Ushtarët e këtij vendi po zgjerojnë aktivitetin nëpër botë me shpejtësi
Në të njëjtën kohë, Parlamenti i Gjermanisë debatoi dhe miratoi dërgimin e 400 trupave gjermane në Turqi, përveç 6 mijë ushtarëve që sakaq janë në operacione të tjera, për të mbrojtur aleatin në NATO, Turqinë, nga ndonjë përhapje e mundshme e konfliktit të Sirisë.
“Për dekada, gjermanët kanë përfituar nga fakti se partnerët tanë na kanë ofruar siguri”, thotë Thomas de Maizière, ministri i Mbrojtjes i këtij vendi. “Tashmë ne jemi në pozicionin dhe kemi detyrën ta bëjmë ndikimin tonë të ndihet”.
Miratimi i ndërhyrjes së fundit jashtë vendit të ushtrisë së Gjermanisë u kundërshtua vetëm nga një grusht i vogël protestuesish që shpërndanë fletushka në Berlin. Vetëm pak kohë më parë, çdo veprim ushtarak i Gjermanisë sillte demonstrata masive dhe i kujtonte vendit të shkuarën e vet militariste. Por hija e historisë vijon të dobësohet mbi Gjermani për mirë apo për keq dhe vendi po normalizon marrëdhëniet që ka me forcat e veta të armatosura.
Përgjatë tri viteve të fundit, Europa ka qenë e shqetësuar me problemet ekonomike, por çështjet strategjike ushtarake nuk mund të injorohen pafundësisht. Shtetet e Bashkuara po e zhvendosin vëmendjen në rajonin e Azi-Paqësorit, duke reduktuar numrin e trupave të vendosura në Europë.
“Europa ka më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe Gjermania duhet të përballet me këtë”, thotë Constanze Stelzenmüller, një ekspert i sigurisë. Gjermania e pezulloi pa afat rekrutimin më 2011 si pjesë e planit për të kaluar te forcat ushtarake strikte profesioniste. Në gusht, Gjykata Kushtetuese vendosi për herë të parë se ushtria gjermane mund të hyjë në veprime në territorin e Gjermanisë, në raste situatash të jashtëzakonshme.
“Natyrisht shumë gjëra kanë ecur përpara në drejtim të pranimit të dërgimit të trupave jashtë vendit dhe jashtë territorit të NATO-s”, thotë koloneli Ulrich Kirsch, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Pension. “Por gjermanët, si sot edhe më parë, nuk janë shumë frymëzues për operacione ushtarake”.
Gjermania, ndërkohë, është eksportuesi i tretë më i madh i armëve në botë pas SHBA-së dhe Rusisë dhe shet armë jo vetëm për vendet e NATO-s, por edhe në Izrael, Lindjen e Mesme e më tutje. Industria ushtarake në këtë vend punëson mbi 80 mijë vetë. Muajin e kaluar, revista “Der Spiegel” publikoi një kryeartikull, ku thuhej se strategjia e re e Merkel është që të dërgojë më pak trupa gjermane në zonat e konfliktit, por të shesë më shumë armë për qeveritë partnere. Gjermania eksporton mbi 10 miliardë euro armatime në vit.
Shpenzimet për mbrojtjen në tërësi në Europën Qendrore kanë ardhur në rënie si pasojë e krizës, gjë që i ka shtyrë disa analistë të thonë se Europa po rrezikon të humbasë ndikimin e saj në botë pasi po bie edhe më poshtë në dizavantazhin sakaq të madh që ka me SHBA-në në termat e kapaciteteve ushtarake.
Qëndrimi i Gjermanisë në vitet e ardhshme mund t’i japë formë çështjeve ushtarake të së gjithë Europës. “Gjermania është kthyer në lojë si një nga vendet më të rëndësishme në Hemisferën Perëndimore, por kjo lloj përgjegjësie që duhet të shoqërojë këtë rëndësi, nuk shfaqet në sjelljen e Berlinit”, thotë një ekspert në Berlin. “Nëse Gjermania dëshiron të jetë në pozicion udhëheqës, atëherë ka nevojë për angazhime më të forta ushtarake”, shton ai.
Trupat gjermane kanë qenë në Afganistan për më shumë se një dekadë, por kanë qëndruar më së shumti në zonat e sigurta në veri të vendit. Helikopterët e parë Tiger u dërguan në Afganistan vetëm vitin e kaluar.
Gjermania nuk ka marrë pjesë në operacione ushtarake jashtë vendit nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1999, kur mori pjesë në bombardimet ndaj ish-Jugosllavisë.
Në maj 2010, presidenti i Gjermanisë, Horst Köhler, dha një intervistë ku deklaroi se shoqëria duhet të njohë sakrificat e forcave ushtarake.
“Një vend me përmasat tona, – tha Köhler – me fokus tek eksportet dhe rrjedhimisht me varësi nga tregtia e jashtme, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se dërgimi i trupave jashtë vendit është i domosdoshëm për të mbrojtur interesat tona, për shembull, kur flitet për rrugët e tregtisë apo parandalimin e destabiliteteve rajonale që mund të dëmtojnë tregtinë, vendet e punës dhe të ardhurat tona”.
Zemërimi i publikut ndaj këtyre komenteve bënë që presidenti të dorëhiqej. Por në të njëjtën kohë, marina ushtarake gjermane ishte duke bërë pikërisht atë për të cilën pati folur Köhler: ajo po patrullonte rrugën detare në brigjet e Afrikës.