin e poeteshave shqiptare që “zëri i femrës shqiptare të dëgjohej edhe përtej kufijve të vendit” siç më shkruante. Personalisht për herë të parë u takova me Ali Podrimjen në Maj të viti 2010, pasi libri me poezitë e mia i përgatitur prej tij, ”Ka gjithmonë diku”, kishte dalë nga botimi. U befasova sërish sepse para meje qëndronte një burrë i thjeshtë, trupvogël, ndryshe nga përfytyrimi që kisha patur. Madhështia e tij qëndronte tek vepra. Ikja e tij e parakohshme qe një humbje e madhe për letërsinë shqipe,për të gjithë krijuesit dhe lexuesit.

Kemi parë që shumë poetë krijimtarinë e tyre nuk e botojnë me emrin e tyre të vërtetë por me një pseudonim. Kemi dëgjuar që edhe ju e keni patur një të tillë. Nëse po, cila ka qenë arsyeja që ju ka shtyrë ta përdornit dhe cila vepër e mban atë emër?

Poezinë e kam dashur që në rininë time të hershme, por nuk dija se do të isha në gjendje ‘ta pushtoja’. Kur hodha vargjet e para në internet tek “Bota letrare” edhe pse të ndjera, druhesha nëse do ta justifikoja veten, po qe se do t’i hyja kësaj rruge të re. Ndaj përdora për provë pseudonimin “Blerta Tirana”, me të cilin u botua edhe vëllimi im i parë poetik, ”POEZI”. Mbaj mënd që një botues atëherë më tha. “Nëse do ta shikosh se sa sukses ka një libër, shko në bibliotekën kombëtare.. Nëse libri ka mbetur ende i ri,që nga botimi,do të thotë që s’ka pasur lexues. Libri yt me poezi është bërë copë.”

Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu: “Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë”. Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë?

Poezia është mbretëreshë. Për të arritur deri tek ajo, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Por nëse arrin tek ajo, kjo nuk do të thotë që fiton të drejtën t’i adresohesh me “ti”. Përkundrazi do mbajtur vendi që të rezervon ajo, pa mendjemadhësi.

Gjatë një aktiviteti në pranverën e vitit 2008, ju jeni cilësuar dhe si “Gruaja e Vitit”, çfarë emocionesh përcolli te ju ky vlerësim?

S’kam punuar asnjëherë për çmime e për ndere të veçanta. Çfarëdo që kam bërë si krijuese apo në planin shoqëror, e kam bërë se ashtu më ka thënë shpirti. Nëse jam nderuar ajo ka qenë gjithnjë iniciativë e të tjerëve. Unë u jam mirënjohëse. Atë kohë kur m’u dha ky titull, i kisha dhënë lexuesit librin”Udhëtim në Historinë e Amerikës”, librin dokumentar “Children of Kosova-stories of Horror”, si edhe libra të tjerë, me personazhin e emigrantit në qendër. Gjithashtu, kisha iniciuar një rubrikë të përjavshme në gazetën Iliria: ”Çështje të Emigracionit”, që ende e mbaj edhe sot e kësaj dite. Është një rubrikë e nevojshme e suksesshme, sepse u vjen në ndihmë emigrantëve të rinj për të njohur ligjet e proceset e emigracionit, për të mos rënë prehë e elementeve negativë që i zhvasin, nën pretekstin se i ndihmojnë. Kjo rubrikë ka tashmë nëntë vjet në shërbim të lexuesve të interesuar. Titulli “Grua e vitit” m’u dha në 15 vjetorin e krijimit të Organizatës së njohur të gruas Shqiptaro -Amerikane me presidente Anna Kohen e cila është një personalitet i njohur këtu në Amerikë dhe në Shqipëri. I jam mirënjohëse në vlerësimin që i bëri punës sime.

Libri juaj “Children of Kosova stories of horror” (1999), u aprovua si tekst shkollor, nga Ministria e Arsimit e Nju Jorkut, dhe kjo besoj është hera e parë që ndodh me një autore shqiptare. Sa me fat e ndjetë veten?

