Nga Skender Minxhozi, JAVA
Zoti Çakuli, dhjetë vjet të emisionit Fiks Fare. Një moment refleksioni?
Dhjetë vjet për një emision të përditshëm, janë pak, po ta shikosh nga ana kronologjike. Por janë shumë për intensitetin e punës, për angazhimin dhe nervat që duhet të harxhosh. Megjithatë, kur njerëzit të përshëndesin çdo ditë me dashuri për emisionin, harrohen të gjitha. Flas për njerëzit e thjeshtë, se nga qeveritarët nuk presim urime. Në çastin që ata do fillojnë të lavdërojnë Fiksin, unë do të ndihem në siklet.
Cilat do të ishin disa nga lajmet e bujshme që u kanë mbetur në kujtesë, me të cilat është marrë Fiksi?
Në këtë 10-vjetor ajo që më bën përshtypje, nuk janë temat e mëdha, të cilat kanë bërë jehonë brenda dhe jashtë vendit, si dorëheqjet e disa ministrave, Ngjela-Geit, blerja dhe shitja e fëmijës në Greqi, ujërat e ambalazhuara me ngarkesa mikrobike, etj., por fakti që çdo ditë në portën e Topit vijnë mesatarisht dhjetë-pesëmbëdhjetë qytetarë, nga të gjitha anët e vendit, të cilët i besojnë Fiksit hallet e problemet e tyre. Ne i dëgjojmë me vëmendje dhe u gjendemi pranë, duke i bërë pjesë të opinionit publik dhe përplasemi bashkë me ta në dyert e shurdhëta të institucioneve shtetërore. Se shumica e qytetarëve të këtij Atdheut tonë të dashur, vërtiten me vite të tëra për një hall, çka të kujton personazhet e Kafkës dhe Kamysë, që janë të huaj në vendin e tyre dhe që nuk dinë pse dënohen nga gjykatës që vetë nuk e kuptojnë pse u japin pretencën.
Nga dhjetë vjet jete, ju ka rastisur që në më shumë se shtatë prej tyre të keni në qendër kryesisht qeverinë Berisha. Kujtoj se e keni pasur dikur në studio, si të ftuar, edhe vetë Doktorin…
Kryeministri i shqiptarëve mburret gjashtë herë në ditë në ekranet televizive, se qeveria e tij mendon ditë e natë për qytetarët e saj, më saktë për votuesit, dhe se ata, qytetarët, janë të parët dhe se ai, “me-nder-me-thanë” kryeministri, është shërbëtor i tyre. Është e turpshme për kolegët e mi që ia bënë mikrofonin shtyllën e tij vertebrore, që edhe “kur del nga haleja” i bëjnë pyetje, çfarë ke bërë dhe çfarë ke në dorë tani. Shoqëria civile që ai mburr përditë është inekzistente dhe siç ka thënë një shkrimtar i madh anglez i shekullit të kaluar, Suifti, njerëzit që nëpërkëmben për një kohë të gjatë, e humbasin dalëngadalë shijen e lirisë së tyre.
Më të lumturit dhe më të qetët në këtë mëmëdhe janë ata fakirët që marrin bukë me listë dhe nuk kanë mundësi të blejnë një televizor. Ata kanë fatin të mos dëgjojnë përditë logorenë e kryeministrit, se në saj të tij jemi vendi më i zhvilluar në rajon, të dytët në Evropë dhe të tretët në planet, për rritje rrogash e pensionesh. Po ky udhëheqësi ynë nuk u tregon asnjëherë qytetarëve të tij, që mezi shtyjnë ditën me borxhe, se gjermanët, francezët, italianët etj, që ky burri i madh i shtetit u ka dalë përpara, nuk kanë pse ngrenë pensionet dhe rogat. I kanë llogaritur që në krye të herës që me ato rroga e pensione të jetojnë normalisht dhe për të arritur tek ata, që ky yni i paska lënë mbrapa, duhet të pesëqind-fishohen këto tonat.
Ky burri i madh i shtetit, sipas një përcaktimi të nxituar të ambasadorit amerikan, që është penduar njëqind herë që e ka thënë, tregon përralla përditë, për thyerje rekordesh, që i mat dhe i publikon vetë, që na rishkruan historinë me injorancën e tij enciklopedike, aq sa nuk di as emrat e njerëzve të mëdhenj të kombit, sa Aleksandër Stavre Drenovës i thotë Aleksandër Sotir Drenova dhe Zogut mërgimtar i thotë antifashisti më i madh dhe ne e dëgjojmë dhe e kalojmë me një “është i lajthitur”. Dhe të marrit hapi rrugë, siç thotë një fjalë e urtë. Po, siç ka thënë një president amerikan, lumturia më e madhe për një diktator, është një popull pa tru në kokë.
Që nga koha e Pisistratit, si demagogu i parë në historinë e botës, këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, kryeministri ynë zë një vend nderi në demagogjinë e tij të shfrenuar. Ai flet orë e çast për shkollimin e fëmijëve, ku ia kemi kaluar vendeve të zhvilluara evropiane, ndërkohë që mijëra fëmijë nuk kanë mundësi të vazhdojnë shkollën për arsye ekonomike, me qindra fëmijë janë të ngujuar dhe nuk shohin dritën e diellit, pa le derën e shkollës. Flet për miliona turistë që vërshojnë në brigjet tona, kur akoma mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm. Për çfarë dreqin vikan këta turistë? Për të parë si mund të rrohet pa ujë e pa drita?