Këtu në Amerike fat është vetëm llotaria. Çdo gjë tjetër fitohet me punë. Qëllimi im me atë libër ishte të jepja genocidin serb përmes vështrimit të pafajshëm e të paanshëm të fëmijëve. 43 rrëfime të fëmijëve refugjatë kosovarë në libër janë 43 dëshmi të këtij genocidi gjatë pranverës së 1999. Libri lindi në bazën ushtarake amerikane të Fort Diksit, N.J., ku ishin vendosur përkohësisht nga qeveria amerikane, rreth 5000 refugjatë të Kosovës. Unë punoja aty në cilësinë e gazetares së radios, të hapur posaçërisht për ta, për t’u dhënë informacion se ç’po ndodhte atë kohë në Kosovë , Sërbi e Ballkan. Pas botimit të librit, një mësues i një shkolle të mesme këtu në Bruklin, shok me tim shoq, na tha se ky do të ishte një libër shumë i mirë për mësuesit kur vjen puna për t’u shpjeguar nxënësve shtypjen e të drejtave të njeriut dhe na këshilloi t’ja dërgonim librin Bordit të Edukimit të Nju Jorkut për vlerësim. Brenda dy muash na erdhi përgjigja që libri qe aprovuar si tekst shkollor për klasat 6-12, për studime sociale. Kjo qe njëkohësisht edhe dhurata më e madhe për fëmijët dhe familjarët e tyre, por edhe për personelin amerikan që punoi në Fort Diks përshtypjet e të cilëve qenë përfshirë në libër. Pra gjithçka qe punë dhe komunikim i drejtë përdrejtë me institucionin përkatës. Vetëm një kontakt shkresor, zyrtar. Kaq. Kjo është një nga kënaqësitë mëdha që të jep Amerika: E meritove? E more. Nuk ka nevojë për miq e stërmiq këtu. Uroj që kjo kohë të vijë sa më shpejt edhe në atdhe.

A keni ju një tregim a poezi që e kini më për zemër dhe pse pikërisht ai? Ka diçka specifike që të mban të lidhur me të?

Është tregimin im i parë, i shkruar kur isha studente praktikante e gazetarisë. Isha 20 vjeç atëherë kur më nisën në shërbimi tim të parë në qytetin e Shkodrës. Aty takova një grua që për kohën e vet ishte shumë e emancipuar. Ajo me tregoi historinë e jetës së saj, dhe unë e thitha. Tregimi është realist në çdo detaj. Qëndron në formën e vet origjinale siç u shkrua atëherë, me përjashtim të paragrafit hyrës si prezantim, dhe mbyllës, që i vendosa më vonë. E kam ribotuar disa herë. Z. Miho Gjini, kritik, ”Mjeshtër i Madh” në një analizë të librave të mi, e hapte shkrimin e tij pikërisht me atë tregim. Heroina ishte nga bregdeti, duket personazh kaq e njohur sa të gjithë kolegët e mi bregdetas e kuptuan se për kë bëja fjalë. Madje dikush më tha se tregimin duhej ta kisha titulluar ”Vajza nga bregdeti”. Ndoshta kishte të drejtë. Në librin tim me titull ”Magjia e një zëri” ky tregim është përfshirë me titullin ”Dashuria erdhi në shi”

Krijimtaria juaj ka marrë vlerësime nga mjaft profesionistë të fushës së letrave, duke ju cilësuar si shkrimtare që bazoheni në jetën reale. Ka ndonjë vlerësim i cili ju ka bërë më shumë përshtypje dhe nga kush?

Më ka bërë përshtypje cilësimi i Profesor Priftit si ”pioniere e letërsisë së emigracionit në Amerikë”. Ai e kishte dhënë këtë vlerësim e bëri pasi kish lexuar katër vëllimet e para. “Mjeshtri i madh” Miho Gjini në një analizën të tijën me titull ”Magjia e rrëfimit të Albanës”, thotë se kjo “magji” gjendet “në thjeshtësinë, ndjeshmërinë dhe vërtetësinë e letërsisë së saj”, mjeshtri, Prof. Klara Kodra, por edhe kolegë të mitë bien në një mendje kur shprehen se “Albana është vetvetja”. Këtë karakterizim me thënë të drejtën unë e gjej thellësisht të vërtetë.

Ç’vepra apo ç’autorë kanë ndikuar në formimin tuaj si shkrimtare?

Unë mund të them se cilët kam më të preferuar, por nuk besoj të jem ndikuar prej tyre. Që e vogël kam mbajtur ditar dhe përshtypjet e mia nga jeta nga shoqëria ,shkolla gjithnjë i hidhja aty. Nuk rrija dot pa i shkruar. Realizmi mbetet zemra e krijimtarisë sime. Pa të, nuk do të isha unë. Jam adhuruese e Heminguejt dhe Çehovit. Heminguej ka thënë se për një shkrimtar është vitale të vёzhgojё dhe të hedhë në letër vëzhgimet e tij, saktësisht. Ai ndjente që materiali i shkrimtarit duhet të vijë nga pёrvoja personale, përndryshe nuk do të qe bindës. Duke e zbatuar këtë në praktikë, nobelisti gjithnjë merrte me vete një makinë shkrimi portable, kudo që shkonte. Çehovi, nga ana tjetër, me tregimet e tij, krijoi mërira tek miqtë më të afërt. Nëse “njeh” jetën e rrethin e të njohurve të Çehovit, disa nga ata i gjen në tregimet e novelat e tij.