Në një shkrim të fundit ironizonit Berishën për nderimet që i bëri Ahmet Zogut në 100 vjetorin e Pavarësisë. Pak ditë më parë ai inauguroi shtatoren e tij në Tiranë, duke u shprehur se Zogu ka qenë një ndër antifashistët më të vendosur të Shqipërisë dhe Europës. Cila mund të ishte përgjigja ndaj kryeministrit në këtë rast?
Si të mos e ironizoj unë kryeministrin?! Vini re piruetat e tij për Zogun. Një herë e quajti satrap, që me bajonetat serbe rrëzoi korifejtë e revolucionit të qershorit. Pastaj përzuri të birin e tij nga Shqipëria për 24 orë dhe mirë bëri, se ky bir Zogu ngjeshi armët në brez dhe më vonë sulmoi KQZ-në, ku mbeti i vrarë një i pafajshëm. I dënuar nga gjykata për armëmbajtje pa leje dhe i amnistuar nga Kuvendi, ky bir Zogu thirret nga republika për ta permbysur atë dhe për të ringritur monarkinë.
Kryeministri ynë, me injorancën e tij historike na e quan Zogollin mbretin e parë të shqiptarëve dhe askush afër tij nuk e ndërpret e t’i thotë “mos fol përçart”, se mbreti i parë i Shqipërisë moderne ishte vendosur nga ata që na caktuan dhe kufinjtë dhe që zbriti në Durrës më 1913. Princ Vidi ishte i pari, Zogu i vetëshpallur i dyti dhe Viktor Emanueli i treti, që ia çuam kurorën vetë ne shqipet e maleve. Historia është ajo që është dhe nuk fshihet duke kthyer portretet historike me fytyrë nga muri. Virgjëreshë nuk bëhesh, por mbetesh, i thonë andej nga anët tona.
Ndërkohë që kritikoni ashpër Berishën, nuk po thoni diçka për opozitën. Si ju duket ajo?
Opozita vazhdon të operojë me metoda kristiane, duke harruar se kristiani i mirë i fundit i vërtetë, ka dy mijë e ca vjet që ka vdekur i kryqëzuar. Siç ka thënë Xhefersoni, presidenti i famshem amerikan, ne nuk mund të presim që nga despotizmi në liri të na shpien mbi jastëk me pupla.
Ku qëndron suksesi i Fiks Fare?
Suksesi i Fiksit qëndron në radhë të parë në faktin se është produkt i Top Channel, një investim i madh i ideatorit të tij dhe themeluesit të Top Medias, Dritan Hoxha. Dhe vëmendja për këtë emision, e drejtuesve të sotëm të këtij kanali gjigand televiziv, vazhdon me të njëjtin intensitet. Një nga mrekullitë e Fiksit është dyshja e papërsëritshme e paraqitësve të programit, Saimirit e Doktorit, të cilët nuk bien asnjëherë në monotoni, megjithëse janë të përnatshëm. Unë kam dhjetë vjet që punoj me ta dhe sot nuk jam në gjendje ta përcaktoj sa u kam dhënë atyre dhe sa kam marrë nga ata. Pa këtë çift kaq harmonik, këtij emisioni do t’i mungonte fytyra e bukur dhe tërheqëse. Prapa tyre qëndrojnë një grup gazetarësh dhe operatorësh profesionistë, që janë rritur bashkë me Fiksin, montazherë të aftë dhe krejt prapavija e përkushtuar. Pa këta jo një Filip të ishte, po njëqind filipa nuk mund të ngrinin në këtë nivel këtë program kaq popullor. Lashë të fundit ëmbëlsirën, Denisën, zëvendësen time, më saktë realizuesen e përgjegjshme të skenarit dhe drejtuesen e papërtueshme.
Një sektor mjaft i rëndësishëm i emisionit është ai i kamerave të fshehta, të cilët të kujtojnë heronjtë e heshtur të dikurshëm. Ne përdorim mjetet e zakonshme regjistruese dhe jo përgjuese, siç komentojnë jo rrallë dashakeqët, ose ata që janë djegur nga këto kamera. Askujt s’i përgjohet jeta private; vetëm regjistrohen dhe filmohen persona dhe ngjarje ku është i pranishëm edhe gazetari ynë.
Fiks Fare tashmë ka një histori suksesi dhe kjo vjen jo vetëm nga temat e mëdha, siç emërtohen rëndom në gjuhën tonë gazetareske, por edhe problemet e përditshme që përballen njerëzit e thjeshtë dhe që shpesh gjejnë zgjidhje me ndërhyrjen tonë. Ndjekja e këtyre problemeve deri në fund dhe zgjidhja e shumë prej tyre, ka krijuar besueshmërinë dhe mundësinë e qytetarëve për të denoncuar çdo padrejtësi dhe aferë korrupsioni. Natyrisht edhe denoncimet e bujshme, që kanë përfunduar me shkarkime dhe dorëheqje ministrash, demaskimi i anës despotike të Berishës nga avokati i njohur, Ngjela, zbulimi i rrjetit të trafikimit të fëmijëve dhe të prodhimit të kartëmonedhave falso, nëpërmjet infiltrimit në to, marrja e patentës për motoçikletë për një invalid pa duar, filmimet dhe regjistrimet brenda fabrikave e punishteve të prodhimit të ujit të ambalazhuar dhe të ushqimeve të konservuara, punësimi në institucione dhe marrja e provimit në universitet, duke paguar “kafen”, që shkon deri në mijëra euro, etj., të cilat kanë pasur jehonë publike, kanë rëndësinë e tyre në ngritjen e autoritetit të emisionit.