Duke qenë se ju jeni shumë e angazhuar, sa kohë i lini pasionit tuaj për të shkruar dhe lexuar?

Koha ime varet nga frymëzimi im. Unë atë nuk e ul dot në karrige dhe nuk i vë dot orar. Por kur ai më rrëmben,e humbas sensin e kohës..

Ju keni përkthyer në shqip dy romane bestseller amerikan. Si e menaxhuat kohën në mes punës suaj krijuese dhe përkthimit të tyre?

Ishte një rastësi. Ime vjehërr më sugjeroi të lexoja librin”Tuesdays with Morrie”(Të martat me Morin). E mbarova me një frymë dhe thashë me vete ”Ky libër duhet lexuar nga të gjithë”. Libri për mua ishte një thirrje për të ruajtur vlerat morale, duke u dhënë prioritet para atyre materiale Autori Mitch Albom, është një gazetar amerikan (i sportit) të cilit ky roman i kishte dhënë famë të madhe. Libri qe përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe qe bërë edhe film. Iu vura përkthimit me shumë pasion. Kur erdhi puna e botimit iu drejtova dy shtëpive botuese, më të dëgjuarat në Tiranë. Njërit botues nuk i pëlqeu emri i personazhit kryesor, që ekspozohej që në titull. Sugjeroi që duhet ndërruar titulli. Natyrisht, për mua kjo nuk ishte gjë që bëhej. Tjetra shtëpi botuese edhe më e njohur akoma, më la gjashtë muaj të prisja e pastaj më dërgoi fjalë që do të ma botonte menjëherë librin po qe se do e paguaja unë vetë botimin. Qesharake. Së fundi ndodhi që botuesi i Omskës ishte në procesin e marrjes së lejes për botimin pikërisht të romanit që kisha përkthyer unë. Çfarë koincidence! U bë. Romani tjetër ‘Qyteti i Pejtonit’ m’u dha për përkthim nga Omska. Menaxhimi i kohës natyrisht është i vështirë, por në këto raste punën e zgjidh pasioni. Çdo krijim artistik duhet realizuar nga autori kur ai është i ngrohtë, kur bëhet njësh me veprën e përjeton atë emocionalisht.

Zakonisht figura e femrës shikohet si e brishtë, por mund të them se ju jeni një nga shembujt më të mirë që tregon forcën dhe suksesin e saj për të ecur përpara dhe të përparojë. Si e shihni pozitën e femrës shqiptare dikur dhe sot? Çfarë mesazhi përcillni për femrat në Shqipëri?

Unë mendoj që gruaja shqiptare është e fortë dhe ka plot shembuj që flasin për këtë. Ajo është edhe shumë e durueshme njëkohësisht, por durimi i gruas nuk duhet marrë për dobësi. Ajo duhet të jetë më e ndërgjegjshme për potencialin e vet,dhe të gjejë mundësitë ku të materializojë këtë potencial. Gratë në emigracion e kanë nxjerrë në pah këtë energji, e personalitet të tyren. Janë ato që bëhen iniciatorë, përpara burrave, për një jetë më të mirë e që sakrifikojnë. Nga gratë e emigracionit letërsia shqipe është pasuruar, ka fituar mjaft poete e prozatore të mira. Mesazhi im për femrën në Shqipëri do të ishte: Solidarizim më të madh dhe më shumë aksion/veprim/ në mbrojtje të të drejtave të saj. Gruaja shqiptare e vuajtur, e dhunuar në të drejtat e saj duhet ta ndjejë që ekziston një mbrojtje reale e legale për të. Shërbimi i Emigracionit amerikan u njeh të drejtën e azilit grave të keqtrajtuara në vendet ku ato nuk gjejnë mbrojtje nga shteti e organizatat shoqërore. Kjo tregon se sa rëndësi të madhe u jep atyre ky shtet demokratik, shembulli i të cilit duhet ndjekur edhe në këtë aspekt.

Çfarë këshillash do të dëshironit të ndanit me ata që aspirojnë të bëhen shkrimtarë?

Do t’u sugjeroja këshillat e drejtpërdrejta të Bukovskit që thotë: “Nëse të duhet të ulesh për orë të tëra duke vështruar kompjuterin apo të kruspullosesh mbi makinën e shkrimit duke kërkuar fjalët,mos e bëj. Nëse po e bën për para, apo për famë, mos e bëj. Nëse të duhet të ulesh dhe të shkruash e ta rishkruash sërish e sërish, mos e bëj. Nëse është kaq e vështirë edhe vetëm ta mendosh, mos e bëj. Nëse po mundohesh të shkruash si dikush tjetër, harroje,…etj”

Çfarë jeni duke punuar aktualisht?

Kam një projekt në dore, por preferoj më shumë të mos flas për të.

Intervistoi: Altin Sinani